MASAKRA E TUSUSIT - PRIZREN

31.05.2006 · Ereniku(Guest) · Forumi i vjetër RTVZIK

← Artikuj Politik


... Në përkujtim të masakës së Tususit

MASAKRA E LAGJES TUSUS TË PRIZRENIT

Shkruan : Sheradin Berisha
31 maj 2006

“Amaneti ynë:
Punoni, duani dhe ndihmoni njëri tjetrin,
çmojeni këtë liri që ua solli gjaku ynë dhe i mijëra të tjerëve, nëse nuk doni që t´u përsëritet historia…

…Kosovë e larë me gjak ndër shekuj e mote,
gjaku ynë hallall të qoftë,
lamtumirë Prizren historik,
gjaku ynë t´u bëftë dritë…”-,
kështu thuhet në mbishkrimin e përmendores së ngritur në lagjen Tusus (tani lagjja e trimave) në Prizren, ku janë të skalitur emrat e 27 shqiptarëve të vrarë e të masakruar mizorisht, më 26 maj 1999, nga forcat kriminale serbe.

Lagjja e trimave(ish-Tusus) graviton në pjesën jugore të Prizrenit dhe gjeografikisht shtrihet rrëzë maleve të Cvilenit. Gjatë luftës, kjo lagje luajti një rol të rëndësishëm në masovizimin e radhëve të UÇK-së për zonën e Vërrinit dhe si e tillë ishte bërë halë në sy për regjimin pushtues serb. Në muajt mars - maj 1999, në kohën kur regjimi serb me dhunë e shpërngulte popullatën shqiptare për në Shqipëri, Tususi ishte shndërruar në një çerdhe të fuqishme për UÇK-në, dhe prandaj shumica e banorëve të saj nuk i lëshuan shtëpitë e tyre, madje një kohë aty gjetën strehim edhe dhjetra familje të Vërrinit dhe të Opojës.
Forcat ushtarake serbe,gjatë kësaj periudhe disa herë kanë tentuar të përqëndrohen në Tusus, mirëpo gjithnjë kanë hasur në rezistncë të fuqishme nga njësitet e UCK-së. Për të “sfiduar” këtë qëndresë, komanda ushtarake serbe në Prizren, më 24 prill 1999 mobilizon forca të mëdha ushtarake e policore dhe rrethon lagjen Tusus. Me këtë rast arrestohen 50 mashkuj dhe dërgohen në qendrën sportive”Sezair Surroi”, e cila ishte shndërruar në një “llogor të madh përqëndrimi” për qindra shqiptarë të zënë robë, nga anë të ndryshme të Kosovës. Mësohet se gjatë muajit prill-maj, ushtria serbe këta robër i ka detyruar të hapin istikame në disa zona ushtarake, për t´u mbrojtur nga bombardimet e NATO-s.

Gjatë muajit maj 1999, njësitet e UÇK-së meqë ishin vënë në mbrojtje të popullatës shqiptare, disa herë janë përballur me forcat pushtuese serbe në lagjen Tusus dhe në pjesët tjera - përgjatë maleve të Cvilenit dhe të Vërrinit. Kësaj here forcat serbe, në pamundësi të shkatrrimit të njësiteve guerile të UÇK-së, ndërmorrën një ofensivë me karakter hakmarrës mbi popullatën e pafajshme civile.
Më 26 maj, ishte ditë e mërkurë, kur rreth orës 7.30 të mëngjesit, forcat serbe kishin vu në rrethim të hekurt Tususin. Njësitë militare e paramilitare serbe me brutalitet u futën shtëpi më shtëpi, dhe me këtë rast plaçkitën,dogjën e shkrumuan 245 shtëpi të kësaj lagje.Në këtë situatë ata, i ndanin burrat nga gratë…dhe i ekzekuton pamëshirshëm, dhe ky operacion shfarosës ka vazhduar deri në mbrëmje të asaj dite të kobshme.
Shumë dëshmitarë që mbijetuan këtë masakër, thonë se, në këtë operacion të përgjakshëm, janë përfshirë forcat speciale të policisë, në koordinim me formacione të përziera militare e paramilitare serbe, të cilat kishin të veshur uniforma kamuflazhi (të gjelbra), një pjesë e tyre mbanin maska në fytyr, ndërsa të tjerët kishin të lidhur shamia përreth kokës. Në një raport të organizatës “Human Rights Watch”, thuhet se: Gjatë kohës së luftës, në regjionin e Prizrenit,(ku përfshihen Prizreni, Theranda (ish-Suhareka), Rahoveci dhe Sharri (ish-Dragashi), këto formacione policore-ushtarake, i kanë udhëhequr: kolonel Gradimir Zekavica, nënkolonel Millan Gjuriçiç, kolonel Millosh Voinoviç, kolonel Bozhidar Deliç…, etj.

Në përfundim të rrugës kryesore të Tususit, ndodhej shtëpia e Rafet Abdylmexhitit, ku më 26 maj forcat serbe vranë e masakruan gjashtë mashkuj të kësaj familjeje. Gruaja e Rafetit F. Abdylmexhiti dhe vajza e saj J.Abdylmexhiti, atë ditë të tmerrshme e përshkruajnë si më poshtë: “Aty nga mesdita, në shtëpinë tonë erdhën gjashtë serbë të veshur me uniforma kamuflazhi dhe na urdhëruan që të gjithë të dilnim nga shtëpia. Në këtë moment ata na kërkuan t´i jepnim paratë dhe burrit tim Rafetit ia vunë grykën e pushkës në kokë dhe e kërcnonin me vrasje. Unë u dhash 2 000 Dm, ndërsa burrat u dhanë 1.500 Dm. Ata, na urdhëruan të largohemi nga shtëpia, ndërsa burrat i ndaluan. Tek po largoheshim, pamë se si zunë t’i rrihnin burrat. I shkelmonin në stomak e në shpinë dhe i godisnin me kondakët e pushkëve.”Ndërkaq vajza, J.Abdylmexhiti në vijim shpjegon: ”Burrat pasi i rrahën e përgjakën, i rreshtuan pas murit me duart lart. Dhe kur dolëm në rrugë, dëgjuam breshëritë e automatikëve.”

F.Abdylmexhiti kur është kthyer një ditë pas kësaj ngjarjeje, shtëpinë e ka gjetur të djegur e të shkrumbosur dhe ka parë pllanga gjaku përreth rrënojave të shtëpisë, por nuk i ka gjetur trupat e të vrarëve. Pas dy ditësh ajo burrin e vetë Rafetin me të vëllaun Samiun, djemtë e Samiut: Shefikin dhe Beharin,  kushëriun Hyrmetin dhe djalin e dajës Mirsat Osmanin, i gjen të masakruar në morgun e spitalit të Prizrenit.
Nga dëshmitë e mbledhura në këtë lagje, mësohet se më 26 maj, nëpër shtëpi dhe në rrugët e Tususit janë vrarë e masakruar 25 veta, këta janë:Rafet Abdylmexhiti 1947, Sami Abdylmexhiti 1951, Shefik Abdylmexhiti 1978, Behar Abdylmexhiti 1982, Mirsat Osmani 1975, Hyrmet Sylejmani 1964, Hesat Xhemshiti 1937, Bejan Xhemshiti 1975, Bislim Qengaj 1921, Selvinaze Qengaj 1923, Salih Elshani 1936, Ymer Thaqi 1945, Avdi Berisha 1921, Refki Berisha 1961, Hajrim Arifi 1977, Sani Bajrami 1968, Neki Gashi 1935, Selim Berisha 1932, Feim Berisha 1927, Xhemajli Poniku 1933, Halil Poniku 1937, Fazile Maqkaj 1968, Rexhep Maqkaj 1923, Nijazi Muja 1959, Fadil Ramadani.
Banorët e lagjes që kishin përjetuar këtë sulm të tmershëm, thonë së forcat serbe nga Tususi janë larguar në orët e pasdites, akoma pa rënë muzgu.Dhe, derisa po largoheshin trupat serbe, në Tusus ka arritur një kamion për të mbledhur kufomat e mashkujve të ekzekutuar. Dësmitarët thonë, se:grupi i njerëzve të kamionit, përbëhej nga shoferi, dhe tetë punonjës civilë, në mesin e të cilëve ishin katër romë dhe ata shkonin shtëpi më shtëpi i merrnin kufomat dhe i hidhnin në kamion sikur të ishin thasë” Një grua lidhur me këtë ngjarje, i kujtohet se ka parë “një numër të madh kufomash, në pjesën e mbrapme të kamionit, dhe njëri nga punonjësit civilë mbante në dorë një kamer dhe me të xhironte të vrarët.”
Në një lagje tjetër të Prizrenit,në “lagjen Bilbidere”, disa ditë më parë (më 16 maj) nga forcat paramilitare serbe ishin vrarë në banjo të shtëpisë:Enes dhe Fatmir Muharremi.
Pas luftës Enesi dhe Fatmiri së bashku me 25 martirët tjerë, prehen të qetë në varrezat e përbashkëta, në fund të lagjes së trimave(ish-Tusus)
I përjetshëm qoftë kujtimi për ta.
Më 26 maj 2006

http://www.ereniku.net/pervjetor.html