Hamzë Gashi
LË TË JENË BUSOLLË ORIENTIMI PËR TË ARDHMËN TONË ![/highlight]
Që në fillim të këtij artikulli, dua të them, se kërkesat, si kushte që
i vihen Kosovës dhe shqiptarëve, siç janë : standardet, decentralizimi,
emërtimi i pa vend për popullatën e Kosovës (multietnike), si dhe
shpikja e kombit të ri (kosovar), janë kushte, që do ta lërnin prap
Kosovën të robëruar, tokat shqiptare të
copëtuara , shqiptarët të rebeluar dhe Ballkanin të trazuar.
Në këtë vorbull kërkesash e kushtesh të parealizueshme, jo pak herë kanë
rënë dhe fatkeqësisht po binë edhe sot, jo vetëm disa politikaj, por
edhe disa intelektualë të kombit shqiptar, të cilët shfrytëzojnë fondin
teorik pseudoshkencor të atyre, që gjithmonë janë munduar dhe mundohen
edhe sot ta mohojnë dhe ta pengojnë depërtimin e së vërtetës dhe të
drejtës shqiptare.
E vërtetë dhe e drejtë kjo, e dëshmuar me argumente historike dhe aktuale.
Ndryshe s'ka si të thuhet, kur sot, më shumë se kurrë ndonjëherë tjetër,
shqiptarët e Kosovës, që kanë investuar të gjitha përpjekjet më
civilizuese , me sakrifica e pasoja shumë të rënda, si dhe me
këmbëngultësinë, për të dalë njëherë e përgjithmonë nga terri dhe
robëria,, me kushtin shumë të shtrenjtë, "Ja vdekje ja liri", me të
cilin arritën ta bindin faktorin ndërkombëtar, që më në fund, ai ta
kthejë kokën kah Çështja Shqiptare dhe t' i ndihmojë (NATO-ja) edhe me
intërvenim ushtarak, kur, bashkë me UÇK-në e dëboi agresorin serb nga
Kosova.
Por , fatkeqësisht, disa argatë shqipfolës, me gjithfarë ideshë e
veprimesh, duke shpikur e propozuar edhe ndërrim të pamjes së flamurit,
ndërrim të hymnit kombëtar shqiptar, multietnicitet të popullatës së
Kosovës, formim të kombit të ri (kosovar), pa kurrfarë baze shkencore as
juridike, po i "ndihmojnë" së prapthi çështjes shqiptare mu në këtë kohë
kthesash pozitive për FATIN SHQIPTAR .
A s'është ky vetmohim i vlerave të shenjta, për të cilat njerëzit kanë
dhënë jetën ? A s'është ky vetmohim skandaloz, kur dihet se në Kosovë
sot jetojnë hiç më pak se 90% shqiptarë, ndërsa të tjerë minoritete,
vetëm 10% ?
Ku është parë apo dëgjuar, që 10% i popullatës minoritare, ta bëjnë
popullsinë e një vendi multietnike ?!! Apo, mos vallë, Kosova duhet të
prijë e para në fisnikërimin e demokracisë dhe të humanizmit në Evropë
?!!
Cilat shtete në Evropë, përveç Zvicrës, i shëmbllejnë një emërtimi të tillë, që t'i
pranojë edhe Kosova ?
Ku ishte faktori ndërkombëtar deri më tani, që kurrë nuk e kushtëzoi as
nuk e ndëshkoi Serbosllavinë për diskriminimin gjenocidal që e bënte mbi
shqiptarët , të cilët ishin populli i tretë për nga numri në Jugosllavi,
ndërsa i dyti në Serbi .
Përndryshe, sikur t'ishte ndëshkuar me kohë, në mënyrë meritore, Serbia , jo vetëm
që do të kishte heqë dorë nga diskriminimi , por do ta pranonte faktin, se Kosova
kurrë nuk ka qenë, as nuk është tokë e saj, dhe do të hiqte dorë prej okupimit të
saj.
Pra, sot , ajo do ta pranonte realitetin e ri për Kosovën, si shtet të pavarur dhe
sovran dhe do t'u preferonte serbëve të Kosovës, që ta pranojnë këtë realitet të
ri, po deshtën të jetojnë në Kosovë .
Andaj , përpjekja e kujtdoqoftë, për t'i bindur shqiptarët që të gjejnë
kompromis me serbët, duke përrallisur pa kurrfarë shpjegimi, as
argumentimi , "se, edhe serbët i kanë të drejtat e tyre" , do të thotë,
se është përpjekje, që serbëve në Kosovë, prap t'u sigurojnë
privilegje , për ta konsideruar prap Kosovën si tokë serbe dhe
për të jetuar në të prap të privilegjuar, sipas dirigjimit të Beogradit .
Është për t'u çuditur , se pse, deri më sot, askush , qoftë prej së
jashtmi, qoftë prej Shqipërisë, nuk e thonë troç, se serbët, për t'i
siguruar vetës siguri dhe të drejta në shtetin e Kosovës, duhet të
dëshmojnë me sjellje e veprime, se kanë hequr dorë nga urrejtja dhe etja
për dominim e diskriminim mbi shqiptarët, duke i respektuar të gjitha
normat, sikur të gjithë qytetarët tjerë në Kosovë.
Pra , serbët do të duhej ta pranonin realitetin e ri në Kosovë dhe ta
konsideronin e ta respektonin si shtet të vetin, po qe se duan t'i
krijojnë vetës prosperitet dhe perspektivë, pa ëndërruar më, se do
të jenë të privilegjuar, për të dominuar edhe më tej mbi të tjerët
joserbë .
Po kështu , edhe kur bëhet fjalë për kthimin e të zhvendosurve nga
Kosova , në mënyrë të veçantë insistohet , madje me ngulmë, që t'u
mundësohet kthimi vetëm serbëve. Ndërsa, për kthimin e shqiptarëve, as
që bëhet fjalë, se lëre më për minoritetet tjera .
Pra, kur bëhet fjalë për kthimin e të zhvendosurve, do të duhej çmuar
mirë, se: Kush do të duhej kthyer i pari në Kosovë, serbi, që
ka bërë krime, apo shqiptari që është ballafaquar dhe ka ikur nga krimet
?
Kush do të duhej kthyer i pari , serbi në tokën e huaj të okupuar , apo
shqiptari i dëbuar nga trualli i vet ?
Kur çështjes së kthimit t'i shtohet edhe pamundësia e punësimit, atëherë
del, se kërkesa për kthimin e serbëve, s'është asgjë tjetër, veçse
përpjekje për të vazhduar me mospajtime dhe trazira edhe në të ardhmën,
madje, jo vetëm në Kosovë, por edhe në tërë regjionin.
Mandej, insistimi në këtë mënyrë, ende pa u tharë gjaku i mijëra të
vrarëve e të plagosurve, i të masakruarve, i mijëra të tjerëve të
zhdukur është i papranueshëm për çdo njeri që ka minimumin e arsyes në
kokë.
Insistimi në këtë mënyrë, ende pa u hequr hiri e shkrumi i pasurisë së djegur.
Insistimi në këtë mënyrë, nga ana e faktorit ndërkombëtar , ende pa kurrfarë
ndryshimi të mentalitetit serb, që ushqehet vazhdimisht me tendenca hegjemoniste e
kolonialiste, me të cilat është e ngarkuar edhe udhëheqësia aktuale serbe, e cila ,
në deklarimet e veta, vazhdimisht pohon, se nuk do të heqë dorë nga ato tendenca ,
që ndjellin prap luftë e gjakderdhje , vetëm sa do t'ia zgjaste jetën armiqësive
në mes këtyre popujve .
Edhe insistimi , që në Kosovë të formohen komuna të reja, nuk është asgjë tjetër,
veçse përpjekje, që serbëve t'u mundësohet enklavizimi dhe funkcionimi paralel i
institucioneve serbe karshi institucioneve shtetërore të Kosovës, të cilat do të
krijonin prap tensione dhe pengesa në zhvillimin dhe stabilizimin jo vetëm të
Kosovës, por edhe të rajonit. Një insistim i tillë për krijimin e komunave të reja,
dihet çysh moti, se ka për qëllim t'i ngërthejë në vete pikat më strategjike të
Kosovës , të cilat janë të pasura me burime të çmuara nëntokësore dhe qëllimi tjetër
është që ta shpartallojë Kosovën, duke e
popullzuar atë me serbë sikur edhe herave tjera . E mandej të realizojë krijimin e
Unionit të komunave serbe në Kosovë. E një ditë tjetër, pse jo, të shpallë edhe
mbajtjen e referendumit për autonomizimin e këtyre komunave. Dhe kështu, të bëhet
copëtimi i copave edhe të Kosovës, sikur që është bërë copëtimi i tokave shqiptare.
Pra , nga e gjithë kjo që u tha më parë, mund të konkludohet ,se ndikimet negative
që e pengojnë stabilizimin në Kosovë dhe në Ballkan, shihet qartë, se ato na vinë
prej dy burimeve : nga jashtë dhe nga brenda .
Nga përvoja e derisotme, shihet se ndikimet e jashtme, shumica e tyre
ishin djallëzore, të mbështjellura me gjithfarë ambalazhi interesash të
ndryshme, të cilat , ne i pranonim pa i hapur, gjegjësisht pa e ditur
se ç'ka brenda tyre Dhe kjo ka ndodhur për mungesë të aftësisë, për
t'i deshifruar ato djallëzi, si dhe për mungesë të kritereve të duhura
, në të çmuarit e vlerave.
Si të thuhet ndryshe, kur edhe sot e kësaj dite, kur po dialogohet për
finalizimin e statusit të Kosovës, analitikë të ndryshëm ende i binë
periferisë e jo qendrës së shkaktarëve të vërtetë, që kanë krijuar dhe
po krijojnë edhe sot destabilitet jo vetëm në Ballkan, por edhe në
Evropë, mu për shkakun, se Fuqitë e Mëdha dikur dhe disa anëtarë të
mekanizmave ndërkombëtarë sot, ende e gjykojnë shtrembër Çështjen e
Kosovës dhe të shqiptarëve në tërësi. Përndryshe, sikur t'i kishin rënë
qendrës së shkaktarëve, pasi që tani më rruga, (përmes të cilës ka hyrë
informacioni i plotë burimor), është e hapur,
do të kishin ardhur më shpejt te caku i zgjidhjes së drejtë të çështjes shqiptare,
të asaj serbe dhe të Ballkanit në tërësi. Këtë bredhje djallëzore periferike po e
dëshmojnë edhe disa analitikë, nga të cilët, po i veçoj më këtë rast: Tim Xhudon,
ekspert i Radio BBC dhe Xhonatan Ajl, konstatimet e të cilëve na i solli "Zëri"
ditor i 27 qershorit 2006, në faqet 4 dhe 14. Kështu, nga qendrimi keqardhës i Tim
Xhudos për Serbinë, pse udhëheqësit aktualë të saj Koshtunica dhe Tadiqi nuk dalin
e të thonë zëshëm: "Vëllezër serbë, duhet të ballafaqohemi me realitetin, se për
shkak të politikës së Sllobodan Millosheviqit e kemi humbur Kosovën". "Zëri" ditor i
27 qershorit 2006, f.4. Ky lloj sugjerimi udhëheqësve serbë, nuk përmban në vete
faktin, pse Kosova duhet
ta fitojë pavarësinë e plotë, sepse Kosova kurrë nuk ka qenë e tyre, që ta humbin
ata sot, për shkak të ekstremizmit diskriminues të Millosheviqit, por pse Kosova ka
qenë e okupuar nga Serbosllavia. Ekstremizmi i Millosheviqit vetëm sa e ka
shpejtuar ritmin e daljes së Kosovës nga kthetrat e okupatorit serb, të cilin ritëm,
sot po mundohen ta ngadalësojnë udhëheqësit aktualë serbë. Përndryshe, shqiptarët e
Kosovës gjithmonë e kanë shprehur mospajtimin e tyre kundër okupatorit serb. Është
një apsurd i llojit të vetë, se pse diplomacia britanike ndjehet e pakënaqur, pse
"Serbia nuk është në gjendje ta përgatisë popullatën e vetë, se pavarësia e Kosovës
brenda një periudhe kohore do të bëhet e pavarur". Prandaj, unë e them, se Serbia
nuk është në gjendje ta përgatisë popullatën, për t'u pajtuar me
realitetin, që Kosova të bëhet shtet më vete, mu pse fuqitë e mëdha, siç është edhe
Britania e Madhe, në të kaluarën e kanë llastuar Serbinë deri në pakufi, duke e
përkrahur në mënyra të ndryshme Serbinë, që ajo të mos heqë dorë nga tendencat
hegjemoniste e kolonialiste. Përndryshe, sikur e thash edhe më parë, "Sikur t'ishte
ndëshkuar Serbia në mënyrë meritore, për agresionin dhe për krimet që i ka bërë ndaj
kroatëve, boshnjakëve dhe shqiptarëve, ajo sot do ta pranonte dhe do të pajtohej me
realitetin e ri dhe nuk do të paraqitte kurrfarë pengese në njohjen e pavarësisë së
Kosovës". Poashtu, nëse më lejohet, do të beja një korrigjim përmbajtësor, se nuk
është "problemi se shqiptarët nuk do ta pranojnë këtë", siç e thonë analitikët
britanikë, por problemi është, pse serbët nuk donë të heqin dorë nga qendrimi
okupues. Thënë edhe më troç: Problem është okupatori serb e jo çlirimtari
shqiptar. Dhe ironia bëhet aq më e rëndë, kur, si fuqitë e mëdha, ashtu edhe
bashkësia ndërkombëtare, i ka të gjitha të dhënat burimore për padrejtësitë që u
janë bërë shqiptarëve, për të vërtetën dhe të drejtën që e kanë shqiptarët për të
vetëvendosur. E drejtë kjo, e kodifikuar edhe në konventat ndërkombëtare.
Ndërsa, ndikimet dhe pasojat që janë krijuar nga brenda , janë rezultat
i mangësive të cekura më lart , i mashtrimit për shkak të interesave të
ulta si dhe i harresës së shpejtë të shkaktarëve të pasojave.
Prandaj, për derisa të mos e bëjmë bilansin e pasojave dhe të
shkaktarëve të tyre dhe përderisa të mos i mbyllim shtigjet e
djallëzive, prej nga na vinë, ato do të na përsëritën .
Një prej vetive tona negative, që mundësojnë përsëritjen e pasojave,
është edhe vetëmjaftueshmëria dhe vetëkënaqësia e jonë me gjysëm
realizimet e të drejtave dhe kërkesave tona minimale. Dhe, kjo
vetëkënaqësi shfaqet mu në momentet, kur armiku i ynë shekullor, si
gjthëherë paraqitet me kërkesa maksimale, sigurisht, jo, pse nuk e dinë
se nuk u takojnë, por, sepse, ata këtë e bëjnë për t'ia siguruar vetës
atë "mesatarën" që
e synojnë. Pra, në këtë drejtim, na shfaqën dy lloj veti aspiratash të pa vend, dhe
si të tilla, ato, kurrë nuk hapin shtigje drejt zgjidhjes së problemeve, por i
mbyllin ato, duke krijuar distanca çdo herë e më të mëdha në mes veti. Dhe, kjo mu
për arsyen se, pala (shqiptare) që është stërngopur me pasoja të rënda dhe që është
e etshme për liri e rehati, duke i çmuar këto vlera me admirim të lartë, jo pak herë
është dehur dhe mjaftuar me ato realizime gjysmake, duke i harruar shkaktarët e
pasojave, të cilët, pastaj edhe i janë hakmarrë rënd, madje me çmim shumë të lartë.
Ndërsa, pala tjetër (okupatore serbe), me epshe të pashterrura për
dominim e okupim, të shoqëruara çdo herë me urrejtje e sjellje
diskriminuese, është sherbyer gjithëherë me djallëzi e tradhëti, duke
mos kursyer asgjë për ta mposhtur dhe mohuar të nënshtruarin, duke e
detyruar atë të shpërngulet, të tjetërsohet, ose edhe të likuidohet .
Dhe, tani, mu nga këto epshe për dominim e diskriminim, prej të
cilave s'po mundën të lirohen, janë vërbuar serbët dhe prap ëndërrojnë
dhe ngurrojnë që të mos heqin dorë nga kërkesat maksimale, pasi që
shumëherë, duke u përkrahur prej Faktorit Ndërkombëtar, edhe i kanë
realizuar. Prandaj, në vendosmërinë, për të mos lëshuar pe nga kërkesat
jetike, përfaqësuesit shqiptarë, gjegjësisht negociatorët , ndër të
tjera fakte të bollshme që i kanë për çështjen shqiptare, lë ta kenë
parasyshë edhe këtë:
Kur serbët, me aq këmbëngulje përpiqen t'i realizojnë tendencat e tyre
hegjemoniste, kolonialiste e aneksioniste, me gënjeshtra , pse të
lëshojnë pe shqiptarët nga kërkesat e tyre të drejta, për çlirim[pre][/pre] të
përhershëm nga okupatori serb, kur dihet shkencërisht , se Kosova kurrë
nuk ka qenë serbe, por ka qenë vetëm e okupuar nga ata (serbët).
Hamzë Gashi