Një shkëndijë drite...

2005-06-14 · Forumi historik RTVZIK · 0 përgjigje të ruajtura

Shkruan:
Fadil SHYTI

NJË SHKËNDIJË DRITE PO PËRHAPET NË KOSOVËN SHQIPTARE

Populli shqiptar, sa herë është gjendur ngushtë gjatë historisë, sa herë këtij populli të lashtë e të ri, iu kanë marrë të drejtat legjitime nëpër këmbë si: gjuha, flamuri, shkolla, etj, sa herë këtij populli liridashës iu ka ngulfatur nga armiqtë e hapur dhe të maskuar fjala dhe veprimi i lirë, kurdoherë i kanë dalur zot bij´ e bija të këtij trualli të larë me gjak gjatë shekujve të stuhishëm!...

E, njëri nga këta flakadanë lirie, padyshim është dhe biri i patundur përballë valëve të tërmeteve të historisë shqiptare, në rininë e tij, është Albin Kurti.
Emri i tij, është bërë i njohur për të gjithë shqiptarët atdhetarë që parësisht mendojnë dhe veprojnë për të sotmen dhe të ardhmen e ndritur të shqiptarëve e jo vetëm për interesat e tyre personale.

Emri i këtij djaloshi shkëlqeu nga fillimstuhia e 1 Tetorit të vitit 1997, kur ky vigan, i doli në ballë popullit, gjegjësisht demonstruesve, përballë skuadroneve të zeza serbo-çetnike, për t´i´mbrojtur të drejtat kombëtare, të cilat ishin nëpërkëmbur aq trishtueshëm nga regjimi kriminal serbomadh.

Kur dinosaurët e "demokracisë", me në krye I. Rugovën, nën maskën e turpshme të durimit, i thoshin këtij djaloshi sypatrembur dhe shokëve të tij:
"Mos dilni në rrugë, ju lutemi mos e provokoni situatën"!...
Por, rinia heroike studentore e UP, nuk i dëgjoi këshillat qyqare të "sehirxhinjëve" as këshillat e kumbarëve dhe atyre ndrikullave miqëve e mikeshave , të pacifistëve dhe të regjimit serbomadh, të cilëve mbi çdo gjë u interesonte; ta ruajnë status-cuon, ta ruajnë qetësinë në Kosovë, dhe ashtu lirshëm (veç ata), të kalironin si djajtë në livadhin e shkretë, në valle me të huajt okupatorë, në shtëpinë e "askujt" në Kosovën "të hapur ndaj Serbisë" e të mbyllur ndaj Shqipërisë.
Por, për ta maskuar këtë krim-pushtim jo vetëm fizik por edhe shpirtëror, që po i servohej popullit tonë; thuhej me delikatesë dinake nga vet kreu i LDK-së, " Kosova, e hapur edhe ndaj Shqipërisë"!!!

Meditimet e ëndërrave pacifiste po merrnin fund, pikërisht me këtë fillimstuhi të asaj vjeshte, kur vetëm një muaj pas kësaj demonstrate në ditën tonë kombëtare më 28 Nëntor 1997, do të dilte hapur UÇK-ja heroike, atje në Drenicën Kreshnike, me ç´rast popullit do t´i bëhej e njohur botërisht se këta djemë e cuca që i kishin rrokur armët, nuk janë "dorë e zgjatur e Serbisë", ashtu siç trumbetonin pacifistët mjeranë, por janë bij´ e bija të këtij populli që e kanë vendosur "ta lënë plakun (I. Rugova) në "shejtninë" e tij, e kanë ngritë grushtin me luftue e n´luftëra të reja me fitue!
( Ne, t´ birt e shekullit të ri- Migjeni).

Ngjarjet u rrokullisën me shpejtësi, djaloshi Albin Kurti nga radhët barrikadave studentore të Prishtinës, do të kalonte në aradhat partizane të luftës politke të UÇK-së, me detyrën e sekretarit të Zëdhënësit të UÇK-së, me seli në Prishtinë, Adem Demaçit.
Detyrë, që do ta kryente me sukses deri me burgosjen e tij nga regjimi serbo-çetnik.
Qëndresa promethejane e Albinit do të dëshmohej fuqishëm, atje në kazamatet serbe, kur regjimi serb i detyruar nga faktori i jashtëm , për t´u hequr kinse organet e drejtësisë në burgjet serbe janë demokratike, ata e organizuan dinakërisht një konferencë për shtyp(duke menduar se do ta thyenin ”advokatin e mbrojtjes së çlirmtarëve”), opinioni e ka të çartë qëndrimin e tij të vendosur, në kohën kur Serbia bënte masakra në Kosovë, Albini sypatrembur para gazetarëve deklaronte:

Jam për pavarsinë e Kosovës!
Nuk e pranoj gjyqin fashist serb!
... Serbia, do të kapitulloj në Kosovë!


Por, kur e mori vesh se njëri prej tyre nuk ishte gazetar, por ishte qeveritar i maskuar si gazetar, pa frikë iu drejtua ”ty s´të përgjigjem”!
Sikur donte t´i thoshte, ”me ju po flasim me grykën e pushkës në malet shqiptare!
Pra, nuk denjoi t´i përgjigjej fare, pastaj...
Pas luftës çlirimtare, regjimi kriminal i Serbisë ra, por mjerisht nuk iu shkëputën fijet agjenturore dhe paramilitare të tij në Kosovë.

Albini me shokë kur erdhën nga burgjet e gjetën një Kosovë jo të çliruar ashtu siç e kishin paramenduar, për më keq e gjetën një Kosovë të ricopëtuar!...

Kosova, po qeverisej nga Unmikistani, kjo administratë e dëshmuar qindra herë pro serbe, por e kamufluar mijëra herë si mike e shqiptarëve!

Natyrisht, duke i parë të gjitha këto padrejtësi që po i bëheshin vendit të fundit kolonialist në Europë, Kosovës me vise shqiptare, simboli i rezistencës shqiptare, Adem Demaçi dhe Albin Kurti me shokë, nuk do të pajtoheshin as do të pranonin të ngjiteshin atyre shkallëve prej kartoni të pushtetit fikitiv, të parlamentit "saksi" të Kosovës, ( A. Demaçi ), por do të preferonin më mirë të qëndronin opozitë e vërtetë "në ballë të popullit dhe te këmbët e tij", siç thoshte heroi ynë i madh, Jusuf Gërvalla.

Kaluan 6 vjetë, nga hyrja e trupave të NATO-s, në Kosovë, kjo meriton respekt për faktin që këto trupa mbyllën tmerrin e një lufte të pabarabartë, shqiptaro-serbe.
Por, kjo ndërhyrje përkundër qëllimit të madh liridashës, sikur u keqpërdor nga krahu tjetër i ndërkombëtarëve, pra nga krahu i administratës me emrin UNMIK, këta zotërinj, nuk e kuptuan apo s´ deshën ta kuptojnë se Kosovës nuk i duhej vetëm largimi i trupave gjakatare të policisë e ushtrisë serbe, por i duhej dhe liria, pastaj i duhej zhvillimi ekonomik, politik, ushtarak etj.

Në këto fusha të paskajshme jetësore, Kosova ka ngecur në vend numëro!...

Këta zotërinj dhe miqtë e tyre në Europë, edhe më tej nuk e kuptojnë as deri tani se populli shqiptar i Kosovës me vise të kolonizuara nuk i bëri tri luftëra çlirimtare për të mbetur Atmëmëdheu ynë, sërish i ndarë në "copa-copa", nën tutelën e armiqëve, pushtuesve sllavë!...

E, ky pikëynim i tyre po provohet të arrihet tani jo me zjarr e hekur - siç u provua dikur të mbahej ashtu i shtypur një popull, por tani me "mjete demokratike", duke i detyruar shqiptarët të ulen e të bëjnë negociata, "pazarllëk” me pushtuesit e tyre, e pastaj pa të shohim ku po na hedhin valët e historisë së diplomacisë së vjetër dinake të Europës?!!!
Protesta e 9 qershorit, për të pagjeturit, demaskimi i kriminelëve serbë, me çarqafin e bardhë me emrat e gjakpirësve çetnikë, pastaj heqja e këtij çarqafi për disa herë me radhë nga Unmikistani, pastaj burgosja e veprimtarëve, Rrjeti i Aksionit për Kosovën, ( KAN-it), duhet të zgjojë nga gjumi politkanët gjumashë nga shhpellat e tyre (zyrat), duhet t´i zgjojë nga gjumi mendjet e ndritura të kombit; rininë tonë, klasën punëtore, intelektualët përparimtarë, aleaten besnike të tyre fshatarsinë dhe të gjitha shtresat tjera shoqërore!
Protesta e 12 qeshorit 2005, e mbajtur në Prishtinë, nga lëvizja qytetare "KAN", e udhëhequr nga udhëheqësi popullor, Albin Kurti, me paraqitjen e parullës në muret e lokalit të Unmikistanit, "DUAM VETËVENDOSJE JO NEGOCIATA"!
Kjo, qe pikëfrymëzimi im kryesor për t´i shkruar këto radhë...

Nga kjo lëvizje qytetare po rilindë një shkëndijë drite e cila shpresojmë që do të rritet e t´u bëjë dritë mendjeve shqiptare, që ta kuptojnë sa më parë se:
vallja e djallit po luhet mbi kurrizin e plagosur të popullit tonë, derisa diplomacia ndërkombëtare e përkrahur edhe nga klasa politike vendore na kërkojnë të negociojmë - siç tha Albini, " ne s´kemi pse të negociojmë, ne jemi në vendin tonë " dhe vijoi:
"NE DUAM VETËVENDOSJE NE JEMI NË VENDIN TONË"!
Pas kësaj deklarate udhërrëfyese të Albinit, menjëherë doli zëdhënësi i UNMIKUT dhe deklaroi:
” secili ka të drejtë t´i shprehë idetë e veta, (opcionet), por për statusin e Kosoovës do të vendos KS të OKB-së”.
Pikërisht, këtë politikë antishqiptare e kanë demaskuar dhe zbërthyer mirë qëllimin antishqiptar të UNMIKUT në Kosovë, simboli i rezistencës shqiptare, Adem Demaçi dhe simboli i qëndresës së rinisë shqiptare, Albin Kurti.
Fatkeqësisht, kjo politikë antishqiptare – unmikase, sot po përkrahet nga akademikët e diplomuar në kuzhinat politike sllave, në shkollat e Kumrovcit, të cilët sot këmbëngulin që me çdo kusht ta mbajnë pushtetin të pa shtet!

Është koha që të gjithë individët dhe forcat përparimtare të ribashkohen si dikur në vitet 89-90-ta, rreth flakadanëve të VETËVENDOSJES, nëse dikur Adem Jashari, e dha kushtrimin e luftës për çlirimin e Kosovës, tani Adem Demaçi dhe Albin Kurti po e japin kushtrimin për VETËVENDOSJEN e popullit shqiptar, për ardhmërinë e vet!...

Zotërinj të nderuar diplomatë ndërkombëtarë!
Paraardhësit tuaj ishin ata që dikur i hapën llogoret e luftërave në shtetet e Ballkanit, me politikat e tyre ekspansioniste, duke ua mohuar popujve këtë të drejtë të shenjtë, ju duhet tani ta përmirësoni këtë gabim fatal që aq shumë u kushtoi popujve të këtij rajoni.
Fillimisht, sikur dukej se po e bëni këtë, sepse investuat aq shumë për gabimet tuaja shekullore, por, si po duket ende s ´keni marrë mësim nga historia, ende po i shërbeni riciklimit të historisë së këtij rajoni!

Prandaj, zotëri të nderuar, mos shpresoni se kështu e keni sjellur paqen pakufishëm në viset e robëruara shqiptare.
Kjo paqe është tejet e brishtë, kjo mund të humbet si fluskë sapuni, përballë rrebesheve të uraganit popull!

Paralajmërimet për stuhi të reja janë shpëtim për ata që dijnë dhe munden t´ju shmangen atyre me mençuri!...

Parandaj, kujdes zotëri diplomatë, mos u tallni me cinizëm me ardhmërinë tonë!
Kosova shqiptare, nuk është epruvetë çelqi, që ju të eksperimentoni pakufishëm me të!
Në Kosovë, kurdoherë jetoi, jeton dhe do të jeton në shekuj gjaku kryengritës shqiptar, që s´duron t´i mirren nëpër këmbë idealet e tij të shenjëta, siç janë VETËVENDOSJA dhe RIBASHKIMI i Shqipërisë Etnike.
Dua t´jua përkujtoj dhe një fakt që ju ndofta se dini apo e keni harruar:
Në pranverën e kuqe ´81, njëra nga parullat programatike të demonstruesve shqiptarë ka qenë edhe kjo:
VETËVENDOSJE KUSHTETUTË O ME HATËR O ME LUFTË!
Kujdes!
Mos lejoni që sërish të përsëritet historia!...
Suedi, 12 qershor 2005

Arkiv për lexim. Datat janë datat e postimit në forumin origjinal. Titujt mund të jenë të shkurtuar nga sistemi i vjetër. Adresat elektronike dhe IP-të janë fshehur.