Edhe nje koalicion ndershqiptar/NGA LAJM

29.05.2006 · xhemil idrizi · Forumi i vjetër RTVZIK

← Artikuj Politik

Edhe një koalicion ndërshqiptar

BDI dhe PPD u bënë tok
 

Liderët e të dyja partive, janë zotuar se do të demonstrojnë vlera të mirëfillta kombëtare dhe qytetare në zgjedhjet e radhës, dhe se do të angazhohen për një proces zgjedhor pa dhunë, të drejtë dhe të ndershëm që është parakusht për integrim në BE dhe NATO

GËZIM SULEJMANI

Tetovë, 28 maj - Bashkimi Demokratik Për Integrim (BDI) dhe Partia për Prosperitet Demokratik (PPD), kanë bashkuar forcat e tyre për të dalë në zgjedhjet e 5 korrikut me një listë të përbashkët me kandidatë për deputetë. Liderët e këtyre dy partive, Ali Ahmeti dhe Abdylhadi Vejseli, të dielën në Tetovë në një atmosferë festive dhe në prani të anëtarëve të dy partive kanë nënshkruar deklaratën e përbashkët për koalicion zgjedhor.
Kryetari i BDI-së Ali Ahmeti tha se këto zgjedhje janë vendimtare për anëtarësimin e Maqedonisë në Bashkimin Evropian dhe NATO. “Duke pasur parasysh proceset e mëdha që na presin, kemi zhvilluar negociata me PPD-në, që në këto zgjedhje të dalim bashkërisht, të ndërtojmë bashkërisht vlerat e mirëfillta”, tha Ahmeti pas nënshkrimit të deklaratës, duke mos dhënë asnjë detal të përbërjes së listës zgjedhore dhe numrit të deputetëve të PPD-së.
Ndërkaq, kryetari i PPD-së Abdylahadi Vejseli tha se koalicioni është bërë jo për të fituar këto dy parti, por për të korrur fitore gjeneratat e ardhshme. “Tani BDI-ja dhe PPD- duhet të angazhohen më shumë në përmirësimin e klimës ekonomike, për zbutjen e papunësisë, zhdukjen e varfërisë dhe thithjen e  investimeve të huaja”, deklaroi Vejseli pas aktit të nënshkrimit të dokumentit për koalicionim në zgjedhjet parlamentare.
Deklaratën e përbashkët të BDI-së dhe PPD-së, para të pranishmëve e lexoi Teuta Arifi, nënkryetare e BDI-së. “Rëndësia e këtyre zgjedhjeve për ardhmërinë euroatlantike të vendit tonë, bashkimi i forcave për të mbrojtur interesat e përgjithshme, promovimi i vlerave të mirëfillta kombëtare dhe qytetare, si dhe realizmi i zgjedhjeve të lira, fer dhe demokratike, janë arsyet e koalicionimit në këto zgjedhje parlamentare”, thuhet në deklaratën e përbashkët.
BDI- në këtë përbërje parlamentare ka 16, ndërsa PPD dy deputetë.



--------------------------------------------------------------------------------

Komentet e arkivuara (1)

Përgjigjet origjinale të ruajtura në forumin historik. Datat shfaqen sipas arkivit.

Iliri(Guest)29.05.2006 · 16:54 UTC

Koalicion "ndërshqiptar" apo koalicion antishqiptar? Abdilhadisë dhe Alisë ju kanë parë marifetet dhe tash janë bërë bashkë për ta bërë bërllogun ma të madh.
Poshtë bashkimi i tradhtarëve!