Përgjigje pyetjeve të lexuesëve të "KOSOVËS SOT"-5

2005-06-18 · Forumi historik RTVZIK · 0 përgjigje të ruajtura

Përgjigje pyetjeve të lexuesëve të "KOSOVËS SOT"

Nga Adem Demaçi:



Kushtrim Aliu: Z. Demaçi, a duhet të ketë marrëveshje
paraprake për decentralizimin e pushtetit jo vetëm mes
partive politike por edhe me bashkësinë ndërkombëtare?
Mos do të bëhet ky proces ndonjë mollë sherri?

A.D.- I nderuari Kushtrim,decentralizimi tashmë është bërë mollë sherri, mirëpo meqë
udhëheqja aktuale politike e Kosovës nuk është e gatshme që të ngulë këmbë e të
shkojë deri në fund, sherri nuk do të shpërthejë.Aq më parë që z. Petersen është një
diplomat i rafinuar dhe fleksibil si llastiku.Përndryshe, decentralizimi, me prapavi
të dyshimtë, i duhet vetëm palës serbe.Ata planifikojnë krijimin e zonave të pastra
serbe të cilat do të ishin të pakontrollueshme nga ana e shqiptarëve dhe në të cilat
ata do të mund të sillnin, me hatër e me zor, serbë nga Lika, Krajina, Baranja, me
qëllim të ndryshimit të përbërjes etnike të Kosovës, me qëllim të krijimit të
"Bashkësisë Serbe të Kosovë-Metohisë", duke hapur mundësinë që, nëse nuk do të bëhet
ndryshe, kjo bashkësi, të ndahet nga Kosova dhe t'i bashkangjitet
Serbisë.Përndryshe, sikur të kishte mjete financiare, në Kosovësn e sotme do të
ishte i arsyeshëm vetëm decentralizimi i qytetit të Prishtinës.Decentralizimi që po
ia imponojnë Kosovës Serbia e UNMIK-u, nuk ka karakter adminisrativ si po mundohen
ta paraqesin, por ka karakter thelbësisht politik.Po përgatitet ose gllabërimi i
plotë i Kosovës, ose copëtimi i ri i Kosovës nga ana e Serbisë me ndihmën e
bashkësisë ndërkombëtare.

Fitore Gashi: I nderuar Baca Adem, sa kanë ndryshuar
figurat tona politike në sensin e tyre politik gjatë
këtyre viteve?

A.D.- E nderuara Fitore, figurat tona politike, me pak përjashtime, janë bërë, me të
vërtetë, figura;ato janë dugur e janë bërë të buta si"pamuku"! Ato mund t'i lakosh
shumë lehtë.

Kastriot Ibrahimi: Z. Adem, ishit edhe ju pjesemarrës
i konferencës serbo-shqiptare për statusin. Ju edhe më
heret keni qenë në takime të tilla. Cilat janë
ndryshimet tek strukturat politike serbe karshi
zgjidhjes së statusit të Kosovës dhe sa ndihmojnë
konferencat e tilla si kjo, që u mbajt në Prishtinë në
zgjidhjen e problemeve mes shqiptarëve dhe serbëve?

A.D.- I nderuari Kastriot,në Prishtinë ishin të pranishëm ata pjesëtarë serbë të
cilët, qysh moti, kishin qenë të vetëdijshëm se me pushtimin e Kosovës Serbia kishte
ra në kurthin fatkeq; ishin të pranishëm ish-pushtetarë serbë të cilët, me kalimin e
kohës, "pas të vjelave",e kishin kuptuar se pushtimi i Kosovës kishte qenë gabim
katastrofik i Serbisë; ishin dhe një numër nga pjesëtarët serbë të Kosovës të cilët
ende po përpëliten dhe po hamenden midis Kosovës e Serbisë.Grupit të parë i takonin
Sonja Biserko,Obrad Saviq e Zharko Koraç.Grupit të dytë i takonin Llatinka Peroviq,
Çedomir Jovanoviq e Vesna Miçiq, kurse grupit të tretë i takonin Predrag Nojkiq dhe
Dragisha Kërstoviq.Pjesëmarrësit tjerë ishin diku midis këtyre grupeve. Por,
kryesisht, kjo ishte ajo Serbia jozyrtare.Këta ishin përfaqësuesë të popullit serb
me ndikim ende të vogël në politikën e vendit të tyre, por që e bëjnë të ditur se në
Serbi, megjithatë, diçka po zien dhe se guximi qytetar dalngadalë po zgjohet.Ky
takim është i vlefshëm për ne shqiptarët që të mund të bëjmë dallimin midis Serbisë
çetnike-neofashiste që do të shkojë dhe të Serbisë demokratike-liberale e cila, me
vështirësi të mëdha,por që është duke ardhur dhe që domosdo do të vijë.Ne si shumicë
shqiptare duhet të pozicionohemi në atë mënyrë që të mos i përsërisim gabimet e
serbëve,por as të kroatëve të periudhës së Franjo Tugjmanit.Statusin e ardhshëm të
Kosovës do ta përcaktojë shkalla e vetëdijes sonë kombëtare e qytetare gjatë
procesit të përcaktimit të statusit.Deri më tash shkalla e vetëdijes sonë kombëtare
e qytetare nuk qe e mjaftueshme për të arritur pavarësinë e dëshiruar.Mirëpo ende
nuk është vonë. Do të ketë kohë mjaft që të mbledhim vullnetin tone dhe të lirojmë
enrgjinë e duhur me të cilën do të bindnim Serbinë dhe botën se populli ynë tashmë
është pjekur për liri të plotë, për shtet të pavarur që ka për bazë demokracinë
humaniste.

Arjeta Shala: Baca Adem, Prishtina dhe Beogradi kanë
qëndrime të ndryshme rreth zgjidhjes së statusit
përfundimtar të Kosovës. Mendoni se do të ketë
negociata mes dy kryeqyteteve për zgjidhjen e
statusit, apo për statusin do të vendosë komuniteti
ndërkombëtar?

A.D.- E nderuara Arjetë, komuniteti ndërkombëtar ka vendosur tashmë, përgjithësisht,
mirëpo për detale dhe për punët konkrete po kërkon që të mirremi vesh ne
shqiptarët("edhat")dhe serbët("ujqit").Komuniteti ndërkombëtar na e ka caktuar
gjatësinë e "konopit" me formulën: "Më shumë se autonomi e më pak se pavarësi".Kjo
formulë është e pranueshme për serbët, prandaj ata edhe po kapen kaq me afsh për
"konopin ndërkombëtar".Ne shqiptarëve na ka mbetur ose ta "këpusim konopin" e të
lirohemi nga Serbia, ose të shtrijmë qafën e të mbetemi të lidhur për Serbinë.Kemi
edhe pak kohë për të menduar.Apo, mos vallë po përtojmë që të mendojmë fare?

Fitim Salihu: Z. Demaçi, a po shkon TMK-ja drejt
strukturimit në forcë ushtarake siç po flitet me të
madhe kohëve të fundit. Sa janë gjasat reale për këtë
proces?

A.D.- Zotëri Fitim,fati i TMK-së është i pandashëm nga fati i Kosovës.Nëse Kosova do
të arrijë që të bëhet shtet i vërtetë e me tamam edhe TMK-ja do të bëhet ushtri e
vertetë ashtu si janë e si do të jenë edhe ushtritë tjere të rajonit.Nëse Kosova do
të bëhet gjysmë shteti edhe TMK-ja do të bëhet gjysmë ushtrie; nëse Kosova do të
bëhet çerek shteti edhe TMK-ja do të bëhet çerek ushtrie!Të gjitha gjërat në
gjithësinë tonë janë të lidhura midis tyre dhe të gjitha varen njëra nga tjetra.

Sadik Rrahmani: Jemi vendi më i pasur me shoqata
joqeveritare, së paku në Evropë, por më së paku me
ndryshime. Pse ndodhë keshtu?

A.D.- I nderuari Sadik,organizatat joqeveritare kanë lindur për të mbrojtur
qytetarët nga padrejtësitë e aparateve shtetërore që disponojnë me monopolin e
forcës, ndërsa në territorin e Kosovës që ende nuk është shtet, me përjashtime fort
të vogla, organizatat joqeveritare janë themeluar nga ata që i kanë financuar për
t'u shërbyer atyre që i financojnë.Ashti si i kemi shumicën e institucioneve jo të
vërteta dhe formale, ashtu edhe shumicën e organizatave joqeveritare i kemi vetëm
organizata formale joqeveritare. Shumica dërmuese prej tyre nuk guxojnë t'ua
prishin as"tetikun" "gazdallarëve" të vet sepse brenda një muaji do të mbetetshin në
rrugë, ose do të detyroheshin, për të vazhduar jetën e vet, të finansojnë
vetveten.Porsa të kundërshtosh "vijën politike të Rezolutës 1244 të KS" do të jeshë
i papërshtatshëm për bashkëpunim me "gazdallarët" dhe financimi zvoglohet fort, ose
shterret fare.Prandaj forcat që duan të bëjnë ndryshime dhe që duan të dalin nga
rruga e Rezolutës 1244 ngulfaten në mënyrë elegante, ose shtyhen në margjinën e
ndikimit.Në këtë mënyrë procesi i ndryshimeve, ndonëse nuk mund të ndalet, por
ngadalësohet dukshëm, sidomos në shoqërinë tonë me vetëdije të kufizuar kombëtare e
qytetare.

Fejzullah Krasniqi: Sa do të ishte i favorshëm
protektorati i Kosovës nën ombrellën e BE-se?

A.D.- I nderuari Fejzullah, protektorati si institucion ndërkombëtar ka kohë që
është nxjerrë nga përdorimi, sepse protektorati nënkupton protektorin(përkrahësin)
që përgatitë ish koloninë për pavarësi).Bashkimi Evropian do të mund ta marrë
Kosovën nën administrimin e përkohshëm civil, siç e kanë tani Kombet e Bshkuara dhe
një ditë,(në ditën "D"),t'ia dorëzojë Serbisë, sipas formulas "më shumë se autonomi
e më pak se pavsrësi".

Veton Abdullahu: Tërë kohën keni qenë ndër kritikët më
të mëdhenjë në Kosovë. Mendoni se keni të drejtë, apo
Ju ka lënë hapësirë heshtja e të tjerëve?

A.D.- I nderuari Veton, që të dyja ngapakë.Por, Ju lutem, mos harroni se nuk jam
bash i vetmi që kam kritikuar dhe që po kritikoj, prore në funksion të interesave
thelbësore të Kosovës.

Florim Gashi: Kush duhet të hartojë strategji për
Kosovën, politikanët apo akademia e shkencave e cila
duket sikur ka shuar të gjitha aktivitetet e saj. Kjo
më së miri ilustrohet me botime të shumta të
ekspertëve të jashtëm në raport me studimet vendore.
Komenti I juaj.

A.D.- I nderuari Florim, strategjinë politike për Kosovën, në bazë të parimeve
shkencore, duhet ta hartojnë politikanët, kurse të gjitha strategjitë tjera
zhvillimore, sikur të kishim akademi të vërtetë, do të duhej t'i iniconte,t'i
udhëhiqte e, pse jo edhe t'i hartonte Akademia e Shkencave dhe e Arteve e Kosovës.

Sami Sejdiu: I nderuari Adem, çka ta merr mendja, a
duhet të zhvillohet takimi Kosumi- Koshtunica. Nëse po
pse dhe nëse jo,pse?

A.D.- I nderuari Sami,jo, nuk do të duhej tash të zhvillohej takimi
Kosumi-Koshtunica, sepse z. Kosumi është me duar në xhepa, ndërsa z. Koshtunica e ka
"stupcin" e shtetit serb në krah! Nëse jeni "Bektesh" edhe me kaq e merrni vesh!

Qëndrim Jashari: Z. Demaçi, tash në qershor do të mbahet
kongresi i PDK-së. Ju, nëse do të keni ftesë a do të
merrni pjesë dhe nëse do të Ju kandidojnë a do të
pranoni që ta merrni ndonjë post në këtë parti?

A.D.- I nderuari z.Qëndrim,
dy herë, jo!

Arkiv për lexim. Datat janë datat e postimit në forumin origjinal. Titujt mund të jenë të shkurtuar nga sistemi i vjetër. Adresat elektronike dhe IP-të janë fshehur.