Drejtësia në Kosovë vret

08.05.2006 · Skënder Limani(Guest) · Forumi i vjetër RTVZIK

← Artikuj Politik

Drejtësia në Kosovë vret

Lidhjet e afërta mes gjyqtarëve, favoret që i bëjnë njëri-tjetrit, mospërfillja e ligjeve në përgjithësi, pra, shkelja e procedurave gjyqësore, interpretimi i qëllimshëm i ligjit, imponimi i gjykimit personal të gjyqtarit e jo i ligjit, etj., etj, janë disa nga detyrat e përditshme që kryhen gati në çdo gjykatë komunale në Kosovë, si dhe në prokurori. Kjo nuk është asgjë e re. Mund të jetë lajm për ata që asnjëherë nuk kanë pasur punë me ligjin, me “hyqmetin”.

Gjykatat e Kosovës, me gjyqtarët e vet, janë bërë burim i krizave ligjore dhe, rrjedhimisht, burim i hakmarrjeve e gjakmarrjeve dhe vrasjeve.

Ilustrimi: shumë shqiptarë kanë blerë shtëpi e banesa nga serbët. Fatkeqësia e kësaj është që transaksioni, edhe financiar edhe dokumentativ, nuk është përfillur seriozisht. Në momentin kur shqiptari i ka paguar të hollat serbit, ai ka llogaritur që tashmë ajo shtëpi ose banesë ose ndonjë truall, i takon atij, edhe me ligj. Por, nga aspekti ligjor nuk është përmbushur detyrimi që ajo patundshmëri e blerë të ndërroj pronarin, nga serbi tek shqiptari.

Si pasojë, Serbi ka bërë një manovrim: ai i ka dorëzuar shqiptarit dokumentet e fotokopjuara të patundshmërisë, dokumete që gjykata nuk i pranon, nuk i përfillë. Në anën tjetër, pandërshmëria e shqiptarëve të tjerë, të interesuar për të njëjtën pronë, ka bërë që tash dikush tjetër, njohës i afërt i blerësit paraprak, të kontaktoj shitësin, pra serbin, dhe t’ja blejë patundshmërinë. E tash, Serbi ia ka shitur patundshmërinë e njëjtë, me çmim të dyfisht, shqiptarit tjetër duke ia ofruar edhe dokumentet origjinale të përkatësisë së patundshmërisë.

Shikuar nga jashtë, këtu fiton ai që ka në posedim dokumetet origjinale të patundshmërisë së caktuar sepse ai dëshmon para gjykatës e gjyqtarit që patundshmëria është nën posedim ligjor, me letra.

Por, ligji këtu, në këtë rast, përfillë edhe palën tjetër, i cili nuk mund të paraqes dokumentacionin origjional të posedimit ligjor të patundshmërisë por njëherësh ai është shfrytëzues ligjor i patundshmërisë sepse posedon fletëpagesën e të hollave të paguara ndaj serbit, si dhe dokumentacionin e fotokopjuar. Pra, ligji e mbron edhe shfrytëzuesin, në këtë rast, joligjor.

Ndërsa, ajo se çfarë është bërë dukuri tek ne, është përfshirja personale e gjyqtarit në këtë rast dhe e avokatëve të të dyja palëve. Ka raste të shumta kur avokati i palës mbrojtëse, palës e cila paditet, pas 2-3 seancave dëgjimore, të kaloj në anën e palës e cila paditë. Kjo për shkak të përfitimeve financiare te avokatëve. Profesionalisht, kjo nuk është në rrregull, e drejtë, sepse avokati shkelë të gjitha etika, kodet dhe parimet kosovare e botërore ligjore që i ka për obligim ndaj palës/klientit të vet, sepse ata edhe ashtu paguhen goxha shumë për shërbimet e tyre të ofruara, edhepse rëndom këto shërbime nuk janë cilësore.

Edhe gyqtari, i lakmuar nga përfitimi financiar, kalon shumë lehtë “në anën tjeter” dhe e zbaton ligjin pro anës e cila ka paditur, përkatësisht, në anën e atij që ka të holla por që nuk e ka mbështetjen ligjore. Edhe gjyqtari, me këtë rast, jo vetëm që shkelë ligjin, por shkel edhe detyrën dhe punën e vet profesionale dhe fillon të zbatoj ”ligjin personal” sepse llogaritet që fjala e fundit e gjyqtarit në fakt të jetë edhe fjala e fundit e ligjit, e drejtësisë. Kjo situatë në vazhdim, lehtë bjen vrasjen.

Ky është shpjegimi tipik për vrasjet në Podujevë dhe në Shtimje.

Parimisht, vrasësi gjithmonë është fajtor. Ata që e njohin ligjin, ata që e kanë studiuar drejtësinë, marrin shembull aksidentin në komunikacion, kur ngasësi i automjetit shkelë një udhëtar. Forografia e parë që krijohet me këtë rast është interpretimi, pra, ngasësi ka shkelur udhëtarin që po kalonte rrugën. Fajtor është ngasësi. Por, pas hetimeve të hollësishme është parë që, në fakt, është udhëtari ai që ka shkaktuar aksidentin dhe ka pësuar. E njëjta vlen edhe për rastet në Podujevë dhe në Shtimje.

Ajo çfarë duhet të bëhet në këto raste është hetimi i rasteve në hollësi. Shikuar nga përvoja e përgjithshme gjyqësore-ligjore në Kosovë, nuk do të ishte çudi që gjyqtarët e rasteve përkatëse të kenë shkeluar ligjin,”humbësi” të jetë viktimë, ndërsa të vrarët pasojë.

Skënder Limani