lajmet e datës 14. Shtator,

15.09.2006 · RTVZIK · Forumi i vjetër RTVZIK

← Lajmet

14. Shtator, 2006 21:21 CET  
 

 
 PRISHTINË
Zëvendësja e ndihmëssekretarit amerikan të shtetit Rosemarie di Carlo dhe i dërguari i Bashkimit Evropian për statusin e Kosovës, Stephen Lehne në ditën e dytë të qëndrimit të tyre në Kosovë, i kanë siguruar serbët e Kosovës se të drejtat e tyre do të mbrohen me secilin paragraf të zgjidhjes për statusin e Kosovës. Ata gjithashtu ua kanë bërë të ditur se statusi do të zgjidhet brenda këtij viti.
Këto komente zonja Di Carlo i ka bërë sot në Zveçan, pas takimeve bashkë me të dërguarin e BE-së Stephen Lehne, me kryetarët e komunave të Zveçanit dhe Zubin Potokut, Dragisha Miloviq dhe Slavisha Ristiq. Këta të fundit, thanë se zyrtarëve të lartë amerikanë dhe evropianë ua kanë shprehur shqetësimin e tyre lidhur me përparimin e pamjaftueshëm në bisedimet për statusin dhe kanë shprehur shqetësimin e tyre lidhur me qëndrimet se statusi i Kosovë do të përcaktohet deri në fund të vitit.

PRISHTINË
Ministrja e Punëve të Jashtme të Greqisë, Theodora Bakoyannis, ka thënë sot në Prishtinë se qeveria greke mbështet procesin negociues për zgjidhjen e statusit të Kosovës dhe shpreh gatishmëri për të bashkëpunuar me Kosovën në fusha të ndryshme të interesit të dyanshëm. Gjatë një vizite që Bakoyannis po i bën Kosovës, ajo është pritur nga udhëheqësit më të lartë vendor e ndërkombëtar në Prishtinë. Shefja e diplomacisë greke, tha se Kosova duhet të dalë nga rrethi i konfliktit dhe se qeveria greke mbështet negociatat që do të sjellin deri te një zgjidhje të pranueshme për të dyja palët në bisedime, pra si për Prishtinën ashtu dhe për Beogradin.
Kurse presidenti i Kosovës, Fatmir Sejdiu tha se ka paraqitur para diplomates greke vizionin e qartë të Prishtinës për Kosovën shtet të pavarur e sovran.
“Unë shtrova atë që kemi pjesë të mandatit tonë, që zgjidhja e statusit të Kosovës të jetë pavarësia dhe kërkova që në këtë aspekt të jap ndihmë edhe Greqia, si një kusht i rëndësishëm i ecjes përpara të Kosovës dhe rajonit”, tha Sejdiu.
Diplomatja Bakoyannis është takuar edhe me liderin e PDK-së Hashim Thaqi, atë të ORA-së Veton Surroi dhe bartësin e Listës Serbe, Oliver Ivanoviq.
Shefja e diplomacisë greke , Theodora Bakoyannis është pritur në një takim të ndarë dhe nga shefi i UNMIK-ut, Joachim Ruecker.

VJENË
Gjashtë vendet e Evropës Qëndrore dhe Lindore thanë se do të prezentojnë një deklaratë të përbashkët në takimin e nesërm të ministrave të Jashtëm të Bashkimit Evropian, me të cilën kundërshtohet ndarja e Kosovës dhe mbështetet shoqëria demokratike dhe shumë etnike. Deklarata e thekson nevojën për mbrojtjen e të gjitha komuniteteve etnike në Kosovë.
Në takimin në Vjenë, ministrat e Jashtëm të Çekisë, Sllovakisë, Sllovenisë, Hungarisë, Austrisë dhe Polonisë gjithashtu kanë kërkuar që Bashkimi Evropian ti rifillojë negociatat për marrëveshjen e stabilizim-asociimit me Serbinë sapo Beogradi të bashkëpunojë plotësisht me Tribunalin Ndërkombëtarë për Krime Lufte.

PRISHTINË
Kryeministri i Kosovës, Agim Çeku do të vizitojë Maqedoninë të martën më 19 shtator ku do të takohet me homologun e tij maqedon Nikolla Gruevski. Nga kabineti i Çekut është thënë se, takimi është edhe një mundësi për të biseduar rreth marëdhënieve dhe partneritetit ndërmjet Kosovës dhe Maqedonisë.

UASHINGTON
Sekretarja amerikane e Shtetit Kondoliza Rajs tha se "shtyrja e takimit mes Bashkimit Evropian dhe Iranit tregon se Teherani nuk është i interesuar të pranojë kërkesat ndërkombëtare që të ndërpresë programet për pasurimin e uraniumit".
"Gjithmonë kemi besuar se rruga ishte tepër e qartë për iranianët – të hiqnin dorë nga pasurimi i uraniumit dhe të vazhdonin me bisedimet ose bashkësia ndërkombëtare do të ndjekë rrugën e Këshillit të Sigurimit. Është e qartë se na duhet ta çojmë çështjen sërish në Këshillin e Sigurimit", tha shefja e diplomacisë amerikane Rajs.

BAGDAD
Së paku 20 veta janë vrarë në dhunën që shpërtheu sot në Bagdad. Të gjitha viktimat u vranë nga shpërthimet me automobilë-bombë dhe sulme të ndryshme në Bagdad si dhe vende përreth. Policia ndërkaq ka njoftuar se ka gjetur edhe 20 trupa të pajetë të cilët kishin shenja torture, përderisa edhe gjatë ditës së djeshme ishin gjetur rreth 64 trupa të pajetë. Nga zhvillime të tjera në Bagdad, kryetari i trupit gjykues në rastin e Sadam Hyseinit tha sot se "Sadam Hyseini nuk ka qenë dikator". Duke e arsyetuar këtë qëndrim, gjyqtari Abdullah al-Amiri tha se "Sadami nuk ka qenë diktator, por kanë qenë njerëzit përreth tij ata që e kanë bërë të tillë".

KABUL/VARSHAVË
Rreth 150 talibanë kanë marrë kontrollin e një stacioni policor në perëndim të Afganistanit. Gjatë luftimeve me forcat e sigurisë katër policë mbetën të vrarë dhe po aq ishte numri i humbjeve edhe në mesin e militantëve.
Ndryshe Polonia bëri të ditur sot se do të dërgojë 1 mijë trupa shtesë në Afganistan. Zyrtarë të ministrisë polake të Mbrojtjes njoftuan për zgjerimin e kontigjentit polak në Afganistan. Ky vendim erdhi pas kërkesës së ministrave të NATO-së për rritjen e numrit të trupave në Afganistan.

PRAGË
Përfaqësuesi i OSBE-së për Lirinë e Mediave shprehu keqardhje për vdekjen e korrespodentes së radios Evropa e Lirë në Turkmenistan Ogulsapar Muradova derisa ishte në burg.
Ndërsa zëdhënësja e organizatës Reporterët pa Kufijë, Elsa Vidal njoftoi për protestën që do ta organizojnë në Paris pranë ambasadës së Turkmenistanit.
"Kemi vendosur të protestojmë pranë ambasadës së Turkmenistanit në Paris, me qëllim që kjo vrasje të mos kalojë pa u dënuar, së paku ky rast të mos kalohet qetë, dhe për këtë qëllim thërrasim organizatat, dhe njerëzit që dëshirojnë të na bashkangjiten në protestën që mbahet nesër pasdite", tha Vidal.
58 vjeçarja Muradova, ishte dënuar me 6 vjet heqje lirie së bashku me disa aktivistë për të drejtat e njeriut me akuzën për armbëmbajtje pa leje.

PARIS
Papa Benedikti i XVI, është ballafaqur me reagime të mprehta gjatë ditës, pasi që në leksionin e tij ka theksuar një lidhje mes Islamit dhe dhunës. Kreu i Këshillit Francez për Muslimanët, Dalil Boubakeur tha se grupi i tij shpreson që kisha do ta sqarojë pozicionin e saj që të mos e ngatërrojë islamin me islamizmin i cili siç tha ai nuk është fe por ideologji politike.
Udhëheqës të tjerë muslimanë ftuan Papa Benediktin të kërkojë falje.
Vërejtjet e Papës nuk e kritikuan drejtëpërdrejtë islamin, por ai i citoi kritikat e një Perandori Bizantin për profetin Muhamed dhe Jihadin.