Vjehrra i ngul thiken dhendrit se donte te ndahej nga e bija

05.10.2011 · rtvzik · Forumi RTVZIK

← Lajmet senzacionale

Vjehrra i ngul thikën dhëndrit se po ndahej me të bijën. Ngjarja e pazakontë ka ndodhur të enjten në mbrëmje në mes të njerëzve, në mes të Vlorës. Bukurie Bajramaj, 48 vjeçe, e ka sulmuar befasisht në një lokal dhëndrin dhe më pas ka tentuar pa sukses t’i shpëtojë arrestimit. Bashkëshorti ende zyrtar i vajzës së saj, 31-vjeçari Sajmir Rushiti, ka marrë dy plagë të thella në bark, por fatmirësisht nuk rrezikon jetën.

Plagosja
Ngjarja ndodhi orët e mbrëmjes së të enjtes në lagjen “Pavarësia”, pranë një lokali ku Sajmir Rushiti po pinte kafen. Zona ku ndodhi ngjarja është e rrahur nga lëvizjet e banorëve, pasi ngjitur me lokalin ka edhe dyqane e njësi të tjera ku ka qarkullim njerëzish. Dëshmitarë okularë thanë se kanë parë gruan teksa nxitonte, duke kaluar përmes pallateve të lagjes dhe ka ndaluar më pas në tavolinën ku qëndronte 31-vjeçari. Në atë moment ai po lexonte gazetën dhe ishte i vetëm në tavolinë. Vjehërr e dhëndër janë parë duke debatuar me njëri-tjetrin, por gruaja nuk është mjaftuar me kaq. Ajo ka nxjerrë një thikë nga çanta dhe ka qëlluar dy herë në bark dhëndrin, i cili është kapur në befasi. Menjëherë gruaja është larguar. Por nuk ka pasur vështirësi për identifikimin e saj, pasi të dy personat e lidhur nga krushqia, banojnë në të njëjtën lagje dhe dëshmitarët i njihnin të dy. Kjo ka bërë që edhe kapja e gruas të bëhej në një kohë të shkurtër.

Hetimet
Në Policinë e Vlorës, ku është përcjellë më pas, Bukurie Bajramaj nuk ka pranuar të flasë shumë në lidhje me rrethanat e ngjarjes. Sipas oficerëve të policisë gjyqësore që e morën në pyetje, ajo ka qenë shumë e tronditur pas arrestimit. Por edhe dje, kur ishte qetësuar, gruaja nuk ka dhënë shumë sqarime për sulmin ndaj dhëndrit. Personat që janë pjesë e grupit hetimor thanë se ajo ka qenë mjaft e rezervuar në deklarimet e saj, ndërsa ka pohuar vetëm shkakun e grindjes. Ajo tregoi se 31-vjeçari ishte divorcuar (ende jo ligjërisht) me të bijën, me të cilën kishin pak kohë që ishin martuar.

Fqinjë të familjeve pohojnë se çifti kishte disa kohë që ishte martuar dhe se vajza e Bukuries kishte prishur një martesë tjetër për t’u bashkuar me Sajmir Rushitin. Fundi i shpejtë i martesës së dytë të vajzës dhe mendimi se për këtë ishte fajtor dhëndri, e ka irrituar vjehrrën që ka marrë vetë përsipër ta “zgjidhë” çështjen.

Policia sqaroi dje se gruas së lindur në Shijak dhe me banim në lagjen “28 Nëntori” të Vlorës iu gjet edhe thika me të cilën kreu plagosjen. Ajo akuzohet për vrasje me dashje të mbetur në tentativë.