PORTRETI I SHKARRAVITUR-tregim

11.11.2006 · Beqir ELSHANI(Guest) · Forumi i vjetër RTVZIK

← Letërsi

Beqir ELSHANI
tregim
[highlight]PORTRETI I SHKARRAVITUR[/highlight]

Bibliotekari rrotulloi çelësin në bravën e derës kryesore të bibliotekës,
hyri brenda dhe menjëherë hapi dritaren për të ajrosur lokalin. Kështu
vepronte, sepse librat duhej ajrosur, por edhe era e librave të ngjeshur
gjatë natës duhej larguar nga lokali. Bibliotekari ishte i tillë saqë nuk ia
donte të mungonte asnjë ditë pune në bibliotekë, përndryshe kush do të
ajroste librat në bibliotekë, pa lë më lexuesit që do të dëshpëroheshin. I
ngjante amvisës, e cila nuk guxonte të shkonte në gjini, për shkak se nuk
kishte kush e mjelë bagëtinë. Koha më e përshtatshme për ajrosjen e lokalit
ishte gjatë stinës së pranverës meqë temperatura ishte e qëndrueshme. Sa më
e nxehtë që ishte klima aq më shumë kundërmonin librat.
- Librat janë materie biologjike, - tha një ditë bibliotekari duke biseduar
me sekretarin e shtëpisë së kulturës, prandaj kanë nevojë për oksigjen. Një
libër që nuk ka sadopak oksigjen, lexuesit mund t’i shkaktojë dhimbjen e
syve.
- Duket se nuk je i kënaqur, me ajrosjen e lokalit, të cilën e bën
pastruesja para se të hapet biblioteka? – ndërhyri sekretari.
- Natyrisht që ajo e ajros para fillimit të punës, megjithatë nuk mjafton.
Ti e di se zakonisht të hënave era e zyrës sate kundërmon më shumë se ditëve
tjera, edhe pse janë disa dokumente administrative - plotësoi bibliotekari.
- Mos deshe të thuash se zyrës sime i vjen era tym duhani?! - pyeti
sekretari si me druajtje.
- Sa i përket tymit të duhanit, më mirë e di pastruesja… Duhanpirësit nuk e
marrin vesh erën e tymit të duhanit, - tha bibliotekari, ndërkohë që
sekretari po dilte prej bibliotekës.
Bibliotekari hapi inventarin e librit dhe filloi të regjistrojë disa libra
të dhuruara nga Instituti Albanologjik. Pas pak në bibliotekë hyri
pastruesja, ajo i vaditi dy lulet e mëdha në vazo, dhe karriget i vendosi
pranë tavolinave. Pastaj mbylli dritaret dhe shkoi për të vazhduar pastrimin
në sallën e teatrit.
Postieri hyri në bibliotekë dhe krahas përshëndetjes ia dorëzoi postën
bibliotekarit. Lexuesit kanë vërshuar në bibliotekë dhe me padurim presin të
shfletojnë faqet e shtypit të ditës. Në mëngjes lexuesit janë porsi zogjtë e
uritur që e ndjekin klloçkën prapa. Sakaq bibliotekari të gjitha gazetat ua
lëshoi në tavolinën e madhe. Ndonjëherë lexuesit bëhen të padurueshëm, nuk
presin, prandaj bibliotekari ua shpërndan gazetat dhe revistat pa i
regjistruar në kartele.
Tërë qyteti është në lëvizje, nxënësit mësyjnë drejt shkollës, punëtorët
drejt fabrikës dhe të tjerët drejt qendrës tregtare. Qytetarët thonë se ai
njeri që del në qytet, është e pamundur të mos e vizitojë bibliotekën.
Biblioteka është tempull që të jep dituri, thoshin qytetarët. Një prift
gjerman kishte thënë se më mirë është që qyteti të mbetet pa kishë, se pa
bibliotekë.
Pranë tavolinës së punës janë afruar lexuesit dhe presin të këmbejnë librat.
Nga mesi i tyre kumboi zëri i një lexuesi, ai kërkoi veprën „Gjarpijt e
gjakut“. Bibliotekari bëri sikur nuk e dëgjoi, mirëpo një tjetër sapo e
dëgjoi, u ngrit dhe së bashku me të doli jashtë.
- Me sa mend, kërkon librin e ndaluar? A e din ti, që vetëm po t’ia
përmendësh titullin, mund të përfundosh në burg? - e qortoi bindshëm lexuesi
symprehtë.
- Faleminderit për kujdesin! Nuk e kam ditur që libri ”Gjarpijt e gjakut”
është i rrezikshëm. Kam dëgjuar për këtë libër, ndaj e kërkova pa të keq.
Mbase bibliotekari nuk më ka dëgjuar, përndryshe e pat puna ime… - tha
djaloshi i shqetësuar.
- Sa për bibliotekarin, mos ki frikë, mirëpo brenda kishte plotë të tjerë,
dhe nuk dihet se si përfundon çështja… Vetëm për kërkesën e librit të
ndaluar, drejtori të flakë nga gjimnazi, - tha lexuesi i kujdesshëm, pastaj
u larguan të dytë.
Bibliotekari mbylli inventarin e librit dhe e vendosi në syzen e fundit të
tavolinës. Ndonjëherë qëllonte të kishte aq shumë lexues sa bibliotekari nuk
arrinte dot të lexonte së pakut shtypin e ditës. Kërkesa e hapur e lexuesit,
bibliotekarin e detyroi të marrë masa për fshehjen e librit ”Gjarpijt e
gjakut”. Ai e kuptonte kërshërinë e rinisë, por edhe pakujdesinë e tyre.
Largoi të gjitha librat nga rafti i fundit, pastaj e tërhoqi dërrasën. Aty
vendosi librat që nuk i duronte udba jugosllave, dhe dërrasën e mbërtheu me
dy-tri burme. Kështu vepronte sa herë që biblioteka vinte para rrezikut.
Pranë bibliotekës u ndal një automobil, dhe shoferi doli me një krah libra
të trasha, duket se ishte një akvizitor, që shiste libra me kontratë. Dera e
bibliotekës qëndronte e hapur, ndaj tregtari me një krah libra hyri brenda
në bibliotekë. Tungjatjetoi serbokroatisht dhe sakaq librat i lëshoi në
tavolinën e punës. Në fillim ia shtriu letrën në tavolinë, ishte një urdhër
nga Komiteti Komunal, që bibliotekarin e detyronte të blinte librat e trasha
në gjuhën serbokroate. Akvizitori mori në qëndrim, me anën e së cilës
pandehte sikur kontrata e tij për shitjen e librave po zbatohej.
- Më vjen keq, ne nuk kemi mjete për blerjen e librave! Përveç kësaj, nuk
kemi rafte të mjaftueshme, saqë librat të cilat i marrim falas nga
“Rilindja”, kanë mbetur në dysheme, - tha shkurt bibliotekari.
- Besoj se e keni kuptuar mirë letrën e komitetit, që veprat e LKJ-së janë
të obligueshme për bibliotekën tuaj popullore, - tha me përforcim tregtari
në gjuhën e tij.
- Mos është ultimatum dhe doni të më frikësoni?! - ia priti bibliotekari.
- Jo, nuk do t’ju frikësoj, por pas meje do të vij dikush tjetër të merret
veshë me ju! - shtoi tregtari duke mbledhur librat e tij nga tavolina që
kishte lëshuar pak më parë.
- Nëse na i falni, i marrim, sa për të blerë, Komiteti Komunal e di shumë
mirë që bibliotekat janë të varfra dhe nuk kanë mjete për furnizim me libra
të rinj, që kushtojnë më lirë dhe janë të domosdoshme për lexuesit, - ia
sqaroi bibliotekari akvizitorit serb. Fjalët e bibliotekarit ishin si një
bombardim për tregtarin e kuq.
Me kaq tregtari me automobilin e tij doli nga oborri i shtëpisë së kulturës
dhe kaloi në rrugën kryesore duke ikur në drejtim të Prishtinës. Ai e dinte
që librat janë bukur shtrenjtë, prandaj ishte munduar që me anën e detyrimit
autoritar t’i shiste.
Të nesërmen pasdite ra një shi sixhim dhe dy hetues hynë në bibliotekë.
Bibliotekari u përshëndet me ta, mendoi mbase për shkak të motit me shi kanë
hyrë në bibliotekë. E dinte se prania e hetuesve në bibliotekë krijonte
atmosferë të vrazhdët. Të presësh me padurim ikjen e tyre nga biblioteka,
për lexuesin ishte sikur të ik sa më parë nga kundërmimi i erës së keqe.
Mirëpo kësaj radhe ishin ngatërruar akrepat e orës. Njëri nga hetuesit
tregoi fletëbastisjen e sekretariatit të punëve të brendshme, kishin ardhur
për të bastisur fondin e bibliotekës. Ata thanë se ishin të dyshimtë rreth
fondit, prandaj duan të kontrollojnë. Bibliotekari bëri sikur kuptonte
detyrën e tyre dhe në mënyrë të shkoqur tha:
- Urdhëroni… shikoni! Sa i përket anës sime, këtu nuk ka asgjë që do të
rrezikonte veprimtarinë e bibliotekës.
Njëri prej hetuesve, dukej se ishte kryehetuesi, bibliotekarin e urdhëroi të
qëndrojë larg tavolinës së tij, derisa këta të kontrollojnë fondin dhe syzet
e tavolinës së punës. Ata filluan të shkruanin me disa lapsa kimikë dhe me
stilograf, të thuash sikur dyshonin për ndonjë pamflet të shkruar në rrugë.
Qëllimi i tyre ishte i caktuar, por që shtiheshin sikur ata kontrollojnë
derisa të hasin në manirën e fondit në bibliotekë. Ndërkohë bibliotekari pa
që hetuesi po shikonte pikërisht dollapin, ku ndodhej libri „Gjarpijt e
gjakut“. Papritmas u skuq në fytyrë, i shkuan mornicat në trup, mirëpo pas
pak e tërë kjo zallahi i kaloi dhe fitoi guximin. Skuqjen e tij e panë edhe
lexuesit në sallën e bibliotekës. Ata kishin hapur gazetat, mirëpo për shkak
të pranisë së hetuesve bënin sikur po lexonin. Gjatë bastisjes me dhjetëra
libra ranë në dysheme, ndaj hetuesi, u detyrua të kalojë në krahun tjetër të
dollapit. Lexuesit do të dilnin me ëndje nga biblioteka, mirëpo tani shiu
bie më i dendur. Një lexues pëshpëriti në vesh të shokut, duke i thënë se
gaboi që nuk doli derisa po hynin këta pisa. Shoku i tij e qortoi me gishtin
në buzë në mënyrë që të mbante heshtjen.
Bibliotekari, me vete mendoi se po të dilte në provim para profesor Mekulit,
zor se do t’i kujtoheshin veprat e letërsisë. Në këtë rast, derisa hetuesit
po e bastisnin bibliotekën, bibliotekarit iu kujtuan të gjitha librat në
fond. Iu kujtua edhe „Lahuta e Malsisë” që kishte bujtur ilegalisht në këtë
bibliotekë dhe tani kishte vajtur gjetkë. Mendoi mbase ndonjë lexues është
zbuluar dhe tani këta dyshojnë se “Lahuta e Malsisë” ende gjendet këtu. Këtë
e demonstroi duke kërrusur gishtin e madh të dorës si shenjë e topuzit.
Lexuesit ia panë gishtin e kërrusur dhe buzëqeshën.
Kaloi një çerek ore, dhe hetuesit ende nuk hasën ndonjë libër të rrezikshëm.
Shpeshherë babai ia kishte tërhequr vërejtjen të birit, që të ketë kujdes
rreth furnizimit në bibliotekë, sepse vetëm për një libër të ndaluar sipas
ligjit jugosllav, jo vetëm që e humb punën, por edhe përfundon në birucë.
Këto fjalë tani i silleshin vërdallë në kokë, mirëpo e dinte se është e
pamundur të mos merresh me „Isa Boletinin“, me „Azem Bejtën“, me „Gjarpijt e
gjakut“ me… Ishte sikur njeriu që shkon në mulli, doemos, do të bëhej me
miell. Prandaj mjafton të jesh shqiptar dhe të punosh në bibliotekë,
patjetër, do të merresh me librat patriotikë.
Ndërkohë, hetuesi hyri në fondin e librave dhe tani bibliotekari priste
çastin kur ai do ta gjente librin e Adem Demiçit, i cili ende gjendet në
burg. Një natë kishte parë ëndërr sikur ishte takuar me shkrimtarin, Adem
Demaçi. Ai e kishte qortuar që librin e tij ta largojë prej fondit dhe të
mos e rrezikojë bibliotekën. E kishte shprehi që ëndrrat t’ua rrëfente
shokëve, mirëpo këtë ëndërr qortuese askujt nuk ia tregoi. Të nesërmen posa
kishte hyrë në bibliotekë, nxori librin ”Gjarpijt e gjakut” për ta larguar,
mirëpo nuk mund ta bënte. I dukej sikur pa këtë libër biblioteka po
varfërohej. Përsëri e ktheu në vend. Jo vetëm kaq, por nga mllefi nxori
librat e Andriqit e të Qosiqit, dhe i ndezi në stufë. Ky kishte qenë suksesi
i tij i parë, ndaj portreti i Naim Frashërit në bibliotekë nisi të
ligjëronte shqiptarisht: ”O malet e Shqipërisë që mbani kryet përpjetë…”
Kryehetuesi, u ul në karrigen e bibliotekarit dhe me një lëvizje të
çuditshme ndezi cigaren. Sakaq fjollat e tymit u dukën në hapësirën e
bibliotekës. Me të parë lexuesit arrogancën e hetuesit me cigare, sytë i
drejtuan në shpallje, ku shkruante ”Ndalohet pirja e duhanit!”. Atëherë
bibliotekari ia tërhoqi vërejtjen:
- Ju lutem, në bibliotekë ndalohet duhani!
- A mos është shtëpia jote të ma ndalosh duhanin? - kundërshtoi me duf
kryehetuesi.
Kryehetuesi herë pas here cigaren e shkundte në dysheme dhe porsi një kalama
filloi të hapë e të mbyllë disa herë syzet e tavolinës. Pas pak u ngrit dhe
kaloi tek dollapi i revistave. Shfletoi pothuaj të gjitha revistat
shqiptare. Bibliotekari dyshoi në mos ndonjë lexues ka futur pamflete për
Kosovën Republikë. Pastaj kontrolluan revistat ushtarake në gjuhën
serbokroate që vinin falas. Papritmas fytyra e kryehetuesit shkreptiu si
rrufeja dhe klithi:
- Ç’është kjo? - klithi kryehetuesi, duke kapsallitur sytë në ballinën e
revistës.
Me të dëgjuar klithmën, hetuesi doli nga fondi i librave dhe iu afrua
kolegut. Lexuesit nuk kuptonin se ç’manirë kishin gjetur. Bibliotekari që
dyshonte për diçka tjetër, pa revistën ushtarake në duar të kryehetuesit.
Gjesti i hetuesve iu duk naiv dhe tani mori veten. Cigarja e e ndezur e
kryehetuesit po qëndronte në cepin e tavolinës, që tashmë po e digjte. Dukej
sikur me anën e njollës së zezë të cigares donte të lente një kujtim të
hidhur. Iu kujtua dora e mësueses me njollë të zezë, të cilën udba ia kishte
djegur me cigare. Xhelatët e kishin detyruar të tregonte se kush ka shkruar
parullën “Kosova Republikë! Ajo nuk kishte pranuar që të preken nxënësit e
saj. Po kjo mësuese ishte lexuese e rregullt në bibliotekën e tij, së cilës
ia shihte njollën në dorë.
- Nuk di ç’të keqe ka këtu? Pse nuk më lëni të qetë të vazhdoj punën? - tha
bibliotekari, që tani priste mendimin e prerë të hetuesve për të ditur se
çfarë kërkonin në bibliotekë.
- A, s’po të shohin sytë, a?! Tanimë, ti, nuk do të punosh këtu… - hungëroi
kryehetuesi, ndërkohë që tjetri po e përshkruante gjendjen sikur të kishte
ndodhur ndonjë vrasje.
- Jo unë, por asnjë bibliotekar i mençur nuk do ta bënte këtë që po ma
vishni ju. Mund ta ketë bërë ndonjë sabotues sa për të më diskredituar, -
plotësoi bibliotekari.
- Tani nuk është koha dhe vendi për të na mbajtur ligjërata. Mbylle
bibliotekën dhe eja me ne në sekretariat, - urdhëroi kryehetuesi, ndërkohë
që hetuesi po e mbështillte revistën e shkarravitur.
Bibliotekari me keqardhje i luti lexuesit të dalin nga biblioteka. Ata dolën
nëpër shi dhe u shpërndanë në drejtim të qendrës së qytetit.
Në stacionin policor shkuan me automobilin e tyre. Hetuesi bibliotekarin e
futi në zyrën e shefit të hetuesisë. Ata menjëherë ia lëshuan revistën në
tavolinë dhe e hapën sikur të ishte ndonjë libër i shenjtë. Kur shefi i
hetuesisë pa revistën, u ngërdhesh në fytyrë.
- Ç’është kjo, kështu? - bërtiti shefi i hetuesisë duke goditur dyshemenë me
këmbën e djathtë. Pastaj portretin në revistë ia tregoi bibliotekarit.
Sytë e Titos ishin shkarravitur me laps kimik, porsi Simonida e Graçanicës,
për të cilën fajësonin shqiptarët. Bibliotekari u habit, por edhe e kuptoi
kurdisjen e tyre, ishte një revistë e tillë, që asnjë lexues nuk denjon për
ta shikuar. Siç duket e ka bërë dora e ndonjë shovinisti serb sa për t’ia
ulur dinjitetin bibliotekarit. E kuptoi se kishte rënë në kurth dhe kthim
prapa nuk kishte. E pa sa liri kishin shqiptarët, serbët i kishin të gjitha
mundësitë që të sabotonin.
- Ju mund të bëni ekspertizën dhe do të shihni se dikush tjetër qëndron
prapa portretit të shkarravitur, - tha me gjakftohtësi bibliotekari.
Dikush thirri në telefon dhe shefi i hetuesisë iu përgjigj në gjuhën
serbokroate se kishte një rast të jashtëzakonshëm nga biblioteka popullore e
qytetit. Duket se ishte prokurori publik, i cili pas pak hyri në këtë zyre
dhe menjëherë iu afrua tavolinës. Gjatë diskutimit prokurori serb e
vështronte portretin e Titos të shkarravitur, ndërkohë që njërën dorë e
kishte mbështetur në këndin e tavolinës. Ktheu kokën prapa dhe bibliotekarin
e vështroi shtrembër sikur t’i kishte vënë zjarrin qytetit.
- Ky është i pandehuri? - pyeti prokurori publik.
- Po! Ai kërkon të bëhet ekspertiza e dorëshkrimit, - tha shefi i hetuesisë.
- Çfarë ekspertize!… Lëshoja vendimin, dhe herën tjetër do të jetë më i
kujdesshëm, - bërtiti prokurori serb dhe menjëherë doli nga zyra.
Pas daljes së prokurorit, hyri një femër me flokë të verdha e të gjata, të
lëshuara prapa shpine. Ajo bëri disa veprime të çoroditura me hetuesit,
pastaj u ul pranë makinës së shkrimit. Ndonëse koha ishte e ftohtë, ajo
kishte veshur një fustan të hollë dhe të shkurtë.
- Dafinë, po ia fillojmë, - urdhëroi shefi i hetuesisë që nisi të diktojë
vendimin e burgosjes së bibliotekarit.
Orkestra e makinës së shkrimit nisi të buças me krismat e tastierës. Ishte
një shtypshkronjë lokale që prodhonte vendimin për burgosjen e
bibliotekarit. Ky vendim kaloi në dorën e prokurorit publik për të firmosur
dhe në fund ia dorëzuan të pandehurit.
Në orët e vona të mbrëmjes bibliotekarin e dërguan në burgun e qarkut. Gjatë
rrugës pa bibliotekën e mbërthyer në pranga. Agjentura serbe po vepron, tha
me vete bibliotekari, kur pa bibliotekën e errët, por së shpejti ne do ta
dëbojmë.