2. Shtator, 2006

03.09.2006 · RTVZIK · Forumi i vjetër RTVZIK

← Lajmet

2. Shtator, 2006 21:13  
 

 
 ZUBIN POTOK
Komandanti I NATO-s për Evropën Juglindore Harry Ulrih ka deklaruar sot se nga një vizitë në veriun e Kosovës ka mësuar se në këtë anë ekzistojnë struktura ushtarake paralele. Ai ka thënë se KFOR-I është duke punuar që të zbulojë çdo aktivitet ilegal paralel. Ulrih i ka bërë këto komente gjatë një vizite në komunën e Zubin Potokut.
Admirali amerikan Ulrih ka thënë se ekzistimin e këtyre struktuarave e kanë pohuar jo vetëm mediat, por edhe raporte tjera. Ai njoftojë se ka urdhëruar KFOR-in të shikojë në mënyrë më të rreptë për çfarëdo evidence apo për çfarëdo lloj aktiviteti paralel. Zyrtarët e policisë së UNMIK-ut ndërkaq thonë se ura nuk do të rihapet për komunikacion derisa të mos rikonsolidohet gjendja e sigurisë në qytet.

HELSINKI
"Bashkëpunimi i vendeve të Grupit të Kontaktit dhe Këshillit të Sigurimit do të jetë vendimtarë për të arritur zgjidhjen e statusit të Kosovës, dhe në rast se ato vende nuk mund të pajtohen për kohën dhe zgjidhjen, atëherë nuk mund të bëjë më shumë". Kështu është shprehur kryenegociatori Marti Ahtisari gjatë një interviste dhënë për mediat finlandeze. Ndërsa i pyetur lidhur me letrën që i ka dërguar pala serbe, ku kërkohet nga Ahtisari të kërkojë falje për atë që ka thënë se 'populli serb është fajtor për atë që ka ndodhur në Kosovë' , Ahtisari është përgjigjur se për këto çështje është diskutuar pas disa bisedave të bëra më herët, ndërsa janë keq interpretuar nga pala serbe dhe nuk dëshiron të përgjigjet.

LAPERANTA/FINLANDË
Ministrat e Jashtëm të Bashkimit Evropian, në takimin që përfundoi sot, që kishte për qëllim zgjidhjen e çështjes së programeve bërthamore të Iranit, shprehën dëshirën për vazhdimin e përpjekjeve diplomatike. Ministri i Jashtëm holandez Bernard Bot, njoftoi se i kanë dhënë kohë shefit të diplomacisë evropiane Havier Solanës për të qartësuar pozicionin iranian rreth ndalimit të pasurimit të uraniumit, dhe e tëra kjo të ndodh para takimit të ministrave të BE-së më 15 shtator.
"Do t'i japim mandatin shefit të BE-së, Havier Solana për të vazhduar të qartësojë këtë pozicion, në ndërkohë ne do të përcaktojmë mënyrat e veprimit. Deri tani nuk është përcaktuar ndonjë datë. Natyrisht dëshirojmë që shumë shpejt të ecim përpara dhe të kërkojmë zgjidhjen në mes të, dialogut apo ndërmarrjes së masave", ka thënë Bot.
Ministrat e familjes evropiane kërkuan nga Teherani të dëshmojë seriozitet për vazhdimin e bisedimeve.

TEHERAN
Sekretari i Përgjithshëm i Kombeve të Bashkuara Kofi Annan po qëndron në Iran ku me liderë të atjeshëm po diskuton çështjen e armëpushimit mes Izraelit dhe Hezbollahut si dhe rreth programeve bërthamore të Iranit.
"Jam i lumtur që sot gjendem në Teheran. Kam ardhur për të diskutuar zbatimin e rezolutës 1701 që ka të bëjë me situatën në Liban. Po ashtu, do të diskutojë çështjet që kanë të bëjnë me këtë rajon dhe komunitetin ndërkombëtar. Po ashtu pres përparim nga bisedimet që do t'i kem me liderët iranian", deklaroi Annan. Gjatë ditës, Annan ka takuar edhe ministrin e Jashtëm iranian Manushr Motaki, i cili në këtë takim, ofroi bashkëpunim të plotë rreth rezolutës së Këshillit të Sigurimit të OKB-së për Lindjen e Mesme që ka të bëjë me armëpushimin ndërmjet Izraelit dhe Hezbollahut. Kofi Anan pritet që nesër të takojë kryetarin iranian Mahmud Ahmedinexhad.

KANDAHAR
14 ushtarë britanikë kanë humbur jetën sot si pasojë e rrëzimit të aeroplanit në të cilin gjendeshin. Aeroplani ushtarak i NATO-së, kishte dalë nga kontrolli i radarit rreth 20 kilometra në perëndim të qytetit Kandahar. Sekretari britanik i Mbrojtjes Des Broun theksoi se fatkeqësia sipas gjitha gjasave është pasojë e ndonjë problemi teknik. Kjo konsiderohet fatkeqësia më e madhe për ushtrinë britanike në Afganistan që nga ndërhyrja në vitin 2001.

UASHINGTON
Në fjalimin e tij javor në radio drejtuar popullit amerikanë, presidenti George Bush është përqëndruar në dhunën e fundit sektare në Irak.
"Komandantët dhe diplomatët tanë në terren nuk besojnë se në Irak mund të shpërthejë një luftë e vërtet civile. Sipas raportit të tyre, një numër i vogël irakianësh janë të përfshirë në dhunë sektariane, derisa shumica, dëshirojnë paqe dhe jetë normale në një shtet të bashkuar. Amerika do të mbështes popullin irakian, kur ata fillojnë ta ruajnë lirinë dhe të ndërtojnë një shtet demokratik që do t'i qeverisë ata, do t'i mbështesë dhe do t'i mbrojë", tha Bush.
Këto komente presidenti Bush i bëri pas sulmit ndaj pelegrinëve nga Pakistani dhe India, me ç'rast u vranë 14 në udhëtimin drejt qytetit të shenjtë shiit Qerbela në Irak.

KAJRO
Numri dy i Al-Qaidas, Ajman Al-Zavahiri, në videon më të fundit është paraqitur me një person i cili sipas Zavahirit është amerikan i anëtarësuar në Al-Qaida. Al-Zavahiri, në këtë video-incizim, fton edhe amerikanë të tjerë të konvertohen në fenë islame.

MOSKË
Një organizatë ruse për të drejtat e njeriut, ka njoftuar në raportin e saj më të ri për shqetësimet e fundit për rritjen e dhunës në pjesën veriore të vendit. Sipas raportit së paku 2 veta kanë humbur jetën gjatë përleshjeve që ndodhën gjatë javës në një restorant çeçen në rajonin verior Karelia në Rusi. Incidentet sipas kësaj organizate, ndodhin kryesisht mes çeçenëve e nacionalistëve rus dhe kohëve të fundit janë dukshëm më të shtuara.