Shqiptarët luftuan, maqedonasit fituan
12.10.2011 · rtvzik · Forumi RTVZIK
← Histori Kombëtare
Shqiptarët kanë qenë të kyçur tërësisht në çlirimin e Maqedonisë nga fashizmi, edhe pse pjesëmarrja e tyre në luftë përmendet shumë pak. Madje shqiptarët nuk e festojnë as 11 tetorin, ditën kur në mënyrë simbolike ka krisur pushka e parë. Historiani Nebi Dervishi thotë se pjesëmarrja e shqiptarëve në Luftën antifashiste ka qenë shumë e madhe. “Në Prilep ka kris vetëm një pushkë dhe kjo datë në mënyrë simbolike tregon nisjen e luftës, atë ditë aty nuk ka pas shqiptarë, ndërsa në Kumanovë ka qenë çeta e Bajram Shabanit”, thotë Dervishi. Ai sqaron se lufta në Maqedoni ka nisur në vitet 43-44 ku shqiptarët kanë marrë pjesë në mënyrë masive dhe siç thotë ai kanë bërë shumë mirë që kanë marrë pjesë, edhe pse në fund u tradhtuan. “Në vitin 1941 nuk kishte Maqedoni, ajo u krijua pas përfundimit të luftës në vitin 1945. Pushka e parë në këto troje krisi shumë më vonë se në vendet e tjera të Ballkanit pasi këtu ka ndikuar një faktorë tjetër. Në krye të Partisë Komuniste Krahinore ka qenë Metodija Shatrnshabllo, i cili ishte pro bullgar dhe i lidhur me partinë Komuniste Bullgare. Me marrëveshjen e Vjenës territori që tani quhet Maqedoni u nda në dy zona, në zonën italiane, nga Grupçini deri në Liqenin e Ohrit dhe në zonën bullgare”, sqaron Dervishi.
Të martën me aktivitete të shumta u shënua 11 tetori. Në Shtëpinë e Armatës u mbajt akademi solemne ku fjalim mbajti presidenti Gjorge Ivanov. Në Akademinë e Shkencave dhe Arteve po ashtu u mbajt tubim, të cilën e hapi kryetari i ASHAM-it akademiku Georgi Stradelov. Të hënën në Prilep u hap objekti i rinovuar i Muzeut memorial "11 Tetori 1941", ku ka filluar kryengritja antifashiste në vitin 1941.