Kadare mbron Ramizin, i premtoi për President.

10.11.2006 · Liljana Hoxha(Guest) · Forumi i vjetër RTVZIK

← Aktualitete

[highlight]Liljana Hoxha: Kadare mbron Ramizin, i premtoi për President. Ismaili me pyeste cfare mendonte Enveri per te[/highlight]

TIRANE (10 Nentor)- I adhuruari shkrimtari im me dimensione botërore, Ismail Kadare! Mbërritëm këtu ku nuk do desha kurrë! Edhe pse s’kam dashur të merrem me ju si person, detyrohem të merrem me ju si institucion. Sepse për rolin tuaj dje dhe për kumtet gjithmonë të diskutueshme, sot ju përbëni institucionin “Kadare” tepër special e kurioz si eksperiencë jo vetëm shqiptare por edhe e historisë botërore. Përderisa si fenomen keni kapërcyer çdo normativë që njeh e ka analizuar eksperienca botërore, për sa i përket raportit qoftë edhe prej detyrimit të shërbimit të poetit, apo artistit me pushtetin totalitar (Sartri etj). Në fillesat e mia të hapjes publike, si dëshmi thjesht e paimagjinueshme dot e totalitarizmit e papërfillshme kjo me vuajtjen e tërë popullit shqiptar, ju kam bërë thirrje juve personalisht e të urtit tjetër Godo, të rishikoni pozicionimin tuaj ekstremisht në revansh, për të marrë dimensionet siç ju takojnë, siç edhe mundeni për nga vlerat e për nga përgjegjësia juaj personale; atë të rilindasit në periudhën e tranzicionit, për të dalë me sa më pak dhimbje nga komunizmi e jo për t’u vetëvrarë rishtaz me antikomunizmin. Siç jam shprehur, nuk desha që t’ju rëndoja përkundrazi, ndaj një punim imi i vjetër bazuar tek “Pesha e Kryqit”, “Nga një dhjetor në tjetrin” dhe “Intervistë me A.Bosce”, ku stigmatizoj kumtet tuaja shumë të rrezikshme për popullin shqiptar, fle ende në sirtar. Sepse kam nevojë përsëri të iludohem tek ju, si nxitje për të ecur përpara sipas vizionit tim megjithë goditjet e parashikuara të deziluzionit, çka tek e fundit mbeten investim ndaj të vërtetës për rritje të mëtejshme.
Këtë gjë se kam pretenduar nga Dritëro Agolli për vazhdimin logjik të rrugës së tij e për reflektime të natyrshme, të cilat sot na kanë ndodhur të gjithëve. Ju jeni pozicionuar me parathëniet e librave jo vetëm demaskues të krimeve të komunizmit, por edhe në përpjekje për të zbërthyer fajin kolektiv si “Zonja e zezë N.Hoxha” e Fahri Balliut , “Rrno vetëm për me tregue” të At Zef Pllumi dhe “Vilsoni e Genci” të Sadik Bejkos, çka nuk mjafton. Çfarëdo që ju personalisht keni akuzuar pas ’90-ës, nuk është e parëndësishme, por tek është tendencionalisht e fokusuar vetëm tek E.Hoxha e gruaja e tij, ju tradhton në mbrojtje të vetvetes në fajin në grup.

Ndërkaq, Alia gjoja antikomunist i orëve të para, përgatitet të ruajë po të jetë nevoja edhe me dhunë pushtetin komunist në atë pluralist (realizuar konkretisht në 97-ën e çka akoma të ngjarë). Gjë që ju jo vetëm e dinit më mirë se kushdo, por nuk pipëtitë kur kjo gjë plasi publikisht në mënyrë flagrante dy vjetët e fundit, me dokumentin famëkeq të fjalimit të tij me besnikët e byrosë së PPSHsë. Skandal ky politiko-mediatik i organizuar në sinkron, sot e ndoshta përgjithmonë me urdhër të Alisë jo vetëm nga opinionistët me kostume mediatike 7.000 dollarëshe në muaj prej xhentelmeni. Mendja e kombit është vetë ekzistenca e tij.

Sekreti i rezistencës për t’u mos asimiluar kurrë nga pushtuesi apo edhe prej diktatit indokrinues komunist është origjinaliteti i intelektit kombëtar me përmbajtje filozofinë e mbijetesës : ngushëlluar me të mirën sado e pakët, për t’u ruajtur nga e keqja e paevitueshme sado e madhe të jetë. Sekreti i kësaj mençurie në komunizëm rridhte në mënyrë të padiskutueshme prej arsyes madhore të besimit në pjesën më të madhe të popullsisë tek pushteti, se socializmi ishte si demokraci e shumicës ish-të shtypur nën diktatet ndaj pakicës ish-shtypëse. Degjenerimi nga ideali socialist në ethet e luftës për pushtet, sollën totalitarizmin më të egër në Evropë. Mashtrimi i shqiptarëve me emër të barazisë e të politikave sociale e të pushtetit të popullit, rezultoi flagrant. Kundrejt këtij ndërgjegjësimi, askush nuk mund të mohojë që fajtore e drejtpërdrejtë me aktivitet të progresit gjeometrik pas viteve 70 e sidomos pas vdekjes së E.Hoxhës, ishte nomenklatura, pjesë vendimtare e më kualitative e mendjes së saj ishit ju, madje funksionar i lartë me përgjegjësi të drejtpërdrejtë ideologjike (si shkrimtar) e ligjvënës si deputet në partinë shtet. Justifikimi se s’kishit si të mos pranonit përgjegjësi të tilla në diktaturë, gënjen sot vetëm të rinjtë për çka ekzagjerohet intensivisht. Petrit Skënde, një nga miqtë e mi më të respektuar, akademik e nëndrejtor i Institutit të Lartë Bërthamor (ju siguroj se është persekutuar si i tillë nga R.Alia e N.Hoxha, apo siç thuhet rëndom nga “segmente të caktuara” deri edhe të pushtetit) emërohet nga E.Hoxha si rektor i Universitetit të Tiranës.
Ai nuk e pranon me motivin se donte të mbetej vetëm në profilin e vet të shkencëtarit. Edhe pse i vrenjtur, E.Hoxha më thotë se “ia kishte plotësuar dëshirën mikut tim, për çka i lutej në letër dërguar personalisht atij vetë”. Njëkohësisht, “disidenca” potenciale e juaj siç e dini edhe ju, njihej mirë nga E.Hoxha. Ju thoni që me burgosjen e familjes Shehu jeni ndodhur me të drejtë para rrezikut më të madh të jetës tuaj. Por ju duhet të “harroni” që Sokoli dhe unë, menjëherë pas vdekjes së M.Shehut iu përgjigjëm për herë të parë dëshirës suaj të vjetër për t’u afruar me porosi të drejtpërdrejtë të E.Hoxhës. Kjo posaçërisht për t’ju ruajtur nga ekstremizmi apo nga segmente të caktuara të Sigurimit të Shtetit, siç pohoni dhe ju. Natyrisht që ju duhet të “harroni” edhe se si më pyesnit tek pinim kafe në hotel “Dajti” se çmendon E.Hoxha për ju, ndërsa ju siguroja që ai e vlerësonte si krenari kombëtare potencialin tuaj si shkrimtar i shquar në botë. Interpretimet nga “pushteti” juaj post komunist që ndoshta ai nëpërmjet jush kënaqte vetëm vanitetin, por e nuk rrezikonte pushtetin, s’kanë asnjë rëndësi përpara faktit.
* * *
Është e pamundur të pranohet ende që të shtrohet mbrapshtësisht ky problem thelbësor që na ka plagosur prej 60 vjetësh edhe nga filozofë të arrirë që shprehen si pa të keq : “ Preferoj më mirë që të kem tani, sot, në duar letërsinë e madhe të Kadaresë, shkrimtarit tim më të lexuar, sesa të kisha monumentin e Kadaresë, të martirizuar si person nga mokrra e përgjakshme totalitare”. Sikur s’do të dëshironte vërtet kush që ju z.Kadare të ishit sakrifikuar prej diktaturës. Jam e sigurt prej instinktit human por edhe për dimensionet e tij si publicist, se as Lubonja, (akuzuar nga ju për bashkëpunim me N.Hoxhën, ndërsa nga unë për R.Alinë) nuk pretendon këtë, tek e sheh së fundi më thellë problemin e dekomunistizimit psikologjik e praktik të përgjithshëm, çka kurrsesi s’mund të vijë prej barazimit ( realisht transferimit) të fajit vetëm tek simboli hierarkik komunist. I konsideruar si bllokmen dhe pjellë e nomenklaturës, përbën paradoksin tuaj të radhës (së qenit ju vetë i tillë prej ambicies së karrierës duke shfrytëzuar madje përveçse dhe kryesisht familjen Shehu, familjen Hoxha, Alia, Çarçani, Myftiu etj) pa respektuar as burgun e tij, për çka cilido të ketë qenë në rini, është sot padyshim më i vërtetë e i motivuar se ju. Ndaj argumente të tilla në vetëmbrojtje të verbër, do t’ju duhet t’i kurseni se janë bumerang për ju, për çka sërish s’dua të ndalem për të mos ju rënduar më tepër edhe në këtë pikë . Në këtë hamulli, Shaban Sinani merr përsipër me histeri të “vërtetojë” luftën e klasave të “enveristëve” ndaj jush. Si ish- gazetar i “Zërit të Popullit”, pas vdekjes së E.Hoxhës, këshilltar e kalemxhi i R.Alisë ( për interesa të përbashkëta të derivonëshme edhe i familjes Hoxha) më pas drejtor i AKSH-së, zgjedh pikërisht momentin përpara gjykimit të krimeve të komunizmit sipas Rezolutës së Këshillit të Evropës, të transferojë fajin e R.Alisë tek E.Hoxha i vdekur. Ndërsa për sot tek N.Hoxha, e regjur tashmë me 86 vite mbi supe. Falsifikator dokumentacioni në favor të R.Alisë po aq sa Paskal Milo, e sakrifikon këtë të fundit si ushtar të N.Hoxhës.
Siç kisha parashikuar e analizuar, R.Alia po e braktis edhe politikisht N.Hoxhën jo thjesht në linjën si “persekutorja” juaj. Sinani kaq pranë R.Alisë sa të dijë regjistrimin e dialogut të N.Hoxhës në lidhje me ju, duhet të dijë në mos ua them unë që menjëherë pas vdekjes së E.Hoxhës, si sekretar i parë i PPSH-së dhe President i Republikës, R.Alia i propozon N.Hoxhës ta zëvendësojë në postin e lënë prej tij si shef i Propagandës. Me insistim të Sokolit që familja e E.Hoxhës s’duhej kurrsesi më të influenconte në fatet e vendit, N.Hoxha preferon megjithatë të drejtojë organizatën më masive; atë të Frontit Popullor. Qenia juaj si zëvendës nuk mund të kishte problem për të, sepse ajo vetë ju ka ardhur për vizitë në shtëpi, kundrejt kritikave të vjetra nga poshtë të fanatikëve komuniste. Ndaj besoj se ajo thjesht nuk ka qenë e përgatitur kur ju “shtypët” butonin e metamorfozës suaj të deklaruar në mbledhjen e Frontit. Sepse siç e kam thënë shpesh ( madje edhe asaj vetë), R.Alia e ka përdorur dhe minuar pas shpine. Këto dëshmi i solla duke dashur ta shtroj problemin drejtësisht: Si është e mundur që “pushteti” juaj të mos dojë të përfillë faktin qoftë edhe të të “vetmit” gabim tuaj taktik, të demonstrimit të paprecedent të revanshizmit antikomunist brenda 24 orëve në vitet 90-të, prej poetit që i këndoi jo thjesht lavdishëm, por më bindshëm se askush tjetër E.Hoxhës, partisë e socializmit ? Duke përdorur fatalisht jo vetëm autoritetin si shkrimtar i shquar, por për arsye tashmë të njohura sado të maskuara të nëpërkëmbni edhe dinjitetin tuaj. Në mospërputhje të rezultatit sipas skenarit tuaj, ju detyroheni thjesht prej inatit ta lini Shqipërinë. Sepse, sidomos inteligjenca qoftë e lidhur me interesa apo me besim të mirëfilltë, në atë epokë mund e duhej gradualisht të evoluonte për domosdoshmërinë historike të rënies së komunizmit së paku pas viteve 80-të.
Mundësi kjo sa reale aq edhe alibike, e përkryer para njerëzve të sinqertë e të pasinqertë (çka solli të domosdoshme për shembull, kërkimin e ndjesës publike nga ana e znj.Çuli). Ndaj mbetet kjo skutë e errët e juaja, e papranuar kurrë, por e njohur nga të gjithë; bashkëpunimi i ngushtë me R.Alinë, që ju të jepnit sinjalin e parë të rënies së komunizmit. Ai ju la në baltë për premtimin që do të ishit Presidenti i parë pluralist. Ndaj për “pushtetin” tuaj, sot ai mbetet vetëm anekdotik si frikacak, kështu që ju nuk mund ta akuzoni dot më tepër. Për zhvillimet e sotme ka rëndësi vetëm reputacioni për ju tëdy, ndërsa planin e “shpëtimit” e keni të përbashkët pikërisht në sakrifikimin e N.Hoxhës, vetëm e vetëm se ndodhet në cilësinë e gruas së E.Hoxhës, duke fshehur kështu turpshëm bashkëpunimin me të pas viteve 85 e në vitet 90.

***
Detyrimin për të dhënë shpjegime publike pas debateve të provokuara çuditshëm nga ju vetë duke mos përfillur tjetrin, dëshiroj ta konsideroj më në fund xhentilesë nga ana juaj por edhe fitore substanciale të demokracisë vetëm nëpërmjet opinionit publik. Mjerisht, sinqeriteti juaj i mirëfilltë spikati dhunshëm kur deklaruat se ju jeni thjesht shkrimtar, e kjo s’do të thotë se keni ndonjë kontratë me popullin. Kjo deklaratë korrekte sot vetëm për ekonominë e tregut, ishte jashtëzakonisht cinike e fyese ndaj vetë piedestalit që ju dha epoka e realizmit socialist, ku përfaqësues kryesor sidomos për edukimin e brezit të ri edhe në tekstet shkollore ishit ju. Çka ju nuk e “pretenduat”; pra s’është “faji”, por “merita” e juaj së qeni nëpër reshta njëherësh antikomunist, e cila e justifikon “pushtetin” tuaj sot. Teksa s’kishte nevojë për deklaratë të tillë për çka ndihej, ju e dini se ka pasur poetë disidentë të mirëfilltë që nuk arritën të kishin nderin të bënin kontratë morale me popullin e tyre, duke mbetur anonimë prej diktaturës, por që ruajtën me çdo çmim kontratën me lirinë e tyre. Ndaj do t’ju lutesha të ndërmerrni zbardhjen e terrorit masiv ndaj poetit Havzi Nela, në gusht të vitit 1988. Ju e dini më mirë se unë që me urdhër të R.Alisë, trupi i tij mbeti i varur në funksion të terrorit e panikut psikologjik, për 3 ditë në sheshin e Kukësit. Nëse gjatë genocidit komunist firmoste Manush Myftiu, padyshim për rastet kryesore me dijeni apo “urdhër” të E.Hoxhës, me çfarë urdhri u detyrua të firmosë R.Alia personalisht, ekzekutimin e djalit të ri, por i plakur burgjeve, pikërisht kur ju do të inicionit rrëzimin e sistemit totalitar dhe shpresën e demokracisë. Po genocidin e Alisë në kufi (për çka burgoset sa për sy e faqe nga Berisha), kur vrau me të pabesë prapa shpine djemtë e nënave pasi u kishte falur lirinë, e ka urdhëruar N.Hoxha ?!
***
Sikur vetëm këtë çështje të përfaqësoni në analizat apo veprat tuaja, do të ishte shërimi i përgjithshëm. Sepse regjimi personifikohet me E.Hoxhën. Por faji s’ishte vetëm i tij, por i R.Alisë, i N.Hoxhës (mjerisht për aktivitet të saj) sipas hierarkisë i të tjerëve me radhë, i juaji z.Kadare si përfaqësues i të gjithë nomenklaturës politike të vjetër e të re. Për çka i njëjti faj i konvertuar në mënyre monstruoze me antikomunizëm në vend të pajtimit kombëtar, po na vret ndoshta më egërsisht midis nesh.

Komentet e arkivuara (1)

Përgjigjet origjinale të ruajtura në forumin historik. Datat shfaqen sipas arkivit.

Pellazge(Guest)23.11.2006 · 22:35 UTC

Kadare eshte i lig i cili ka ike jasht vendit dhe her pas here vjen ne Shqiperi e Kosove per ta perqare popullin. Mire e ke ti more horr, edhe horrat e tjer si ty. Se Enver Hoxha dhe familja e tij veproj per Shqiperine e nuk i la pasuri vetes, po e mbrojti Shqiperine nga armiqet. Kurse sote u be Shqiperia per ta qare, edhe armiqet e saj qe 15 vite qe e nderruan sistemin u ben gazi i botes, sa hajni, korrupcion, krime,etj etj.
Aty u shkatrruan uzinat kombinatet aty u shkatrrua gjithcka, iu po e shitni shpirtin, po e shitni veten tuaj, per ta mbajte shqiprtin me buke.

Pra edhe borgjezi Kadare ka shite shpirtin e tij veten e tij tek te huajte, duke hedh vrere mbi popullin e tij, duke share popullin e tij, duke nencmuar popullin e tij.

Nje pershendetje te madhe per familjen Hoxha.