Bashkatdhetarët…

08.06.2006 · Mr. Vaxhid Sejdiu(Guest) · Forumi i vjetër RTVZIK

← Artikuj Politik

Bashkatdhetarët…


Shkruan: Mr. Vaxhid Sejdiu

Mërgata shqiptare, diaspora shqiptare apo bashkatdhetarët si quhen në gjuhën e sotme historikisht kanë luajtur një rol të rëndësishëm në historinë e popullit shqiptar.
Aktiviteti patriotik i mërgatës shqiptare është shembulli më i mirë se si punohet për atdhe dhe liri kombëtare. Mërgimtarët tanë kanë lënë gjurmë të pashlyeshme jo vetëm në shek. XVIII apo XIX, por në vazhdimësi. Në këtë artikull nuk do t`i kthehemi t`i rikujtojmë faktet dhe ngjarjet historike; Rilindjen kombëtare shqiptare, as “Udhën e shkronjave“ dhe as kryengritjet shqiptare ndër shekuj. Por, dëshira e autorit është që të vë në rend dite platformën politike të subjekteve shqiptare në IRJM, të zbërthej gjuhën e politikës së ditës, se cili është qëndrimi zyrtar partiak ndaj kësaj shtrese kombëtare, e cila vazhdimisht dhe historikisht ishte në shërbim të kombit.
Pjesa dërmuese e veprimtarëve të çështjes kombëtare kanë besuar se pas luftës së Ushtrisë Çlirimtare Kombëtare do të ndryshoj edhe mentaliteti politik ballkanik dhe në rend të parë do të ndryshoj vetëdija politike shqiptare në këto treva. Është menduar se udhëheqësit politik, e veçanërisht ata që thirren si vazhdimësi e UÇK-së më në fund me sjelljet e tyre do të ndryshojnë bontonin politik. Është menduar se do të bëhet bashkimi i forcave kombëtare, bashkimi i intelektualëve dhe veprimtarëve të çështjes kombëtare me qëllim që subjekti shqiptar të përballet me sukses me realitetin e ri. Është menduar se më në fund çështja shqiptare nga kjo forcë do të shtrohet në rrugën e zgjidhjes së drejtë politike dhe rrugët e shërbimit politik do të përfundojnë njëherë e përgjithmonë. Është menduar se shërbimi politik, vasaliteti, pushteti fals, harxhimi i djersës kombëtare për projekte të huaja dhe jo rrallë antishqiptare do t`i takojnë arkivit historik.
Por të gjitha këto ide apo mendime për një ditë të mirë kombëtare janë zbehur, janë shtrydhur dhe më askush nuk beson në një gjë të tillë.
Të gjithë e dinë se një prej nyjave më kryesore të trupit shqiptar është padyshim edhe diaspora shqiptare, janë bashkatdhetarët tanë, të cilët janë llogaritur dhe llogariten si forcë kombëtare, forcë vitale dhe e palëkundur ndër kohë.
Por, sot si jeton ajo, në ç`kushte jeton ajo, a ndihmohet ajo nga institucionet vendore, a përkujdeset ndokush për fatin e saj?
Natyrisht se përgjigja është tepër e shkurtë dhe tepër negative. Jo! - e madhe. A thua pse?
Në shekullin e kaluar por edhe në këtë fillim shekulli janë me mijëra aktivistë politikë që ia mësyn diasporës, të gjithë u pritën dhe u përcjellën mirë u nderuan dhe u respektuan, u ndihmuan dhe u përkrahën…
Por, parashtrohet një pyetje logjike, a bënë ata diçka për mërgimtarët?
Në dekadën e fundit janë me mijëra bashkatdhetarë të cilët erdhën në shtetet e Evropës perëndimore, në ShBA dhe në vendet tjera, ku në të gjitha vendet mërgimtarët tanë u dëshmuan edhe njëherë me mikpritjen shqiptare. Ata bënë të pamundshmen, që bashkvendasit e tyre të ndihen sa më mirë, u pritën, u shoqëruan dhe u përcollën me një respekt të veçantë.
Por, si pritën mërgimtarët në vendlindje. A iu shkon ndërmend subjekteve politike të përkujdesen për mërgimtarët.
Natyrisht se jo; ne në shtetet e huaja quhemi të huaj, por të tillë llogaritkemi padrejtësisht edhe në vendlindje. Ju sigurisht se keni dëgjuar kur flitet për X-in e Y-in nuk thuhet me emër a mbiemër, ai apo ky, por në mënyrë të përbuzur ai - zvicerani apo ai - gjermani. Mjerisht mentaliteti ynë kërkon një terapi njerëzore. Bashkatdhetarët janë të mirë vetëm kur japin. Nëse kthehemi në të kaluarën e afërt dhe e përkujtojmë angazhimin dhe veprimtarinë e mërgimtarëve tanë në shërbim të çështjes kombëtare, atëherë mbetemi gojëhapur. Mërgimtarët tanë vazhdimisht ishin në detyrë, të disiplinuar të përgjegjshëm ndaj detyrave të lehta dhe të rënda, ndihmuan fizikisht dhe materialisht. Janë me miliona e miliona DM., Fr., apo Dollarë dhënë në ndihmë fondit për siguri kombëtare në kohën e PPD-së, janë me miliona e miliona DM, Fr., apo Dollarë dhënë fondit të UÇK-së vazhdimësi e së cilës është vetë Bashkimi Demokratik për Integrim, si dhe janë me miliona orë pune në shërbim të aktiviteteve kombëtare, tubimeve dhe aktiviteteve kulturore e kombëtare.
Parashtrohet pyetja si mund të harrohet një bashkëpunim i këtillë me një nivel dhe përgjegjësi të lartë kombëtare, si mund ta harrojnë “ata“ të cilët deri dje ishin edhe vetë mërgimtarë në shtetet e perëndimit dhe më larg, si mund të jenë mosmirënjohës për djersën dhe veprën  e bashkatdhetarëve.
E gjithë kjo punë e ndershme e kombëtare a mund të harrohet sa çel e mbyll sytë, a mund të harrohet një kapitull i rëndësishëm i historisë sonë.
Kam menduar se më në fund subjektet politike, bashkatdhetarëve tanë në rend të parë do t`iu ofrojnë riatdhesimin, do t`iu bëjnë thirrje që edhe ata t`i kthehen atdheut dhe të gjithë së bashku të ndërtojmë një jetë të re. Kam menduar që subjekti që thirret në emër të luftës, në emër të realizimit të kërkesave të ligjshme të popullit shqiptar do të bëj atë që duhet bërë në shërbim të bashkatdhetarëve. Se një ditë do të ftohen të gjithë, pa dallim e jo vetëm ata që kanë mjete për të investuar, se do të priten miqësisht e vëllazërisht nëpër vendkalimet kufitare, se në organet komunale nuk do të malltretohen nëpër kuzhinat e dokumenteve personale, se ndaj tyre gjatë sezonës së pushimit institucionet do të përkujdesen për ta, se në rend të parë atyre ua kanë borxh.
Vazhdimisht thuhet diaspora është në krizë, se fëmijët e tyre kanë filluar ta harrojnë edhe gjuhën amtare!
Por parashtrohet pyetja se a bëjnë diçka subjektet politike për mërgimtarët e lodhur, për t`iu dalë në ndihmë, për t`i afruar rreth atdheut, për t`iu hap shtigje të reja, që rruga për në atdhe të jetë më e lehtë.
Derisa partitë politike maqedone interesohen shumë dhe vazhdimisht punojnë për pjesën e tyre, subjektet politike shqiptare jo vetëm që nuk interesohen, por edhe na injorojnë. Ja p.sh. edhe ditën e votimit të zgjedhjeve parlamentare në IRJM e kanë lënë më 5 Korrik, me një datë krejtësisht të papërshtatshme për bashkatdhetarët. Mohimi i votës shqiptare, mos përkujdesja institucionale ndaj tyre, mungesa e formave të riatdhesimit në platformat e tyre politike, shoqërimi i kërkesave për hapjen e ndonjë minifirme, me 5000 Euro apo më tepër për buxhetin e partisë, plaçka publike që na bëhet gjatë rregullimit të dokumentacionit personal janë shenja të dhimbshme të realitetit politik.
Dhe në fund për të kthjellur vetëdijen e mykur politike jam i detyruar të citoj vargjet e poetit të mirënjohur Agim Vinca, i cili në poezinë „Të Dielat e Gastarbajterit“ thotë:
„Kur vjen e diela
Gastarbajteri
Del nga lëkura e vet
Dhe ëndërron të vdesë
V
e
r
t
i
k
a
l
i
sh
t
Në Vilajet.

Bashkatdhetarët janë një lum i madh, i rrëmbyeshëm, i cili rrjedh natyrshëm dhe shënon historinë. Të mjerë janë ata, që dalin kundër rrjedhës së natyrshme të lumit.

Komentet e arkivuara (1)

Përgjigjet origjinale të ruajtura në forumin historik. Datat shfaqen sipas arkivit.

ABRASHI(Guest)12.06.2006 · 22:10 UTC

te lumt shkrim i qelluar  na jemi te haruar por kur vjen ne pyetje populli na jemi prap ata qe ishim gjate luftrave dhe prap do te jemi per popullin e jo per partite e regjistruara ne beograd e shkup.