INTEGRIMET EUROPIANE DHE ÇINTEGRIMET SHQIPTARE

2005-06-29 · Forumi historik RTVZIK · 0 përgjigje të ruajtura

Shkruan:
Fadil SHYTI

INTEGRIMET EUROPIANE DHE ÇINTEGRIMET SHQIPTARE

Përpjekëjet e bujshme të politikës shqiptare, për t´u integruar në
Europë, gjatë këtyre viteve "të tranzicionit", që po zgjatë për më tepër
se një dekadë, kanë bërë që të harrohen integrimet ndërshqiptare.

Dihet mirëfilli që në fillimvitet 90-ta, fqinjët tanë sllavë, e jo
sllavë jo vetëm që nuk u hapën ndaj Shqipërisë Etnike, ashtu siç do të
dëshironin modernistët e politikës në Tiranë-Prishtinë-Shkup dhe
Podgoricë, por fqinjët tanë, si shovenistë të thinjur që janë në pikat
kufitare ndërshqiptare vunë dhe barrikada të reja me simptoma të vjetra
sëmurjesh ekspansioniste.

Përkundër një regjimi despotik, qeveria "komuniste" e Titos, e detyruar
nga presoinet e jashtme dhe interesat e brendshme të ish-Jugosllavisë,
dukshëm e kishte liberalizuar kufirin Kosovë-Maqedoni dhe anasjelltas.
Ndërsa, pas ardhjes në pushtet të "demokratëve narcistë", ky kufi pësoi
ndryshime radikale, pra iu vunë barriera administrative me gjoba që
faktikisht i rëndonin së tepërmi shqiptarët fatkeqë të ndarë
padrejtësisht, territorialisht, për më tepër se një shekull.
Kjo, barrë u rëndua njëkohësisht edhe në anët tjera kufitare, kështu për
shqiptarët po krijohej një geto e re e rrethuar me sisteme gjembash
"demokratike", po bëhej kjo nga fqinjët tanë okupatorë, për t´i
dezintegruar e sunduar shqiptarët më lehtë.
Po bëhej kjo gjithashtu, para syve të diplomacisë euro-atlantike, e cila
faktikisht ishte dhe është përditshmërisht e pranishme në këto vise të
Ballkanit.
Heshtja e tyre për këto sulme të reja ndaj shqiptarëve, për ata që
kishin dy kokrra mend në kokë; përbënte rreziqe për destabilizimin edhe
më të fuqishëm të këtij rajoni.

Dhe, për t´u qëndruar besnike epsheve shoveniste antishqiptare, fqinjët
tanë dhe satelitët e tyre në Europë, këtë avaz s´po e harrojnë dot,
përkundrazi po e çojnë më tej me shtypjen e egër ndërkufitare.

Këta zotërinj harrojnë apo s´duan t´ia dijnë fare se nuk janë më kohët e
regjimeve të kaluara të krajlëve shovenistë sllavë kur i vrisnin
pamëshirë shqiptarët që provonin t´i kalonin ata kufijë-zi, për të
shkuar tek të afërmit e tyre që e ndanin shtetin shqiptar të përgjysmuar
territorialisht me kufi administartiv imperialist.

Duke u bazuar nga rrethana të reja heitorike të krijuara në këtë
gadishull, tani shtroj pyetjen:
përse politika shqiptare nuk bënë hapa të reja për t´i thyer këto
barrikada përfundimisht, ashtu siç po veprojnë fqinjët tanë sllavë,
që edhe ne shqiptarët që ende jetojmë në trojet tona etnike, të
ndarë në pesë shtete, ta kemi pasaportën e shtetit tonë të njohur
ndërkombëtarisht, pra pasaportën shqiptare të Shqipërisë?!

Kjo, nuk do të paraqiste kurrfarë problemi as ambicjeje irredentiste,
siç do të qirrej dikush!...

Kështu, po veprojnë serbët që jetojnë në Kosovë, të cilët e marrin
lirisht, pasaportën e Serbisë.
Kështu, po veprojnë maqedonët, të cilët e marrin lirisht, pasaportën e
Bullgarisë.
Kështu, po veprojnë pjesëtarët e minoritetit grek që jetojnë në
Shqipëri, të cilët e marrin lirisht pasaportën e Greqisë.
Kjo, në fakt po ngjanë në rajonin tonë që politikanë modernistë po e
quajnë Ballkani Perëndimor, i cili siç po thuhet çdo ditë, po ecën
drejt integrimeve të reja, nëse po ngjanë kjo, përse nuk po matet me të
njëjtin masë ( kuti e jo të bëhen segregacione midis kombeve:
të privilegjohen të gjithë, mirëpo të eliminohen nga këto të
drejta vetëm shqiptarët?!
Ky segregacion po thellohet më tej, ja po e potencoj edhe një fakt; pse
shqiptarët që jetojnë në tokat e tyre në Maqedoni, nuk kanë të drejtë të
marrin pasaporta bullgare edhe pse në fakt tani janë qytetarë të
Maqedonisë, pra ju mohohet kjo e drejtë vetëm pse janë me kombësi
shqiptare?!

Bullgaria, po përgaditet të hyjë në UE, në vitin 2007, për këtë
qytetarët maqedon, po duan t´i shfrytëzojnë frytet e kësaj anëtarësie,
përse këto fryte të mos i shijojnë edhe shqiptarët etnikë?!
Nëse, nuk paskan të drejtë ta e gëzojnë këtë (pra ta marrin pasaportën
bullgare), le ta gëzojnë të drejtën për ta marrë shtetësisnë shqiptare,
pra ta kenë në xhepa, pasaportën e Shqipërisë.

Kjo, pastaj do të vlente njëkohësisht edhe për shqiptarët e Malësisë së
Madhe, të cilët me të drejtë duhet ta gëzojnë pasaportën shqiptare,
anipse janë minoritet me 7% në Mal të Zi.

Pse jo edhe shqiptarët e Kosovës lindore me vise tjera?!

Çka e bënë edhe më të rrezikshme çështjen është fakti i hidhur se
pikërisht tani në kufijtë shqiptaro-shqiptarë po vendosen barrikada të
rënda administrative, të cilat do ta pengojnë si dikur në vitet e
errëta të titizmit, lëvizjen e lirë të shqiptarëve.

Derisa po udhëtoja me një shok nga Suedia në drejtim të Kosovës, ne
kaluam nëpër Danimarkë, Gjermani, Austri, Slloveni, pra nëpër të gjitha
këto shtete të UE, në pikat kufitare gjenden vetëm tabela që tregojnë në
cilin shtet ishim, ndërsa shtëpitë doganore kanë mbetur si shtëpi muze,
ndërsa në trojet shqiptare radikalizohet ashpër regjimi i kufijëve!!!

Ja, kush është demokracia liberale europiane në Kosovë?!

Derisa, politikanët shqiptarë të Shqipërisë Etnike, bëjnë zhurmë të
madhe për integrime euro-atlantike, ata nga ethet ideologjike po e
harrojnë dezintegrimin e hidhur brendakombëtar.

Ky, dezindegrim natyrshëm i hapë plagët e vjetra shqiptare, i cili sot o
nesër do të na kushtoj shumë shtrenjtë ne shqiptarëve, që sot aq
verbërisht po u beson udhëheqja politike shqiptare në Tiranë, Prishtinë,
dhe në Shkup, atyre që kanë mbetur përjetësisht ujqër të pangopur me
gjak shqiptarësh, por që për arsye taktikash diplomatike janë futur
përkohësisht në gëzofet e qengjave.
Ata, në njëren dorë po i mbajnë lule plastiket, ndërsa në brez i kanë
mbuluar thikat nën gëzofet e pambukta.
Elementë të tillë si Vuk Drazhkoviqi, i cili krekoset për demokratizimin
e Serbisë, në të njëjtën kohë, shkon në festën e 60 vjetorit së
fitores së fashistëve serbo-nacistë, në Ravna Gorë dhe e kremton festën
me hijenat çetnike dhe njëkohësisht ua njeh atyre të drejtën për ta
gëzuar statusin e luftëtarëve "çlirimtarë", ua njeh të drejtën që
xhelatët t´i gëzojnë dhe pensionet e luftëtarëve, njësoj si partizanët
antifashistët serbë!!!
Atje në Ravna Gorë atë ditë u pasqyrua edhe njëherë fytyra e vërtetë
fashiste e qeverisë serbe, e cila nën vellon demokratike e ngriti me
entusiazëm flamurin çetnik dhe njëkohësisht atje ishte djegur flamuri i
popullit amerikan.
...Dhe, për çudi të opinionit shqiptarë dhe atij botëror, asnjë reagim
nuk u dëgjua nga politikanët shqiptarë, bile për më tepër ata ndihen të
kënaqur kur ky xhelat, kërkon dialog "demokratik" apo kur e vizitoi
Tiranën, guxoi ta ngritë hapur çështjen e Kosovës, duke deklaruar:
"Kosova është
pjesë e
Serbisë"!

Kjo, deklaratë kërcnuese serbomadhe, s´duhej lejuar për asnjë çmim!

Vuk Drazhkoviqi, i "Thikës" antishqiptare, duhej urgjentisht të flakej
si një leckë e përqyrrosur, nga toka shqiptare.

Kjo, të nderuar lexues na bënë ta kujtojmë me respekt, veprimin e
mençur, të presidentit kroat Mesiq, i cili në shenjë revolte për
veprimet e Vuk Drazhkoviqit & Co, në Ravna Gorë, e hoqi
demonstrativisht nga programi i tij diplomatik vizitën në Serbi, pra nuk
pranoi të "puthet" me gjakpirësit e popujve liridashës të Ballkanit, me
serbin dinak.

Veprimi i tij mesiguri i ka gëzuar demokratët e vërtetë ballkanik dhe
euro-atlantik, njëkohësisht i ka bërë të revoltohen ata, me tolerancën
servile të pushtetarëve shqiptarë në realcionin Prishtinë-Tiranë.

Prandaj, kujdes zotërinj politikanë modernistë shqiptarë!
Ju, para se ta mësoni italishten, greqishten, serbishten, frengjishten,
etj, fillimisht mësojeni shqipen!
Kjo, do të thotë, nëse dëshironi integrim të vërtetë, ju duhet t´i
obligoni edhe fqinjët tanë ta bëjnë këtë, pra përgjegjësia të jetë e
ndërsjellë.

Vënja e këtyre barrikadave administrative, tregoi edhe njëherë qartë se
UNMIK-u, i plotëson katërcipërisht kërkesat e Serbisë, antishqiptare.
Edhe një konstatim se:
shqiptarët sot, janë kombi më i izoluar në Europë.

Shqiptarët e Kosovës, nuk mund të hyjnë në Serbi me pasaporta të
UNMIK-ut, ndërsa serbët hyjnë lirisht me pasaporta të Serbisë në Kosovë,
kjo është realizimi i asaj Rezolutës famëkeqe 1244.
Kjo, është pastaj, vërtetësia e gjepurave politike të I. Rugovës,
"pavarsia dhe sovraniteti" i Kosovës.

Tani, nga 1 korriku i këtij viti do të vijnë në fuqi ligje të reja për
t´i shtuar ato brengat e vjetra për ne shqiptarët.

Këtë, duhet ta kenë parasyshë pushtetarët shqiptarë, ata kërkohet ta
ngrejnë zërin e arsyes të protestojnë vendosmërisht ndaj këtyre
padrejtësive të pambarimshme të këtyre provokimeve të hidhura, që sot po
na i servirin armiqtë e shqiptarizmës.

Është detyrë e tyre, që me mjete politike, t´i shuajnë vatrat e
krizave e të zjarreve!

Në të kundërtën, populli shqiptar, nuk do të lejoj që sërish t´i merren
nëpër këmbë të drejtat dhe liritë e tij tepër të ligjshme, siç është
liria e lëvizjes, brenda trojeve etnike shqiptare dhe më tej...

Suedi, 26 qershor 2005

Arkiv për lexim. Datat janë datat e postimit në forumin origjinal. Titujt mund të jenë të shkurtuar nga sistemi i vjetër. Adresat elektronike dhe IP-të janë fshehur.