POLITIKA E VIJAVE TË TRASHA

06.11.2006 · Faik   Smajli(Guest) · Forumi i vjetër RTVZIK

← Artikuj Politik

[highlight]POLITIKA E VIJAVE TË TRASHA[/highlight]
 
Faik   Smajli
 
 
Kohëve të fundit po më bënë përshtypje një fjali e nxjerrë nga goja e shumë me nder
me thënë  politikanëve tanë. E vetmja fjali qe po ju përshtatet me realitetin në të
cilin po jetojnë. E kjo fjali është: Vijat e trasha. I keni dëgjuar  politikanët e
sidomos zëdhënësit e tyre?  Gjithçka e bëjnë dhe e  shpjegojnë veç në vija të
trasha.
Vetëm në këtë rast, pa dashje, po duken të sinqertë dhe po tregojnë se nuk dinë të
bëjnë politikë të hollë po veç politikë  të trashë-bungur. Që prej se kanë filluar
të merren me këtë punë kurrë nuk kanë bluar hollë veç bullgur ose siç i thonë disa
-Krunde. E kinse po duan të bëjnë shtet, shtet me bungur-krunde politikë. Këta në
fakt nuk po bëjnë politikë. Nuk dinë se çka është shteti dhe si bëhet politika
shtetërore -si ndërtohet shteti. As nuk dinë as nuk pyesin.  E ku e kanë lexuar
këta  Platonin e të tjerët qe të kenë mësuar diçka për shtetin. Edhe në qoftëse dinë
diçka atë e dinë në vija të trasha. Nuk duhet fajësuar vetëm UNMIK-un çdoherë për
dështimet tona.  Kështu kanë qenë edhe para se të vijë UNMIK-u. A ju kujtohen
mbledhjet e " Rahmetlisë" çdo të premte qe veç e lëshonte kasetën prej fillimit. Ajo
kasetë ka qëndruar me vite në vendin e parë në toplistën kosovare. Të gjithë e kanë
pas mësuar përmendësh, bile edhe sot po e këndojnë pasardhësit e" rahmetlisë"
këngën e tij. Kur e dëgjojshim atë hit, na merrte gjumi më shpejtë. Tash po e
kuptoj se pikërisht për këtë gjë ishte kompozuar.
Atëherë kënaqeshim duke fjetur, bile shumë prej tyre edhe sot e kësaj dite nuk janë
zgjuar. Ende janë në gjumë. U bë gjithë ajo luftë e llahtarshme  nga qëndresa
heroike e atyre qe nuk i zinte gjumi, e tash po donë me na humb për faj të politikës
së vijave të trasha. Po çka është më tragjikja e qe të pëlcet barku është se edhe
shumë prej atyre qe ishin betuar në flamur e që dikur nuk i zinte gjumi dhe i prinë
apo i kontribuuan luftës, janë  futur në korin e atyre dhe po e këndojnë bashkë
hitin e gjumashëve. Bile po thonë se nuk ka nevojë as  për të lobuar për çështjen e
Kosovës se ajo veç është fituar qysh prej lufte. Mos me ta marrë mendja qe prej
politikës së trashë me dal hair i mirë. Luftërat e fituara në beteja ka ndodhë që
janë  humbur në tavolina të vogla nga politika e trashë. Kjo gjë ka rrezik të madh
të na ndodhë. Merre me mend, krerët e UÇK-së u konvertuan apo u shëndrruan në
pacifistë. “Rahmetliu" me shokë të tubuar në LDK pothuajse ka pas marrë fund, kanë
pas
qenë të vdekur politikisht gjatë luftës por, të huajt "dashamirë" ju ndihmuan të
ngiten prapë sepse ata duke bërë politikë të hollë e jo bungur, e dinin se këta do
të ju duhen më vonë dhe se janë të pazëvendësueshëm për t'ju ndihmuar  në qëllimet
e tyre politike.  Sa shumë u bënë kur u kthyen nga Bllaca, Stankoveci, Beogradi e
nga vendet tjera. Kush dhe çka kanë qenë tabori i tyre është ditur qysh moti por,
se u bashkohen edhe krerët e luftës për të bërë politikë të trashë e jo parimore
bashkë me ta, kjo nuk ka shpjegim. E pabesueshme! Edhe këta  të fundit i shkelën në
qafë të huajt dhe nga luanë të luftës i konvertuan në dele të paqes. Pra, bashkësia
ndërkombëtare i mashtroi shumë lehtë këta të “opozitës” dhe i futi në valle, me
qëllim qe kur të vjen koha e vendimeve të mëdha, mos me pas kush me u thënë jo.
Prej atij momenti, Kosova mbet edhe pa opozitë.
Pastaj i  thirrën në Vjenë për të bërë politikë të hollë me Serbinë shtet, e cila
tallej me ta gjithë kohën. Ajo kishte angazhuar ekspertë më të njohur botëror dhe
punonte në të gjitha kanalet diplomatike me përkrahjen e miqve të saj dhe nuk bëri
asnjë kompromis, ndërsa këta në vijat e politikës së trashë, bënë aq shumë
kompromise të pafalshme. Edhe pas gjithë atyre kompromiseve qe i bënë, Albert Rohan
deklaroi se i kanë bërë vetëm diku 80% pra, duhet edhe më shumë derisa të bëhen
100%. Krerët tanë politikë kanë menduar se do të shpërblehemi për gjithë ato
kompromise por, po shihet se jo qe nuk do të shpërblehemi por, përkundrazi do të
ndëshkohemi. Nga të dhënat e derisotme të planit të Ahtisarit i cili plan nuk do të
pësoj shumë ndryshime as në të ardhmen e që do të jetë vendimtar, Statusi i Kosovës
po i përngjanë karikaturës së statusit që e kishim pas vitit ' 74. Pa Ushtri, pa
Ministri të jashtme, pa ulëse në OKB, pa Sovranitet edhe me plot enklava të super
pakicave
serbe. Këto janë pasojat e politikës së trashë. Me këtë politikë ua kemi
vështirësuar punën edhe miqve tanë që po mundohen të na ndihmojnë.
Është i pakuptimtë gjithashtu cinizmi i tyre demagogjik i shprehur përballë popullit
duke fshehur të vërtetën  për ardhmërinë e tij, duke i servirur gënjeshtra se
gjithçka po shkon më së miri përsa i përket statusit, dhe këtë nuk e bëjnë para
popullit por para kamerave e mikrofonave. Këta thonë se po dalin në teren për të
dhënë habere të "mira", për ta njoftuar popullin për politikën e "hollë" qe e kanë
bërë dhe janë duke bërë por, këtu ka një dallim ose më mirë të themi një "keqkuptim"
se për Grupin e Unitetit, populli janë vetëm udhëheqësit dhe këshilltarët komunalë,
siç ishte rasti në Mitrovicë ndërsa të tjerët nuk kanë drejtë të marrin pjesë e të
bëjnë ndonjë pyetje së paku për kuriozitet. Ata që mendojnë ndryshe largohen me
forcë e bile edhe paraburgosën siç ishte rasti po aty. Këta të fundit nuk janë
popull. Në Kosovë është e pavlerë të jesh popull. Vetëm të theksoj se këtu bëhet
fjalë për  Mitrovicën jugore se për të shkuar në atë veriore duhet vizë, e këta
ishin pa
viza dhe nuk patën mundësi ta vizitonin edhe atë pjesë. Ka rrezik të madh se edhe
në të ardhmen do të na duhen vizat edhe ato, vetëm për ta vizituar për pak çaste.
Po vjen erë e keqe-status smell shit, (erë pisllëku)...  Prandaj, për fund dua të
bëj këtë  shpallje:
Shpall të pavlefshëm Statusin e ardhshëm të Kosovës!
  Kjo Pavarësi me bishta-kushte, nuk më kënaq në asnjë pikë, për mua është e
papranueshme.
 
 
Londër,  6  Tetor,  2006