IBRAHIM KELMENDIT-Libri „ATENTATET“ -

23.10.2011 · rtvzik · Forumi RTVZIK

← Kosovë

ATENTATET E ZBULUARA



Shkruan: Mustafë XHEMAILI

Biel-Bienne, më 12 prill 2007

[adresë e fshehur] , www.mustafe-xhemaili.com

--------------------------------------

(Fjala promovuese më 14 prill 2007 në Dyzeldorf (Gjermani),

për romanin e Ibrahim Kelmendit ATENTATET, botoi “Fokus”, Prishtinë, 2007)



1. Njohja

Njohja ime me Ibrahim Kelmendin është bërë në veprimtari e sipër qysh kur ai mbajti fjalimin me jehonë, por edhe dekonspirativ, në varrimin e babait tim Muharremit, ndjesë pastë, më 3 shtator 1979. (shih libri faqe 209) Madje kjo njohje ime me te u bë në mungesë. Unë shërbeja në ish-Armatën Jugosllave dhe kur erdha në Komogllavë, gjithçka kishte përfunduar. Pasojat e fjalimit të militantit të zbuluar të ilegales së Kosovës, Ibrahim Kelmendi, i cili fjalën për babain tim e  kishte shkruar i ulur mbi një thes të mbushur me misër, ishte e dy anshme: përfundimisht në Komogllavë u shpall irredenta dhe, përfundimisht, Ibrahimi u detyrua ta lëshoj Kosovën. Fjalimi i tij ishte thjeshtë politik, kundër shtypësve dhe shfrytëzuesve të klasës punëtore dhe Kosovës, ishte thjeshtë kundër interesave të ish-Jugosllavisë. Ishte fjalim politik që mbahej hapur në Kosovë, një ndër të rrallët e asaj kohe, ishte aq i guximshëm sa shënonte një kthesë të madhe në jetën e njerëzve, të pranishmëve të shumtë që kishin ardhur pothuajse nga gjithë Kosova, por dhe nga Maqedonia për të ma nderuar babain tim. Ndërsa Muharrem Xhemailin, punëtorin, mjeshtrin e kategorisë së lartë të ndërtimeve, grevistin e shkëlqyeshëm në Ndërmarrjen ndërtimore Ramiz Sadiku dhe dashamirësin e madh të arsimit, lirisë dhe përparimit, e nderoi përjetësisht, Ibrahim Kelmendi e nderoi përjetësisht  me një fjalim të denj atdhetar e politik. Nuk është vonë edhe sot, që, unë, djali më i madh i familjes së Xhemailëve të Komogllavës irredentiste, mikun tim IK, ta falënderoi, publikisht, për këtë nderë që iu bë babait tim në shtatorin e largët, në vjeshtën e verdhë të vitit 1979.



Kopertina e librit "ATENTATET"

Vetëm kur jam arratisur nga Kosova në pranverën e vitit 1984, dhe veçanërisht në verën e atij viti, njohja me I. K., u bë aktive, në bashkëpunim të plotë dhe pothuajse krejt të natyrshme. Veprimtarinë e tij e kisha të njohur. Me rrëfimet e tij, ai vetëm më bindi nga afër se ai kishte qenë dhe ishte kapaciteti udhëheqës organizativ, i cili kishte mbetur i vetmuar, pa shokë që kishin nivelin e tij, guximin dhe këmbëngulësinë për të luftuar dhe ecur përpara, pa intelektual, dhe... me një dëshprim të madh, që ai e ndrydhte brenda vetes. Ai para meje ka qenë i hapur dhe pa ekuivok, pa makijazh dhe pa sforcim. Mbase me dhjetëra herë m’i ka përsëritur ngjarjet  që më vonë do ta marrin formën e prozës së gjatë ATENTATET. E ka bërë këtë edhe në kuadrin e punës që bënim bashkë (ishim në udhëheqje të LRSSHJ-së e pastaj të LPRK-së e OMLK-së degës jashtë vendit si dhe në Redaksinë e ZiK-ut, por e ka bërë këtë edhe si para një shoku, miku, intelektuali. Unë i besoja. Ai ishte më i sinqerti, përkundër, ta zëmë Xh.Sh.-së, i cili, i kishte larguar krejtësisht intelektualët nga vendet vendimmarrëse në organizatë dhe në Redaksinë e ZiK-së, dhe ishte shumë i shkathët, orator i shkëlqyeshëm dhe specialistë i intrigave politike.

Analizat që IK i bënte për situatat, emrat e ndryshëm që vepronin në diasporë, që tash janë personazhe në ATENTATET, dhe veçanërisht ngjarjet para dhe pas natës së 17 janarit të vitit 1982, më kanë bindur në drejtësinë e gjykimeve për njerëz dhe personalitet që tashmë janë përshkruar në roman. Këtë bindje timen shpesh ua kam thënë dhe bashkudhëheqësve në organizatat ku veproja dhe Redaksinë e ZiK. Të vetmin problem unë e kam pasur me IK.-në se ai largohej pa paralajmërim dhe jo gjithherë i jepte llogari Qendrës, ku edhe vetë bënte pjesë. Dhe, gjithmonë, unë i haja kritikat për të nga të gjithë të tjerët, sepse gjithmonë para kritikuesve e mbroja. Ndërsa kur ai vinte e takoheshim shpesh bënim shamatë të vërtetë. Ndoshta kjo e metë, e cila shpjegohet me karakterin e njeriut, për një disiplinë (apo mosdisiplinë) në jetë dhe në organizim të saj, ai vetë ia ka parë më së shumti sherrin. Sepse të gjithë më së shumti e kanë sulmuar në këtë dobësi të tij.

Shikuar në aspektin tjetër IK në atë kohë, realisht ishte lideri politik kryesor në mërgatë, gjë që për mua, thjeshtë, e bënte të kuptueshme mosrespektimin e tij të plotë të rregullave dhe disiplinës që, ne, të cilët kishim ardhur në pranverën e vitit 1984 nga Kosova (shih f. 459), përpiqeshim t’i vendosim brenda LRSSHJ-së ekzistuese, LPRK së ardhshme dhe OMLK-së Djv, ato rregulla dhe mënyra pune me disiplinë të lartë, të përditshme, milituese dhe organizative ashtu siç  kishim bërë brenda në Kosovë.



  Bardhosh e Jusuf Gërvalla dhe Kadri Zeka

----------------------------------------

Në fakt, shumë shpejt, edhe këtë disiplinë që e predikonim, pa të cilën nuk do të kishte pasur kurrë sukses LPRK nga vera e vitit 1984 e deri me 1991, Ibrahim Kelmendi i futi me sukses te bashkatdhetarët në Gjermani, Belgjikë, Suedi, Norvegji, Danimarkë, madje edhe në Amerikë.

2. Cili është autori

Një vërejtje: Do të ketë shkrime, letra etj., dhe mbase do të ketë edhe të tjerë, se do të thonë se IK e kanë pasur mik e shok për kokë shoku e miku, por deri më sot e kanë quajtur edhe anarkist, edhe dekonspirativ, madje edhe të rrezikshëm. Njëra anë. Ndërsa ana tjetër do të lëshoj mallkime e rrëfe mbi kokë të IK-së ashtu siç kanë lëshuar edhe dikur e lëshojnë edhe sot.

Ka edhe të tjerë, madje të njohur që, sot, IK-në e duan të gjallë vetëm për dëshmitar në ndonjë gjyq të mundshëm. Pra vetëm si një subjekt dëshmues, tregues dhe kaq. Mandej IK le të shkoj në dreq të mallkuar! Them kështu, sepse personazhet kryesore në ATENTATET i njoh mirë edhe unë, dhe veçanërisht personazhet e pas atentatit që vegjetojnë me shkathtësi edhe sot në parti politike, organizata, qeveri e mekanizma të saj, ojq-ët e shumta me buxhete të majme.

Por unë mendoj se IK ka pasur shumë shokë por edhe nuk ka pasur asnjë shok! Veçanërisht pas vrasjes së Jusuf Gërvallës! Ndërsa nga dëshmia e tij, duket kthjellët se ai vetëm Jusuf Gërvallën e ka pasur shok të vërtetë! Dhe kjo ishte e natyrshme. Në rinin e tij IK, si gjithë të tjerët, duhej ta kishte një shok të vërtetë. Dhe, ai, e gjeti pikërisht atë që i duhej për bisedë, edukim, qortim, grindje, debatim, orientim, organizim, bashkëveprim - atë më të mirin, shokun ideal! Për gjithë jetën!

Pra, të shkruash apo të mos shkruash – kjo është çështja! Të heshtësh apo të flasësh – kjo është çështja! E IK., ka vendosur që thënien e Hamletit të perifrazuar kështu në këtë rast nga unë, ta merr si njëdrejtimëshe:

Të flasësh, mos të heshtësh!

Të jetosh me historinë!

Të flasësh të vërtetën!

Ta dëshmosh aktivisht atë!

Jo në mënyrë pasive, siç mund të kërkojnë disa!

Ibrahim Kelmendi është njëri ndër emrat më të spikatur të Lëvizjes Ilegale të Kosovës të viteve 70 dhe 80-ta. Ai ishte organizatori i mirëfilltë në emigracionin politik kombëtar të viteve 1978-1984 në Gjermani dhe njëri ndër më të spikaturit në kuadrin e organizatave që përmenda më lartë. Kontributi i tij i jashtëzakonshëm brenda tyre si dhe përvoja e tij brilante me emigracionin, ka bërë që shumë punë me rëndësi jetike për organizimet në diasporë, dhe më vonë edhe brenda në Kosovë, të marrin kahje të duhur dhe me rëndësi historike. Veçanërisht me kompetencë flasë për vitet e bashkëpunimit me IK-në 1984-1991, vit kur unë për shkaqe politike e të papajtueshme, pra edhe me IK-në, në një rast vendimtar për rrjedhat politike të organizatës, ku bënim pjesë së bashku, jam tërhequr nga politika aktive.

Por ky është një kapitull tjetër, i cili mund të hyj në romanin e ri të Ibrahim Kelmendit, ose të ndonjë autori tjetër, por pse jo edhe të prozave të mia të ardhshme.

Për të shkruar një roman me ngjarje historike, me personazhe që jetojnë ende, ose që janë vrarë në rrethana të ndryshme, dhe për arsye të ndryshme, autorit i duhet guximi, të cilin I. Kelmendi e ka pasur gjithmonë. Ata që nuk e kanë njohur me herët, shprehen publikisht, madje edhe në gazeta, si të habitur, hutuar dhe të mjegulluar me guximin e I. K., për të hyrë në letërsi-histori dhe zhanret që përthekojnë të shkruarit në prozë. Kjo nuk qëndron. Sepse unë kam pasur në dorë dhe në shqyrtim, artikuj, shkrime, analiza, raporte dhe relacione politike, platforma politike, të cilat Ibrahim Kelmendi, Shoku, Martin Shtoji.., i ka shkruar me guxim të pashoq, me qartësi të jashtëzakonshme për kohën dhe rrethanat. Në fakt ndërtimi i platformës bazë për të ecur përpara dhe për të ndërtuar një organizatë masash për kohën, nuk bazohet vetëm në Tezat e Frontit Popullor për Republikën e Kosovës, (teza të cilat janë pranuar edhe në ditën e 17 janarit të vitit 1982- kur ato me vendimin e përbashkët të J.G. K.Z.,I.B., dhe B.G., janë shndërruar në Program të Frontit për Republikën e Kosovës (shih faqe. 325), por edhe në platformën e guximshme dhe artikuluese mbi organizimin të shkruar në vitin 1986 me titull: “Vetëm me organizim të mirëfilltë e parimor të LPRK-së do të fitojmë statusin e Republikës”(janar1986).

IK., ishte gjithmonë i shkathtë i qartë dhe mbi të gjitha këmbëngulës. Këto cilësi të karakterit të tij i njihnim dikur, ne, që punonim sëbashku në ilegalitet e gjysmëilegalitet, ndërsa tash të gjithë po i shikojnë dhe njohin në legalitet të plotë, përmes veprës së tij ATENTATET.

3. Historia -  Dëshmia - Tronditja

Me ATENTATET, Ibrahim Kelmendi dëshmon fuqishëm për një kohë. Për rrethana të caktuara. Ai dëshmon për një rrjedhë të historisë së caktuar që vërtetë ka ndodhur, dhe ai e tregon përmes prozës së gjatë. Mënyra e të treguarit (pra të diskursit) dhe personazhet realë ose të retushuar në mënyrë fare transparente, bënë me dije, se qëllimi i autorit nuk është letërsia, por dëshmia – pra historia. Nga kjo edhe duhet të shikohet interesimi për një libër të tillë. Historia e letrarizuar bëhet shkak më i fortë për t’u lexuar dhe komentuar. Se brenda ka një a më shumë të vërteta, një a më shumë personazhe realë. Madje në këtë rast pjesa më e madhe e tyre janë gjallë dhe vegjetojnë diku nëpër Kosovë dhe Evropë.



  Ibrahim Kelmendi, autor i librit „ATENTATET“

------------------------------------

Historia pra ndodhi - Udhëheqësit historikë të Lëvizjes së re Kombëtare të Kosovës Jusufi, Kadriu dhe Bardhoshi u vranë me atentate nga armiku i popullit shqiptar. Për fat dëshmie, nuk u vra i katërti Miran Bruçaj (Ibrahim Kelmendi- Bruçaj). Apo le të themi edhe se ai u vra pa atentat për të mbetur i gjallë për historinë! Pra si në historitë tragjike, po jo si në legjenda. Se legjenda nuk është histori. Dhe legjendarizmi është mit. Dhe se miti është përrallë. Dhe se përralla nuk është e vërtetë po e shpifur. Pra personazhe reale historike u vranë për një çështje historike, për një kauzë historike, për shkak se menduan, shkruan gazeta, revista, libra e këngë, hartuan pamflete, letra e programe, organizuan demonstrime e manifestime me flamur, milituan dhe luftuan në mënyrë jo të dhunshme për lirinë e Kosovës. Për të ndodhur kjo histori dhe tragjedi e popullit të Kosovës, u kujdesën një mori personazhesh të tjerë, politikanë e diplomatë vrasës, militantë vrasës, kriminelë profesionalë, shtabe profesionale, buxhete shtetërore, koordinime të specializuara, propagandë perfide dhe luftë speciale e strategjike. Dhe në fund plumba për ata që luftojnë kundër robërisë, për ata që luftojnë për lirinë e popullit të vet.

Por Mirani mbeti gjallë dhe ai duhet të dëshmojë e t’i zbuloj atentatet dhe atentatorët, që me sukses janë fshehur deri më sot.

Dëshmia varej në fijen e fatit brenda tragjedisë -  Pra ky fat i rëndë i ra hise Miranit, pra IK-së, ku jeta nga vdekja e ndau vetëm për atë fije fati brenda tragjedisë që ndodhi mbi miqtë, shokët dhe bashkëluftëtarët e vet. Ai duhej të jetonte për të dëshmuar. Por jo vetëm të jetonte sa të merrte frymë. Por të jetonte duke luftuar. Ai e ka ditur se në atë moment që të ndalej do të ndalej dhe humbte edhe dëshmia. Pra dëshmia ishte për IK., lëvizja e pandërprerë për ta çuar idenë, programin, platformën e lirisë, flakadanin e saj, të shprehemi kështu, të 17 janarit të vitit 1982, kur ai flakadan lirie që u ndez dhe u zvenit me stuhinë dhe plojën e plumbave, por jo për t’u shuar deri në çlirim. Barra e rëndë e dëshmisë, autorit të kësaj vepre, i ka rënduar më shumë se sa t’i kishin rëndë plumbat në gjoks në natën e 17 janarit në Untergrupenbah. Autori dëshminë e mbajti brenda vetes për ta zbuluar faqe bote në moment të përshtatshëm. Ashtu siç bëri në këtë vit.

Tronditja është goditëse - Sepse ngjarja dhe goditja ishte e madhe në një kohë vendimtare për një popull që kërkonte dhe luftonte për lirinë e tij kombëtare. Por tronditja në ditët e sotme që shkakton vepra e IK., ATENTATET është poashtu e madhe dhe legjitime. Kjo ka të bëjë me befasinë që të shkakton gjetja. Kureshtja për diçka që të kujtohet, për diçka që dikush të rrëfen një të vërtetë të fshehur dhe tronditja pastaj të lëvizë duke të hedhur përballë vetvetes për ta parë të vërtetën në sy. Kjo është njëra ndër karakteristikat e njohjes së vetvetes. Zakonisht më shumë të tronditë zbulimi i diçkafes brenda vetes se te të tjetër. ATENTATET është një zbulim brenda vetvetes që kur lexuesi e lexon tekstin e librit, zbulon atë që ndoshta nuk kishte dashur ta zbuloj asnjëherë. A nuk tingëllon thënia e Jusufit para vdekjes së tij, si një lloj antidëshmie: Nëse vrasësi është shqiptar mos u zbuloftë kurrë! Sepse tronditja do të ishte e madhe për kohën kur u vranë, ndërsa dëshmia do të ishte e pakët. Ndërsa sot tronditja është e madhe se ballafaqohemi me vetveten duke parë dëshminë e bollshme historike të dëshmitarit të mbijetuar nga furtunat e plumbave dhe nga furtunat e fjalëve.

Të gjitha këto, lexuesi, tash i lexon me komoditet brenda veprës së Ibrahim Kelmendit dëshmisë së tij jetësore. Ai e sheh historinë, e përjeton dëshminë dhe tronditjen njëkohësisht.

4. ATENTATET - çfarë romani është dhe a është roman

(Ose një shikim ndryshe për tekstin postmodern)

Skema e famshme e Aristotelit lidhur me historinë dhe letërsinë është e qartë. Ajo nuk ka ndryshuar as sot dhe është kështu: Historia tregon atë që ka ndodhur, ndërsa letërsia (poezia) tregon atë që mund të ndodhë; historia tregon çka ngjet, letërsia tregon si mund të ngjajë; historia tregon gjëra të veçanta, letërsia tregon gjëra të përgjithshme, prandaj letërsia është më filozofike se historia. Më tutje: historiani shënjon referencat (të dhënat), shkrimtari shënjon tekstin fiktiv, të mundshmen; historiani nuk harton fabula, kurse shkrimtari harton fabula. Edhe më tej: historia mund të jetë e shkruar në vargje e të mos bëhet letërsi. Sepse e para mbështet te e vërtetdukshmja (që do të thotë e mundshme) kurse e dyta në ngjashmëri (që do të thotë e besueshme). (shih te S.Hamiti:Tematologjia, f.70).

Po pra. Secila punë i ka kriteret e veta. Edhe shkenca. Madje edhe bujqësia dhe agronomia. Pra edhe letërsia ka kriteret e veta. Ajo, një shkrim, të shkurtër apo të gjatë, në vargje, prozë apo dialog, e futë në kuadrin e kritereve të saja. Letërsia në radhë të parë merret me jetën e njeriut në formën e emitimit (memisisist), në formën e krijimit (poesisit) dhe të rikrijimit (metasisit). Dhe materien që një autor e shkruan, e nxjerrë në letër, në letërsi përcaktohen përmes zhanreve. Pra materia e autorit e letrarizuar për librin e tij duhet të përkufizohet. ATENTATET çka është: histori, letërsi, autobiografi, pra roman letraro-historik, roman memoaresh, roman i personazhit, roman i ideve, i situatave, i aksionit, roman politik apo roman kriminalistik!

Në bazë të kritereve letrare, ATENTATET, nuk është roman, madje as roman historik, as roman autobiografik e as politik e kriminalistik. Së paku nga këto llojeve letrare dhe derivime të romanit, e përjashton forcërisht platforma aristoteliane mbi artet.

Dhe, nëse nuk dëshirojmë ta përfillim as këtë platformë artistike, e domosdo duhet ta përkufizojmë brenda një lloji, atëherë duhet të flasim vetëm si për një tekst autobiografik, që automatikisht duhet lexuar dhe interpretuar ndryshe nga letërsia e mirëfilltë. Kjo do të na lehtësonte shumë. Sepse materia që sjellë autori në ATENTATET, nuk na jep të dhënat letrare për të folur për vlerat letrare artistike, por thjeshtë: biografike e, mbase, edhe historike. Madje, kur dihet autori dhe historia e tij, kur dihen historitë e personazheve të kësaj autobiografie, thjeshtë ky del edhe roman historiko-politik i një periudhe të caktuar me kulmim të mprehtë: atentatet e vërteta kundër njerëzve të shquar të Kosovës vëllezërve Gërvalla dhe Kadri Zekës.

Pra, deri sa nuk përcaktojmë më mirë se për çfarë materie po flasim, hapësira për të “manipuluar” me ngjarjet e librit të këtij autori, për të manipuluar vet autorin, përkrahësit dhe kundërshtarët e dikurshëm dhe të sotshëm të personalitetit Ibrahim Kelmendi, do të jenë sa absurde, aq edhe pa kuptim. Ndërsa definimi i zhanrit, llojit, qartëson shumë gjëra.

Këtu del vetëm një problem – linja e dashurisë në mes Miranit dhe Renatës. Kjo është linja romaneske, letrare. Por edhe kjo linjë hynë në gjithë materien e ATENTATEVE, dhe na del një përshkrim edhe më i plotë biografik.

Megjithatë brenda kornizave të njërës nga këto lloje letrare, duhet të flasim. Nëse nuk bëhet kështu dhe nëse nuk duam ta kuptojmë kështu, ne, në këtë rast, duhet të flasim domosdoshmërish për një tekst postmodern që kapërthen në vete disa zhanresh letrare: prozën e mirëfilltë (tekstin), dramën (dialogun), reportazhin (përshkrimin) idilin (dashurinë), memorialistikën (ditarin), politikën (programet, manifestet), historinë (datat, ngjarjet dhe personazhet realë), autobiografinë (kujtimet), epistolaritetin (letrat). Pra gërshetim i të gjithave këtyre elementëve përbëjnë romanin e sotëm postmodern. Kush i njeh këto probleme letrare, IK. të jep përshtypjen se i ka munguar vetëm një vidiokamerë për të xhiruar të gjithë ngjarjen dhe bashkë me librin, lexuesit t’ia jep edhe një CD (dvd) për ta shikuar konkretisht se si ka ndodhur – ndodhija!

Postmodernizmi përcakton mirë një tekst siç e ka brenda ATENTATET e Ibrahim Kelmendit. Ai është i afërt me kulturën masive dhe pop-artin, preferon të ashtuquajturin stil subversiv dhe zbaton teknikën e artit të kombinuar me referenca të shumta historike, politike, etike, estetike, etj., dhe se në planin estetik postmodernizmi e thellon procesin e zhdukjes së kufijve mes gjinive dhe llojeve letrare, kështu që në mendimin kritik e teorik gjithnjë e më shpesh përdoret nocioni neutral tekst dhe derivatet e tij të tipit: inertekst, pretekst, metatekst, hipertekst etj. (shih te A. Vinca . Panteoni i ideve letrare, f. 223-224).

5. Cila ishte koha

Koha që paraqitet në ATENTATET e IK., është mjaft specifike. Mund të thuhet se vitet 1978-1983, janë më të përshtatshmet për thurje të subjekteve dhe njëkohësisht për përshkrimin e saj në mesin e mërgimtarëve shqiptarë në Evropën Perëndimore. Është një kohë me thyerje të mëdha. Në këtë kapërcyllë të dhjetëvjetëshit, ndodhin ngjarjet më të madhe historike të popullit shqiptar në Kosovë, pas Luftës së Dytë Botërore – Demonstrata Gjithëpopullore historike të Kosovës të vitit 1981. Edhe ashtu mërgata shqiptare ishte e pa organizuara dhe krejt në fillimit e saja organizative. Kah të orientoheshin ata!? Kryesisht të pashkollë, gjysmanalfabetë, të ardhur nga shtresat heterogjene të shoqërisë shqiptare në ish-Jugosllavi, me një kulturë të ulët të dijeve dhe përvojave, pa familje dhe mjaft të hendikepuar; të maltretuar nga regjimi mbikëqyrjes dhe represionit të ambasadave dhe i konsullatave të ish-Jugosllavisë; duke punuar në punë të rënda dhe duke jetuar pothuajse në mjerim në mesin e Evropës industriale, vetvetiu dhe domosdo janë këto tema të madha për trajtime, qoftë në letërsi, qoftë në dramë, qoftë në dokumentarë filmikë, por edhe në analiza, libra e statistika sociopsikologjike. Vetëm demonstratat e vitit 1981, hapën rrugën dhe filloi artikulimi i kërkesave, ambicieve, synimeve dhe perspektivës së tyre për ta realizuar, lirinë e tyre, lirinë e Kosovës dhe viseve të saj në ish-federatën jugosllave. 

Anarkia e organizimit dhe e drejtimeve politike ka qenë e hetueshme që nga viti 1975, kur kanë filluar të shkojnë në Gjermani dhe Zvicër, mërgimtarët shqiptarë nga Kosova dhe nga Maqedonia.Veçanërit në disa shtete dhe në SHBA, emigracioni i ri nga Kosova dhe viset e saj, hasi pothuajse në kundërshtim të plotë me emigracionin e vjetër që kryesisht kishte ardhur nga Shqipëria. Praktikisht organizimet e ndryshme, që përshkruhen në ATENTATET janë reale dhe kanë ndodhur me të vërtetë, kronologjikisht e historikisht. Gjithashtu edhe bartësit e atyre organizimeve, pjesa më e madhe e të cilëve, sot janë gjallë. Këto organizime nuk janë goditur nga ish-Jugosllavia, deri sa ka dalë organizimi që bënë IK., me Frontin e Kuq Popullor dhe sidomos me gazetën e përkohshme “Bashkimi”. Goditjet janë shpeshtuar, të dirigjuara nga Beogradi, kundër emigracionit politik dhe ekonomik shqiptar në Evropën Perëndimore, vetëm atëherë kur janë parë se shqiptarët me orientime politike të qarta kombëtare, janë drejtpërdrejt kundër Beogradit pushtues e sundues të Kosovës, e veçanërisht pas vitit 1981. Dhe dihet. Ato goditje kulmuan me atentatin politik kundër Jusuf e Bardosh Gërvallës, Kadri Zekës dhe Ibrahim Kelmendit. Them edhe të IK., sepse mosvrasja e tij ka qenë vetëm një rastësi! Një rastësi dhe asgjë më shumë! Ashtu siç u përpoqa ta zbërthej më lartë: rrethanat e ruajtën për të dëshmuar sot historikisht për kohën, rrethanat dhe atentatet kundër bijve të Kosovës, kundër lirisë së Kosovës në këtë periudhë, e cila po dëshmohet se ka qenë e një rëndësie vendimtare për fazën e re të luftës për çlirim.

Marrja me tema të mëdha politike, qoftë edhe duke i përshkruar ato në formën e kujtimeve, dokumentaritetit dhe formës autobiografike si dhe sajimi për herë të parë i tyre në gjinin e prozës, nga I. Kelmendi, është një kamuflim për të shfaqur e depërtuar idetë, veprimet, dhe veçanërisht sqarimet për një kohe të caktuar historike. Kjo është bërë me qëllim dhe është krejt e lejueshme edhe në shkrimtarinë e sotme.

Në një mënyrë ose tjetër të jepet ideja se sikur në këtë vepër të Ibrahim Kelmendit është trajtuar i gjithë emigracioni në Evropë në mënyrë horizontale dhe vertikale deri në ditët e sotme. Jo njëherë e kam dëgjuar këtë koncept, i cili po shkallëzohet dhe po e merr trajtën e një gabimi, qoftë i paqëllimshëm, qoftë i qëllimshëm.

Romani përfshin dhe përmbledhë vetëm një kohë të caktuar, me personazhe të caktuar, me hapësirë të caktuar: nga viti 1978 e deri në verën e vitit 1984, pra gjashtë vjet. Madje edhe autori e shënon gabim këtë periudhë. Ai thotë se ngjarjet janë të viteve 1979-1982, gjë që në bazën e materies që sjellë në ATENTATET, ngjarjet ndodhin brenda viteve 1978-verë 1984. (Kujto ngjarjet që tregohen në retrospektivë para 1979-tës si dhe ngjarjet që tregohen pas atentateve deri në fillim të vitit 1984.)

Periudhat 1984-1990, 1991-1997 të Lëvizjes Ilegale të Kosovës jashtë vendit, (veçanërisht LRSSHJ-LPRK-LPK dhe OMLK-djv.,) janë dy periudha politike që kanë krejtësisht karakteristika të tjera ani se janë pasardhëse të periudhës 1978-verë1984. Ato periudha kanë intensitete të tjera, organizime të tjera, përvoja dhe kahe krejtësisht të qarta, me programe dhe statute të definuara, natyrisht edhe me probleme dhe specifika të veçanta të atyre problemeve, me kuadro të larta, të profilizuara e të specializuara, me organizime të qëndrueshme dhe kontinuitive, me lidhje të rregullta brenda-jashtë dhe anasjelltas, e deri te themelimi, po nga këta militantë, e organizatorë, politikanë e strategë luftarakë të këtyre organizatave - i Ushtria Çlirimtare e Kosovës.

Prandaj kur flitet për ATENTATET e autorit IK., domosdo duhet të sqarohet dhe theksohet periudha kohore e organizimit dhe veprimeve të mërgatës ekonomike dhe politike në periudhë të caktuar 1978- verë 1984, që mos të manipulohet me hapësirën dhe kohën ku janë vendosur ngjarjet historike, dokumentare e autobiografike në këtë vepër.

6. Cilët janë personazhet

Personazhet e veprës së IK., mund t’i ndajmë në katër grupime. Me që janë të gjithë personazhe historikë, pra që i përkasin një kohe dhe epoke të caktuar, disa prej tyre janë edhe të kamufluar me një shtresë të hollë konspiracioni të përkohshëm.

Grupi i parë i personazheve janë ata që u vranë. Por ata u vranë jo të gjithë për të njëjtat motive dhe arsye. Vëllezërit Gërvalla dhe Kadri Zeka  janë emrat historik që e vulosin gjithë hapësirën e kohës në ATENTATET, e mbi të cilët ranë plumbat për të bërë katrahurën e madhe mbi ta, mbi familjet e tyre, dhe para së gjithash, për të bërë plojën e madhe mbi Lëvizjen Ilegale e gjysmëilegale të Kosovës brenda e jashtë Kosove.

Të tjerët (që dalin jashtë këtij grupi) e që vriten si V. Ibrahimi etj., nga motive e mistere të pasqaruara ende, janë personazhe me bagazhe jetësore të dyshimta e kontraverse.

Grupi i dytë, i militantëve të vërtetë, i naivëve militantë, diplomatëve, përkrahësve: Mirani, Vasili, Maksi, Renata, Mihaili, Hydajet Hyseni,  Ajshe Gërvalla, Marta, Kryehetuesi Majer, Engjëlli K., Simoni Ç.  Benedikt Shafer, Hakan Mali, Dritë Gërvalla, Dardana, Bulja (Saranda), Fatkeqja, Bardhec R., Zymer P., Demushi, Baca Nesim, Xhelë Kalishti, Rexhep Halimi, Shyqeri Gjeneva, Hasan Kadria, Abdullah Tahiri, Baca Avni, Baca Zymri, Muja, Sabrushi, Suliot e Vesmirë Nelaj, Murtez Kryebardhi, Ryshan B., Hajzer Lumi, Agroni, Naili, Osalan Isforti, Enis Mitrovica, Drilona, Ahmet Zherka, Diellza, Gjeto S., etj., në ATENTATET janë ata të cilët përpiqen të bëjnë diçka më shumë për Kosovën dhe lirinë popullit të vet dhe popullit shqiptar. Pjesa më e madhe e tyre na dalin të gatshëm që, kurdoherë, të sakrifikohen për Kosovën dhe lirinë e saj.

Grupi i tretë i përgojuesëve, lakmitarëve, intrigantëve, pseudopatriotëve, shantazuesëve, arrivistëve dhe problematikëve: Sabit Katunriu, Garipi, Rrahmani, Bedriu, Minush M., Nuri Syleviqi-Qerosi, Nazimi, Fahri Faleku, Xhahil Rambeja (Xhaviti), Proletari, Enver Hadri, Vehbi Ibrahimi, Musa Hoti, Hafif Gagaj, Fazit Melaj, Halim Berbati, Ahmad Sadeku, Rexhit Sahataj, Galan Azapi, Xhafar Dunkeli (Skenderi)., Xhabir Shatori (Bacaloku), Avdyl Prapashpina, Ambasadori A.B., Korrespondenti A.S.,etj., në ATENTATET, janë ata të cilët bënë ashtu siç u detyruan të bëjnë, siç patën dëshirë të bëjnë, siç nuk ditën të bëjnë, apo siç i urdhëruan të tjetër të bëjnë kundër lirisë së popullit të vet.

Grupi i katërt i spiujve, vrasësve, kriminelëve, Rezil Mejtepi, Fekir Dalena, Selim Brosha, Ermir Fatahu, Josip Karaxha, Sadi Bakaj, Adashi i Jusufit, Diplomati B.H., Mysafiri nga Bllaca e Lumbardhit, etj., në ATENTATET tipizohen si informatorët e shkëlqyeshëm, frymëzuesit, nxitësit, përpiluesit, farkuesit, urdhërdhënësit e urdhërmarrësit, shkelësit, vrasësit dhe ekzekutorët deri në krim, kundër lirisë së popullit shqiptar, kundër Kosovës.

7. Autori -  Personazhi

Shpesh flitet se personazhi është edhe romani, vepra e tij. Ose anasjelltas: romani është personazh dhe lexuesi e ndjekë atë nëpër tekstin e tij.  Ky është edhe një debat në teorinë e letërsisë. Ka roman personazhi. Ka dramë personazhi. Pra ka edhe monodramë.

Te ATENTATET, na del Mirani personazhi kryesor. Ai është unik dhe i gjithkundshëm. Pa te dhe veprimin e tij, nuk lëviz as teksti në këtë libër. Ai është i gjallë, por edhe i vdekur. Ai fletë, diskuton, qeshë, feston, dashuron, qanë... Ndoshta është njëri ndër personazhet më të tejdukshëm në letërsinë shqipe të njëzet viteve të fundit. Kur një libër ka brenda vetes autorin si personazh, aq më shumë ky libër është autobiografik dhe postmodern, figura e tij bëhet më popullore, e din të gjithë lexuesit se kush është në mënyrë konkrete. Ata nuk kërkojnë shëmbëllim, sepse ai është unik. Nuk ka si të tjerë. Ai është pranë tyre dhe me ta.

Kjo është përparësia e autorit personazh dhe e personazhit autor te romani postmodern ATENTATET, te romani autobiografik i Ibrahim Kelmendit, sepse Mirani është vet ai.                     

8. Jehona – Mbyllja - Hapja

Jehona e ATENTATEVE është e pritur. Ajo është e fuqishme dhe e arsyeshme. Rrëfimi i tekstit është dramatik. Sepse historia është vetë drama e jetës. E gjithë materja realizohet me një dialog të shkathët, por që duhej përpunuar edhe pak, për t’u ngritur në nivelin e pranueshëm letrar, të shijes letrare dhe vlerës artistike. Pra, tendenca që të mbetet teksti sa më afër tekstit të historisë, ka rrezikuar drejtpërdrejt tekstin letrar dhe vlerën e tij. Në këtë rast dialogun letrar dialogun artistik. Duke munguar përshkrimet gjatë dialogjeve, ta zëmë të sjelljes së një personazhi, shprehja e fytyrës apo anët psikologjike e botës së brendshme, shpesh faqe të tëra tekstesh na dalin si një procesverbal i mbledhjeve të celulave organizative. Kjo e ka dëmtuar në një masë leximin dhe përjetimin normal, për sot, por për jetëgjatësi dhe rilexime, vështirë që mund të mbajnë peshën e kohës.

Është e kuptueshme se jehona ishte e fuqishme sepse atentatet mbi Jusufin, Kadriun, Bardhoshin dhe Ibrahimin, ishin të fuqishme. Madje jehona e atentatit ishte shumë më e madhe pas likuidimit fizik të tre prej tyre. Plojën e vetë të vërtetë, atentatet e kanë bërë duke u shndërruar e shumëzuar në grindje, përçarje, fyerje dhe hutim të plotë në mesin e mërgimtarëve, të cilët edhe ashtu kishin organizim të dobët e fillestar. Ndërsa liderin organizativ dhe politik, Ibrahim Kelmendin i cili për fatin e tyre të mirë u shpëtoi plumbave, në vend se ta marrin dhe ta vendosin në vendin ku e kishte dhe të shkonin pas tij, ata e morën nëpër këmbë, e fyen, e degraduan, e mohuan dhe dëmi ishte i pakrahasueshëm, dhe, për një kohë të gjatë i pariparueshëm.

Jehona e ATENTATEVE sot, pikërisht edhe për këtë është e madhe. Sepse tash shihet krejt qartë se sa i madh është bërë gabimi, veçanërisht PAS ANTENTATIT. Befasi të madhe shprehin edhe të tjerët për ato që kanë ndodhur në mesin e atyre organizimeve të tilla siç ishin, dhe me ata njerëz-personazhe realë që kanë vepruar për dhe kundër Kosovës.

Mbi të gjitha kjo është JEHONA e mirë, e bukur, e thellë e librit të mirë, që të jep diçka me tekstin e vet, që të jep një të vërtetë të një kohe dhe të atyre njerëzve.

Dhe, këtë, mund ta quaj kohë të mirë të librit dhe të vërtetës në kohë të mira që po vijnë për Kosovën dhe librin e saj, tekstin e saj, të vërtetën e saj.

Pavarësisht kësaj, nuk duhet të harrojmë se romani krijohet nga autori, ndërsa historia shkruhet nga historianët dhe nga ata që përjetojnë në formën e memoareve apo e rrëfejnë në formën e autobiografisë apo kujtimeve. Prandaj ta theksojmë edhe një herë librin, këtu prozën e gjatë si roman apo si histori. Dhe, këtu, patjetër, funksionon fantazia e besueshmërisë te lexuesit tashmë të shumtë të këtij autori. Sepse, pëlqehet më tepër historia si e besueshme, ndërsa refuzohet romani si i shpikur, i krijuar si letërsi autoriale. (shih edhe te S.Hamiti.Tematologjia f.73).

Mbyllja e një lënde, e një teksti, mund të ndodh. Po. Edhe në ATENTATE T të Ibrahim Kelmendit ka ndodhur një mbyllje. Por kjo nuk është mbyllje e qëllimtë. Kjo është krejtësisht teksture, tregimtare. Autori ka përfunduar, ka mbyllur një rrëfim, një dëshmi. E kjo dëshmi e ka rënduar për një çerek shekulli. Nuk është pak. Në shpirtin e autorit ka gërryer koha si thartira një enë që nuk zbrazet. Teksti, rrëfimi, dëshmia më në fund shkrimi është një pastrim (katarsis) që me këtë roman ka ndodhë dhe është çliruar e vërteta e autorit dhe është çliruar vet ai. Ai ka mbyllur një cikël dialogësh, monologësh, një varg vajesh dhe një varg plumbash që kanë marrë jetërat e shokëve dhe bashkëluftëtarëve të tij. Natyrisht bashkë me të gjitha këto është rrumbullakësuar me një rrëfim të veçantë, me një tekst të veçantë, një kohë dhe periudhë e veçantë, krejt natyrshëm.

Hapja bëhet e natyrshme pas përfundimit e mbylljes së natyrshme. Ibrahim Kelmendi ka fituar përvojë me ATENTATET dhe ka marrë më shumë guxim nga lexuesi i tij si dhe jehona e mirë, shumë e mirë, e librit. Ai tashmë mund të përballoj edhe shkrimin e teksteve të tjera letrare, artistike, dokumentare a historike edhe me nivele më të larta. Mjafton që tash ka bërë një përmbyllje të qëlluar në veprën e tij të parë të këtij lloji, në kuptimin e ideve dhe ecurisë së tyre deri në një jehonë, deri në një mbyllje dhe deri në një hapje.

Tash, Ibrahim Kelmendi nuk e ka aspak të vështirë të bëjë një hapje të re për të depërtuar edhe më thellë në perandorinë e shkrimit edhe të shkrimtarisë.

Kthehu ne fillim

----------------------------------

Intervistë me Ibrahim Kelmendin – Republika, nr.5/2007



BALLAFAQIMI ME TË KALUARËN E HIDHUR TË KOSOVËS TË TREMBË PËRHERË

 

Intervistoi: Salih KABASHI, Botues i revistës Republika

_____________________________________ 

Ibrahim Kelmendi është personalitet i njohur politik dhe publicistik i Diasporës shqiptare në Evropë. Një ndër njohësit më të mirë të saj, një kohë të gjatë bashkëpjesëmarrës dhe bashkënismëtar i lëvizjeve kombëtare jashtë vendit, ai muaj më parë ka bërë një bum të vërtetë mediatik me librin më të ri të tij me titull “Atentatet”, ku me një stil të rrallë dhe modern prej rrëfimtari të saktë, ka shpëluar anët e errëta e të shumëpërfolura të aktiviteteve klandestine dhe figurave të njohura e më pak të njohura në emigracionin e ri shqiptar të Kosovës, dhe jo vetëm të atij. Duke qenë se libri “Atentatet” është një arenë e gjerë ku zbulohen e demaskohen prapaskena të ngjarjeve të ndryshme brenda gjirit të mërgatës sonë, duke qenë se në atë arenë defilojnë rezilë e katilë përballë një mase shqiptarësh të vuajtur dhe të djegur për Atdhe, duke qenë se në librin e tij e shohim cipërcullak të zhveshur edhe UDB-në gjakatare, edhe mjeranët shqiptarë, të cilët pa ia ditur mirë hallin vetit, ishin futur atje ku e kanë vendin vetëm të mençurit, të ndershmit dhe trimat, duke parë, në fund, se me librin “Atenta­tet”, pothuajse është hequr misteri i atentatit më të bujshëm të UDB-së mbi tre shqiptarë të mëdhenj, duke e nxjerrë në kokër ledine vetë vrasësin, ne, autorit të librit, z. Ibrahim Kelmendi, i jemi drejtuar për një intervistë. Ai pas pyetjeve tona ka bërë shëtitjen e tij nëpër një kohë të vrullshme, duke evokuar dhe duke dëshmuar për një pjesë të historisë, në të cilën ai padyshim e ka vendin e tij të merituar, tepër interesant dhe gjithsesi të dhimbshëm.



Ballina e librit "ATENTATET"

Republika: Libri yt “Atentatet” ka zgjuar interesim të madh ndër lexues. Me të ke gëzuar dhe ke hidhëruar njerëz. Këtë e kam parë si diçka normale. Por, duke biseduar rreth librit tënd kam vënë re se disa edhe janë trembur! Si e shpjegon këtë të fundit?

KELMENDI: E logjikshme se do të tremben. Nuk është i lehtë ballafaqimi me të kaluarën, sidomos për ata që dëshirojnë të real ektojnë. Edhe vetë jam trembur pasi e kam lexuar romanin, por tashmë si lexues. Sa herë i kam shtruar vetes pyetjet: Është dashur Mirani dhe bashkëveprimtarët e tij t’ia vështirësojnë e t’ia ngatërrojnë aq shumë vetes jetën e tyre, gjegjësisht veprimtarinë e tyre? A mos kanë mundur të zgjedhin një rrugëtim më të thjeshtë dhe më të suksesshëm? Përse është dashur t’i bëjnë aq shumë hile njëri-tjetrit? Përse të angazhuarit e UDB-së dhe të strukturave të ngjashme nuk kanë respektuar ligjet përkatëse të kohës, për të mos sharruar deri në krime të rënda e antiligjore, rrjedhimisht përse janë angazhuar deri në kriminalitet ekstrem – atentat ndaj personaliteteve kaq njerëzore, siç ishin Jusufi, Kadriu e Bardhi? Përse veprimtarët patriotë nuk kanë qenë më të ngritur, për të gjetur forma më demokratike të organizimit? Përse panevojshëm i kanë ngatërruar konceptet ideo-politike, kur,

parë nga pozicionimi i tanishëm, duket se duhet ta kenë pasur më të lehtë t’ia qëllojnë, se si mund të bëhej më lehtë dhe më mirë ajo veprimtari patriotike, sesa si kanë menduar e vepruar? Më këso pyetjesh mund të vazhdohet edhe më. Duke iu përgjigjur pyetjeve të tilla, secili personazh i romanit do të duhej të ndjehej i ndruajtur, për të mos thënë i trembur, siç jeni shprehur ju. Po vjen koha e llogaridhënies për secilin personazh që ndjehet i ndruajtur dhe i frikësuar, para vetes dhe para të tjerëve; ai që ka bërë krime të japë llogari për krime, ai që ka bërë gabime, të japë llogari për gabime, madje edhe ndonjëri të ndjehet i penduar, përse nuk ka menduar e vepruar më mirë e më shumë. Sigurisht, edhe Mirani duhet të ndjehet i ndruajtur: Ka marrë përsipër barrë të rëndë, pa qenë i parapërgatitur, gjegjësisht pa qenë i zoti, për t’i dalë zot si duhet e sa duhet.

Republika: Kjo kohë e PASLIBRIT, le ta quaj kështu, çfarë përmbushje (kënaqësie) të ka sjellë?

KELMENDI: Thënë të drejtën, ndjehem sikur kam bërë një si katarsis (çlirim të shpirtit), pasi kam qenë i mbingarkuar me barrë të rëndë, kurse tani sikur po ndjehem i shkarkuar.

Asgjë më të bukur e më të ëmbël s’ka sesa e vërteta

Republika: Në librin tënd ka lloj-lloj personazhesh, disa prej të cilëve, pavarësisht kamuflazhit të hollë që u ke bërë, disa nga ne nuk e kemi aq vështirë t’i identifikojmë. Ndërkohë që edhe më lehtë do ta kenë që aty ta gjejnë veten ata që të mbuluar e gjysmëmbuluar shfaqen gjatë rrëfi mit tënd artistik-memoaristik. Cilat janë reagimet e tyre, pasi që, supozoj, nuk do ta kenë lehtë gjatë asaj cope jetë që atyre u ka mbetur?

KELMENDI: Edhe Miranit mund t’i vijë keq për shumë (mos)angazhime të tij, edhe atij i duhet të merret me të kaluarën në pjesën e jetës që i ka mbetur, që do të thotë, edhe Mirani do të më japë llogari mua. Po kështu, edhe personazhet tjera do duhej të ballafaqoheshin me veprimtarinë e tyre. Uroj që t’u ketë mbetur njerëzi e mjaftueshme, që ta përpunojnë njerëzishëm të kaluarën e tyre. Edhe për Rezilin ndjej keqardhje, pasi edhe ai nuk do të ishte i tillë, sikur të mos jetonte në atë hapësirë e kohë, gjegjësisht në ato rrethana. Sigurisht, sikur Kosova të mos kishte qenë e robëruar, sikur të mos kishin qenë ato struktura e mekanizma, që i krijon çdo pushtues, edhe ai do të mund të ishte njeri pa këto gjynahe që i mvishen në roman. Sa njerëzore do të kishte qenë, sikur ai vetë ta tregonte publikisht gjithë të vërtetën. Atëherë unë do të kisha treguar mëshirë njerëzore për të, duke u nisur nga fakti, se kolektiviteti ynë (kombi ynë), nuk ka qenë në gjendje ta rrethojë secilin pjesëtar të tij, që të mos rrëshqasë në krime, siç mendoj se ka rrëshqitur Rezili. Sa u përket reagimeve të personazheve, deri tani kam pasur vetëm reagime pozitive. Në përurim të librit ishte i pranishëm edhe Vasili, me të cilin u përqafuam shumë përmallshëm, pasi nuk ishim parë prej kohësh. Letër më ka dërguar edhe bashkëshortja e Kadriut. Me lejen e saj po sjell një pjesë të letrës: “Ka kohë (vite) që nuk jemi parë, por ja që bota është e vogël dhe për të gjallët krijohen mundësi në çaste të caktuara kontakti. Në këtë rast kontakti elektronik. Këtë e bëj, pas leximit të veprës tënde historike ‘Atentatet’, për të cilën të përgëzoj nga zemra! Edhe njëherë urime! Me të dalë nga shtypi e lexova me një frymë. Pasi jam njëra ndër protagonistet e asaj ngjarjeje makabre që bëri UDB-ja me vrasjen e tre bijve (udhëheqësve të denjë) të Kosovës dhe në disa rrethana kam qenë edhe pjesëmarrëse e drejtpërdrejtë në ato ndodhi para dhe pas vrasjes, nuk u durova pa të shkruar, për të përgëzuar. Të them të drejtën, u ktheva prapa 25 vjet, duke kujtuar e përmalluar dhe plot emocione atë kohë sa të bujshme, aq edhe të dhimbshme, ku ti me spikamë ke paraqitur çdo personazh. Për ato rrethana, ku pjesëmarrëse kam qenë edhe vetë. Vërtet secilin personazh e ke paraqitur të tillë siç pata mundësi t’i njihja edhe vetë. Kjo më bën të besoj se edhe ata të cilët nuk pata mundësi t’i njihja, i ke paraqitur tamam ashtu siç ishin në realitet, të lidhur me UDBnë jugosllave, për të shkatërruar Lëvizjen...”



Ibrahim Kelmendi

Po i mirëpres edhe reagimet kundërshtuese, sulmuese e fyese, edhe për faktin se tani jetojmë në rrethana të çliruara dhe mund të diskutojmë, të debatojmë e të përplasemi publikisht e demokratikisht, rrethana këto që fatkeqësisht nuk i kishim kur na kanë ndodhur gjithë ato përplasje, hile e tragjedi, por edhe suksese, meqë, megjithatë, ia dolëm të formojmë organizatën për të cilën ishim angazhuar dhe kishim vendosur bashkë: Jusufi , Kadriu, Bardhoshi dhe unë.

Gjykimin real do ta bëjë brezi tjetër, pasi ai do jetë i liruar nga subjektivizmi ynë

Republika: Jo vetëm gjatë leximit të veprës, por edhe tashti kam menduar se ti mund të kesh provokuar ortekun me rrëfi min tënd të guximshëm. A mendon se në të ardhshmen mund të kemi edhe nga të tjerë libra të ngjashme mbi veprimtaritë në emigracion?

KELMENDI: Sigurisht. Sa për sqarim, kam botime të gatshme, por nuk i kam botuar, për disa arsye. Arsyeja më kryesorja ka qenë distanca e pamjaftueshme kohore, si në rastin e ngjarjeve që trajtohen në roman. Pata filluar me përgatitje të librave, në të cilët do të trajtoheshin (në pikëpamje publicistike), në mënyrë sa më të kompletuar, gjithë veprimtaria patriotike e emigracionit.

Kur z. Shaban Sinani i bëri recensionin librit për emigracionin e Belgjikës, më pati këshilluar që ta shtyj për më vonë botimin e atij libri. Pra, bëhet fjalë për librin, të cilit i është bërë edhe korrektura gjuhësore dhe është bërë faqosja dhe ai po pret i faqosur (në boca) kohën kur duhet të botohet. Po vetëkuptohet, po pret edhe mundësitë financiare për ta realizuar botimin. Në fazë të përgatitjes janë për secilin shtet të paktën nga një libër dhe të tjerë.

Shpresoj se edhe të tjerët do merren me këtë tematikë, secili nga këndvështrimi i tij, për të kompletuar gjithë tablonë, pasi të paktën një e treta e shqiptarëve janë emigrantë dhe ata kanë dhënë kontribut të gjithanshëm, i cili nuk do të duhej të injorohej. Kurse gjykimin real do ta bëjë brezi tjetër, pasi ai do jetë i liruar nga subjektivizmi ynë. Atij brezi do t’ia lehtësojmë punën vlerësuese, nëse i përgatisim sa më shumë informacion dhe analiza, qofshin këto edhe subjektive.

Arkivi më i saktë është vetë populli

Republika: Një ditë do të hapen dosjet, ku secili do të ketë mundësi, si në Slloveni, bie fjala, që të ketë qasje në dosjen që ka mundur ta ketë mbajtur për të Shërbimi i Sigurimit të Shtetit, apo ndryshe policia politike komuniste e njohur si UDB. Kur kihet parasysh se dosje të tilla janë bartur në Beograd, a mund të imagjinosh rrëmujën që do të shkaktonte kthimi i tyre në Kosovë dhe hapja e tyre për publikun?

KELMENDI: Nëse Beogradi nuk do të demokratizohet, atëherë duhet pritur se dosjet do të manipulohen e do të sajohen, varësisht nga nevojat politike ditore, për t’i shërbyer politikës se tyre nacionaliste. E vetmja mundësi për t’ju kundërvënë spekulimeve hileqare është trajtimi i tyre nga ekspertët. Zhvillimi i shkencës ka shkuar deri atje, sa të konstatojë saktësisht se kur është përpiluar një shkresë, gjegjësisht një dosje. Prandaj dhe duhet të shfaqim rezerva, kur ata do t’i servirin. Kurse arkivi më i saktë është vetë populli, pasi secilit individ ai ia di veprimtarinë konkrete, që do thotë se rrethi ku jam angazhuar unë e di se cili kam qenë dhe çfarë kam bërë. Disa kujdestarë janë interesuar më herët ta bombardojnë opinionin me dezinformata, por në fund të fundit, mua asnjë dezinformatë nuk do të më irriton për atë që e kam njohur personalisht.

Republika: Njëri nga personazhet e tua, në Rambuje, gjatë mbajtjes së Konferencës, me pretendimin e njohësit të historisë, për të mos thënë se propagandonte, tregonte me shembuj se ne si komb mund të kemi perspektiva vetëm nën farë perandorish. Tregonte për perandorët bizantinë e romakë me origjinë ilire-shqiptare, për pashallarë turq po ashtu të rrënjëve tona kombëtare dhe vinte te kulmi: arritja mu në krye të shtetit jugosllav të shqiptarëve nga Kosova si kuadro federative. Përfundimin nuk e kishe vështirë ta nxirrje: të rrinim ende me Serbinë sepse aty, donte të linte të kuptohej, mund të shkëlqejmë më mirë si komb!!!

KELMENDI: Ai ka shpërdoruar të drejtën e lirisë së të shprehurit të mendimit, edhe pse spekulimi dhe falsifikimi, ose pozicionimi kundër lirisë së kombit tënd, nuk mund të arsyetohen me liri të mendimit.

LPK-ja në Bruksel nuk e pranoi në gjirin e saj Enver Hadrin

Republika: Edhe në librat edhe në intervistat është vënë re një guxim i mirëfilltë që t’i çmitizosh disa fi gura të emigracionit, të cilat tanimë kanë dhe lapidarë dhe një literaturë të tërë himnizuese për ta. Me pak fjalë, edhe një herë: Kush ishte Enver Hadri?

KELMENDI: Nuk di të ketë bërë ndokush lapidar për Enver Hadrin, i cili edhe do të mund ta kishte merituar para Vebi Ibrahimit (të cilit i është ngritur një në fshatin Uglar të Gjilanit dhe shkollës aty i është vënë emri i tij). Nga këndvështrimi im, i ndjeri Enver Hadri ka qenë personalitet i dyzuar, tepër kundërthënës. Nuk më kanë penguar (dez)informatat e përfoljet se ai u shërben njëkohësisht Sigurimit shqiptar dhe UDB-së jugosllave. Unë kam qenë i prirë të vlerësoj kontributin e përditshëm të secilit.

Ta zëmë, kur Sekretari i parë i ambasadës jugosllave në Bon, z. Shefqet Hashani, na përkrahte gjatë formimit të Klubit shqiptar në Düsseldorf (Dyseldorf), ne e mirëpritnim, edhe pse ai ishte një krye-udbash zyrtar, ndërsa na hidhëronte kundërvënia e korrespondentit të atëhershëm të gazetës “Rilindja”.

Të kthehem edhe një herë te Enver Hadri. Gjatë viteve të fundit Lëvizja ka bashkëpunuar me të, por duke e mbajtur në distancë, pra i jepnim të dhëna për gjendjen në Kosovë që ai t’i plasonte dhe kaq. Lutjes së tij për ta pranuar në Lëvizje nuk i përgjigjeshim, sepse anëtarët e Lëvizjes në Bruksel nuk e pranonin.

Në fund gjykuam se ai e pagoi me jetë vendimin e guximin e vonuar për të dalë nga tutela e UDB-së, prandaj u angazhuam t’ia bëjmë një varrim pompoz kur atë e vranë kriminelët serbë. Kurse mitizimi, se ishte intelektual, bënte shumë veprimtari patriotike, kishte lidhje të mira me strukturat politike në Bruksel e Strasburg, është vetëm mitizim, i prodhuar dhe i fryrë kryesisht nga padronët e tij në fillim dhe më vonë nga ata që dëshiruan të përfitonin individualisht nga vrasja e tij. Sigurisht edhe nga të painformuarit. Po më lejuat, do t’i bëja një lloj vlerësimi matematikor angazhimit të tij. Guximi dhe vendimi i tij për të dalë nga tutela e shërbimeve inteligjente jugosllave, përfitimi politik nga vrasja dhe gjatë varrimit të tij (nëse mund të shprehem kaq teknikisht), i kompensojnë me mbi 50 për qind dëmet e tij të viteve të 80-a. Prandaj unë do ta klasifikoja më shumë pozitiv sesa negativ.

Republika: Po Vehbi Ibrahimi?

KELMENDI: Për këtë njeri, si edhe për të ndjerin Musa Hoti, në rivarrimet e të cilëve qe angazhuar edhe TMK-ja, nuk diskutoj me dëshirë, pasi në hapësirë e kohë i kam urryer për veprimtari të tyre të dendura kriminale. Vetëm kur do të më ofrohen argumente të tjera për kundër, që unë nuk i kam ditur, do të ndërroja qëndrim dhe t’u kërkoja falje publike.

Republika: Një pyetje tjetër: A ka pasur dhe sa mund ta ketë pasur UDB-ja në dorën e saj politikën kadrovike në lëvizjet atdhetare të emigracionit?

KELMENDI: Përgjigjja e saktë do të dalë kur do të hapen arkivat, por parë nga distanca e sotme, duke analizuar veprimtarinë e disa veprimtarëve, them se UDB-ja mund t’i ketë futur hundët në radhët patriotike të mërgatës, më shumë sesa dëshirojmë të dyshojmë. Sigurisht, do kishim bërë më shumë, sikur të kishim qenë në gjendje të minimizonim dobësitë tona, për të përballuar luftën speciale që na bënte UDB-ja, sidomos luftën që e bënte përmes të ashtuquajturit organizim të legalizuar pluralist gjatë viteve të 90-ta.

Republika: Doni të thoni se LDK-ja e Diasporës kishte brenda njerëz të UDB-së?

KELMENDI: Në trendin (euforinë), për mendimin tim të inskenuar në Beograd, pothuajse gjithë pjesëtarët (informatorët) e UDB-së dorëzuan librezat partiake të Lidhjes së Komunistëve të Kosovës dhe u anëtarësuan në LDK-në (popullore). E njëjta eufori ndodhi edhe në Perëndim.

Sa për informim, Programin, Statutin dhe fletë-anëtarësimin në LDK i kam shtypur e shumëzuar për herë të parë unë (të përpunuar mirë grafikisht) dhe kam angazhuar që të shpërndahen në demonstratë të LPK-së në Bon në fillim të vitit 1990. Gjykoja se duhej të ndihmohej që të organizohej edhe në Perëndim, për të angazhuar bashkatdhetarët që frikësoheshin të angazhohen në LPK. Pata vepruar kështu, edhe pse kisha dyshime se riorganizimet në Kosovë nuk ishin autentike. Ai riorganizim po ndodhte në kohën kur Lidhja e Komunistëve të Kosovës, Lidhja Socialiste, Lidhja e grave, Lidhja e Rinisë, etj., deri diku i kishin dalë nga kontrolli pushtetit të centralizuar monist në Beograd. Tani, po themelohej një LDK, që duhej të përfshinte gjithë popullin dhe në mënyrë të centralizuar, të kanalizuar dhe të kontrolluar duhej të menaxhohej revolta popullore e vitin 1989. Dhe fatkeqësisht ajo ndodhi. Revolta e rrebelimi aktiv i vitit 1989 u futën në arkivolin që mbante mbishkrimin LDK.

Megjithatë, po ndihmoja LDK-në që të shtrihej edhe në Perëndim, edhe pse Programi i saj binte ndesh me këmbënguljet e deputetëve të Kosovës në Kuvendin federativ, të cilët po mundoheshin të mbronin diskualifikimin juridik e politik të Konferencës së Bujanit, të cilin e kërkonin deputet serb, në kohën kur Programi i LDK-së ishte pozicionuar kundër vendimeve të Konferencës se Bujanit, etj.

Shkurt e shqip, në LDK nuk ishin infiltruar njerëz të UDB-së, por ata ishin ndër bashkëthemeluesit kryesorë të saj dhe ata ia përcaktonin kahen ideo-politike e organizative.

Sa herë bashkëveprimtarët më kishin informuar, se e kishin parë UDB-ashin famëkeq, Selim Brosha, të vizitonte Kryetarin e LDK-së në Gjermani, z. Hafi z Gagica, në zyrat e kësaj Lidhjeje në Shtutgart. Dhe kjo nuk ndodhte fshehurazi, por me një soj fodullëku, për të dëshmuar për rrethanat e kthesat e reja që po ndodhnin në Kosovë e jashtë.

Në fillim UDB-ja shfrytëzonte edhe dobësitë e paaftësitë tona organizative

Republika: Ç’ishte ajo punë: Iknin nga burgjet, apo thjesht vinin në Gjermani a Zvicër dhe hop! bëheshin liderë të organizatave me emërtime patriotikeçlirimtare!

KELMENDI: Në fillim nuk kishim të dhëna dhe mundësi për t’u mbrojtur nga të tillët, sepse UDB-ja, nëpërmjet atentateve, na e kishte zënë hapin. Pastaj, ata i shfrytëzonin edhe dobësitë e paaftësitë tona organizative, fillestare. Më vonë kaluam në ekstrem tjetër. Vinin nga Kosova kuadro të sprovuar patriotikisht, na afroheshin, ne (disa drejtues të Lëvizjes) i denigronim ata duke i detyruar të bëhen anëtarë të thjeshtë në bazë, siç shpreheshim atëherë, ose nuk i afronim fare, nëse ata ishin më të kualifikuar intelektualisht.

Republika: Në emigracion, pos punëve të mëdha në dobi të Kosovës, ka pasur me shumicë intrigë. Ka pasur edhe përcjellje të njerëzve të thjeshtë dhe të dëlirë duke shpifur për ta se gjoja nga një kabinë telefonike në Zürich, Düseldorf a Gjenevë ishin dëgjuar të përmendin emra të ndryshëm që intriguesit i lidhnin me personazhe konkrete në hierarkinë e policisë sekrete jugosllave. Ju udhëheqja, bie fjala e LPK-së, e keni toleruar një gjë të tillë, madje e keni praktikuar. Kështu punëtorët sezonalë shantazhoheshin jo vetëm nga UDB-ja e Jugosllavisë por edhe nga njëfarë maniri udbesk përbrenda lëvizjeve të emigracionit...

KELMENDI: Sindromi i frikës ishte gjithandej, pasi UDB-së i kishte dale nami si e gjithëpranishme. Në fakt ai ka qenë shërbim i fuqishëm dhe për këtë të bindin shumë edhe vrasjet e pasluftës në Kosovë, pavarësisht pranisë së forcave ndërkombëtare dhe shumë shërbimeve inteligjente. Raste konkrete, që aludoni ju, nuk po më kujtohen.

Qysh në vitin 1978 UDBja e kishte filluar atë fushatë dhe donte ta

shpërbënte veprimtarinë tonë të organizuar

Republika: Mund të them, për aq sa mbaj mend, se një ndër figurat më të përfolura, në përmasat e saj shpeshherë negative e diskredituese jashtë çdo logjike, ke qenë ti vetë. Ku ndizej e kush e ndizte atë zjarr aq të madh të dyshimeve?

KELMENDI: Besoj, përgjigjen e dini vetë. Por, meqë po kërkoni të përgjigjem unë, atëherë ajo fushatë ishte e koordinuar nga UDBja. Qysh në vitin 1978 ajo e kishte filluar atë fushatë dhe e kishte intensifikuar në prag dhe sidomos pas atentateve, pasi qëllimi ishte që të shpërbëjë veprimtarinë tonë të organizuar, meqë duhet të ketë parashikuar se do kishte ndikim të madh, po u lejua të konsolidohej e të rritej. Koha dëshmoi se ne e përballuam atë dhe bëmë maksimumin e mundshëm. Sigurisht, do kishim bërë më shumë, sikur të kishim qenë në gjendje të minimizonim dobësitë tona, për të përballuar luftën speciale që na bënte UDB-ja, sidomos luftën që e bënte nëpërmjet të ashtuquajturit organizim të legalizuar pluralist gjatë viteve të 90-a, si e thash edhe më heret.

Evropa ka qenë mirë e informuar për gjendjen dhe padrejtësitë në Kosovë,

por i ka munguar vullneti i mirë për të mbajtur qëndrim të drejtë

Republika: Edhe në librin tënd edhe në intervistat, ke vlerësuar si më të ngritur emigracionin në Zvicër në raport me atë të Gjermanisë, ndërkohë që pothuajse nuk i ke lënë farë peshe atij në Belgjikë. Pse?

KELMENDI: Kjo mbase ka ndodhur edhe për shkak të madhësisë numerike të imigrantëve në këto vende. Këto dy emigracione ishin më me ndikim në Kosovë e Maqedoni, ngase kishin lidhje më të ngushta më vendlindjen. Në Belgjikë ishte emigracion më i vogël dhe më i shkëputur, parë thjeshtë edhe në relacion të ndihmave sociale, pasi nëpërmjet këtyre ndihmave emigracioni mund të ushtronte ndikim më të madh në vendlindje.

Lëvizja po përqëndrohej për të rritur angazhimin çlirimtar në Kosovë. Disa individë në Bruksel, që angazhoheshin individualisht, mendonin se rol të madh kishte angazhimi i tyre individual në takime me personalitete politike të Brukselit, informimi i tyre nga këta individë.

Unë përfaqësoja konceptin, se ato personalitete e njihnin më mirë gjendjen në Kosovë sesa individët që përpiqeshin t’i informonin ata, pasi për atë punë ata kishin të angazhuar shërbime e struktura të shumta profesionale. Prandaj, ata nuk ia mbanin anën e Kosovës, jo pse nuk e dinin të vërtetën, por sepse nuk donin. Ata ishin të prirë të përkrahnin më të fortin – Serbinë, meqë kjo do t’u kushtonte më lirë. Mendoja se vetëm aftësimi ynë, për të përballuar e për ta provokuar sa më shumë Serbinë, do t’i detyronte ndërkombëtarët që të ndërrojnë qëndrimin. Nuk besoja në konceptin, se me lobim do ta mundim Serbinë, pasi dija se ajo ishte shumë herë më përpara, me kuadro, me lidhje e me financa. Të vetmin shans kishim gjendjen në terren. Për këto shkaqe dhe të tjerat që nuk po i përmend me këtë rast, nuk i kam dhënë peshë emigracionit të Brukselit, për çka duhet t’u kërkoj që tani falje bashkëveprimtarëve atje, që ishin të organizuar në Këshillin e LPK-së në Bruksel. Ata, brenda mundësive të tyre, kanë kontribuar shumë, por jo sa dëshironim dhe jo aq sa të kishin ndikim më të madh në atë emigracion.

Ndoshta shpjegimet në të ardhmen do të ma ndryshojnë mendimin, por jo disa propaganda të individëve, të cilët, - më fal për fjalorin, - mendojnë se sa herë kanë pordhë në Bruksel, kanë lëshuar nga një bombë atomike.

Nga përvoja personale di, personalitetet politike që kam takuar në Evropë, kanë qenë mirë të informuar për gjendjen dhe padrejtësitë në Kosovë, por u ka munguar vullneti i mirë për të mbajtur qëndrim të drejtë, pasi kishin për bazë vetëm interesat e tyre të ngushta shtetërore. Edhe sot, të tillë pushtetarë evropianë dinë se, më të fituar materialisht janë nëse përkrahin Serbinë dhe jo Kosovën, por fatmirësisht, sundimtarët e atëhershëm demokratë amerikanë (Clinton, Ollbrajt, Clark e të tjerë përkrahës të doktrinës dhe angazhimit të tyre), i imponuan Evropës dhe botës edhe drejtësinë humanitare. UÇK-ja nga toka, ata nga qielli, e nxorën Serbinë nga Kosova. Këtyre, shqiptarët që dinë të vlerësojnë lirinë e tyre elementare, gjegjësisht lirimin nga pushtimi serb, duhet t’u jenë gjithherë mirënjohës.

Përplasjet kryesore i kishim në mes vete, vetë brezi ynë

Republika: Në emigracion ka pasur një ndeshje gjeneratash: Emigracioni i Kosovës (kupto ai i viseve shqiptare nën Jugosllavi) përballë atij të vjetrit nga Shqipëria. As 28 nëntori nuk i bashkonte, sepse haheshit për flamurin. Pastaj grindeshit rreth përparësive si: a më parë duhet rrëzuar Enver Hoxha apo të çlirohet Kosova. Si i shpjegon këto nga kjo distancë kohore?

KELMENDI: E para, kur kanë filluar lëvizjet tona në vitet e 80-a, ai emigracion, në kuptimin patriotik e politik, pothuajse nuk ekzistonte. Në njëfarë forme ai ishte shkrirë në veten e tij, pasi brezi i dytë i tij nuk donte t’ia dinte për angazhim të baballarëve. Shikuar nga ky këndvështrim, ndonjë përplasje serioze politike e ideore nuk kemi pasur, pos ndonjë përplasjeje simbolike, pa peshë. Pra, emigracioni i vjetër politik në vitet e 80-a nuk ka qenë faktor, por vetëm fiksion. Përplasjet kryesore i kishim në mes vete, vetë brezi ynë, sepse UDB-ja dhe naiviteti ynë na impononte luftë politike e ideore, ta zëmë se si të festohet, me flamur me yll, ose pa yll, me fotografi të Enverit ose pa të, me fotografi të Titos në klube shqiptare ose pa fotografi , me cilët flamuj të dalim në demonstrata, etj.

Fondin 3 përqindësh e pati përvetësuar e tjetërsuar gjatë dhe pas lufte

pseudo-kryeministri Bukoshi

Republika: Emigrantët janë mjelë nga shumëkush. Mjelja më herët ka qenë siç ka qenë, pare në kapuç, ndërsa në fillim të viteve ‘90 ajo u bë “institucionale”. Pasi që kam lexuar se do të flasësh për keqpërdorime fondesh, nisja me këtë intervistë!

KELMENDI: Fillimisht një sqarim: Lëvizja nuk e ka mjelë emigracionin me të holla të hedhura në kapuç e në paketa, siç na kanë përfolur strukturat afër UDB-së dhe ndonjë i painformuar. Veprimtarinë patriotike e kemi mbajtur me vetëkontribut dhe me ndihma të simpatizuesve të angazhimeve tona.

Sa u përket fondeve, nuk është tematikë që mund të sqarohet nëpërmjet intervistave. Bazuar në përcaktimin tim, të drejtë institucionale shtetërore për të kërkuar llogari, mediat mund të kërkojnë vetëm për “Fondin e Republikës së Kosovës”, pasi në atë Fond emigrantët kanë qenë të detyruar të paguajnë tatim (3 për qind nga të ardhurat). Atë Fond e pati përvetësuar e tjetërsuar para, gjatë dhe pas Lufte pseudo-kryeministri Bukoshi.

Sa i përket Fondit “Vendlindja thërret”, ai ka qenë Fond i Lëvizjes dhe i UÇK-së, në të cilin është derdhur vetëm ndihma vullnetare (dhe jo tatimi) dhe prandaj mediat sikur nuk kanë aq shumë të drejtë morale për të kërkuar sqarime e llogari. Vërtet, unë kam qenë krye-përgjegjës për këtë Fond në Gjermani dhe si përgjegjës i dytë, pas të ndjerit dhe të lavdishmit Jashar Salihu, për gjithë Fondin “Vendlindja thërret”. Kam mëdyshje se kujt dhe kur jam i detyruar t’i jap llogari. Sigurisht, disa shpërdorues të mjeteve të këtij Fondi i kam nën ivestigim (vëzhgim), se si po sillen tani; Të dhënat për ta i kam të gatshme, por do t’i publikoj kur unë e gjykoj se është koha, ose, në ndonjë rast fatkeq, do t’i publikojnë ata që ua kam dhënë t’i ruajnë këto shënime.

LPK-ja e sotme nuk është LPK-ja e para Kuvendit të Prizrenit 1999

Republika: Tash nuk je në asnjë parti politike. LPK-së i ke thënë lamtumirë qysh më 1999 në Prizren. Tash më intereson që për lexuesit e rinj dhe për ata që mund të kenë harruar, të më thuash se gjatë gjithë karrierës tënde të gjatë, me cilat figura politike ke qenë në udhëheqje, si i ke parë ata dikur, si i shihje dje, si i sheh sot?

KELMENDI: