Kadare sulm Qoses në Prishtinë: Një këshillë, vizi

09.11.2006 · Admirina Peci(Guest) · Forumi i vjetër RTVZIK

← Aktualitete

[highlight]Kadare sulm Qoses në Prishtinë: Një këshillë, vizitohu te psikiatri[/highlight]

TIRANE (9 Nentor)-Rexhep Qosja ka treguar se është njeri i papër gjegjshëm. Do i jepja një këshillë prej miku, të vizitohet tek një psikiatër". Por kjo deklaratë ka shkaktuar reagime të forta mes shkrimtarëve dhe studentëve në Prishtinë.
Ky citim, më i fundit i shkrimtarit Ismail Kadare, është bërë dje në një debat të hapur me shkrimtarë e studentë në Bibliotekën Kombëtare dhe Universitare të Kosovës, zhvilluar rreth orës 11:00 paradite.
Pra, asnjë shenjë paqeje nuk duket ende në këtë konflikti intelektual, i cili prej afro 3 vitesh gëlon nëpër të gjithë mediat shqiptare.
Një përplasje që nisi mbi hapjen e dosjeve, e ku akuzat e të dy shkrimtarëve dolën hapur. Qosja ngriti akuza mbi retushimin e jetëshkrimit të shkrimtarëve. Kadare nuk e priti aspak mirë këtë deklaratë. Më tej, një sprovë letrare e Kadaresë mbi identitetin evropian të shqiptarëve u kthye në një debat të gjerë intelektual, ku kundërshti e akuza të hapura u shkëmbyen mes të dy shkrimtarëve. Pikat e tij të forta ishin feja, kultura, dhe historia. Por emrat e Qoses dhe Kadaresë nuk u larguan nga mediat deri tani së fundmi, ku dokumente, akuza dhe internime dhe koha e komunizmit kanë nisur të zbardhen në mediat shqiptare.
I gjendur në Kosovë për të marrë pjesë në manifestimin letrar "Kepi i Shpresës së Mirë - Fahredin Gunga", ku mori edhe çmimin e këtij manifestimi, Kadare s'ka mundur të ndahet nga debatet dhe temat e nxehta ku është përfshirë emri i tij së fundmi.
Pas kthimit nga Mitrovica, ku shkelte pas 34 vjetësh (më 1972 kishte qenë në këtë qytet bashkë me shkrimtarin tashmë të ndjerë Azem Shkreli), dje në Prishtinë, mediat e shkruara dhe vizive e kanë vënë në qendër shkrimtarin e mirënjohur dhe deklaratat e tij të drejtpërdrejta. Komentet e plota të shkrimtarit në këtë debat i kemi shkëputur nga "Qendra për Informim e Kosovës(QIK) dhe agjencia e lajmeve "Kosova Live".
Hapja e dosjeve dhe identiteti
"Shoqëria demokratike është e hapur, ndërsa demokracia nënkupton mungesën e mistereve, tha shkrimtari Ismail Kadare në këtë debat me shkrimtarë e studentë. "Asgjë në këtë botë nuk është e përsosur", - tha ai, duke iu referuar nevojës për diskutimin e të gjitha fenomeneve në mënyrë të hapur. "Një nga çështjet me të cilat po përballen sot shoqëritë postkomuniste, përfshirë edhe Shqipërinë, është hapja e dosjeve, gjë kjo e kërkuar edhe nga Këshilli i Evropës, apo siç tha ai për "hapjen e të fshehtave të bodrumeve". Ndërsa për hapjen e diskutimit për identitetin, temë kjo e hapur nga ai, tha se është çështje e ditës dhe si i tillë është i pashmangshëm, pasi "ne duam të hyjmë në Evropë dhe atje e kemi vendin me identitetin tonë". Arsyetimet e kundërta tha se janë djallëzi dhe hipokrizi. Kadare prezantoi tezat kryesore të tij për identitetin shqiptar, ku sipas tij populli shqiptar ka identitet, fizik, gjenetik, e deri tek identiteti fetar.
Ai tha se shqiptarët myslimanët janë po aq evropianë sa edhe të tjerët. Kadare përkujtoi se ishin rilindasit të parët që e filluan luftën për identitetin evropian. Tezat e kundërta që dëshirojnë të provojnë se Evropa nuk ua do të mirën shqiptarëve, tha se janë trillet më të këqija. "Evropa nuk është klub i krishterë dhe po të ishte, Evropa nuk do të bombardonte të krishterët, por neve myslimanët. Ajo e bëri këtë për ne, atëherë ç'doni më"? - pyeti Kadare. Duke iu rikthyer në debat edhe njëherë identitetit, Kadareja tha se shqiptarët kanë një myslimanizëm që është model për Evropën, dhe kjo buron nga toleranca fetare, që pasohet nga toleranca ndëretnike. Dhe ky është modeli që jep Shqipëria dhe me këtë duhet të ecet, pasi ky model vjen nga historia dhe gjenetika shqiptare. Në këtë kontekst Kadare kujtoi Skënderbeun. "Ai themeloi me fitore identitetin evropian të shqiptarëve dhe ajo është drita nga duhet të ecin shqiptarët. Prandaj ne jemi një aleat kulturor për Amerikën dhe "jo pse i kemi sytë e bukur".
Mbi Agollin dhe Qosen
Kadare është pyetur në këtë debat edhe për raportet me shkrimtarin Dritëro Agolli dhe Rexhep Qosen. Raportet me të parin tha se kanë qenë shumë miqësore për një kohë të gjatë, deri në momentin kur Agolli ishte vënë në krye të Lidhjes së Shkrimtarëve të Shqipërisë dhe në një çast kishte kritikuar Kadarenë. Por ai tha se edhe pse nuk ekziston ajo miqësi, raportet janë njerëzore dhe assesi armiqësore dhe se kurrë nuk kanë pasur grindje. Ndërsa raporteve me Qosjen, i bëri një pasqyrë kronologjike. Ai tha se mospajtimet kishin filluar që më '72, kur sipas tij, rastësisht ishte vënë në vorbullën e sulmeve, si pasojë e një debati të gjerë në Kosovë, ndërsa edhe ai atë vit kishte vizituar Prishtinën. Ai tha se më vonë Qosja kishte ndërruar qëndrimin dhe në disa raste kishte bërë edhe kritika pozitive për librat e Kadaresë, dhe po ashtu më '90 kur Kadare u largua nga Shqipëria kishte bërë një deklaratë pozitive për të. Por, sërish Qosja kishte ndërruar qëndrimin edhe pse Kadareja më '93, kishte ndërhyrë që romani "Vdekja..." i Qosjes të botohej në Paris, dhe kishte bërë një parathënie 21 faqesh, por vetëm një faqe ia kishte kushtuar romanit dhe të tjerat Kosovës. Po ashtu ai përkujtoi se kishte bërë një parathënie edhe për librin "Çështja e Kosovës" të Presidentit Rugova. Kadare tha se Qosja ishte armiqësuar sërish, për të arritur kulmin me akuzat më denigruese dhe fyese, duke e vlerësuar Kadarenë si shkrimtar mediokër, enverist, komunist dhe çfarë jo, duke denigruar me akuzën me një Janulla. "Turp i madh për Qosjen", - tha Kadare, duke shtuar se ai po vazhdon me këto marrëzi. "Do ta këshilloja të shkojë në psikiatri. Dhe unë po them se ky njeri është i papërgjegjshëm. Kjo është më e pakta që mund ta them për të, për të mos thënë se, Qosja shtyhet nga dikush". Kadare tha se i gjithë nënteksti i akuzave të Qosjes, ka këtë përmbajtje, që "Kadare duhet nxjerrë jashtë nga letërsia shqipe, dhe jo vetëm nga letërsia, por edhe nga kujtesa e shqiptarëve".
Politika dhe ideologjia në letërsi
Kadare duke folur për politikën dhe ideologjinë në letërsi, tha se edhe ajo është pjesë e jetës dhe si e tillë, ka shkrimtarë të mëdhenj që edhe me të janë bërë të famshëm, duke e përmendur Dante Aligerin, si gjeniun më të madh të Evropës, por që këto raste janë të rralla. Ndërsa, në të shumtën e rasteve tha se shkrimtarët e tillë mbesin të nivelit kombëtar, si Hygoi në Francë, ndërsa dy kampionë të kombit shqiptar tha se janë Naimi dhe Fishta. I pyetur për inspirimin e tij, duke ia vënë në dyshim Kadaresë vlerën e librave të fundit, ai tha se shkrimtarëve nuk mund t'u kërkohet kjo llogari. "Keni parë ju gjëkundi që një shkrimtari t'i kërkohet llogari? Nuk mund t'ia kërkojë shkrimtarit këtë llogari askush", tha Kadare duke sqaruar, se vjen një moshë që edhe shkrimtari i bën 75 vjeç dhe aftësitë tkurren, por vjen edhe mosha 80 vjeçe, kur mendja turbullohet dhe vjen një ditë që ai vdes, "dhe do t'i kërkosh llogari pse nuk shkruan më?" - pyeti ai. Dhe po për këtë çështje dha edhe një mendim. "Atëherë kur paskam qenë më i ri, ia paskam kaluar vetes sime", - tha ai. Sa i përket disidencës, ai tha se ekziston një përkufizim i qartë, se ajo bëhet kur një shkrimtar apo dikush tjetër i shpall publikisht idetë e tija. Dhe se në regjimin e Enverit, apo të Stalinit kjo ishte e pamundur. Disidencat, tha ai u shfaqën diku kur regjimet u zbutën. Shkrimtari i shquar shqiptar, Ismail Kadare, ka vizituar edhe në Akademinë e Shkencave dhe të Arteve të Kosovës, anëtar i jashtëm i së cilës është që nga fillimi i viteve '90.

Kadare
per Qosen
Mbi dosjet
1. "Akademiku, që me urtësinë e tij ka hyrë për të sqaruar kinse punët, pasi lëshon bé e rrufe kundër falsifikimit të biografive, praktikisht del kundër hapjes së arkivave. Do të isha shume kureshtar te dija se çfarë mënyre tjetër propozon akademiku për të dalluar një biografi të saktë nga një biografi e rreme".
Mbi identitetin
2. Qosja ka një nervozizëm të papërligjur ndaj asaj tradite kulturore që ka qenë lidhur me katolicizmin e hershëm shqiptar, nervozizëm që nuk lë pa prekur mbajtjen e portretit të Nënë Terezës në institucionet e Kosovës
3. Në shkrimet e Rexhep Qosjes spikat diçka e errët dhe e rrezikshme: ndarja e identitetit shqiptar".
Mbi akuzat e Qoses ku përmendet Lubonja, Paçrami, Bilal Xhaferri
4. "Ai ka gënjyer. Ka thënë një mashtrim që ka turpëruar veten. Ka thënë pra, atë që thashë, që Ismail Kadareja ka futur në burg Todi Lubonjën dhe Fadil Pacramin.
Deklarimet e fundit
5. Rexhep Qosja është një shkrimtar mediokër. Unë mund ta çmoja më tepër, por me këtë e tregon që është një ziliqar.
"Rexhep Qosja ka treguar se është njeri i papërgjegjshëm. Do i jepja një këshillë prej miku, të vizitohet tek një psikiatër".

Qosja per
Kadarene
Mbi identitetin
1. Kadare sulmon letërsinë e bejtexhinjve, si letërsi qesharake dhe e pamoralshme, për shkak se përshkohet prej besimit mysliman dhe pornografisë tradicionale. Pse nuk kritikon plagët morale të sotme që cilësohen si të perëndimit, por kritikon letërsinë dhe këngët e periudhës së bejtexhinjve që kishin ndikimet nga Lindja…
2. Kadare zotërohet nga shpërthime raciste, kur i cilëson shqiptarët në Jugosllavinë mbretërore e më pas në atë komuniste si ndjekës të tendencave afrikano-veriore dhe aziatike.
3. Kadare e quan identitetin mysliman një identitet lëngaraq. Ai harron se janë arsye të tjera pse Evropa nuk i afron shqiptarët, dhe pse evropianët afrojnë më shumë Bosnjen që është krejtësisht myslimane se sa Shqipërinë, ku myslimanët kanë përqindje më ulët në popullsi.
Në intervistën e fundit
4. Unë nuk dija për një varg shkrimesh të tij politike, ideologjike dhe "teorike" me të cilat e predikonte stalinizmin në krijimtarinë artistike e shkencore edhe në çastet kur po shembej komunizmi
5. Në nuk dija për rolin e Ismail Kadaresë në fatkeqësinë e shkrimtarit Bilal Xhaferrit, në tragjedinë e familjes Rrapi, apo për letrën e Ismail Kadaresë dërguar shefit të Sigurimit me të cilën denonconte kolegun Fadil Paçramin dhe Todi Lubonjën.

Komentet e arkivuara (1)

Përgjigjet origjinale të ruajtura në forumin historik. Datat shfaqen sipas arkivit.

Albani(Guest)11.11.2006 · 06:09 UTC

Kadare pranoi cmimin"Kepi i shpreses se mire - Fahredin Gunga"
ndersa Gunga dikur e paska fut ne burg Adem Demacin.
Ma teper lexoni shkrimin"Fahredin Gunga,ky"kepi i shpreses se mire"
me shoke, dikur denoncues te Adem Demacit ne UDB!" ne
webin www.pashtriku.org