THUNDRA E ROBOTËVE SHQIPFOLËS UNMIKISTANEZ SHKEL M

12.06.2006 · Sejdi Veseli(Guest) · Forumi i vjetër RTVZIK

← Artikuj Politik

THUNDRA E ROBOTËVE SHQIPFOLËS UNMIKISTANEZ SHKEL MBI KOKAT E TË RINJVE
SHQIPTAR!

Shkruan: Sejdi Veseli

       Para selisë qendrore të UNMIK-ut në Prishtinë, me 08 qershor 2006, në ora
12:00 filloi një demonstratë gjithë popullore.
       Kjo demonstratë ishte organizuar nga Lëvizja Vetëvendosje, në bashkëpunim
me Lëvizjen Popullore të Kosovës, Organizatën për Bashkimin Kombëtar,
Thirrjet e Nënave-Gjakovë, 16 marsi 1999-Krushë e Vogël, Organizatat e dala
nga lufta e UÇK-së-Dukagjin dhe Ferizaj, Shoqata e ish të burgosurve
politik-Ferizaj,Unioni i Studentëve Shqiptar, Sindikata e Pavarur e
Agrokompleksit, Sindikata e Pavarur e Energjetikës së Kosovës,
Alternativistat(Të rinjtë e ADK-së) dhe Iniciativa Qytetare e Llapit.
       Kërkesa bazë e kësaj demonstrate ishte:Largimi i UNMIKISTANIT nga KOSOVA.
Këtë kërkesë, Organizatorët e kësaj demonstrate paqësore e argumentonin me
fakte të qëndrueshme: “...Për t’i ndalur të këqijat që vendit tonë po i
imponohen – decentralizimin, negociatat me Serbinë për shtëpinë tonë,
pengimin e krijimit të zonave të veçanta të cilat po uzurpojnë kulturën dhe
historinë tonë, parandalimin e procesit të rikolonizimit të Kosovës,
ndërprerjen e plaçkitjes së Kosovës dhe hapjen e mundësisë për zhvillimin e
saj, nevojitet një gjë:bllokimi i pushtetit të UNMIK-ut dhe sikurse
institucioneve tona, derisa të na pranohet e drejta për vetëvendosje,
shprehje e lirshme e vullnetit të popullit. Liria dhe barazia....Mos lejo që
interesi yt të mohohet, që vullneti yt të shkelet, që parat tua të vidhen
nga matrapazë të korruptuar. Mos prano që tjetërkush të vendos për fatin
tënd. Luftoje padrejtësinë. Bashkohu në demonstratë. Dhe mos u ndal. Deri në
vetëvendosje.”
       Disa nga parullat që u shpalosen në këtë demonstratë gjithë popullore
ishin:
Decentralizim => Ndarje  - Ndarja => Luftë!; Zonat e veçanta rreth objekteve
fetare – Uzurpim i kulturës dhe historisë sonë!; Standardi 4 dhe “kthimi i
qëndrueshëm” janë rikolonizim i Kosovës!; Liria është statusi! ;Poshtë
Rezoluta famëkeqe 1244!; 12:44 YOU’RE TIME’S UP!; 12:44 Serizisht dëmton
shëndetin tuaj!; Vetëvendosje!; Jo negociata, vetëvendosje!; Nuk duam një
UNMIK tjetër – duam vetëvendosje!; Say no to every UNMIK – say no to EUMIK!;
YUNMIK !
UNMIKOLONIALISM-UNMIKOLONILIZËM!
Liria është e panegociushme!; Punëtorë të të gjitha sindikatave, bashkohuni
kundër Agjensionit Kosovar të Mirëbesimit (AKM)!; Ju e ndatë Mitrovicën, në
bashkëpunim me Koshtunicën!; Poshtë klasa e korruptuar politike dhe
institucionet kundërpopullore!; Poshtë Grupi Negociator!
Duamë punë!
Rroga jote mujore sa 200 pensione të mia!
Që 4 herë që dal në zgjedhje, sot jam edhe më i varfër! .....

       Thirrjes për demonstratë iu përgjigjen të gjitha shtresat, përjashtuar
“funksionarët” e partive politike dhe të mandatuarit me votën e popullit, të
cilët ishin ngujuar në zyrat e tyre luksoze, ashtu siç strehohen miúshet e
lagura nëpër shtrofullat e tyre të mjera.
Kolona e demonstruesve u nisë nga selia e Lëvizjes Vetëvendosje drejt selisë
qendrore të UNMIKISTANIT, me Simbolin e rezistencës shqiptare Bacë Adem
Demaçi në mesin e tyre. Si gjatë marshimit ashtu dhe pasi u përqendruan para
hyrje daljet e selisë qendrore të UNMIKISTANIT, demonstruesit ishin shumë
dinjitoz dhe të sjellshëm, ashtu dhe veprimet e tyre ishin paqësore.
Deri në orët e hershme të 09 qershorit, përveç disa fotografimeve nga ana e
intelegjencis unmikistaneze dhe të dresuarëve të tyre vendor, tjetër veprim
nga organet represive ndaj demonstruesve nuk pati.
Aty rreth orës 03.30 , kur prezenca e qytetarëve ishte zvogëluar,
vendqëndrimet e demonstruesve u bënë cak i mësymjes të rrufeshme për robotët
unmikistanez, të ashtuquajtur Njësia e speciale e Shërbimit Policor të
“Kosovës”, të sjellur nga Mitrovica. Përkundër faktit, që nuk u përdorën
gazrat helmuese dhe armët, specialcat shpkist dhe mu..etnik, ashtu, sikur
para dy javësh instruktorët e tyre unmikistanez kundra nënave sypërlotura,
të vejave dhe jetimeve shqiptare të fshatit Krushë e Vogël, në formë të
shfrenuar e përdorën dhunën fizike, për çka do t’ua kishin lakmi edhe
specialcat e Millosheviqit. Të rinjtë, shumica të moshës jomadhore
përplaseshin me fytyrë për asfalti, ju dredhoheshin duart deri në pëlcitjen
e kockave, shqelmoheshin, u vihej thundra e policit derisa u viheshin
prangat plastike...
Edhe pas këtij rrebeshi që pësuan, demonstruesit vazhduan të qëndrojnë para
selisë së “demokratit” Petersen, deri kur u sulmuan serish nga robotët
unmikistanez rreth orë 11.00, me që rast u arrestuan edhe shumica e
drejtuesve të demonstratës.
Sipas komunikatës të Lëvizjes Vetëvendosje, ky intervenim i policisë u bë
“me
vendim të posaçëm” të krye”demokratit” Soren Jessen Petersen, i cili ka të
drejtën despotike që t’u përcaktoj paraburgimin të arrestuarve, në
kohëzgjatje  prej 72 orësh.
Me siguri ky vendim i posaçëm është marr edhe me pëlqimin e kuislingëve
vendor, që identifikohen si drejtues të ashtuquajturave IPVQ, e që në
realitet nuk kanë kompetenca, guxim dhe as gatishmëri për ta “pritur macen
unmikistaneze as prej përsheshit”!
Për këtë ka mjaft argumente. Por, konsideroj se është e mjaftueshme që me
këtë rast të citoj këtë deklarim të krye”demokratit” unmikistanez
z.Petersen, të 09 qershorit 2006, gjatë “konsultës”së tij me partitë
politike, në lidhje me shtyrjen apo mos shtyrjen e zgjedhjeve vendore:
““Çdokush duhet ta ketë rastin që t’i shpalosë mendimet e veta, por në bazë
Rezolutës 1244, serish unë vendos për këtë...”
Po sipas kësaj komunikate të Lëvizjes Vetëvendosje, mësohet se ky veprim i
Krye”demokratit” unmikistanez është ndërmarrë, me qëllim të përmbushjes së
kërkesës të mësuesve ideor të administratës së tij, kreut shovinist të
Beogradit, për arrestimin e drejtuesit të kësaj lëvizje, veprimtarit të
shquar Albin Kurtit.
Ky veprim i egër ndaj demonstruesve paqësor, rinxjerrë në pah një të vërtetë
të pakontestueshme, se të gjitha planet dhe veprimet e Unmikistanit, nuk
janë tjetër pos një brumë i gatuar, sipas recetave të Beogradit zyrtar.
Është koha e fundit që populli shqiptar të kuptojë, se përballë kërkesave të
tij të drejta, qëndron një Protektor shumë finok, i vendosur të vazhdoj me
avazet e pararendësve të tij, i porositur dhe i vendosur për t’i realizuar
të gjitha alashverishet e tyre dhe të tij me Beogradin. Pra, pa u mërzitur
shumë, se ato janë në kundërshti të plotë me interesat e drejta të popullit
shumicë në Kosovë. Se qëllimet thelbësore të sjelljeve të tij, janë krijimi
i rrethanave të cilat do të shfrytëzoheshin nga hegjemonistet serbijan, duke
 përfituar maksimalen e të mudshmës.
Andaj, nuk është për t’u çuditur se sjelljet e administratës të drejtuar nga
dora e fortë edhe e këtij Protektori, në koordinim të plotë me disa segmente
të KFOR-it, plotë kërcënime dhe dhunë edhe ndaj protestuesve joviolent dhe
gazetarëve shqiptar, ngjasojnë për shumëçka, jo vetëm me sjelljet e një
pushteti kolonialist të tipit klasik, por çka është edhe më keq, me sjelljet
dhe veprimet e ish-pushtuesit serbijan.
Sjelljet e papërgjegjshme të shumicës së atyre të cilët thirren në verdiktin
e votës së lirë të popullit dhe të disa drejtuesve partiak, edhe në raport
me veprimet represive të shërbëtorëve të diktaturës kolonialiste
unmikistaneze, si në Krushën e Vogël ashtu edhe ndaj demonstruesve paqësor,
do të duhej të ndikonin, që populli ta kuptoj drejt dhe mirë, se nga kjo
kastë shoqërore nuk mund të pret asgjë të mirë. Aq më tepër, ajo ka dhënë  
dëshmi të bollshme, si në të kaluarën ashtu edhe kësaj radhe, se nuk janë të
interesuar për një të ardhme më të mirë të popullit, në emër të të cilit
flasin, por për interesat e tyre personale dhe të kamarilles së tyre.
Tani më, populli ka mjaft argumente të qëndrueshme për t’u bindur, se
“përfaqësuesit” e tij me shpirt servili, do të vazhdojnë të shkojnë edhe pas
petersenave, ahtisarave, rukerave... ... ... si “Muqa pas dajive”, pa u
mërzitur fare, se po shkelin me pafytyrësi mbi gjakun dhe sakrificat sublime
të luftëtarëve të UÇK-së dhe të popullit në përgjithësi, për të fituar të
drejtën e natyrshme për të vetëvendosur për të ardhmen e tij, ashtu si dhe
popujt tjerë për një jetë të lirë dhe dinjitoze në Atëmemëdheun e tij, të
çliruar nga thundra e hasmit barbar serboçetnik dhe të ribashkuar në një
shtete të vetëm etnik.
Demonstratat e 08-09 qershorit 2006, për ata që kanë sy e vesh, dëshmojnë
një të vërtet të madhe, se populli shqiptar ka bijë dhe bija besnike të tij,
të cilët po  përbashkohen përreth Flamurit kombëtar, të vendosur që të japin
hisen e tyre të plotë të kontributit deri në përmbushjen e plotë të
aspiratave të tij shekullore, për të jetuar i lirë dhe me dinjitet në
Atëmëmdheun e tij!
Demonstrata e 08-09 qershorit 2006 është një porosi e qartë, se do të
ballafaqohen ma pasoja të paparashikueshme, të gjithë ata të cilët përpiqen
(së koti), për ta penguar popullin shqiptar në rrugën e tij të drejtë dhe të
natyrshme, për jetësimin e të drejtës së tij për të vetëvendosur për të
ardhmen e tij.
Kjo demonstratë është edhe një paralajmërim, se shqiptarët do ta dënojnë
pamëshirshëm pabesinë, e cila nuk ishte, nuk është dhe nuk do të jetë kurrë
pjesë e karakterit të tyre!
Situata nëpër të cilën po kalojmë na e imponon, që t’i ngjeshim radhët me
besa-besë në kuadër të atij subjekti i cili është përcaktuar e deklaruar
publikisht dhe që po dëshmohet me vepra konkrete, se është i vendosur që ta
qojë deri në fund Amanetin e Dëshmorëve të Kombit!
       Tjetër rrugë nuk kemi!


Prishtinë, me 11 qershor 2006