MJEGULLA POLITIKE RRETH KOSOVËS KA FILLUAR TË BJE
MJEGULLA POLITIKE RRETH KOSOVËS KA FILLUAR TË BJERÊ!
Mjegulla politike që është krijuar rreth Kosovës na e bënë gati të pamundur të
shohim e të kuptojmë diçka konkrete rreth të ardhmes së saj. Jo ballafaqimi i
hapur i politikës kosovare për të gjitha problemet që na interesojnë dhe na
shqetësojnë NE opinionin e gjerë, është e pashpjegueshme dhe e pafalshme në të
njëjtën kohë. Asnjë debat, qoftë në mediat elektronike apo të shkruara, asnjë
tubim popullor, as edhe një sondazh në opinionin e gjerë që sadopak do ta
largonte këtë mjegullnajë para syve tonë nuk bëhet! Apo qoftë edhe një
deklaratë serioze e grupit negociator, para gazetarëve apo para popullit në
mediat e shkruara dhe elektronike, për rrjedhat e reja të ngjarjeve që po
kalon sot Kosova.
Edhe ndonjë gjë që rrjedhë për opinion, siç ishte rasti i një dokumenti të
Grupit Negociator që u botua në shtyp para ca kohësh, sipas tyre ishte e
jashtëligjshme dhe e dëmshme!!! Kanë shumë sekrete këta zotërinjtë politikanët
tanë dhe po të ishte e mundur çdo gjë do ta mbanin sekret.
Ndoshta kanë të drejtë! Fundja, çka na duhet ne të dimë se ç' bëjnë dhe çka
vendosin të tjerët për ne? Kjo do të thotë sikur vetëm ata i "dinë" të gjitha!
Po të thuheshin hapur të gjitha ato që bëjnë dhe do të bëjnë diplomatët, punët
do të shkonin pak më ndryshe se deri më tani: opinioni i shqetësuar do të
rezistonte dhe kurrsesi nuk do të pajtohej me qëndrimet e tyre në dëm të
qeverisë së Kosovës. Populli shqiptar nuk mund ta durojë më tej mjegullën, e
cila ka filluar të zhdavaritet nga rrezet e së vërtetës.
Ne duhet të mësojmë vetëm ato pak gjëra sa për të mos thënë që na i thonë ata
kohë pas kohe. Sipas bashkësisë evropiane dhe ndërkombëtare është me rëndësi
që opinioni në Kosovë dhe më gjerë të mos shqetësohet, kinse mund të prishet
gjendja e tanishme. Prandaj kjo duhet të ndodhë në asnjë mënyrë! Në
televizionet tona publike "të pavarura" asnjë informatë tjetër nuk dëgjohet,
përveç atyre të pushtetit të cilët japin deklarata të mjegullta. E njëjta gjë
ndodh edhe në mediat e shkruara, të cilat mbështeten në burimet informative të
UNMIK-ut me qarqet e tyre politike. Nuk mund të flitet për lirinë e mediave të
pavarura në Kosovë, ato janë plotësisht nën kontroll dhe censurën e rreptë të
UNMIK-ut. Prandaj çdo gjë përcaktuese në Kosovë bëhet nën mbikëqyrjen e klanit
të UNMIK-ut, që do të thotë se ata që mendojnë dhe veprojnë ndryshe nga
pushteti qendror, dënohen, ndiqen dhe burgosën!
Politika e vërtetë kombëtare e mbyllur prapa grilave nga pushtetmbajtësit e
sotëm, tregon se mediat nuk janë aspak të pavarura, përkundrazi pengohet liria
e mendimit dhe veprimit të tjerëve. Pa dyshi që ndalimi dhe pengimi lirisë së
mendimit demokratik shumë lehtë mund t'iu kthehet si bumerang hundëve të tyre,
pasojat e të cilëve do t'i ndjenim të gjithë. Me anën e politikës
mospërfillëse Bashkësia Ndërkombëtare po i rrezikon investimet e saja jo të
vogla që janë bërë në Kosovë. Kjo gjë do të ketë pasoja të mëdha, nëqoftëse
ata me dinakëri tentojnë të na imponojnë ndonjë zgjidhje të papranueshme. Do
të jenë të pazbatueshme zgjidhjet jo të drejta për ardhmërinë e Kosovës, sepse
do të hasin në rezistencë dhe mosdëgjueshmëri të fuqishme popullore, në
vazhdim do të vijë deri te rreziku sa që gjërat të dalin jashtë kontrollit.
Në anën tjetër, në skenën politike do të vinin forca të reja që pastaj ato do
të kërkonin zgjidhje tjera, ose thënë ndryshe, do të shpërthente "vullkani",
sepse populli është lodhur nga politika kundër popullore: si në aspektin
ekonomik ashtu edhe në atë politik .
Shpresojmë që bashkësia ndërkombëtare dhe qeveritarët tanë do ta kenë parasysh
faktin se zhgënjimi që mund të vijë tek populli ynë, do të sjellë pasoja dhe
tragjedi të reja. Dihet që as Grupi i Kontaktit nuk është i qartë deri në
fund, por vetëm përsërit ato tri pikave që kanë filluar të bëhen monotone se:
Nuk ka kthim para viteve të 90-ta ose para gjendjes së luftës.
Nuk ka ndarje të Kosovës.
Nuk ka bashkim me ndonjë shtet tjetër.
Sa i përket pikës së parë se nuk ka kthim para gjendjes së luftës kjo është e
vërtetë, sepse vitet kanë kaluar dhe nuk kthehen më dot . Kanibali Sllobodan
Millosheviq ka vdekur, janë vrarë e masakruar shumë shqiptarë, që do të thotë
se shumë ujë ka kaluar nën urë. Kjo gjë mund të hpjegohet kështu: Mirë, të
themi se ata aludojnë në atë se nuk do të ketë kthim mbrapa në aspektin
kushtetues që dikur kishte Kosova, mirëpo Kosova në atë kohë ishte në
shtetrrethim të egër klasik, thënë shkurt, ishte në gjendje aparthejdi. Pastaj
deri më sot asgjë nuk ka ndryshuar lidhur me qëndrimin e Grupit Negociator se
a do të zgjidhet kjo çështje në kuadër të rezolutës 1244, apo do të tejkalohet
kjo rezolutë? Është e pakuptueshme së paku për mua premisa e tyre për
zgjidhjen e çështjes së Kosovës.
Pika e dytë se nuk ka ndarje të Kosovës është diskutabile për gjendjen e
sotme. Kjo, është përrallë për kalamajtë shikuar gjendjen e sotme të kufijve
të Kosovës, kur kjo po copëtohet egërsisht me recetat kinse demokratike,
ballkanike dhe evropiane. Shpresojmë dhe urojmë se do të jetë siç thonë ata,
por faktet në terren nuk janë të qarta dhe ka indikacione të forta që kjo
ndarje të bëhet, në mos sot, ky rrezik serioz do të bëhet më vonë. Gjendja
faktike që po krijohet në terren vështirë se mund të ndryshojë ashtu siç do të
duhej të ishte dhe lehtë mund të ndodhë që ne dhe bashkësia ndërkombëtare të
gjendemi para aktit të kryer. Prandaj pasojat do të jenë të rënda jo vetëm për
Kosovën, por edhe për tërë rajonin.
Pika e tretë është jo bashkimi me ndonjë shtet tjetër! Zgjidhja më e drejtë
dhe e natyrshme e ribashkimit të Kosovës me Shqipërinë nuk lejohet, kinse për
mosprishjen e baraspeshës së krijuar në Ballkan, pastaj për efektet zingjirore
që do të shkaktonte ky ribashkim për rajonin dhe shumë e shumë arsye tjera,
Kuptohet që të gjitha këto janë të pakuptueshme! Konkretish, po të bashkohej
Kosova ta zëmë me Maqedoninë, kuptohet që populli maqedonas do të ishte pakicë
kundrejt shqiptarëve shumicë, prandaj edhe kjo nuk do të pranohej në asnjë
mënyrë. E njëjta gjë do të ishte edhe për Malin e Zi. Mos do të thotë kjo se
ne ndoshta mund ta vazhdojmë bashkimin me Serbinë meqë nuk do të ketë bashkim
tjetër sepse edhe një Kosovë e pavarur me integritet të plotë nuk po duket
qartë se do të ndodhë.
Deklarimet e Bashkimit Evropian janë po ashtu të paqarta dhe lënë hapësirë për
interpretime të ndryshme kur thonë se statusi i Kosovës do të zgjidhet në
kuadër të perspektives evropiane!
Prandaj cilat janë perspektivat evropiane për Ballkanin perëndimor e në këtë
rast edhe për Kosovën?
Sipas perspektivës evropiane statusi i Kosovës do të mund të ishte prej një
autonomie e deri në pavarësi të saj dhe në këtë mes, prej autonomisë deri në
pavarësi, mund të gjinden edhe dhjetëra zgjidhje tjera. Bashkimi Evropian po
bën përgatitjet e fundit për Misionin e saj të ri në Kosovë pas statusit që
nuk dimë se si do të jetë ky status?! Edhe për disa vjet të ardhshme ajo do të
ketë mbikqyerje të rreptë në ekonomi, në gjykata, në siguri, duke lënë rrugën
e hapur edhe për çështje tjera sipas paragjykimeve të tyre.
Kosova, vërtetë ka nevojë për ndihmë dhe përkrahje të bashkësisë
ndërkombëtare, por në asnjë mënyrë që t'i uzurpohen organet e saj demokratike
nga Bashkimi Evropian apo nga të tjerët. Ky uzurpim i organeve nuk do ta
ndihmonte Kosovën, përkundrazi do ta pengonte që ajo vet të ecë përpara me
forcat e veta!
Kur jemi tek Evropa dua t'i përkujtoj fjalët e imzot Mark Sopit, i cili para
politikës amerikane ndër të tjera deklaroi: "Nuk besoj se Evropa është në
gjendje ta zgjidhë drejtë çështjen e Kosovës. Çështjen e drejtë të Kosovës
mund ta zgjidhni vetëm ju amerikanët"!
Popullin e Kosovës e mban shpresa se edhe kësaj radhe do ta ketë përkrahjen e
aleatit më të mirë dhe më të fuqishëm të tij SHBA-të, të cilët kanë dëshmuar
se e njohin më së miri problemin tonë. Qeveria amerikane e di mirë se
shqiptarët janë adhuruesit dhe aleatët më besnikë të tyre, jo vetëm pse ata
janë të fuqishëm por, sepse tek ata kanë gjetur kurdoherë mbështetje dhe
mirëkuptim .
Ne presim nga amerikanët të jenë pragmatikë dhe të paepur kur është në pyetje
liria dhe. ardhmëria e një populli të vogël por, fisnik e liridashës siç është
populli ynë! Shpresojmë se edhe kësaj radhe Amerika do të dëshmoj se është
përkrahësja dhe mbrojtësja më e madhe e lirisë dhe demokracisë së popujve në
rruzullin tokësorë. E vetmja gjë që po shihet shumë qartë dhe pa doreza është
politika shoviniste serbe e cila nuk lë gurë pa lëvizur për ta mbajtur Kosovën
edhe më tutje koloni të saj. Me virtytin e saj tradicional "gënjeshtrën" po
mundohet t' i bindë të tjerët se ka të drejtë legjitime ta mbajë Kosovën
përgjithmonë nën kthetrat e saj. Por edhe nëqoftëse nuk do të arrijë ta mbajë
dhe ta qeverisë Kosovën më tej, ajo tashmë po kujdeset dhe bën çdo gjë që ta
bëj akt të kryer marrjen e pjesëve më të pasura të Kosovës, duke grumbulluar
pakicat serbe nëpër ato enklava, e cila në mos tani t'i ketë gati për
shkëputje të mëvonshme.
Këtë metodë mundohet ta bëj përmes armës së saj të fortë të decentralizimit.
Serbia kurrë nuk është brengosë për pakicat e saj kudo që kanë qenë, por i ka
manipuluar e shfrytëzuar ato për grabitje territoresh të huaja. Ne i dimë mirë
politikat e saj gjatë shekujve që sikur pretendonte ajo: aty ku ka varr serbë
është edhe tokë serbe!!! Këtë politikë varri serbë-tokë serbe, u mundua ta
zbatojë në Kroaci, kurse Në Bosnjë e Hercegovinë e zbatojë me sukses, së
fundit po mundohet ta zbatojë edhe në Kosovë.
Serbia ka arritur t'i fus në bisedimet për decentralizim tri çështje shumë me
rëndësi siç janë: krijimin e komunave të reja serbe, disa etnikisht të pastra,
lidhjet horizontale në mes të këtyre komunave me lidhje direkt me Beogradin,
si dhe eksterritorialitetin e kishave dhe manastireve serbe që gjenden në
Kosovë .
Serbët e Kosovës të cilët pothuajse të gjithë ishin dhe janë anëtarë të
Partisë Socialiste të Millosheviqit dhe Partisë Radikale serbe të Sheshelit,
tani të rënduar nga ato ide shoviniste dhe fashiste po i refuzojnë të gjitha
thirrjet dhe lutjet që po u bëhen për të qenë konstruktivë dhe të gatshëm të
jetojnë me shqiptarët. Ata po i refuzojnë të gjitha garancitë për të drejtat e
plota të tyre që po ju ofrojnë Qeveria e Kosovës, UNMIK-u dhe bashkësia
ndërkombëtare .
Këta kanë qenë dhe janë vetëm në shërbim të politikës së Beogradit dhe po i
zbatojnë pikë për pikë urdhrat e saj ogurzeza dhe armiqësore ndaj shqiptarëve.
I ashtuquajturi "Grupi i Unitetit" i Kosovës i ka tërhequr Vijat e kuqe për
t'ju kundërvënë politikës ekspansioniste të Serbisë por, ç´e do kur këto vija
të kuqe janë të lëvizshme dhe shumë lehtë mund të shtyhen e të dalin përtej
vijave të ZEZA! Mati Ahtisari dhe Albert Rohani tash e kanë të drejtën që këto
vija të kuqe t'i vendosin aty ku e kërkon nevoja , aty ku e do kompromisi .
Nëse nuk ka marrëveshje në Vjenë (vështirë se mund të ketë), atëherë Këshilli
i Sigurimit i OKB-së do ta ketë fjalën e fundit për zgjidhjen e çështjes së
Kosovës dhe atëherë do t'i marrim vesh të gjitha.
Londër : 14 prill 2006