Eda Zari: Surprizat e koncertit të parë në shtëpinë time!

18.10.2011 · rtvzik · Forumi RTVZIK

← Muzikë






Nga Ilda Lumani/MAPO



Eda Zari është nga ato ambasadore arti jashtë Shqipërie që na ka bërë të ndihemi krenarë. Karriera e saj është zhvilluar në Gjermani e Europë, ku ajo jeton prej mbi dy dekadash, ndërsa pjesëmarrjet e saj në skenën shqiptare kanë qenë gjithherë të mirëpritura. Por kjo e radhës është ndoshta më e papërsëritshmja… për të dhe për publikun e saj. Kjo sepse Eda Zari, këngëtarja e mirënjohur e muzikës jazz, vjen për të prezantuar ‘premierë’ albumin e saj të ri “Toka Incognita”, në të cilin ajo është edhe kompozitore e 12 këngëve. Pikërisht në 21 Teto,r në Teatrin e Operas dhe Baletit, Zari dhe banda e saj muzikore, në të cilën merr pjesë një nga instrumentistët më të mirë në planet (siç e cilësojnë sot) Rhani Kija (në perkusion), i cili ka qenë pjesë e grupit të këngëtarit botëror Sting (ashtu si edhe kitaristi i famshëm Dominic Miller, që ka bashkëpunuar për albumin e Eda Zarit), djali 17-vjeçar i këngëtares, Henning, si dhe do të shoqërohet nga Orkestra Simfonike e Radio-Televizionit Shqiptar. Të gjitha këto premtojnë një natë të paharrueshme për këdo që do ta ndjekë ‘live’ koncertin e artistes së suksesshme. Në këtë bisedë elektronike me Edën, ajo na zbulon disa kuriozitete për albumin, koncertin, origjinën e saj përmetare (që dëshmohet prej shumë këngëve në këtë album), si dhe emocionet që e presin këtë të premte!!!



Eda, është koncerti i parë recital që bëni në Shqipëri. Çfarë emocioni ndieni?



Hmm, ngrohtë, rehat siç ndjehesh kur kthehesh në shtëpinë tënde dhe kënaqesh kur rrethohesh nga malli dhe dëshira për të prekur çdo skutë të dashur. Megjithatë edhe shtëpia jote të surprizon, se ka të ngjarë që të mos jetë ndezur soba brenda, dhe ke ftohtë!



Emocioni i këtij koncerti është 'premierë', ndaj pres me padurim ndjesinë që do të më zërë!



"Toka incognita" është një album, që mesa keni treguar bazohet në iso-polifoninë shqiptare. Ju më së shumti në Gjermani i jeni kushtuar muzikës Jazz, përse zgjodhët që albumi juaj të mos ishte në këtë rrymë, por me këngë shqiptare?



Mirë! Edhe kështu mund të thuhet. Por albumi është kopsitur me petkun e iso-polifonisë sonë, paçka se 'plaçkat e barkut' i ka Jazz- Fusion – World muzik. Ndaj them se “Toka Incognita” është shumë më shumë sesa një sirtar i emëruar muzikal.



12 këngët janë kompozicione të miat si dhe ko-kompozime të kolegut tim Gerd Kapo. Ndër to hasim dhe tre tituj ,që megjithëse me fytyrë e ndjesi harmonike e orkestruar 'zarishëm', mbeten tituj të njohur për veshin e dëgjuesit shqiptar, një ndër to është një perlë e Lasgushit tonë gjenial!



Në këtë koncert do të shoqëroheni nga banda juaj e gjithashtu dhe nga Orkestra e RTSH-ës. Ç’mund të na tregoni për këtë bashkëpunim gjigant?



Privilegj për këngët, e sidomos për baladat. Orkestra simfonike krijon përherë një impakt shumë më të gjerë, të thellë ndjesor. Veshi i dëgjuesit përjeton shumë më shumë kolorit e tablo trilluese. Është ndryshe të shohësh një film në kinema, e tjetër të shohësh po të njëjtin film në një ekran 22cm. E bukura në këtë produksion është ura që lidh bandin tim prej tetë muzikantësh (me një sfond muzikale tej multikulti) dhe instrumentistët e orkestrës së Radios. Kjo eksperiencë është unike për të dyja palët ekzekutuese. Niveli i pretendimit për të arritur një rezultat të shkëlqyeshëm fillon e bëhet pse jo, gati-gati kulminant për ta përsosur bashkëpunimin, shkrirjen e palëve në një të vetme. Kjo vjen natyrshëm dhe këtë duam të gjithë ne, të transmetojmë më 21 tetor në performancën tonë, e cila do të jetë 100% live.



Keni treguar se në bandën tuaj janë edhe dy artistë që kanë punuar me këngëtarin anglez Sting. Çfarë mund të na thoshit për prezencën e tyre në bandën tuaj?



Kam thënë se tek albumi “Toka Incognita” interpretojnë dy muzikantë të të mirënjohurit Sting: në perkusion, Rhani Kija( marroko) dhe Dominic Miller ( kitarë). Dominc Miller, për të gjithë që ndoshta nuk e njohin si emër, ju kujtoj dorën magjike të këngës ' Shape of my heart'! Në koncertin në fjalë do të kemi prezencën e perkusionistit (nga arti e lloji i tij cilësuar si më i mirë në këtë planet) zotit Krija, i cili triblon me ritmet e thyera shqiptare aq natyrshëm, por jo vetëm. Ai sjell aromë botërore muzikale në programin e koncertit, si dhe e kthen atë në një spektakël.



Gjithashtu, krah jush në skenë do të jetë edhe djali juaj 17-vjeçar. Çfarë ndjesie provoni ndërsa këndoni me të…? Që ai ka ndjekur rrugën e artit, ashtu si ju…?



Henning është thellë në religjionin e muzikës. Konstelacioni nënë-bir është natyrisht speciale në skenë apo në një ekzekutim të caktuar muzikal. E megjithatë, ai e sheh kolegiale këtë të tërën dhe më vjen mirë që ai përdor 'dylbi' emocioni gjerman ashtu siç është gjysma e tij!



Eda, rrënjët tuaja janë përmetare. Mund të na tregoni cila ka qenë kënga e parë përmetare që keni kënduar? Kush ka qenë këngëtari përmetar i preferuar juaji dhe, a keni dijeni për muzikën dhe emrat e muzikës përmetare sot?



Oh… prisni, po e filloj nga fundi! Si mund të harrohet klarineta e Maestro Laver Bariut, dhe Remzi Lelës (daja im); si mund të harrohen sazet e Përmetit, Ylkiu (prerësi më i fuqishëm i këngës përmetare), e Mentor Xhemali me shokë! Nëna ime është përmetare e vjen nga klani i mirënjohur i dinastisë muzikale Lela. Por unë, është për të ardhur turp, s’kam qenë deri tani që ju shkruaj asnjëherë në Përmet. Rrënjët e mia janë në Tiranë, ndërsa ato muzikale identifikohen si rrënjët e koklavitura Përmet, Gjirokastër e ç’mbajnë rrethinat përreth. Kënga e parë ... jo s’ka pasur të parë! Ka pasur një tufë. Për mua mbetet diamant mbi perlë kënga 'Penxherenë e zotërisë sate'! Himn për shpirtin e dashuruar.



Po lidhja juaj me jaret shkodrane cila është?



Jaret... kur fillon të merresh me to, duhet të ndjehesh si në fazat e para kur je e dashuruar! Mos e ceno, mos e ngarko, po jepi vetëm frymë të sinqertë! Jaret janë si puna e lutjeve jo vetëm ndaj Zotit, por dhe hyjnisë që fal qielli dhe jeta vetë! Ato për mua mbeten monologu më i thellë e spiritual me shpirtin.



Eda, pas përfundimit të recitalit në Tiranë, do ta prezantoni albumin dhe në ndonjë skenë tjetër, apo do të vijojë shpërndarjen normale?



Do jemi më 28 tetor në Prishtinë, dhe nga janari i 2012-ës fillojmë turneun përreth botës. Uroj t´ju kemi të gjithëve në mesin tonë . Përzemërsisht e juaja, Eda! (www.eda-zari.com