FYTYRA TE VJETRA PER PARLAMENTARE RE RINJ
Në listat për deputetë nuk gjendet pothuajse asnjë fytyrë e re politike. Partitë politike, pavarësisht se cilit spektër i përkasin, do të zhvillojnë beteja të reja politike me politikanë të vjetër
XHELAL NEZIRI
Shkup, 31 maj - Partitë politike shqiptare kanë dalë me fytyra të vjetra si kandidatë për deputetë, duke lënë të rinjtë që edhe në këtë fushatë të ngjisin materiale propagandistike. Në listat për deputetë nuk gjendet kryetari i Forumit Rinor të BDI-së, Hisen Xhemaili, zëdhënësja Ermira Mehmeti apo ndonjë pjesëtar tjetër i rinistëve. Në PDSH kryetarja e Forumit Rinor, Arjeta Veliu ka zënë fundin e listës me gjasa minimale për tu futur në Parlament.
Analistët vlerësojnë se politika kadrovike te blloku politik shqiptar ende është në një nivel shumë të ulët. “Partitë shqiptare janë në nivel të ulët, bile edhe më të ulët se partitë maqedonase. Atje debatet janë ende parapolitike dhe ende nuk kanë hyrë në fazën politike. Nuk ka aty biseda për koncepte dhe ide, por për imunitete, interesa biznesi dhe kriminalitet. Në momentin kur do të futen debatet për koncepte, ide, ekonomi, prosperitet atëherë do të dalin në skenë njerëz të ri”, tha për “Lajm” analisti Sasho Ordanovski. Sipas tij, te VMRO-DPMNE-ja janë paraqitur shumë fytyra të reja që nuk janë të njohura për opinion. Ordanovski vlerësoi se te LSDM-ja po paraqiten shumë kuadro të vjetra, midis të cilëve ka të mire por ka edhe prej atyre që janë të varur nga popullariteti politik. “Mendoj se për të bërë një rigjenerim nga emrat e vjetër duhet të kalojnë edhe katër vite. Kjo do të thotë se duhet të kalojë edhe ky mandat që të përmbysen emrat që gjatë kohë janë në politikë”, theksoi ai.
Ordanovski konstatoi se partitë shqiptare kandidojnë njerëz për të cilët mendojnë se janë nën nivelin e liderëve të tyre. “PDSH tenton t’ju japë imunitet politik kriminelëve klasik. Për mua nuk ka dilemë se çfarë janë ata zotërinj. Ata patjetër e kanë të kandidojnë njerëz të tillë pasi lidershipi i tyre është i njëjti. PDSH nuk ka kë të kandidojë derisa përralla e tyre nuk ka mbaruar. Në momentin kur do t’i humbë zgjedhjet atëherë do të vijë në rend dite demisionimi i Xhaferit dhe Thaçit. Derisa këta janë në krye të PDSH-së, nuk mund të pritet të dalin me kandidatë tjerë”, tha Ordanovski. Ai te BDI-ja vëren një rreth të mbyllur vicioz dhe një tendencë që të mos afirmohen apo kandidohen shqiptarë të rinj e të shkolluar.
Analisti Ibrahim Mehmeti vëren se në listat e kandidatëve nuk ka kuadro të rinj, të cilët do ta freskonin mozaikun politik në përbërjen e ardhshme parlamentare.
“Partitë politike janë bërë peng të ambicieve të disa njerëzve që gjenden në udhëheqësinë e atyre partive. Si te blloku politik shqiptar, po ashtu edhe te ai maqedonas në vazhdimësi paraqiten njerëz të njëjtë si kandidatë, gjë që është një zgjidhje jo e mirë”, tha ai duke shtuar se qytetarët dëshirojnë të shohin figura të reja në skenën politike. Mosprezenca e politikanëve të rinj, sipas Mehmetit, është një ndër mungesat më të mëdha e subjekteve politike.