AGRESIONI KUSHTETUES I SERBISË NDAJ KOSOVËS, “ARSY
Shkruan:Sejdi Veseli
Përgatitja dhe aprovimi i Kushtetutës të Serbisë me procedurë të shpejtë, për drejtuesit e IPVQ-ve të Kosovës, nuk ishte diçka shqetësuese. Ata të mësuar “të lidhin atin ku thotë zotnia”, u mjaftuan me disa imitime të deklaratave anemike të pakë institucioneve ndërkombëtare, se kjo është çështje e brendshme e Serbisë dhe se nuk do të ndikoj në përcaktimin e statusit të ardhshëm të Kosovës.
Si duket drejtuesve të IPVQ-ve për shkak të mbingarkimit me menaxhimin e punëve rreth zgjidhjes së statusit të Kosovës (lexo: të tenderëve dhe të zgjedhjeve në partitë mëmë), nuk ju kujtohet, se proceduara e Tadiqit dhe Koshtunicës për aprovimin e kësaj kushtetute është e ngjashme me shumë çka me procedurën e aplikuar nga Millosheviqi dhe Joviqi, para afro dy dekadash, kur u aprovua kushtetuta serbe, me anën e të cilës u avullua autonomia e Kosovës. Siç dihet në preambulën e kësaj kushtetute, Kosova (Kosova dhe Metohija) figuron si pjesë integrale e territorit të Serbisë.
Lejimi, pra mos pengimi nga ana e UNMIK-ut i mbajtjes së referendumit me 28 dhe 29 tetor 2006, për këtë kushtetutë edhe në territorin e Kosovës, legjitimon përmbajtjen e preambulës së kësaj sajese serbo-çetnike. Kam drojën, se edhe vendimi i ardhshëm i Kuvendit të Serbisë i bazuar në këtë kushtetutë, për të shpallur Kosovën (nëse pavarësohet), si pjesë të territorit të okupuar serbijan dhe urdhri për ekzekutimin e një blitz krigu nga ushtria serbijane, për çlirimin këtij territori, nga faktorët ndërkombëtar do të konsiderohet juridikisht në rregull, ashtu siç konsiderohen blitz kriget izraelite ndaj territorit palestinez!
Po të ishin drejtuesit e IPVQ në nivel të detyrës dhe të vendosur në insistimin e tyre për moslejimin e mbajtjes së këtij referendumi në territorin e Kosovës, me siguri do ta detyronin UNMIK-un që të merrte vendim tjetërfare, nga ai që ka marrë. Sipas deklarimit të zëdhënësit të UNMIK, është marrë vendim qe ky referendum nuk do të mbështetet as nuk do të pengohet, por do të ndërmerren masa të rrepta të sigurisë për të penguar ndonjë ekses të mundshëm.
Është lehtë e kuptueshme se ky veprim i nxituar i Kreut shovinist të Beogradit, është ndërmarrë për realizimin e qëllimeve të tij, të paralajmëruara gjatë këtij viti, cit:
“...Imponimi i pavarësisë së Kosovës nuk do të sjell paqe në Ballkan por do të shkaktojë konflikte të reja...Përveç kësaj, imponimi i pavarësisë për Kosovën nga Serbia do të vlerësohet si okupim, ndërsa secili shtet e ka të drejtën legjitime për çlirimin e territorit të tij të okupuar...”
Episkopi Marko Radosavljeviq-Artemije, në Uashington 12 shkurt 2006
“Sa i përket Serbisë, ajo me siguri nuk do të pranonte zgjidhje të imponuar dhe pavarësinë e Kosovës dhe Metohisë, dhe ky veprim në përputhje me Rezolutën e Kuvendit të Serbisë do të shpallej i pavlershëm dhe juridikisht fiktiv...Dua tua kumtoj se i tërë populli jonë është me ju...nuk ka vend më të përshtatshëm dhe të rëndësishëm se Graçanica, për të përsëritur atë që çdo serbijan duhet ta dijë – Kosova ishte dhe gjithmonë do të jetë pjesë e pandashme e Serbisë...”
Voislav Koshtunica, në Graçanicë, me 28 qershor 2006
Se nuk janë vetëm deklarata boshe dhe për konsumim të brendshëm këto kërcënime të kreut shtetëror dhe kishtar serbijan, dëshmon vendimi i paradokohshëm i kuvendarëve të tri komunave të veriut të Kosovës, Albanikut, Zveçanit dhe Zubin Potokut si dhe pjesës veriore e qytetit të Mitrovicës, për ndërprerjen e të gjitha lidhjeve me IPVQ të Kosovës dhe për organizimin e formave të vetëmbrojtjes, nga çdo veprim që do të ndërmerret dhe nga kushdo qoftë për pengimin e tyre për t’u bashkuar me Serbinë, nëse pavarësohet Kosova. Me siguri për këtë qëllim u krijua e ashtuquajtura Ushtria Çlirimtare Serbe e Kosovës (SOVK-Srpska Oslobodilacka Vojska Kosova).
Me siguri në kuadër të këtyre formave të vetëmbrojtjes ekskluzivisht serbijane, janë grumbulluar hordhitë e MUP-it, të ushtrisë serbe, dhe ato paramilitare, të njohura si “Rojet e Urës”, për të cilët dyshohet me bazë se ishin po këto hordhi të cilat gjatë luftës e masakruan popullatën civile shqiptare, ndërsa pas luftës e spastruan etnikisht Veriun e Mitrovicës, duke aplikuar mjete të dhunës para hundëve të KFOR-it francez. Nuk do të ishte kurrfarë çudie, nëse nesër mësohet se në kreun komandues të këtyre hordhive gjenden edhe kriminel si Ratko Mladiç, ngase rrugët dhe sheshet e shumicës së enklavave serbe janë të stolisura edhe me fotot e tij, krahas atyre të Karaxhiqit dhe Sheshelit, të cilët konsiderohen heronj të popullit serbijan. Për “çudi” kjo nuk i pengon KFOR-n, UNMIK-un dhe diplomatet e shumtë që vizitojnë këto enklava, përfshi këtu edhe Ahtisarin...
Ky veprim i këtyre qytetarëve të Kosovës, me siguri i nxitur dhe mbështetur nga Beogradi zyrtar, nuk mund të konsiderohet ndryshe pos fillimi i një rebelim separatist serbijan. Nga vetë fakti, se këto veprime separatiste të drejtueseve lokal të kësaj pjese të Kosovës (afro _ e territorit të saj), jo vetëm se nuk u shfuqizuan menjëherë nga UNMIK-u dhe që nuk u ndërmor një trajtim rrënjësor ushtarak nga KFOR-i, të imponon dyshimin e bazuar, se krejt kjo veprimtari shumë e rrezikshme për të ardhmen e Kosovës dhe të rajonit në përgjithësi, bëhet me pëlqimin e disa segmenteve, jo pak të fuqishme ndërkombëtare.
Sjellja e forcave të freskëta të ushtrisë, njësive komando, të gjandarmerisë serbe dhe armatimeve të rënda, në Luginën e Preshevës dhe pozicionimi i tyre përreth kufirit të Kosovës Unmikistan, e përforcon dyshimin se Serbia përgatitet për luftë. Vlen të theksohet se njësitë komando serbe janë të armatosura me armët më bashkëkohore, siç janë pushka automatike sulmuese M21 cal. 5.56mm, hedhësi automatik i granatave AGS 17 cal. 30 mm, etj.
Gjithashtu vlen të theksohet se sjellja e këtyre forcave të freskëta serbijane, njëkohësisht me deklaratën e një zyrtari të lartë serbijan, se për të intervenuar në Kosovë, “nëse eskalon situata atje” i kemi të gatshëm 100.000 ushtarë serb të armatosur me armatimet më bashkëkohore, jep me kuptuar se Kosova rrezikohet nga një blitz krig i ushtrisë serbijane. Bazuar në përvojën që kemi me Serbinë, situata mund të eskaloj brenda natës, me siguri për këtë do të kujdesej SOVK, sipas skenarëve të përgatitura që moti!
Përballë kësaj gjendjeje të rëndë të sigurisë dhe me tendencë të përkeqësimit të saj, drejtuesit e IPVQ-ve po të ishin në nivel të detyrës, do të kishin kërkuar veprime të menjëhershme dhe konkrete nga UNMIK-u dhe KFOR-i, për prevenimin e këtij rreziku real dhe për t’i treguar qartë Beogradit zyrtar, se territori i Kosovës administrative është një dhe i pandashëm dhe se nuk do të jetë kurrë pjesë përbërëse e Serbisë e as e ëndrrës hegjemoniste, mesjetare dhe iluzore serbijane, të ashtuquajtur Unioni i Tokave Serbe (shiko hartën).
Në rast të përgjigjes negative, do të kërkonin nga Kuvendi i Kosovës shpalljen e Pavarësisë dhe të mobilizimit të popullit për jetësimin dhe mbrojtjen me çdo kusht të saj!
“Çka duket për diell kallauz nuk do” – thotë populli.
Me siguri diçka e tillë nuk do të ndodhë!
Populli ka filluar të kuptoj këtë të vërtetë të hidhur. Ai më në fund ka filluar ta kuptojë se bijtë dhe bijat besnike të tij, janë të rreshtuar në kuadër të Lëvizjes Vetëvendosje dhe në disa subjekte simotra të saj, të cilët janë të vendosur edhe për të sakrifikuar çka është e domosdoshme për realizimin e aspiratave të tij të ligjshme, për të jetuar i lirë dhe me dinjitet në Atmemëdheun e tij. Andaj, edhe ka filluar të veprojë drejt, po rreshtohet përkrah bijave dhe bijve të tij besnik!
Prishtinë, 24 tetor 2006