4. Shtator, 2006
Komandanti i ri i forcave paqeruajtëse në Kosovë, gjenerali gjerman Roland Kather, u ka kërkuar sot udhëheqësve kosovarë përkrahjen e institucioneve të Kosovës në angazhimet e tij dhe trupave të KFOR-it për një ambient paqësor dhe të sigurtë për të gjithë.
Këto komente gjenerali Kather i bëri pas takimit me presidentin e Kosovës Fatmir Sejdiu dhe kryetarin e Kuvendit Kolë Berisha.
Presidenti Sejdiu tha se institucionet e Kosovës kanë besim të plotë në punën e gjeneralit Kather.
Gjenerali Kather e mori komandën e KFOR-it më 1 shtator të këtij viti, duke e trashëguar gjeneralin italian Giuseppe Valotto.
PRISHTINË
Shefi i UNMIK-ut Joachim Ruecker ka vlerësuar se opozita në Kosovë ka luajtur një rol të rëndësishëm në ekipin negociator kosovar, dhe ka shtuar se është e rëndësishme që kështu të mbetet.
Pas takimit me kryetarin e Partisë Demokratike të Kosovës, Hashim Thaçi, Ruecker tha se është i kënaqur me unitetin, të cilin deri tash e kanë shfaqur faktorët politikë kosovarë, gjë që është shumë e rëndësishme për proceset e mëtejshme në Kosovë.
VJENË
Formimi i komunave të reja në Kosovë, përfshirë çështja e Mitrovicës, do të jenë në fokus të takimit të radhës të delegacioneve të Prishtinës dhe Beogradit më 7 dhe 8 shtator në Vjenë, ka njoftuar UNOSEK-u.
Takimin dyditësh në pallatin Daun-Kinski, ku delegacionet e Prishtinës dhe Beogradit do të bisedojnë për decentralizimin, mbrojtjen e trashëgimisë fetare dhe të drejtat e pakicave, do ta drejtojë zëvendësi i të dërguarit të posaçëm të KB për statusin, Albert Rohan.
"Në diskutimet për trashëgiminë kulturore dhe objektet fetare, theksi do të vihet në zonat mbrojtëse, si dhe mbikqyrjen dhe zbatimin e marrëveshjes për kthimin e veprave të artit", thuhet në komunikatë.
BRUKSEL
Bashkimi Evropian ka shprehur mbështetje të plotë për punën e të dërguarit të posaçëm të Kombeve të Bashkuara për statusin e Kosovës Marti Ahtisaari, dhe ka kërkuar nga Beogradi që të angazhohet në mënyrë konstruktive në raundin e ardhshëm të negociatave për statusin e Kosovës.
Këtë e ka thënë në një prononcim të veçantë Shefi për Politikë të Jashtme dhe Siguri i BE-së, Javier Solana, pas një takimi me ministrin e Financave të Serbisë, Mlagjan Dinkiq.
BEOGRAD
Aktivistja për të drejtat e njeriut Natasha Kandiq e ka akuzuar qeverinë e Serbisë se nxit armiqësi kundër saj, dhe tha se dikush është përpjekur ta frikësojë pasi kishte marrë pjesë në një debat të nxehtë televiziv për Kosovën.
Drejtoresha e Fondit për të Drejtën Humanitare tha se kishte dëgjuar dy të shtëna pasi qe larguar nga televizioni B92 të shtunën në mbrëmje, ku i kishte shprehur pikëpamjet e saj për negociatat aktuale mbi statusin e Kosovës.
Gjatë emisionit, dy pjesëmarrës në debatin dhe dhjetra dëgjues e akuzuan Kandiq për qëndrim anti-serb lidhur me çështjen e Kosovës.
Kandiq, e cila më parë ka marrë letra kërcënuese, e akuzoi qeverinë për "nxitje të armiqësive" kundër saj.
TIRANË
Kryeministri i Shqipërisë Sali Berisha ka emëruar si këshilltar pranë Qeverisë shqiptare ish guvernatorin e Pennsilvanisë dhe Sekretar i shtetit për Sigurinë, Tom Ridge.
Berisha e konsideroi zgjedhjen e Ridge si të duhur, e cila do ta ndihmojë Shqipërinë në çështjet e sigurisë dhe reformat.
Ndërkohë, Ridge deklaroi se e konsideron privilegj angazhimin e tij në sfidat e qeverisë shqiptare, dhe shprehu optimizëm për të gjitha objektivat e vëna.
"Është një gjë emocionuese të punoj me Qeverinë. Jam i angazhuar në mënyrë entuziaste dhe të pasionuar për të ndikuar në ndryshimet e domosdoshme që Shqipëria të bëhet anëtar i NATO-s dhe një partner i fuqishëm global në ekonominë botërore", tha Tom Ridge, ndihmesa e të cilit do të jetë në çështjet e sigurisë, luftën kundër korrupsionit, reformat në drejtësi dhe tërheqjen e investimeve.
JIDDAH
Sekretari i përgjithshëm i KB, Kofi Annan tha se Izraeli dhe Libani janë dakorduar të zhvillojnë bisedime indirekte për lirimin e dy ushtarëve të rrëmbyer izraelitë.
Në një konferencë për shtyp në Jiddah të Arabisë Saudite, Annan tha se dy palët janë dakorduar që ai të negociojë ndërmjet tyre për çështjen e lartpërmendur.
Annan tha se ai vetë do të emërojë një ndërmjetësues.
Izraeli ka thënë se rrëmbimi i ushtarëve ishte shkas për luftën 34-ditëshe në Liban, ndërsa Hezbollahu tha se do t'i lirojë dy ushtarët nëse ata shkëmbehen me të burgosurit arabë që i mban Izraeli.
JERUSALEM
Kryeministri izraelit Ehud Olmert sot hoqi dorë nga premtimet parazgjedhore të bëra në fillim të vitit për tërheqjen e njëanshme të Izraelit nga Bregu Perëndimor.
Olmert i tha komitetit parlamentar se Izraeli duhet t'i vazhdojë negociatat me palestinezët. Ai tha se gjendja e sigurisë ka ndryshuar që nga marsi kur e bëri zotimin për tërheqjen e njëanshme.
BAGDAD
Disa njerëz, përfshirë dy ushtarë britanikë janë vrarë sot nga kryengritësit irakianë, ndërsa autoritetet zbuluan 33 kufoma nëpër qytetin e Bagdadit.
Viktimat duket se janë vrarë për motive sektare.
Po sot, u bë e ditur se forcat irakiane kanë vrarë 14 "terroristë" në një operacion të madh për pastrimin e Bagdadit nga kryengritësit.
AMAN
Policia e Jordanit tha se e ka arrestuar një pjesëtar bande, i cili i sulmoi disa turistë perëndimorë në mes të kryeqytetit, duke vrarë një britanik dhe plagosur disa të tjerë.
Policia e identifikoi sulmuesin si Nabil Ahmad Issa Jaaoura, palestinez nga Zarqa, vendlindja e liderit të vrarë të Al Kaidës në Irak, Abu Musab al-Zarqawi.
Pasi vizitoi të plagosurit në spital, kryeministri Maaruf al-Bakheet tha se i arrestuari ka dosje në polici, por nuk dha detaje tjera.
Gjithsej 5 turistë dhe një polic u plagosën në atë që zyrtarët e quajtën sulm "terrorist".
SIDNEJ
Mbipesha është shtuar në përmasa epidemike në botë, derisa 1.5 miliardë njerëz në gjithë globin vuajnë prej saj, duke rrezikuar shtim të ndjeshëm të personave që vuajnë nga diabeti dhe zemra. Të dhënat u bënë të ditura në kongresin ndërkombëtar rreth mbipeshës në Sidnej të Australisë.