Qeverisja

2005-06-27 · Forumi historik RTVZIK · 0 përgjigje të ruajtura

Qeverisja

Në një vend “tranzicional” si Kosova, qeverisja është element, fushëveprim ose dukuri kyçe në zhvillimin dhe përparimin e saj të gjithanshëm dhe të gjithëmbarshëm, si: ekonomik, politik, kulturor, arsimor, etj, etj. Si duket, shprehjet, si: “qeverisje”, “demokraci” “tranzicion” “zhvillim”, e shumë e shumë shprehje ose terme të tjera të “reja”, të futura në leksikun Kosovar pas luftës, po keqpërdoren për shkak se një pjesë e opinionit të përgjithshëm nuk i njeh këto shprehje si dhe domëthënien e tyre praktike, andaj është shumë lehtë që ato të keqpëdoren, d.m.th. t’u përshtaten ekskluzivisht vetëm nevojave personale klanore.

Sigurisht se këto shprehje, pra, terme, vështirë se mund të përkufizohen mirëfilli edhe në Fjalorin e Gjuhës Shqipe, edhe nëse gjenden aty. Pra, në pamje të parë, këto shprehje duken si diçka krejt të parëndësishme por praktikisht ato janë aq të rëndësishme saqë është veshtirë që të shpejgohen në një artikull të vetëm. Për këtë punë, këtë sqarim të gjithëmbarshëm publik të këtyre shprehjeve dhe të rëndësisë së tyre praktike, duhet organizim të debateve nga e ashtuquajtura “shoqëri civile”, por meqenëse edhe “shoqëria civile” është përdorur vetëm për përfitime materiale personale, edhe ky debat, edhe nëse organizohet, nuk do te ketë sukses.

Tash, çka është qeverisja? Të marrim shembull konkret raportin në mes Universitetit të Prishtinës (tash e tutje, UP) dhe të Ministrisë së Arsimit, Shkences dhe të Teknologjisë (tash e tutje, MASHT). MASHT-i nuk e qeverisë UP-në. Kjo është ashiqare. Por, kjo njëherit është qenësore. Këtu nuk flasim për cilësinë e qeverisjes por për mungesën e qeverisjes. MASHT-i nuk e qeverisë UP-në andaj nuk mund të bëhet fjalë për cilësinë e qeverisjes së UP-së. Nuk mund të ketë monitorim, vlerësim, opinione ose debate për qeverisjen e UP-së nga MASHT-i, pra, për debate për zhvillimin, përparimin, pengesat e ndryshme, marrëdhëniet e ndryshme ndërkombëtare, cilësinë arsimore të studentëve, zhvillimin e planprogrameve (kurrikulave), administratimin brenda UP-së, mënyrën dhe numrin e studentëve të regjistruar, trajnimet e profesorëve, e shumë e shumë të tjera, mu për shkak të mungesës së qeverisjes zyrtare të UP-së nga ana e Qeverisë së Kosovës, pra, MASHT-it.

Unë e përmenda rastin e UP-së dhe të MASHT-it, por kjo vlenë për të gjitha strukturat ose degët qeverisëse në Kosovë. As Ministria e Postë telekomunikacionit nuk e mbikëqyrë, vlerëson ose monitoron PTT-në, pra, nuk ka asfar kompetence ndaj organit të vet publik - PTT-së. PTT-ja zhvillon brendinë e vet në mënyrë krejtësisht private. Caktohet çmimi i kartelave telefonike, numrave fiks, rrjetit të internetit, punësimit, etj. etj. në baza të pavaruara qeverisëse, pra, sipas interesit ekonomik të brendisë së PTT-së.

As Ministria për Energjetikë nuk e mbikëqyrë KEK-un. Nuk ka asfar kontrolli, monitorimi, debatimi ndaj çmimit të rrymës, shpenzimieve të donacioneve ndërkombëtare, shpenzimeve të parave publike që merren nga taksat tona, pra, nga qytetarët, për punësimin, etj. etj.

Cdo gë në Kosovë funksionon në baza klanore “të vullnetit të mirë”. Tatimet që ne i pagujame si qytetarë, shkojnë në Qeverinë e Kosovës por duket se shpërndarja e tyre nëpër Minsistri dhe në organet tjera publike, kryhet në mënyrë të çuditshme. Rast konkret për këtë është Radio televizioni i Kosovës (RTK) kur Qeveria në Kosovë i jep para (të qytetarëve) këtij RTV por nuk e kontrollon, vlerëson, monitoron atë. Por, nëse shikohet nga afër, këtu dalin në sipërfaqe interesat individuale mes “disa personave” në Qeverinë e Kosovës dhe menaxhmentiti të RTK-së, ku bazë të një marrëveshje të brendshme, RTK-ja nuk debaton për problemet e Qeverisë së Kosovës, sepse “ato nuk ekzistojnë” ndërsa RTK-ja arrinë të ruajë strukturën menaxhuese pëkundër dështimeve të njëpasnjëshme.

Mugesa e Qeverisë dhe rrjedhimisht edhe e qeverisjes në Kosovë ka bërë që shumë ndërmarrje publike ose shoqërore ose nëse doni edhe shtetërore, të shëndrrohen, pra, të qeverisen në baza private personale klanore. Nëse nuk jeni pjesë e klanit, nuk vleni asgjë, thjeshtë, pavarësisht përvojës, përgatitjes shkollore etj. etj.

Qeverisja është mjet konkretizues i Demokracisë. Cdo gjë tjetër është përrallë e treguar nga gjyshi e gjyshja. E tash, përralla është pjesë e realitetit jetësor përmes së cilës rriten fëmijët. Në Kosovë ka fëmijë, por jo të gjithë janë fëmijë.

Skënder Limani

Arkiv për lexim. Datat janë datat e postimit në forumin origjinal. Titujt mund të jenë të shkurtuar nga sistemi i vjetër. Adresat elektronike dhe IP-të janë fshehur.