E ardhmja e Kosovës duhet të sqarohet tani.

2006-04-20 · Forumi historik RTVZIK · 0 përgjigje të ruajtura

Shkruan:

Xhemil Zeqiri

Letër e hapur për partitë e Parlamentin dhe Qeverinë e Danimarkës
E ardhmja e Kosovës duhet të sqarohet tani.


I lejoj vetes time t´ju tërheq vëmendjen Tuaj në lidhje me negociatat për të
ardhmen e Kosovës, që për momentin zhvillohen në Vjenë.

Deri tani nuk është arritur në ndonjë marrëveshje të rëndësishme, por duke u
bazuar në ato informata që kanë dalë nga takimet, duket sikur edhe një herë
janë duke u marrë vendime për të ardhmen e Kosovës, pa e dëgjuar popullsinë.

Që nga luftërat në Ballkan dhe nga ndarja tragjike e Jugosllavisë, Kosova
është kthyer në një pjesë të harruar të Evropës. Me vite me radhë, zgjidhja
e problemeve të Kosovës është shtyrë për në një të ardhme akoma më të
pasigurtë.

Duke i vulosur me justifikimin ” mosmarrëveshje etnike”, Fuqitë e Mëdha i
kanë hequr popullit të Kosovës edhe një herë të drejtën për të vendosur për
të ardhmen e saj. Një e drejtë e cila ishte e siguruar nga Kushtetuta e
mëparshme e ish-Jugosllavisë, dhe që duhej të ishte garantuar nga konventat
ndërkombëtare.

Fati i Kosovës ka qenë vendosur për së tepërmi nga fakti që një pjesë
dërrmuese e popullsisë ishin shqiptarë. Në ish – Jugosllavi shqiptarët ishin
grupi i tretë i popullatës nga madhësia, por megjithatë kishin më pak të
drejta se popujt e tjerë të Jugosllavisë.

Sot, nuk ka stacione të huaja televizive që raportojnë nga Kosova, dhe nuk
ka gazetarë të huaj që provojnë të zbulojnë nën sipërfaqe, dhe të
përshkruajnë pafuqinë dhe zemërimin. Kjo do të rritet dita – ditës, derisa
të vërshojë mbi sipërfaqe.

Në Kosovë kanë të drejtën e votës. Kjo e drejtë ekzistonte edhe në ish –
Jugosllavi. Por, kur papunësia është mbi 60 %, kur më shumë se 15 % jetojnë
në varfëri të thellë, dhe skamja e varfëria karakterizojnë mënyrën e jetesës
për më shumë se gjysmën e popullsisë, atëherë është vetë lufta për mbijetesë
e cila karakterizon jetën e përditshme. Administrata e UNMIK – ut në Kosovë
e ka lënë të gjithë shoqërinë në vendnumëro. Në vitin 2004 Kosova eksportoi
mallra me një vlerë 45.1 milionë Euro, por importoi 25 herë më shumë.
Përveçse në bazën e madhe amerikane në zonë, nuk ndërtohet ose investohet.
Të vetmet rritje në Kosovë janë varfëria dhe papunësia.

UNMIK – u ka administruar Kosovën tashmë 7 vjet. Filloi si një fazë
kalimtare, por konsiderohet gjithnjë e më tepër sot nga popullsia në Kosovë
si një pushtim dhe si një morsetë e kyçur ndaj shoqërisë, e komanduar nga
një administratë që s´ka as dëshirë të veprojë dhe as vizione për zhvillimin
e shoqërisë.

Administrata e UNMIK-ut është totalisht jodemokratike, sepse popullsia është
e penguar që në mënyrë reale të vendosë në lidhje me fatin e saj. UNMIK-u
është kthyer në një mjet për pengimin e realizimit të dëshirës për liri, por
thjesht lënien në fazën e dëshirës.

Gjatë negociatave, Fuqitë e Mëdha janë fokusuar në vendosjen e të
ashtuquajturave standarde në një sërë fushash në Kosovë, përfshirë këtu
demokracinë dhe të drejtat e njeriut. Por përgjegjësia për themelimin e
zhvillimit demokratik, sot gjendet vetëm njëanshmërisht tek UNMIK-u, thjesht
sepse popullsia nuk vendos në lidhje me pasuritë natyrore, dhe politikanët e
zgjedhur nga populli nuk kanë të autoritet as dhe të hapin një stacion
autobusësh. Në këtë mënyrë është krijuar situata absurde ku UNMIK-u
fokusohet tek çështja e zhvillimit të të ashtuquajturave standarde
demokratike, ndërsa shumicës së popullsisë i mungon liria, puna dhe
demokracia e vërtetë.

Konfliktet dhe problemet sociale gjithnjë e në ashpërsim kanë krijuar klimën
më të keqe në marrëdhëniet midis grupeve etnike. Një kusht vendimtar për të
mbyllur plagët e shumë viteve të përgjakura, është që e gjithë zona të
nxirret nga varfëria. Mungesa e aftësisë së UNMIK-ut për të krijuar një
zhvillim të tillë, ka ndikuar faktikisht në zgjatjen e konfliktit midis
shqiptarëve dhe serbëve, dhe ka ruajtur arsyen e ndarjes etnike të
shoqërisë, në kundërshtim me deklaratat e bukura nga konferencat e shumta,
të cilat janë mbajtur gjatë këtyre viteve në Kosovë.

Faktikisht për në Kosovë kanë shkuar shuma jo të vogla parash. 2.5 miliard
Euro në më pak se 7 vjet.
Në një shoqëri ku ende pjesë të mëdha të ekonomisë kontrollohen nga banda të
organizuara kriminale, edhe një pjesë e donacioneve të huaja kanë përfunduar
në xhepat e pak personave, por rrallëherë në përfitim të popullsisë. Gjatë
kohës që UNMIK-u ka pasur përgjegjësinë në Kosovë, jeta politike është bërë
më burokratike dhe e korruptuar. Kjo natyrisht ndërthuret edhe me mungesën e
ndikimit të vërtetë dhe rritjen e varfërisë në shoqëri. Kjo nuk është diçka
që vetëm godet shqiptarët. Edhe serbët e zakonshëm paguajnë një çmim të
lartë. Askush nuk përfiton nga miliardat e shumta që dërgohen në Kosovë.
Paret zhduken si uji në shkretëtirë, dhe përdoren për mbajtjen e
konferencave të shtrenjta dhe rrogave të larta për të gjithë të huajt që
janë kthyer në zotëruesit e rinj në Kosovë, dhe për të zgjatur jetën e
korrupsionit politik, që është një pasojë e paanashkaluar e mungesës së
demokracisë në jetën politike.

Ajo që ndodh në Kosovë duhet parë nga një këndvështrim historik, përndryshe
nuk mund të kuptohet se si do të gjendet arsyeja e një zgjidhjeje
permanente. Natyrisht, nuk është një proçes i thjeshtë, por ecuria duhet
bazuar në disa parime bazë dhe të drejtën ndërkombëtare.

Shqiptarët nuk i kanë njohur kurrë kufijtë në Ballkan. Janë shumë që pohojnë
diçka tjetër, ndër të tjera shefi i mëparshëm i UNMIK-ut, Hans Hakkerup. Por
këto janë deklarata të pabaza. Shteti shqiptar u formua për arsye të një
vendosjeje të kufirit që bëri që, më shumë se gjysma e popullsisë dhe
trojeve shqiptare ngelën jashtë Shqipërisë edhe sot e kësaj dite. Ky është
një diskriminim i padëgjuar, pa shembuj të mëparshëm në historinë e re të
Evropës. Kufijtë ju detyruan Shqipërisë, pa i dhënë popullsisë së saj ndonjë
mundësi për të shprehur qëndrimin e saj. Kjo ndodhi për herë të parë në
Konferencën e Fuqive të Mëdha në Londër më 1912-1913.

Padrejtësia vazhdoi pas Luftës së Dytë Botërore, ku çështja kombëtare e
shqiptarëve ngeli e pa zgjidhur sepse pjesa dërrmuese e shqiptarëve banonte
në territore në vazhdim në shtetet fqinje me shtetin e ri shqiptar. Kur
ish-Jugosllavia u shpërbë, të gjitha grupet etnike zhvilluan referendumet e
tyre popullore, si bazë për krijimin e shteteve të rinj, të cilët më pas u
njohën nga shoqëria ndërkombëtare. Gjithashtu në Kosovë u zhvillua një
referendum i tillë. Por pavarësisht nga një rezultat gati i njëzëshëm, nuk
ishte asnjë që njohu të drejtën e Kosovës për ndarje. Nëse kjo do të ishte
bërë atëherë, ndoshta do të ishte anashkaluar spastrimi brutal etnik i
shqiptarëve dhe konflikti pasues gjakësor. Por Fuqitë e Mëdha ishin më të
zëna me sigurimin e zonave të tyre të influencës në Ballkan, sesa me
sigurimin e drejtësisë.

Situata në Kosovë është kaq e rëndë, sa që në mënyrë urgjente duhet të
zgjidhet statusi i saj për të ardhmen. Parë në thelb, nuk ekzistojnë kaq
shumë mundësi nëse statusi i Kosovës ngelet i pasqaruar. Tema e një
referendumi mund të ishte psh. nëse banorët e Kosovës dëshirojnë të ngelen
nën Serbinë, ose nëse dëshirojnë ribashkim me Shqipërinë. Kjo pyetje bazë
nuk duhet të ngelet për tu vendosur përsëri nga Fuqitë e Mëdha mbas dyerve
të mbyllura. Vendimi duhet të merret nga ata njerëz të cilët lindin, jetojnë
dhe vdesin në Kosovë. Është vendimtare që popullsia të vendosë në lidhje me
të ardhmen e saj.
E ardhmja e Kosovës duhet të vendoset nga popullsia nëpërmjet një
referendumi popullor.

Përshëndetje shoqërore!

Xhemil Zeqiri,
Ørholmgade 9 st, th
2200 København N

Kopenhagë më 6.4.2006

Arkiv për lexim. Datat janë datat e postimit në forumin origjinal. Titujt mund të jenë të shkurtuar nga sistemi i vjetër. Adresat elektronike dhe IP-të janë fshehur.