Pavarësia e tredhur

26.09.2006 · RTVZIK · Forumi i vjetër RTVZIK

← Artikuj Politik

[highlight]Pavarësia e tredhur [/highlight] (marë nga gazeta SHEKULLI)


Enver Robelli

Kosova e kishte një shans të madh. Kurrë nuk do të përsëritet ky shans. Kosova mund të bëhej një shtet me rrezatim pozitiv në rajon. Ky shans u humb menjëherë pas 12 qershorit 1999. Në vend të ndërtimit të shtetit ushtarët e vërtetë dhe më shumë të rrejshëm të UÇK-së, pasi i kishin veshur nëpër misërishte uniformat e vjedhura ose të blera në pazar, vrapuan për të vjedhur këpucë nëpër dyqane të firmës Borovo. Ju kujtohet kjo firmë? Ishte nga Kroacia dhe në kohën e Jugosllavisë së Titos e mbathte me këpucë gjysmën e miletit mes Jesenicës dhe Gjevgjelisë.

Dy heronj
Derisa ushtarët e rrejshëm vidhnin, eksponentë militantë të Lidhjes Demokratike të Kosovës, partisë më të madhe politike në vend, kujdeseshin që pas luftës të tregonin muskujt, shpiknin beteja të paqena dhe heroizma. Adem Jashari një kohë të gjatë, pas luftës, mbeti vetëm hero i Partisë Demokratike të Kosovës. LDK e gjeti një hero tjetër: Agim Ramadanin. (Duke e njohur nga afër dhe duke u tronditur me faktin se sa shumë shokë i dolën Agim Ramadanit pasi ai ra në betejë, jam i bindur se këtij heroi të madh të Kosovës nuk do t’i kishte pëlqyer fare ky klasifikim makabër për interesa të politikës ditore). Sa është denigruese për një luftë çlirimtare, siç ishte kjo e Kosovës, kur secila parti politike shpallë heronjtë e vetë, as që duhet të harxhohen shkronja.
Ka edhe më keq: Shansi i Kosovës u humb përfundimisht kur maskarenj dhe kriminelë, banditë dhe idiotë sulmuan, vranë dhe masakruan plaka dhe pleq të pakicës serbe dhe rome, të gjithë mes moshës 70 dhe 90-vjeçare. Jo pse kjo kategori njerëzish kishte kryer ndonjë delikt, por vetëm për t’ua plaçkitur pasurinë – një banesë, një truall, një copë tokë! Në vend të ngadhënjimit të lirisë dhe paqes, Kosova, pas luftës, iu nënshtrua dhunës së shufrave të hekurit dhe kërcënimit të kallashnikovit. Kjo kohë e turpshme shoqërohej me heshtjen (ndoshta miratuese?) të politikanëve të Kosovës. Kishte madje kalemxhinj militantë dhe patriotë të vetëshpallur që bënin thirrje për vrasjen e ndonjë publicisti të guximshëm, që në kohërat e errëta kërkonte të ndërpritej orgjia plaçkitëse, e cila ishte thikë pas shpine në trupin edhe ashtu të masakruar të Kosovës.
Rrafsh shtatë vjet na flasin për pavarësi. Dhe rrafsh shtatë vjet kjo klasë politike fjalën pavarësi e shfrytëzon vetëm si maskë për t’ia marrë mendtë këtij mileti edhe ashtu indiferent. Nën hijen e kësaj plogështie të përgjithshme pushtetarët e Kosovës janë pasuruar - dhe e kanë tepruar! Jo vetëm që kanë blerë shtëpi, vetura, troje, toka, fabrika dhe femra (po, edhe femra!), por ata nuk kanë asnjë skrupull që të sillen si padronë dhe pronarë jo vetëm mbi pasurinë e Kosovës, por edhe mbi jetët tona. Prandaj, sot kemi ministra që përjetojnë orgazëm kur shtinë me revole nëpër dasma, kur dehen nëpër restorante dhe i lënë veturat ndezur përjashta, në mënyrë që assesi të mos u ftohet kolltuku, kur shesin mend nëpër lokale të shtrenjta të botës perëndimore për cilësinë e verës së kuqe, ndonëse deri dje ia kanë ditur shijen vetëm lëngut të verdhë të dudit.

Zyrtari i Milosheviçit
Kosova nuk ka gjyqësi. Nuk ka prokurorë. Nuk ka juristë në shërbim të ligjit. Dhe si të ketë, kur prokurori kryesor i saj është një zyrtar i Slobodan Milosheviçit. I zgjedhur në Kuvend nga deputetët tanë simpatikë, përfaqësues të popullit të Kosovës, i cili në luftën e fundit të Milosheviçit kundër popullit të Kosovës pagoi një tagër të lartë gjaku: 12 mijë viktima!
Të gjitha këto duhet pasur parasysh për të kuptuar se gjatë muajve të ardhshëm statusi i Kosovës do të zgjidhet, por jo ashtu siç e kanë dëshiruar dy milionë banorë të Kosovës. Vendimmarrësit ndërkombëtarë do të kenë parasysh edhe dështimin e klasës politike të Kosovës për të ndërtuar një shtet funksional. Do ta kenë parasysh kryetarin e Kuvendit të Kosovës, i cili pas luftës na bëhet trim dhe kërcënon me revoltë. Në vend se të kujdeset që shteti i Kosovës të mos jetë vetëm përrallë dhe opium për milet, por realitet, ai u bie daulleve te luftës.
Gjithçka duket vonë. Bashkësia ndërkombëtare me këtë personel politik në Prishtinë do ta ketë lehtë të imponojë një zgjidhje të statusit, i cili shqiptarëve do t’iu duket si pavarësi, ndërsa serbëve si autonomi. Me një fjalë: një pavarësi e tredhur. Nëse s’ndodh një mrekulli shumë e dëshirueshme Kosova nuk do të ketë karrige në OKB. As ushtri. As Ministri të Jashtme. Do të krijohet njëfarë ministrie për integrime evropiane. Sa për të krijuar imazhin e shtetit, i cili do të jetë jofunksional ashtu siç është Bosnjë-Hercegovina. Përherë në luftë për mbijetesë. Përherë në krizë. Përherë i bllokuar nga ligjet sistemore. Dhe përherë i kontrolluar dhe i drejtuar nga ndonjë sulltan i ri evropian në Prishtinë.
A do të pranohet pavarësia e tredhur? Përvoja e hidhur historike tregon se mllefi i shqiptarëve prore ka përfunduar në vetëshkatërrim (dy shembuj të freskët janë Shqipëria e vitit 1997 dhe Kosova e marsit 2004). Kur kësaj i shtohet fakti se prijësit politikë të shqiptarëve sot janë aq të diskredituar dhe të njollosur nga balta e korrupsionit dhe imoralitetit, Kosovën nuk e presin ditë fatlume – nëse nuk ndodh një mrekulli!

Somario
Rrafsh shtatë vjet na flasin për pavarësi. Dhe rrafsh shtatë vjet kjo klasë politike fjalën pavarësi e shfrytëzon vetëm si maskë për t’ia marrë mendtë këtij mileti edhe ashtu indiferent.

A do të pranohet pavarësia e tredhur? Përvoja e hidhur historike tregon se mllefi i shqiptarëve prore ka përfunduar në vetëshkatërrim (dy shembuj të freskët janë Shqipëria e vitit 1997 dhe Kosova e marsit 2004).