A të martohem?
Martesa - qelizë e familjes, institucion apo pengesë? Përse i frikohemi? A është martesa fundi i një jete pa obligime dhe fillimi i një jete të re përplot obligime, ngarkesa dhe angazhim maksimal që jetën tonë ta ndryshojë, ta lumturojë apo ta shkatërrojë?
Kompleksi martesor - alergjia martesore.
Që nga kohërat e kaluara, martesa është konsideruar e shenjtë. Bashkimi mes burrit e gruas - unitet lojal, tolerancë e ndërsjellë, respekt dhe dashuri. Por, me kohë edhe ajo ka humbur në vlerë, edhe pse në realitet ka mbetur e njëjtë - qelizë e familjes, e mbi të gjitha institucion. Problemet dhe konfliktet, dhuna, jobesnikëria, martesat alkoolike, traumat që reflektohen te fëmijët, të gjitha këto elemente sjellin shkurorëzimin, fjalët e shqiptuara para altarit harrohen. Këto dukuri që shoqërojnë martesat shkaktojnë te femrat e pamartuara idinjatë, dozë pasigurie. Prandaj nuk është e pavend përse shkaktohet alergjia nga martesa. Femrat e punësuara që dëshirojnë të krijojnë karrierë, jetojnë jetën e tyre të pavarur, e kanë të vështirë t’u përshtaten normave që i përcakton martesa. Kjo ndoshta është arsyeja pse femrat e tilla mbesin nënole apo nuk martohen fare. Në anën tjetër, frika mos në martesë do t’i humbin të gjitha. T’u nënshtrohen diktateve të burrit, ta kufizojnë vetveten nga disa privilegje që i kanë gëzuar si femra të lira. A është martesa fundi i një jete, përmbyllje e një etape jetësore dhe fillimi i jetës në çift, ku më s’mund të mendosh vetëm për vete, por edhe për tjetrin, t’u përshtatesh kërkesave e dëshirave, obligimeve e të krijosh nga ai bashkim - pasardhës. Por, a do të lumturojë apo do ta shkatërrojë jetën, kjo varet nga ajo se a e zgjedhin personin e vërtetë apo njeriun e gabuar! Në lidhje me të gjitha këto sa i cekëm, biseduam me disa femra që «vuajnë» nga alergjia martesore.
- Blerina, 21 vjeçare, studente
Deri tani kurrë nuk kam menduar për martesë. I kam shqyrtuar ofertat që i kam pasur, mirëpo vazhdimisht më janë sjellë në kokë pyetjet se a do përshtatem, a jam e gatshme të bëhem grua dhe t’i respektoj normat që dalin nga martesa. Kam frikë se në martesë do t’i humbas të gjitha.
Dëshira ime është t’i përfundoj studimet dhe të punësohem diku. Nuk dua të përfundoj si të gjitha shoqet e mia. I ndërprejnë studimet, mbyllen brenda katër mureve, lindin fëmijë dhe me kaq përfundon gjithçka me to. Nuk e dua jetën e mbyllur. Edhe në martesë dua të jem ajo që jam, e pavarur, e lirë, e shoqërueshme. Mbi të gjitha, më frikëson humbja e lirisë. Nëse nuk e ka vetëlirinë, njeriu nuk ka asgjë.
- Drita, 26 vjeçare, profesoreshë
Jam mësuar që nga koha e studimeve të jem e lirë, e pavarur. Askush në familje nuk më përzihet çka bëj, ku shkoj, sa rri. Për martesë sot më duket e vështirë të vendos. Unë jam tip i femrës që nuk mund të pajtohem me çdo lloj mashkulli, sidomos me ata që mbahen të emancipuar e në thelb janë prapanikë. Jam femër e shkolluar dhe nuk më bëhet vonë. Ose do ta gjej dikënd që më përshtatet, më kupton ose nuk do të martohem fare. Me diplomë fakulteti, e re dhe e bukur, nuk dua të përfundoj në kuzhinë.
- Arijeta, 31-vjeçare, ekonomiste e papunë
Unë e urrej martesën. Kurrë deri tani nuk kam menduar të lidhem me dikënd seriozisht. Meshkujt te ne janë të «prishur» moralisht dhe shpirtërisht, prandaj edhe më shkaktojnë neveri, pothuaj shumica. Jam mësuar të jetoj si princeshë, në shtëpi i kam kushtet fenomenale, nuk më mungon asgjë. Kujdesem për prindërit e mi, dal rrallë dhe s’më bëhet vonë për asgjë. Nëse ndonjëherë vendos të martohem, këtë hap do ta ndërmarr për t’u mbyllur gojën gojëkëqinjve që i shikojnë problemet e huaja dhe s’u intereson përse i kam mbushur 31 vjet e s’jam martuar ende. Është problem imi. Nëse do të martohem, këtë do ta bëj për hir të prindërve, e jo për veten time. Martesa për mua është fundi i botës.
- Teuta, 23-vjeçare, i ka braktisur studimet
Pse, mos jam keq, kështu? Përse ta imponojë martesën? Nëse nuk kam ndonjë lidhje, si mund ta gjej fatin! Njerëzit janë këtu të çuditshëm, vetvetiu të shtyjnë të bësh marrëzira. Të them të drejtën, kam frikë të hyj në martesë, as që mund ta paramendoj veten nuse, edhe pse e ëndërroj vellon e bardhë. I kam lakmi femrat që vendosin shpejt. Unë jam e papërcaktuar. Analizoj shumëçka dhe vazhdimisht më del minus. Prandaj, ka kohë që për martesën kam krijuar averzion. Po, ndihem e pafuqishme, e pavlerë. Shpresoj se një ditë do ta takoj dikë, që do të m’i ndryshojë këto komplekse dhe atëherë do të votoj për martesën.
Ilire ZAJMI