Dështoi regjistrimi i popullsisë
Pas dorëheqjes së të gjithë anëtarëve të Komisionit Shtetëror për Regjistrim (KSHR), Qeveria në një seancë urgjente solli vendimin që regjistrimi të ndërpritet dhe rezultatet e deritanishme të mos vlejnë. Qeveria do ti propozojë parlamentit për të sjellë Ligj për ndërprerjen e procesit të regjistrimit. Ndërkaq, partnerët e koalicionit qeverisës akoma nuk kanë caktuar datë të re për regjistrimin. Zëvendës kryeministri, Musa Xhaferi tha se nuk është aspak tragjike nëse regjistrimi shtyhet për 6 ose 12 muaj. Në hënën në mesnatë të gjithë anëtarët e KSHR-së dhanë dorëheqje të parevokueshme. Nënkryetari i KSHR-së, Bujar Osmani tha se Komisioni pas një debati të gjerë konstatoi se nuk mund të tejkalohen dallimet në interpretimin e tre dispozitave ligjore edhe atë nenin 6 aline 3 që ka të bëjë me njerëzit që nuk janë në Maqedoni ose që punojnë jashtë vendit, nenin 40 alineja 3 që ka të bëjë me faktin se kush i jep të dhënat për ata të cilët nuk janë këtu dhe nenin 42 që tregon cilët janë dokumentet e nevojshme për të regjistruar një individ. “Për shkak të këtyre dallimeve dhe interpretimeve të ndryshme që ndodhën në terren mes regjistruesve, komisioneve rajonale menduam që rezultatet nuk do të reflektojnë realitetin demografik në vend dhe nuk ka kushte për të vazhduar këtë proces dhe për këtë arsye të gjithë anëtarët e komisionit dhamë dorëheqje për të kërkuar ndërprerjen e procesit për ti dhënë një shans dikur tjetër këtij operacioni”, tha Osmani. Ndërsa anëtari i Komisionit, Artan Grubi tha se ky vendim u soll për të evituar çdo lloj tensionimi ndëretnik. Në këtë proces ishin angazhuar rreth 20 mijë persona si dhe ishin ndarë rreth 15 milion euro.
Ndërprerja e procesit të regjistrimit ndodhi një ditë para mbërritjes së Raportit të Komisionit Evropian për Maqedoninë.
PDSH: Partnerët e koalicionit fajtorë të dështimit
Mos informimi i popullsisë për procesin e regjistrimit, trajnimi i regjistruesve vetëm në gjuhën maqedonase, konfliktet serioze të ekipeve regjistruese, mos regjistrimi i qindra mijëra shqiptarëve me punë të përkohshme jashtë, mos regjistrimi i atyre që nuk kanë shtetësi dhe i mjaft familjeve për arsye banale, janë disa nga arsyet e dështimit të regjistrimit, tha sekretari i Partisë Demokratike Shqiptare (PDSH), Metin Izeti. Sipas tij përgjegjësia për këtë dështim bie mbi partnerët e koalicionit, të cilët duhet të kërkojnë nëpër sirtarët e Parlamentit dhe të gjejnë propozimin e PDSH-së për ndryshimin e Ligjit për regjistrim dhe prolongim të procesit.
Bexheti: Shumë mirë që u ndërpre
Ish nënkryetari i KSHR-së, Abdulmenaf Bexheti, i cili dha dorëheqje një ditë para nisjes së procesit të regjistrimit thotë për “Lajm” se ndërprerja e regjistrimit është një veprim shumë i drejtë. “Shumë mirë që është ndërprerë ky proces pasi dështimi dukej që në fillim. Mendoj se Qeveria i ka orientuar anëtarët e KSHR që të tërhiqen, pasi, anëtarët maqedonas, pa direktivat e partisë së tyre nuk do ta bënin një gjë të tillë”, tha Bexheti.
QMBI: Ndërprerja e qëlluar, por e vonuar
Qendra për Mirëkuptim dhe Bashkëpunim Institucional (QMBI) e vlerëson si të qëlluar por shumë të vonuar dorëheqjen e të gjithë anëtarëve të KSHR-së dhe ndërprerjen e procesit të regjistrimit të popullsisë, veçanërisht kur kihet parasysh koha e harxhuar, mundi i dhënë dhe situata konfuze e krijuar në terren gjatë ditëve të kaluara, për çka dikush edhe duhet të bartë përgjegjësinë politike dhe institucionale. Duke pasur parasysh situatën e krijuar dhe politizimin që, për fat të keq, zakonisht e merr ky proces statistikor, QMBI thërret edhe njëherë institucionet kompetente shtetërore dhe të gjithë faktorët politik në vend, që të tregojnë korrektësi dhe përgjegjësi më të madhe ndaj tij.