BEQIR ELSHANI

2005-06-12 · Forumi historik RTVZIK · 0 përgjigje të ruajtura

BEQIR ELSHANI

DIELLIT I THEMI KOSOVË

Qiellit i themi flaka,

Flakës i themi buka,

Bukës i themi ujë,

Ujit i themi jetë,

Jetës i themi dritë,

Dritës i themi diell,

Diellit i themi KOSOVË.

Me plumbin në dhëmb

Hasmit i themi jashtë,

Dhimbës i themi plaç,

Furtunës i themi ndal.

BABAI SHKROI NJË KARTË

Babai shkroi një kartë,

nuk tregoi për torturat fashiste

të një pushtuesi barbar

që vret dhe ndjek shqiptarët,

që helmon nxënësit

dhe shkollat ua përmbys,

që fshatrat i shkrumbon

dhe banorët i masakron.

- Mirë e dinte

që Evropa nuk brengoset,

sepse po argëtohet

me filmat e disnilendit.

Në kartë - titulli "evropë"

me shkronjë të vogël.

Iu afrova dhe i thash:

Baba, nga pakujdesia e bëre!

Meqë emri "evropë"

shkruhet me shkronjë të madhe.

Pastaj me këtë shkrim

të çakërdisur porsi hieroglife

në gjuhën shqipe po i drejtohesh

Zonjës së madhe Evropë!

Këtë punë e bëjmë ne,

intelektualët shqiptarë,

që njohim diplomacinë,

që dimë gjuhët e huaja

dhe shkruajmë me stil.

Pastaj ky është dokument

që hyn në arkivat zyrtare

dhe ne turpërohemi,

sepse të mungojnë fjalët:

"Ju lutem! Të nderuar zotërinj!

Po derdhet gjaku, po vriten fëmijët;

tanksi i blinduar serb

mizorisht hyri në shtëpinë time

dhe shumë përjetime çnjerëzore."

Dhe ç'i shkroi babai Evropës:

- evropë, ç'të bëj me bishën

që ma mbyti djalin?

SIRENA MAGJEPSE

Shtriga serbe gjatë jeton,

nostalgjike është gjithmonë,

nuk i beson vdekjes - mallkon

dhe nuk di çfarë vepron.

Infuzionin në kokë e këmbë,

shumë dëshiron asgjë s’i hahet.

Vajtojnë e kryqojnë për shpëtim

që nga Moska në Selanik.

Tri herë sulm në zemër pati,

paraliza e bllokoi keqasi.

Gjysmëdjathtën e ka të fortë,

gjysmëmajta për vdekje e fton.

Flet në kllapi, e ka kohën,

ta miklojë e do pranë Kosovën,

me tym e barot ta ushqejë,

me sirena magjepse ta tërheqë.

Sirena e saj nuk ka sukses,

Kosova mban dyll në vesh,

anija shqiptare përpara lundron,

kiçin me dhëmbë po e shtrëngon.

SHTËPIAT TONA ZHELE-ZHELE

Këtu bubullinë e vetëtinë,

Ndërsa shiu gjetiu bie.

Kështu edhe prodhimet tona

Kah Beogradi - gjetiu shkojnë.

Në Kosovë tym dhe ndotje,

Saqë ngordhin peshq e zogj;

Në Serbi ambient i pastër

Me fontane e plotë gjelbrim.

Shtëpiat tona zhele-zhele,

Qytetet serbe plotë me kantiere,

Me ura harkore porsi ylber,

Me rrugë të gjata që nuk sosen.

Trepça jonë prodhon ari e plumb,

Serbia të gjitha i merr pa mund.

Populli shqiptar vuan e rënkon,

Armiqtë tanë përherë këndojnë.

Mjaft më, o shfrytëzues barbar,

Nuk ka më xehe për ju satrap.

Në këmbë ngritet populli shqiptar

Drejt Lirisë marshon përpara.

VARGJE PËR LIBRIN

Gufon flaka te përpjetë,

digjen librat si në mesjetë,

digjen librat, digjet shqipja,

bishës serbe i raftë pika.

Kamionët shkojnë e vijnë

- nga Prishtina në Landovicë,

librat shqipe i shkrumbojnë

serboracizmin riprodhojnë.

Me shafarosje nuk po ndalet

kjo shtriga me sy naleti.

Në Hilandar serb gjurmon,

Akropolin e sllavizon.

EPOKAT SHQIPTARE

Telefonët po ushtojnë

epokat shqiptare lufttojnë.

Perandoria serbe po tronditet

shqiptarët mbrojnë Republikën.

Kosova në luftë gjithmonë

sllavët vezullojnë në OKB

Serbia promovohet në shtet

dhe shqiptarët zyrtarisht i vret.

Nuk është Rusia nënë e fortë,

është Evropa plakë e gjorë,

që shqiptarët i bën fli

në të triat - Jugosllavi.

MILINEUMI

Milineumi i dytë po ikën

kishte numra tragjike.

Gjaku si metamorfozë

shkroi blu në në OKB.

Kosova e lidhur në pranga,

me plisin e përgjakur

dhe pëllumbi në kaltëri

fluturoi drejt robërisë.

Kosova kullon gjak,

Serbia e thithë pa ia nda,

Kosova gjallë e për gazep.

Serbia vepron si mos më keq.

Beogradi bardh e zi

me armet dëng e pis,

vret dhe vajton

me mit e me lotë.

MINATORIT

- Minator, o minator!

Tërë Evropën shkumbullon,

shkumbullon dhe mërdhinë

nuk ka plumbë dhe thëngjillë.

U skuq bora maje malit,

Në Stantërg kushtrimi plasi:

- Plumbin me dhëmbë e hamë

Beogradit, o, asnjë gram.

VESHI

Veshi, që nuk mund ta shikoni,

Është organ i dëgjimit;

Dëgjon larg edhe pëshpëritjen,

Porsi lakuriqi i natës.

Dëgjon fjalë të bukura,

Edhe fjalë që lëndojnë zemrën.

Më shpesh se rrufenë në qiell

Dëgjon murtajat që shkrumbojnë.

Dikush e ka dekor në kokë,

Për estetikë i përkulem,

Ndaj Van Gogu lokucionist

veshin e shkuli me brisk.

Betoveni dëgjonte pa vesh,

Ishte truri i tij që gjykonte,

Ndaj gjeniu i artit muzikor

Dha kushtrimin e revolucionit.

PLAGËT E KOSOVËS

Ai që në Kosovë fyen Qosjen,

Në Serbi e puth në faqe Sllobën,

Kështu thonin të vjetrit pleq,

Se e vërteta dikur del në shesh.

Kush i mbyti djemtë e Laokontit

qaforen e gruas me gjarpër e stolis,

Kosovën trime e shpall ilegjitim,

në Karagjorgjevë dollinë e ngrit.

Euriditi me autoritet shkencor

furtunës përballë i qëndron.

Ka stilin e Gjergjelezalisë,

me ujëdrini i mjekon plagët.

Ekstremisti nën gishtat e fitores

zgërdhin dhëmbët pranë foltores,

se Bruti për Perandor të Romës

para puthi Tokën - Nënën tonë.

KERBERI

Ky qen i zi me tri koka,

- Një në Frushka Gorë,

Një në Graçanicë,

Dhe një në Llovqen,

Trupin në Kalemegdan,

Dekori i tij është miti.

Kerberi për Beogradin

Është rojtar besnik:

Kë e fut brenda në Had

Kurrë më nuk del jashtë.

Kerberi nuk di shqip,

Gjuha e tij është tmerri,

Hipnozën e pëlqen,

Revoltën e urren.

Kerberi flet serbisht,

Shqiptarët e dëbojnë,

Titistët e dashurojnë,

Servilët e adhurojnë.

Kur Kerberi të kafshon,

Mallkon gjuhën shqipe,

Adhuron Millosheviqin,

Del antishqiptar me zanat.

KURSI ANTISHQIPTAR

Babai i liderit në opozitë

nga populli i leçitur ishte,

sepse shërbeu padishahun

me turkelhamdulilahun.

Tani ky kur erdh Musolini,

vullnetar hyri në çetën e tij

dhe nën flamurin e fashizmit

partizanët kudo i vriste.

Pas theqafjes së fashizmit,

erdh serbia neofashiste,

ndaj bëhet titist i përbetuar

shpejtë ngritet në pushtet.

Titoja e shkolloi për katil,

i dha pozitë antishqiptare,

investoi për jugosllavizëm

për të ndjekur irredentistët.

Imunitetin e kishte të fortë

me reforma kudo në botë,

me gishtat plastike të V-fitores

të tjerat me thikë i ka prerë.

Fëlliq Titon, shan partinë

- dje pejgamer në dhomën e tij,

sot familjarisht në demokraci

drejt Evropës don të prijë.

Sot ka çifligun nga babai,

Medaljonin nga Musolini,

Lëvdatat nga Hitleri,

Nga Titoja mori bereçetin.

Në Paris të birin shkollon,

dhe fabrikë të re ndërton,

që ne t´i themi, Padron,

punë tek ju kërkojmë.

LIMONI I SHTRYDHUR

Drejtori im dikur

më rjepi lëkurën,

më shtypi dhe më thau,

më shpalli irredentist

dhe më dëboi nga puna.

Më kualifikoi: i çmendur,

më evidentoi në hetuesi

dhe më trusi në qeli.

Për Lahutën e Malësisë

mikun e vet e shpifi,

në sanatorium e plandosi.

Ç´ka bërë drejtori im

nuk i zë kjo kartë,

qiriri po më digjet,

ngjyra po më shafitet.

Sot, ky farë drejtori,

i shtrydhur si limoni,

zbritur nga froni,

emërohet avokat

përballë pushtuesit serb.

Tani në pallatin e tij

në vend të Josip Brozit

vezullon fotografia

e Ibrahim Rugovës.

MAKINA E SHKRIMIT

Makina ime shkruan keq:

i mungojnë shkronjat

e fjalës "A-l-b-a-n-i-a",

dhe të fjalës "K-o-s-o-v-a".

Tastiera e makinës

është një blof, sepse

kur shkruaj fjalën "L-i-r-i"

në letër shfaqet "robëria".

Eh, kjo makina e shkrimit

kishte një pusullë në byth:

…"Made in Ygoslavia"

dhe një ditë e vrau rrufeja.

KARPATET

USHTRI
BURGIM
MËRGIM
JENI NJË
SI NEPËRK
SI BISHË
SI FERRË
JENI NJË
VRASJE
MALLTRETIM
SHKATËRRIM
TË GJITHA JENI NJË
NJË EMËR KENI
NJË PREJARDHJE KENI
NGA MALET E KARPATEVE
BISHA SLLAVE.

Arkiv për lexim. Datat janë datat e postimit në forumin origjinal. Titujt mund të jenë të shkurtuar nga sistemi i vjetër. Adresat elektronike dhe IP-të janë fshehur.