BUKE E DJATHE’ NE HOLLIVUD

2006-04-15 · Forumi historik RTVZIK · 0 përgjigje të ruajtura

Rafaela Prifti


‘BUKE E DJATHE’ NE HOLLIVUD

Pas shfaqjeve të pritura mirë nga publiku në Nju Jork dhe Boston, komedia “Bukë e Djathë” – Një shqiptare prej Ulqini në Nju Jork – po ndiqet me interes prej disa javësh në Hudson Theatre në Los Anxheles të Kalifornisë. Autore dhe aktore në rolin e vetes është Elza Zagreda, Luan Bexheti ’interpreton’ Kanunin dhe regjisor Vincent Marano.

Shqiptarët e kanë lehtë ta kuptojnë prej titullit satirën ose të identifikohen deri diku me përmbajtjen e kësaj pjese komike nisur nga përvoja personale. Amerikanët dhe komunitetet e tjera gravitojnë me kureshtje drejt një kulture pak të njohur dhe shpesh të keqkuptuar në Amerikë. Por pavarësisht prej origjinës ose kombësisë, për të gjithë shikuesit, kjo shfaqje garanton një orë me të qeshura dhe zbavitje. Natyrisht, kulturat e disa komuniteteve në Amerikë kanë ngjashmëri të dukshme dhe zakone të përafërta. Në të vërtetë, komedia me një aktore ‘My Big Fat Greek Wedding’ (“Dasma me ‘doke’ greke”- përkthimi i autores) nga Nia Vardalos ka qenë pikënisje dhe frymëzim për pjesën komike “Bukë dhe Djathë” të Elza Zagredës. Si autore e kësaj pjese teatrale, Elza Zagreda, ka ditur të zgjedhë momente domethënëse nga jeta e saj personale si vajzë e edukuar me norma patriarkale në një familje shqiptare në Nju Jork dhe e rritur në një mjedis të mbrujtur me kulturë amerikane. Si aktore, ajo i shton rrëfimit të saj ngjyrime emocionale dhe nota humoristike. Sa për ilustrim, një prej këtyre episodeve është therja e qengjit për kurban, në shtëpinë e familjes Zagreda, çka fqinjët amerikanë nuk mund ta konceptojnë.

Konstrastet midis dy mënyrave të ndryshme të menduarit dhe të jetuarit, të reflektuara veçanërisht tek dallimet e forta gjinore dhe vendi i presupozuar i femrës në shoqëri, përbën thelbin e satirës dhe humorit qesëndisës të Elza Zagredës. Grimcat dhe episodet personale të komedisë fokusohen tek ‘stereotipet’ ose ‘shabllonet’ e traditës shqiptare për femrën që duhet të jetë nikoqire dhe e zonja për punë shtëpie, dhe tek synimet e familjes që vajza të martohet me një djalë shqiptar nga familje e mirë. E destinuar dhe e vetëdijshme se fati i femrës nuk ndryshohet, nëna e Elzës e shpreh pakënaqësinë dhe dufin e vet me shprehjen që e përsërit shpesh e për gjithçka “Ne na ka vra zoti.” Në disa momente rrëfimi bëhet veçanërisht emocional siç është historia për tezen në Shqipëri që martohet me shkuesi. Gjuha e rrjedhshme është e pasur me sharje dhe shprehje tipike shqiptare. Copëza nga historia e vetëtreguar dhe kujtimet e jetës familjare dhe shoqërore të kësaj vajze të re njëherit dokumentojnë norma morale e etike të kulturës shqiptare të tipizuara tek Kanuni i Lekë Dukagjinit. ’Pesha’ ose autoriteti i Kanunit si rregullatori i jetës së përditshme dhe ’vulosës’ i fatit të femrës shqiptare ’përçohen’ tek spektatori nga interpretimi i aktorit Luan Bexheti nga Tetova e Maqedonisë.

Ndonëse heroina i ka kapërcyer pengesat dhe konfliktet kulturore dhe tashmë përfaqëson një brez të femrës shqiptare të shkolluar dhe të integruar në jetën amerikane, rrëfimi i saj jetësor është interesant dhe intrigues. Spektatori ka kureshtje të ndjekë odisenë emocionale dhe komike të një femre të lindur në Nju Jork në një familje shqiptare prej Ulqini. Elza Zagreda debuton si autore dhe aktore e talentuar me lojë dhe plastikë të admirueshme. Luan Bexheti interpreton ’rolin’ autoritativ dhe të plotfuqishëm të Kanunit. Faktikisht, Zagreda dhe Bexheti kanë interpretuar bashkë në disa filma dhe pjesë teatrale, si edhe në një program zbavitës me çifte të titulluar “Change of Heart” në rrjetin amerikan WB. Një prej projekteve të tyre të përbashkëta ka qenë edhe teatri ”Trojan woman” (’Trojanet”) me regjisoren dhe aktoren e njohur të Broduejt Ellen McLaughlin, që shihet në foton shoqëruese.

Komedia ‘Bukë e Djathë” do vazhdoj të shfaqet në Hollivud deri në fund të marsit dhe në muajin prill do kthehet në skenë në Nju Jork. Artdashësit dhe admiruesit e teatrit do të kenë mundësi të shijojnë përsëri këtë zhanër që është në kultivim e sipër për traditën teatrore shqiptare. Urojmë që kjo pjesë teatrale nga Elza Zagreda të ketë fatin e lakmueshëm të pararendes së vet dhe të ngjallë interesim për film apo projekte të tjera të mëdha.

Arkiv për lexim. Datat janë datat e postimit në forumin origjinal. Titujt mund të jenë të shkurtuar nga sistemi i vjetër. Adresat elektronike dhe IP-të janë fshehur.