Shpresa mes Lindjes dhe Perëndimit
dhe Perëndimit [/highlight]
Arben Idrizi
Orhan Pamuk (1952), shkrimtar turk, këtë vit është
njëri ndër kandidatët e mundshëm për ta fituar
çmimin Nobel për letërsi.
I lindur dhe edukuar në Stamboll, në pjesën evropiane,
me shikim kah pjesa aziatike në bregun tjetër
të Bosforit, pas ndërtimit të urës që i lidh dy brigjet,
edhe ai vetë, siç thotë në një artikull, ndjehet si ajo
urë lidhëse mes dy kontinenteve, qytetërimeve. "E
kuptova se më së miri ishte të jem urë mes dy brigjeve".
Para rreth shtatë vitesh Pamuk refuzoi çmimin
"Artist i shtetit" për romanin "Emri im është i kuq".
Siç e shpjegon edhe në një intervistë të botuar para
pak ditësh në RaiNews24, arsyeja për këtë refuzim
është shumë e thjeshtë: nuk dëshironte ta pranonte
një çmim nga një shtet që i burgoste gazetarët dhe
shkrimtarët. Më 2005 akuzohet për shkak të
deklaratave dhënë një reviste zvicerane rreth
masakrës së turqve ndaj një milion armenëve dhe
rreth 30 mijë kurdëve, gjatë Luftës së Parë Botërore.
Megjithatë, më pas kjo akuzë i tërhiqet dhe kështu
i shpëton burgut.
Sipas Pamukut, në romanin "Bora", nuk kemi të
bëjmë me një konflikt mes Islamit dhe Krishterimit
nga pikëpamja religjioze. Në të vërtetë, mendon
Pamuk, ekziston një konflikt mes islamit politik dhe
atyre që ai i quan fundamentalistët dhe ekstremistë
edhe në krishterizëm. Pra, përleshja e vërtetë
është mes islamit politik dhe atij të krishterë. Islami
politikisht nuk merret shumë me religjionin por
me nacionalizëm dhe me urrejtje anti-perëndimore.
Prandaj, njerëzit e rëndomtë s'kanë të bëjnë asgjë
me islamin politik në luftë me krishterimin politik
dhe anasjelltas. Duhet të trajtohen si njerëz.
Megjithatë, asaj që ai i ishte frikësuar, përleshjes
mes qytetërimeve, luftës së vërtetë mes Krishterimit
dhe Islamit, ku pas, siç thotë Pamuk, 11 shtatorit
as Bushi nuk harroi të hidhte benzinë në zjarr ndodhi.
Pra, tash, ajo që dikur ishte sall një 'fantazi
akademike', është realitet.
E me luftën në Liban vetëm sa është shtuar urrejtja.
Një rock grup italian, Nomadi, në njërën nga
këngët e tyre më të mrekullueshme, me titull: "Të
bardhët dhe të zinjtë" flasin për një personazh që
metaforikisht (apo si të doni) do ta shpjegonte në
mënyrë të kënaqshme personalitetin e Pamukut,
gjendjen e tij si urë lidhëse mes religjioneve dhe
qytetërimeve, apo ndoshta mjerisht gjendjen e tij
mes dy zjarresh.
Në një kohë të llahtarshme, kur po shpërthente
lufta, vëllai kundër vëllait, urrejtja kundër dashurisë,
një njeri e kultivonte shpresën në kopshtin e tij. I
ndihmonte të gjithë, pra edhe kundër të gjithëve
luftonte. Një ditë e gjen një njeri të zi që ishte duke
dhënë shpirt dhe bën çmos që ta shpëtojë. Për këtë
shkak, të bardhët menduan se ai është kolaboracionist
dhe e futën në listën e tyre të gjatë të zezë. E
një ditë tjetër, në derën e kopshtarit të shpresës trokiti
një i bardhë i arratisur e ky e shpëtoi. Kështu kopshtari
e fitoi edhe urrejtjen e të zinjve, të cilët u betuan
se do të hakmerren, ngase kush nuk ishte me
ta duhej të vdiste. Kështu që një natë, njeriu i mirë
po ecte kurrizit të malit; të bardhët e përgjonin nga
njëra anë, të zinjtë nga ana tjetër, të gatshëm që ta
vrasin. Dhe e qëllojnë të dy palët përnjëherë. Vrasësit,
të bardhët dhe të zinjtë, të dalldisur nga lumturia,
nuk e dinin se me këtë e kishin vrarë SHPRESËN!
Pra, Pamuk është SHPRESA.