L I D E R E T E P E R Ç A R J E S - Letër e hapur ...

2005-06-23 · Forumi historik RTVZIK · 0 përgjigje të ruajtura

Letër e hapur Televizionit publik Shqiptar

E nderuara Redaksi (TVSH),

Si shumë shqiptarë të tjerë, edhe mua, vala e dhunës serbosllave më hodhi
(më 31 Mars 1999) në Shqipëri (Vlorë) e mandej në Francë.
I ngarkuar edhe unë si shumë shqiptarë tjerë me preokupime të shumëllojshme dhe i provokuar, gjithashtu në mënyra të shumëllojshme nga informacionet që po i marrim, sidomos nga TVSH-ja dhe RTK-ja, për rrjedhën e tërë asaj që po ndodhë në tokat shqiptare, nuk munda të rrija duarkryq, prandaj, vendosa, me anë të kësaj letre, t'u drejtohem, sidomos FJALEMBAJTESVE të tubimeve parazgjedhore me këto vërejtje e sugjerime, me besimin e plotë se do të mirëkuptohem.
Pra, ato, që më detyruan të shkruaj janë: nevrikosja, shqetësimi dhe brengosja nga fjalomania e pakuptimtë dhe e paskrupulltë e këtyre ditëve të qershorit 2005, që po shprehet me gjithfarë fyerjesh të ndërsjella në mes liderve, sidomos F. Nanos dhe Sali Berishës.
Pakuptimësia dhe paskrupullësia e këtyre fjalimeve, jo që s'kanë fare të bëjnë me demokracinë e pluralizmin e mirëfilltë, por këto fjalime e deklarime po ua kalojnë edhe formave më të shfrenuara anarshiste.
Këto fjalime e deklarime, jo që s'kanë të bëjnë fare me zhvillimin dhe përparimin e Shqipërisë në të ardhmën, siç trumbetohet nëpër këto tubime, por, me to, ashiqare thellohet edhe më tej p ë r ç a r j a në popullin shqiptar.
Si të zhvillohet e të përparohet Shqipëria, kur elektorati shqiptar është ndarë në hiç më pak se në 40 subjekte pjesëmarrëse. (Sipas lajmeve të TVSH-së). Kjo mënyrë propagandimi, vetëm sa do të krijojë huti dhe përçarje te qytetarët. Kjo mënyrë propagandimi, do t'i qet qytetarët në udhëkryqin njëmijë rrugësh, që të mos dinë se kujt t'ia japin besimin (votën), që të mos dinë se a po e "shkundin votën e tyre" mbi ata, që vërtetë do të dinë ta "mbrojnë të ardhmën", apo mbi ata që do të dinë se "është koha për ndryshime pozitive"? Prandaj, do të thoshim: Po qe se fjalëmbajtësit deshirojnë të kenë sukses, lë ta bindin sëpari vetën se të ndarë e të përçarë, kurrë nuk do ta arrijnë atë,që premtojnë. Po qe se fjalëmbajtësit deshirojnë që fjalët e tyre të kenë efekt pozitiv, lë ta shkundin sëpari egoizmin, lakminë për liderizëm e karierizëm. Lë të lirohen prej epshit që e kanë për t'i përmbushur intereset e tyre të ulëta në kurriz të popullit. Në qoftëse vërtetë këta fjalëmbajtës ia duanë të mirën popullit, të mos e lodhin popullin me fjalë boshe, por ta mbledhin tërë forcën burrërore, (nëqoftë se e kanë) duke hequr dorë prej pretendimeve ugurzeza dhe të ia shtrijnë dorën njëri tjetrit, duke ua lëshuar rrugën besnikëve të vërtetë të popullit. Përndryshe, me propagandim të këtillë të vetëvetës, vetëm sa do t'i zgjatët jeta varfërisë, mjerimit, mergimit, mosbesimit, përçarjes dhe tjetërsimit. Dhe, kështu do të mundësohet prap lënja e Fatit dhe e të mirave tona natyrore në duar të huaja.Kjo mënyrë propagandimi marramendëse bëhet aq më apsurde; kur dihet fare mirë se sa i ka kushtuar përçarja popullit shqiptar gjatë historisë.
Andaj, duhet ditur, se çdo mossukses, ose dështim në rrugën e zhvillimit dhe të përparimit, do të jetë "rezultat" i këtyre liderve, do të jetë barrë e rëndë e pasojave, qe do të binë prap mbi supët e popullit. E dihet gjithashtu se çdo ngecje në zhvillimin dhe përparimin e Shqipërisë, do të reflektohet edhe në përparimin dhe zhvillimin e Kosovës dhe të të gjitha viseve të banuara me shqiptarë.
Dhe, jo vetëm kaq, por, duhet ditur se një propagandë e këtillë, siç është kjo parazgjedhore, bëhet edhe më apsurde, kur dihen tendencat dhe pretendimet hegjemoniste të fqinjve tanë, të cilët, kurrë nuk kanë pushuar për të na përçarë e ndarë. *Nuk thuhet më kot: "Nëqoftë se don ta dishë se në ç'rrugë je, vetëm shiko se puna jote po e gëzon apo po e hidhëron armikun". Me siguri, se mënyra e propagandimit kësisoji, që përçanë dhe ndanë, pa dyshim, do ta gëzojë armikun.
Dhe, në fund do të thosha se kjo fushatë parazgjedhore kësisoji, çfarë po zhvillohet këto ditë në Shqipëri, e vën në hamendje edhe mikun më të përkushtuar eventual,që të mendojë, se a e vlen për të na ndihmuar në zgjidhjen e tërësishme të Çështjes shqiptare. Pra, thënë shkurt shqip: Kur dihet se njëri prej faktorëve kryesorë, që kontribon në zgjidhjen ose moszgjidhjen e plotë të Çështjes shqiptare është vet ELITA SHQIPTARE.
Pra, duke i pasur parasysh pasojat e rënda që na janë krijuar prej intereseve individualiste,vlen të përkujtohet thënja e vjetër latine: "Dy herë fiton ai që e mundë vetëvetën". Ndërsa, në favor te zhvillimit dhe të përparimit të vendit, lë ta përkujtojmë thënjën popullore: "Varfëria të çon në derë të hasmit".
Kurse, në favor të forcimit të vetëdijes dhe të ngritjes së aftësisë për t'i çmuar vlerat e njëmendëta, ta përkujtojmë edhe thënjën me shumë vlerë: "Nëqoftë se është e mundur higjiena e trupit, është e mundur edhe higjiena e mendjes dhe e karakterit" Pisarev.

Më 14 qershor 2005 Ju përshëndet përzemërsisht
Francë Hamzë Gashi

Arkiv për lexim. Datat janë datat e postimit në forumin origjinal. Titujt mund të jenë të shkurtuar nga sistemi i vjetër. Adresat elektronike dhe IP-të janë fshehur.