PAVARËSIA S´PO VJEN SE PACIFIZMI E GËNJEU DHE PO
PAVARËSIA S´PO VJEN SE PACIFIZMI E GËNJEU DHE PO E GËNJEN POPULLIN!
S'po vjen që s'po vjen Pavarësia...!
E, si të vjen diçka që nuk ekziston ?
Pavarësia nuk do të vjen, sepse nuk jemi përpjekur të gjithë seriozisht dhe nuk e
kemi kërkuar me kohë!
Tash nuk mund të kërkojmë Pavarësi, sepse kur ka qenë koha për ta kërkuar, ne nuk
e kemi bërë me unitet një gjë të tillë. Disa e dënonim, të tjerë burgoseshim e
vriteshim për këtë ideal fisnik, pra, të bërjes së shtetit.
Pastaj, pas viteve 90-ta, pacifistët këtë e bënë veç sa për ta larë gojën.
Nëse i shikojmë me vëmendje pashallarët tanë politikë pacifistë të djeshëm e të
sotëm, lehtë mund t'i vëresh se kur e përmendin fjalën Pavarësi skuqen e nxihen
dhe e thonë disi si me turp sepse, e dinë se ajo Pavarësi që ne po e presim nuk do
të vjen. Pra, është lehtë të shihet se deklaratat e tyre nuk janë gjë tjetër
përpos demagogji (gënjeshtër). Qe shtatë vjet, kjo demagogji e këto gënjeshtra po
pinë ujë tek populli ynë i sakatosur i cili në mjerim të skajshëm ekonomik,
politik, social etj, sikur po ngushëllohet edhe me gënjeshtra të tilla në qiell.
Qe shtatë vjet pashallarët tanë politikë po ecin pas politikës e interesave të
bashkësisë ndërkombëtare dhe duke u majmur personalisht, po fshihen pas tyre. Këta
nuk mund të bëjnë gjë tjetër përpos t'u luten atyre (sëmurje kronike e gjenezës së
tyre), që të kenë mëshirë për Kosovën. Nuk mund të bëjnë më shumë sepse, mundësitë
për të bërë më shumë vet i kanë hequr nga dora.
Mundësitë e tilla i kanë lënë peng në Rambuje. Atje është nënshkruar kapitullimi i
Pavarësisë me Sovranitet pra, atje ka mbet peng Pavarësia. Pastaj, ka mbet peng në
Paris . Ka mbet peng në Kumanovë - me marrëveshjen ushtarake NATO - Serbi.Ka mbet
peng në Kornizën kushtetuese që është aprovuar nga Kuvendi i Kosovës. Ka mbet peng
së fundi edhe në Vjenë . Ka mbet peng së fundi edhe në pavendosmërinë e qyqarllëkun
e tyre .
Me nënshkrimin e marrëveshjes së Rambujesë e cila qartë e definon Kosovën si pjesë
të ish- Jugosllavisë tash e mbetur vetëm Serbi, automatikisht është mohuar e drejta
për vetëvendosje. Si rezultat i kësaj marrëveshje doli rezoluta famëkeqe 1244 e cila
parasheh që çdo zgjidhje e ardhshme për Kosovën duhet ta ketë për bazë këtë
rezolutë. Ndërsa, pashallarët tanë mundohen ta fshehin këtë fakt vendimtar. Shkaku i
kësaj rezolute dhe i kornizës kushtetuese Parlamenti nuk po mund të marrë asnjë
iniciativë për thirrjen apo shpalljen e Referendumit, dhe çdo iniciativë që ka
ardhë nga disa deputetë e ka hedhur poshtë me arsyetimin qesharak se ne kemi bërë
Referendum para 10-15 vjetëve. Ata, duhet ta kuptojnë se ky referendum, është
shkelur me aprovimin e kësaj rezolute. Edhe Serbia po kërkon që statusi i Kosovës të
zgjidhet në bazë të kësaj rezolute sepse, kjo rezolutë i jep të drejtë sovraniteti
mbi Kosovën. Si rezultat i kësaj rezolute janë bërë të gjitha këto lëshime
monstruoze
politike dhe Beogradi është pranuar si faktor pothuajse vendimtar për çështjen e
Kosovës. Bashkësia ndërkombëtare është e brengosur se si ta kënaq e ta rehatoj
Serbinë që sipas tyre është faktor më i rëndësishëm se Kosova në Ballkan e në
Evropë sepse Kosovën tash po e trajton si problem të dorës së dytë, duke u bindur
edhe me faktin se me elitën politike kosovare e ka shumë më të lehtë të gjejnë
çfarëdo (kompromisi ), zgjidhje që e kanë më të lehtë për ta arritur, natyrisht në
dëm të Kosovës me vise të tjera shqiptare nën koloni të shteteve të huaja. Për
këtë gjë ata janë tashmë të bindur. Këtë gatishmëri të pranimit të çfarëdo
marrëveshjeje, elita jonë politike po e dëshmon qe shtatë vjet ! Se Serbia është
faktor më i rëndësishëm dhe se Kosova po mbahet si peng i Serbisë, po e dëshmon
edhe luhatja e bashkësisë ndërkombëtare qe statusi të arrihet pas zgjedhjeve në
Serbi. Me një shtyrje të tillë të afatit shumë të përfolur për këtë vit, e tani kjo
zgjidhje po trumbetohet
hapur e pa përcaktuar, në mënyrë të heshtur po pajtohen edhe udhëheqësit tanë
politikë. Serbia pa e pyetur askënd as Grupin e Kontaktit as OKB-në, Kosovën e futi
në Kushtetutën e vet si pjesë të pandarë të saj. Edhe këtë sulm flagrant të Serbisë
ndaj Kosovës, udhëheqja jonë politike e kaloi disi në heshtje duke i përsëritur aty
këtu disa deklarata nga të huajt se është punë për ta dhe se kjo nuk do të ndikoj
në zgjidhjen e statusit të Kosovës. Bashkësia ndërkombëtare në vend se ta kritikoj
një kushtetutë të tillë e cila nuk dallon pothuajse fare nga ajo e kohës së
Millosheviqit, e aprovon këtë Kushtetutë serbe me Kosovën brenda saj. Bile, Solana
thotë se: “ ka ndodhur një gjë e mirë në Serbi”.Se statusi do të shtyhet është
pothuajse e sigurt por, se kur do të vazhdojnë prapë të vendosin për këtë gjë nuk
është e sigurt. Me siguri kur ta marrin dritën e gjelbër nga Beogradi.
Kjo, është dëshmi e qartë se sipas kandarit të politikës ndërkombëtare, Kosova
ende gjendet nën tutelën politikës së Beogradit
Pas këtyre zgjedhjeve në Serbi nuk dihet se kush do të vijë në pushtet dhe me
siguri të gjithë këta që janë sot, pas zgjedhjeve nuk do të jenë në pushtet
d.m.th.do të mungojnë disa prej tyre në mos të gjithë. Pa marrë parasysh se kush
do të fitoj në këto zgjedhje, Qeverisë së re i duhen disa muaj kohë derisa ta
marrë detyrën plotësisht pra, nuk bëhet fjalë për një muaj apo dy.
Mund të kërkohet prap vazhdim bisedimesh nga bashkësia ndërkombëtare në mes palës
kosovare dhe asaj serbe. E çfarë mund të ndodh ? Klasa e re politike serbe mund të
mos i pranoj, pra t'i shpallë të pavlefshme bisedimet e Vjenës. Ndoshta duhet
delegacion i ri , ndoshta bisedime të reja, ndoshta , ndoshta...?
Pra, Serbisë i hapen mundësi tjera të shumta për ta zvarritur procesin e
përcaktimit të statusit të Kosovës gjë që është munduar ta bëj gjithë kohën.
Me një fjalë, Kosova po pret kohëra të turbullta dhe nuk është në gjendje të bëj
asgjë përpos të pres Godonë.
Pse erdhëm tek kjo gjendje që jemi sot ?
Pas rënies së komunizmit e sidomos pas fillimit të shpërbërjes së Jugosllavisë,
populli shqiptar në Ballkan nuk u gjet i përgatitur për t'u bërë ballë këtyre
proceseve të shthurjes së shteteve dhe krijimit të shteteve të reja.
U gjet i papërgatitur, sepse në udhëheqjen politike erdhën në “pushtet” pacifistët
dhe pinjollët e kolaboracionistëve, këtyre dështakëve politikë nga Prishtina deri
në Tiranë e gjetiu në trojet shqiptare. Të gjithë popujt tjerë në Ballkan bënë si
bënë dhe formuan shtetet e tyre, ndërsa ne mbetëm në vend pa bërë asnjë hap
përpara !!!
Një fjalë jona e urtë popullore na mëson: “kur bie njëherë në gjunjë, zor e ke për
t´u ngritur vertikalisht”!
Në vend se politikanët shqiptarë kudo në trojet shqiptare në Ballkan të bënin
strategjinë e Ribashkimit Kombëtar dhe ta kërkonin e të luftonin për këtë
Ribashkim që është e drejtë e pamohueshme e jona dhe shpëtimi ynë, të gjithë, pa
menduar gjatë, mjerueshëm hoqën dorë nga kjo gjë e shenjtë.
Ua lanë shteteve pushtuese dhe fuqive të mëdha të vendosnin për fatin e
shqiptarëve të vendosin për fatet tona historike, për ardhmërinë tonë. Dhe, dihet
pastaj epilogu i tyre.
Shqiptarët e Kosovës lindore u munduan, luftuan por, janë në gjendje edhe më të keqe
se që ishin.
Shqiptarët e Luginës se Vardarit u munduan, luftuan por, pothuajse asgjë nuk arritën
në përmirësimin e gjendjes së tyre përveç se janë ndarë e armiqësuar ndërmjet veti
nëpër parti politike.
Çamëria u harrua fare, disa protesta popullore ne Sarandë dhe asgjë më shumë.
Shqiptarët e Malësisë së madhe në Mal të Zi , vetëm e bënë shtet shtetin okupator të
tyre dhe tash si shpërblim po akuzohen si terroristë, po maltretohen e po burgosen
pa asnjë faj.
Kosova që luftoi, që u masakrua, që u dhunua, që u dogj e u poq nga Serbia, prapë ka
mbet peng i saj dhe nën mëshirën e saj dhe nuk po arrin dot ta heq qafe njëherë e
përgjithmonë. Prap po i mohohen të drejtat e saj të jetë e lirë dhe e pavarur.
Luftën që e bëri ndërkombëtarët po e kualifikojnë si konflikt ndërmjet
ekstremistëve. Nga një luftë çlirimtare me një regjim kriminal i cili qe vazhdimësi
e regjimeve të tjera kriminale serbe, politika reaksionare e diplomacisë pro-
Beogradit e konsideron sot luftë civile, midis etnitetesh të ndryshme!!!
Si pasojë e këtij vlerësimi tejet të pavend dhe monstruoz, ( kinse ne shqiptarët
jemi kundër serbëve që jetojnë në Kosovë) tani po na ndërrohen administratorët dhe
pushtetarët me pushtetet e huaja, në Kosovë, po ndërrohen si rrobet: po shkon
UNMIK-u e po vjen EUMIK-u. Kosova tragjikisht po vend numëron në zero (0) ndërsa
pashallarë tanë të majmur thonë se së shpejti do të vjen edhe njohja formale e
Pavarësisë. Po, përse nuk po e pyesin Petersenin se ai e di edhe datën e saktë e
të na e heqin këtë merak ?
Edhe kjo s'është gjë tjetër pos një demagogji (gënjeshtër).
Nuk mund të na e sjellin Pavarësinë e Sovranitetin ata që sot janë me shumicë në
Parlamentin “kukull” të Kosovës, ata, të cilët kurrë nuk kanë besuar e nuk besojnë
në Pavarësi e Sovranitet.
Ata, shërbimin më të mirë do ta kishin bërë për këtë popull, sikur të bëheshin të
sinqertë e t'ua tregonin të vërtetën dhe të jepnin dorëheqje nga politika sa nuk
është bërë tepër vonë.
Këta pashallarë, tani nuk e kanë mandatin e popullit , për faktin se: afati i
zgjedhjeve ka kaluar; pra, ata nuk mund dhe nuk duhet që të vendosin për fatin e
popullit, prandaj si për të mirë si për të keq patjetër do ta kenë shpërblimin e
popullit, nga i cili nuk mund të fshihen dhe të ikin dot.
Pavarësia e Sovraniteti nuk gjenden në New -Jork, Bruksel, Londër, Moskë e Beograd.
Pavarësia dhe Sovraniteti gjenden në mesin e popullit që e do dhe e meriton. Ky
popull herët a vonë do ta marrë Pavarësinë, do ta marrë Sovranitetin sepse është e
drejta e tij, është vullneti i tij dhe nuk ka forcë në botë që mund ta thyej
vullnetin e një populli.
Pavarësia e plotë do të vie kur populli e merr fatin e tij në duart e veta.
Londër, Tetor 2006