Sa kushton një shkollë në Kosovë?

2006-04-16 · Forumi historik RTVZIK · 0 përgjigje të ruajtura

Sa kushton një shkollë në Kosovë?

Shtrenjtë. Shumë shtrenjtë; tmerrësisht shtrenjtë. Pra, pse shkollat nëpër Kosovë janë aq të shtrenjta? Ku dallojnë shkollat tona nga shkollat, psh, amerikane? Për nga hapësira, për nga materiali ndërtimor, për nga cilësia fizike e shkollës ose për nga cilësia mësimore?

Ka shumë dallimet dhe këto dallime sigurisht që shkojnë në dëm tonin. Andaj, nuk do të flas për këtë fenomen.

Para disa ditësh, në një gazetë ditore, lexova që Ministria e Arsimit, Shkencës dhe e Teknologjisë (MASHT) në bashkëpunim me Ministrinë e Ekonomisë dhe Financave (MEF), kanë filluar ndërtimin e një shkolle diku në një fshat të Kosovës. Lajmi, si i tillë, mund të ketë karakter edhe patriotik. MASHT dhe MEF po ndërtojnë shkolla. Sa mirë. Shkolla kushtonte 800 mijë Euro.

Paramendojeni, 800 mijë Euro për një shkollë. 800 mijë Euro do të shpenzohen vetëm për cement, rërë, tulla, për tubacionet e elektrifikimit dhe ujësjellësit dhe asgjë më shumë.

Njëra prej arsyeve që pas kohës së luftës janë ndërtuar shumë shtëpi në Kosovë është edhe për shkak që materiali ndërtimor është i lirë, nuk është edhe aq i shtrenjë. Diku, diku një tullë nuk kushton 30 cent. Andaj, për të ndërtuar një hapësirë normale për jetesë, për të ndërtuar një shtëpi solide, ku do të mund të banojnë 5-7 persona, nuk shkojnë më shumë se 20 – 30 mijë Euro.

E tash, kur e krahasoni këtë shumë me 800 mijë Euro del që MASHT-i dhe MEF-i po ndërtojnë hapësira ndoshta edhe më të mëdha se në Nju Jork të Amerikës. Sepse nxënësit nuk do të jetojnë aty.

Ajo se çka më bren si qytetar i Kosovës është që askush nuk reagon ndaj dukurive të tilla. Kjo është diçka që njihet si “fshehtësi publike”. Të gjithë e dinë se çfarë bënë MASHT-i, por askush nuk flet. Përfshirë edhe gazetarët.

Shikuar me letra, MASHT ka gjasë të jetë ndër ministritë më me pak korrupsion në Kosovë ose edhe në gjithë Evropën. Me letra.

Nuk është hera e parë që MASHT-i bënë “investime” të tilla, “investime” të vetme të tilla. Ajo “investon” edhe në fusha të tjera arsimore.

E tash, kush ua sheh “hajrin” investimeve të tilla? Gati askush. Sepse përsëri do të kemi prindër e nxënës që do të thonë që nuk ka hapësira të mjaftuehsme për të gjithë nxënësit, përsëri MASHT do të vijë në pozitë të “investoj” në ndonjë shkollë tjetër të re, e kështu me radhë.

Mungesa e institucioneve përkatëse për hulumtimin e krimit të organizuar ekonomiko-financiar i jep liri veprimi të gjithëve për të manovruar me paratë e Kosovës. Askush nuk frikohet, ndërsa për llogaridhënie as të mos flasim. Llogaridhëniet kryhen në mënyrën më qesharake të mundshme Përpilohen “raporte” për shpenzime e “investime” të ministrive, e me këtë të gjithë ankohen që nuk ka para të mjaftueshme. Të gjithë besojnë. E më këtë, çdo gjë fillon nga fillimi.

Skënder Limani

Arkiv për lexim. Datat janë datat e postimit në forumin origjinal. Titujt mund të jenë të shkurtuar nga sistemi i vjetër. Adresat elektronike dhe IP-të janë fshehur.