DIPLOMACIA POLITIKE SHQIPTARE PËRBALLË DIPLOMACISË
Fadil Shyti
DIPLOMACIA POLITIKE SHQIPTARE PËRBALLË DIPLOMACISË SERBE DHE ASAJ BOTËRORE
Tani kohëve të fundit, po bëhet shumë zhurmë nga diplomacia politike brenda dhe
jashtë Kosovës, kinse tashmë i ka ardhur fundi zgjidhjes përfundimtare së çështjes
së Kosovës. Në vështrim të parë kjo tingëllon këndshëm për të gjithë ata që ia duan
të ardhmen e ndritur popullit tonë të shumëvuajtur.
Mirëpo, fatkeqësisht kjo nuk është hiq e vërtetë; tani ka filluar jo zgjidhja
përfundimtare por, ngatërresa fillestare!...
Në realitet kjo nuk po ngjanë as nuk ngjau, ndonëse kjo zhurmë ka filluar për më
tepër se një dekadë. Kujtojmë këtu premtimet boshe të pacifistëve "demokratë" me në
krye Ibrahim Rugovën, i cili jo rrallë herë e ka deklaruar atë "njohjen formale të
pavarësisë së Kosovës", pastaj premtimet e politikanëve të cilët gjatë fushatës
elektorale, kur i rrëmbyen ethet e ardhjes në pushtetin fiktiv, apo më saktë në
"pushtetin paralel", para luftës nën tutelën serbe, ndërsa pas luftës nën tutelën e
UNMIK-ut, pra nën pushtetin pa shtet; çirreshin deri në qiell se "parlamenti i
ardhshëm i Kosovës, do ta shpallë pavarësinë", pas luftës më e zëshme në këto
premtime ishte AAK-ja, e cila pas ardhjes në "pushtet" e binjakëzuar me LDK-në, në
aleancën "romantike", nga këto dy subjekte gjithçka po shkon si në vaj ulliri , kur
është fjala për mos prishjen e status-qos apo balancimit, që Kosovën ta
"stabilizojnë", me përcaktim -"hapërimet politike" të vendnumërimit. Kujtojmë me
këtë rast edhe
qëndrimet hiq të vendosura të opozitës "së fuqishme" të PDK-së dhe të partisë Ora;
të cilat përkundër disa reagimeve , rreth qeverisjes së keqe në Kosovë, në aspektin
kombëtar, pothuaj njësoj po e ndjekin avazin e tyre "ngrehe perin e mos e këput".
Pra, në raport me diplomacinë politike serbe, evropiane dhe amerikane; kur është
fjala për vendosmërinë tepër legjitime të zgjidhjes së çështjes së Kosovës. Shikuar
nga ky aspekt këto parti vërtetë po ngjasojnë si katër pika uji tepër
turbulluese...
Pushtetarët e sotëm si ambiciozë të mëdhenj që janë; për t´i realizuar orekset e
interesave të tyre personale nga të gjitha fushat e jetës: politike, ekonomike,
ushtarake etj. etj; marramendshëm i kanë harruar interesat e vërteta kombëtare. Këta
zotërinj, asnjëherë gjatë këtyre viteve të pasluftës nuk i thanë JO shkeljes së
drejtave më elementare që po u bëhen shqiptarëve nga ana e UNMIK-ut, dhe e
satelitëve të tyre jashtë Kosovës.
Shkelje kishte dhe ka sa t´i hajë dhe të ngopet djalli!... Por, djajtë në vallen e
tyre , nuk u penguan as pengohen deri sot, nga politikanët "e hollë" të
multietnicitetit apo të variantit të ri të "vëllazërim-bashkimit" alla titist , pra
të xhelatëve me viktimat, të cilët pretendojnë se "Kosovën do ta integrojnë në
Evropë", para se paraprakisht ta bashkojnë territorin saj!!! Mitrovica dhe vise të
tjera të Kosovës , po sakatohen nga thikat e xhelatëve serbë, me narkozën moderniste
të decentralizimit, apo thjeshtë të ndarjes së Kosovës.
Evropa dhe Amerika, kur po e shohin hapur se diplomacia politike shqiptare, nuk po
reagon për asnjë çast fuqishëm, natyrisht se "serbëve të moderuar" paramilitaristë
të djeshëm dhe banditëve të sotëm që po formojnë struktura policore dhe ushtarake
paralele në Kosovë për t´i vrarë sërish shqiptarët; ua kuptojnë hallet, i përkrahë
duke kërkuar kompromise "nga të dyja palët" , e që në fakt këto kompromise, këto
prapakthime në historinë tonë të re, praktikisht po kërkohen vetëm prej shqiptarëve.
Vlen të theksohet me këtë rast që: në Kosovë nuk jeton vetëm pakica serbe, por edhe
pakicat turke, boshnjake, e të tjera prandaj të gjitha pakicave të popujve që dje
dhe sot jetojnë në Kosovë duhet t´u njihen të drejtat e tyre legjitime. Në këtë rast
jam për trajtimin sipas praktikës së gjeniut, Enver Hoxha! Ai, me PPSH dhe qeverinë
shqiptare në atë kohë e ka favorizuar minoritetin grek. Jo vetëm se grekët në
Shqipëri kishin një autonomi kulturore me shkollat dhe mediat në gjuhën greke, bile
mjaft përfaqësues të pakicës greke kishin vend në parlament dhe bile në organet më
të larta të partisë. Edhe vllahët dhe maqedonasit nuk kishin arsye të ankoheshin...
Me fjalë tjera: ne, shqiptarët e Kosovës, pavarësisht nga ngjarjet e tmerrshme para
disa vitesh, duhet të pranojmë dhe të krijojmë kushte aq të favorshme për
minoritetet brenda Kosovës. Çdo diskriminim duhet të ndalohet dhe të ndëshkohet
rreptësishtë.
Në të njëjtën kohë duhet punuar intensivisht për të dobësuar lidhjet midis Beogradit
dhe serbëve të Kosovës. Kjo bëhet në plan të parë përmes ekonomisë: nëse serbët në
Kosovë shohin se ata kanë çdo fitim nga marrëdhëniet e mira me shqiptarët. Kjo nuk
do të thotë sa ata duhet të marrin pozita dominuese në shoqëri dhe politikë, në atë
rast duhet marrë parasysh faktin se pushteti t´u njihet në raport me popullsinë;
p.sh 10% nga popullsia do të thotë 10% nga pushteti global. Në komunat ku
mbizotërojnë serbët natyrisht duhet të kemi parime të njëjta në jetën komunale -
d.m.th. në pushtetin e tyre komunal mbizotërojnë serbët, por me lidhje qendrore me
shtetin shqiptar e jo kurrsesi me Beogradin. Njëkohësisht kjo politikë vërtetë
demokratike, duhet të kërkohet me ngulm që të zbatohet edhe nga Qeveria e Beogradit,
pastaj të kërkohet, që serbët që jetojnë në Kosovë ta njohin Kosovën si shtetin
tyre.
Pse i them këto qëndrime, lexuesit e nderuar dua t´i sqaroj sa vijon: a dëshiron
bota sot pastrimin etnik? Jo, kush u lind në një vend ka çdo të drejtë të jetojë
atje, apo jo? Kush ka bërë krime duhet të dënohet me ligj! Dhe, ribashkimi i Kosovës
me Shqipërinë nuk do të ishte faktor negativ për pakicat, nëse këto parime do të
janë në rregull. Natyrisht, që për këto parime me siguri do të kujdeset shteti i
ardhshëm shqiptar. Ndërsa, tani kur ne në Kosovë s´i kemi as mundësitë minimale të
ekzekutivit nga ana e shtetit si mund t´i mbrojmë këto vlera kaq të larta të
njerëzimit?!
Pavarësisht, si po rrjedhin situatat politike të cilat momentalisht janë tepër në
disfavorin e zgjidhjes së drejtë të Kosovës, kjo status-qo, kjo gjendje e qulltë nuk
mund të qëndrojë gjatë. Populli ynë ndonëse i ballafaquar me tri luftëra çlirimtare,
ndonëse i ballafaquar me variantet e luftës së heshtur, nga bllokadat ekonomike, nga
faktorët e jashtëm dhe të brendshëm, të cilët egërsisht ia shkatërruan ekonominë
edhe ashtu tepër të varfëruar para luftës, mos të harrojmë për asnjë çast se
shkatërrimi i kësaj ekonomie; mosfunksionimi normal i fabrikave, kombinateve, lënia
në stihi apo më saktë lënia djerrë e sipërfaqeve të mëdha të tokave tona pjellore;
pra rënia e shpejtë e bujqësisë, etj, kjo, për të gjithë ata shqiptarë që kanë dy
kokrra mend në kokë duhet të kuptojnë se të gjitha këto e kanë një prapavijë të
caktuar kundër shqiptare: të shkatërrohet ekonomia shqiptare, të shpartallohet klasa
punëtore heroike; që pastaj të varfërohen shqiptarët e" të mos kërkojnë mish në
gjellë", por të mjaftohen me një koromane të lyer me djathë e speca të sertë"!...
Pra, shpartallimi i klasës punëtore, ka ndikuar fuqishëm negativisht, që klasa
politike e Kosovës e dirigjuar nga këshilltarët e huaj, të luaj paturpësisht si të
dojë në "lojën e fatit" për ardhmërinë e Kosovës.
Kujtojmë këtu kohërat që nga demonstratat e para të ´68-tes , 81-tes e deri në vitet
90-ta, kur zëri i fuqishëm i punëtorëve proletarë, kumbonte në sheshet e qyteteve të
Kosovës dhe në rrugicat e katundeve tona të rebeluara… Kosova, në ato vite vërtetë e
kishte një klasë politike e cila nuk vepronte aspak në dobi të shtetit të Kosovës,
por njëkohësisht e kishte një klasë punëtore që e derdhte djersën dhe gjakun dhe
përpiqej me të gjitha forcat, për ta fituar pavarësinë, barazinë dhe lirinë në
shtetin e vet. Por, si duket ustallarët e huaj dhe vasalët e tyre hesapet i kanë
bërë keq; pra, hesapet i kanë bërë pa hanxhinë!
Pavarësisht, se këta fatnoshët e sotëm me ndihmën e pakursyer të padronëve të tyre,
përkohësisht edhe mund ta mashtrojnë këtë popull që aq shumë u besoi, kjo nuk do të
ngjajë për shumë kohë: tashmë populli po e kupton çdo ditë në çfarë rruge pakrye e
ka futur kjo udhëheqje aspak e sinqertë!... Flamurtare e denjë e demaskimit të
mashtrimeve të tradhtive dhe e mohimit të drejtave më legjitime shqiptare; se
shqiptarët sot po shtypen herë me pambuk e herë me shkopinj gome, është Lëvizja
Vetëvendosje. Fatbardhësisht, tani kjo lëvizje rinore e cila me aksionet e
guximshme, tashmë e ka marrë dhe po e merr çdo ditë e më tepër besimin në popull dhe
përkrahjen nga shumë forca të tjera; subjekte politike e jopolitike përparimtare; me
siguri që në një kohë shumë të afërt; faktorët e brendshëm dhe të jashtëm, që, sot
po veprojnë nëndheshëm në Moskë, Athinë, Vjenë, Bruksel e gjetiu kundër popullit të
Kosovës, do ta kuptojnë qartë se nuk mund të luajnë lehtë, (siç kanë menduar) me
fatet e
Kosovës dhe të viseve të tjera shqiptare!
Tani, populli i komunave të Kosovës, të cilat janë në kufi me Serbinë po ngrihet në
protesta, kundër ndarjes që po i bëhet Kosovës, madje edhe në parlamentin e brishtë
të Kosovës, deputetët përparimtarë si: Emrush Xhemajli, Xhevat Bislimi e të tjerë me
të drejtë po e ngritin zërin kundër kësaj padrejtësie historike, kundër "grupit të
unitetit" - do të thosha për copëtimin e atdheut, atje në laboratorët e errëta të
diplomacisë së moçme të Evropës. Këta atdhetarë të devotshëm po ua shqyejnë maskat
"kolegëve" të tyre edhe për mospërfilljen e tyre ndaj faktorëve shqiptarë komunalë
dhe më tej…
Tani, kur po ngjajnë këto stuhi të reja; kur Serbia në Kushtetutën e saj po e vë
Kosovën si provincë territoriale të saj, e bazuar në rezolutën famëkeqe 1244; përse
heshtë qeveria e Tiranës? Tani, kur shtetet fqinje sllave si: Greqia, Bullgaria,
Rumania, Maqedonia dhe Mali i zi, me njëmijë e një insinuata po deklarohen hapur se
janë kundër pavarësisë së plotë të Kosovës, udhëheqësit e tyre po deklarojnë me
pompozitet se: " ne, jemi për zgjidhjen e problemit të Kosovës, sipas qëndrimit të
komunitetit ndërkombëtar; apo sipas qëndrimit që të dy palët të jenë të kënaqura ,
pra sipas marrëveshjes nga ana e Prishtinës dhe e Beogradit", ky cinizëm politik, e
bënë të mendoj edhe naivin më të madh se për çfarë pavarësie të Kosovës, na qenkan
këto vende "mike"! Padyshim që ky qëndrim i tyre s´ na habitë aspak!... Përkundrazi
na hidhëron jo pak qëndrimi i njëllojshëm i qeverisë "Berisha", kur jo rrallë herë
deklarohet me të njëjtin qëndrim! Madje, vizitën e fundit në Kosovë; Berisha e
shfrytëzoi për ta paraqitur edhe njëherë para botës qëndrimin qyqar të tij dhe të
qeverisë që e drejton se: "ne jemi për zgjidhjen e Kosovës, sipas qëndrimeve të
GNK-së dhe të komunitetit ndërkombëtar".
Shqipëria, e ka dhënë ndihmesën e saj në çastet më dramatike për Kosovën me vise,
gjatë luftës çlirimtare, tani kërkohet që me luftën politike e diplomatike ta
fitojmë bashkë atë luftë.
Pse qeveria "Berisha" nuk e ngriti asnjëherë zërin kundër copëtimit të ri të Kosovës?!
Pse qeveria dhe shteti shqiptar asnjëherë nuk e kërkoi fuqishëm të drejtën e
popullit të Kosovës për vetëvendosje?!
Pse qeveria e Tiranës nuk ia përkujton Beogradit, se: " Kosova është e Shqipërisë
dhe duhet t´i kthehet asaj"-ashtu siç ia përplasi në fytyrë Titos në Beograd, më
1946, i madhi Enver Hoxha.
Jo, zotërinj qeveritarë dhe pushtetarë të Shqipërisë së copëtuar!
Kosova nuk përkrahet siç po bëni ju!
Nuk përkrahet Kosova me vise të tjera shqiptare duke i përkrahur elitat politike që
shkojnë e vijnë "në pushtet" sipas ngjyrave politike, sipas orekseve të huaja, apo
të "aleatëve" të nëntokës kundër shqiptare! Nuk përkrahet Kosova me vise të tjera
shqiptare duke ua mbajtur ison, ose duke ua bërë përuljen më servile të gjithë
diplomatëve e politikanëve të jashtëm, pa dallime: janë apo s´janë këta armiqtë e
Shqipërisë!
Vlen të theksoj këtu, reagimin me kohë partisë së LSI-së, kundër vendimit të
qeverisë serbe që Kosovën ta përfshijë në Kushtetutën e saj! Por, ky reagim do të
duhej të bëhej nga qeveria, presidenca, dhe shteti shqiptar në përgjithësi. Ku janë
organizatat jo qeveritare?! Pse ato nuk e ngritin asnjëherë zërin për lirinë dhe
ribashkimin me Kosovën me vise?! Organizata rinore, "Lëvizja Mjaft", e pasqyron
gjendjen e mjerë ku e kanë çuar pushtetarët e sotëm Shqipërinë, ajo sot proteston
për ujë, kur vise të tëra shqiptare sërish po i grabitë dora e huaj! Kjo, organizatë
rinore, meriton respekt, sepse jo rrallë i demaskon çdo veprime kundërnjerëzore të
pushtetarëve dje dhe sot, siç është korrupsioni që sot po ia pi gjakun Shqipërisë,
po ua varfëron jetën shqiptarëve etj…
Por, ky respekt disi zbehet kur ata djelmosha e cuca të zgjuara, po ia lejojnë
vetes; të mbyllen vetëm në guacën e problemeve të pazgjidhura lokale siç janë uji
dhe elektriku; them kështu, sepse: ka diçka që është e përjetshme sa uji dhe drita,
ato janë: liria dhe ribashkimi gjithëkombëtar! E, këto nuk arrihen pa përpjekjet e
të gjithë shqiptarëve, brenda e jashtë atdheut!
Ne, rinia dhe populli i Kosovës me vise të ndara e të robëruara ; dje dhe sot kishim
dhe kemi shpresa edhe tek rinia jonë heroike e Shqipërisë Nënë, tek populli i saj,
pavarësisht nga pengesat e klaneve politike qeveritare që u dalin përballë gjatë
historisë, pavarësisht nga bllokadat ekonomike etj, ata do të na gjenden sërish
përkrah, ashtu si më parë! Ashtu, siç kërkohet të gjendet vëllai përkrah vëllait,
motra përkrah motrës, në çaste të vështira!
Shikuar kronologjikisht pavarësisht bllokadave: populli ka filluar ta shqyej terrin
e mashtrimit e të vetëmashtrimit, t´i shpërndajë çdo ditë e më tepër mjegullnajat e
premtimeve boshe të servilëve shqipfolës të diplomacisë botërore që po vijnë prej së
largu dhe që trumbetohen me boritë e telallxhinjëve mjeranë nga afër; në qytetet dhe
katundet tona të copëtuara, malet kanë filluar ta dëgjojnë fuqishëm zërin e
revoltave popullore shqiptare; malet po i hapin gjokset: kujdes zotërinj
kolonialistë! Ky vend ka zot!
Zgjimi i popullit, organizimi dhe bashkimi i tij i fuqishëm e vë në gjumë
përjetësisht diplomacinë e politikës së mashtrimit nga maskarenj të vjetër e të ri,
të brendshëm e të jashtëm!
Përpara në përpjekjet tona në rrugën e lirisë!
Përpara drejt fitoreve të reja!
Suedi, 16 shtator 2006.