Mjekët tetovarë s’e respektojnë orarin e punës

2006-04-13 · Forumi historik RTVZIK · 0 përgjigje të ruajtura

Mjekët tetovarë s’e respektojnë orarin e punës

Spitali i Tetovës si shëtitore pacientësh

Derisa pacientët enden nëpër spital për të gjetur mjekët, të punësuarit tjerë u thonë se “ka ikur për një punë private”

GËZIM SULEJMANI
Tetovë, 11 prill - Mjekët në Qendrën Mjekësore të Tetovës nuk respektojnë orarin e punës. Pacientët ankohen se ata largohen nga vendi i punës dhe shkojnë e shërbejnë në ordinancat e tyre private. Derisa pacientët enden nëpër spital për të gjetur mjekët, të punësuarit tjerë u thonë se “ka ikur për një punë private”.
“Kam ardhur të bëjë vaksinimin e vajzës time, por infermierja nuk guxon të jep vaksinë pa kontrollin e mjekut të përgjithshëm. Ku ta gjej mjekun”, tha Mabere Selmani. Ajo thotë se spitali është shndërruar në shëtitore, pasi që pacientë enden duke kërkuar ose pritur mjekët që nuk janë në vendin e punës.
Ndërkohë, nuk arritëm të kontaktojmë me drejtorin e Qendrës Mjekësore, Lutfi Zylbehari, për sa i përket mosrespektimit të orarit të punës, kurse kryeshefët e reparteve nuk dëshirojnë të flasin. Ata thonë se të drejtë prononcimi ka vetëm drejtori.
Kryeshefi i repartit të internistikës Ismail Qamili thotë se në repartin e tij, mjekët deri diku e respektojnë orarin e punës, por ndodh të largohen për “punë private”.
“Prej orës 7 deri në 7 e 10 minuta të gjithë të punësuarit duhet të jenë në punë, ndërkohë gjatë ditës, mjekët kërkojnë leje për ndonjë punë private: të bëjnë ndonjë pagese në postë apo diçka tjetër”, thotë Qamili.
Pacientët akuzojnë mjekët se i ftojnë pacientët që të shkojnë të bëjnë vizitë mjekësore në ordinancat e tyre.“Kam pritur disa ditë para dyerve duke pritur doktorin. Ndërkohë, një infermiere më tha pse nuk shkoj në ordinancën private të tij”, thotë një paciente, e cila shton se më shumë është sëmurë duke pritur ndihmën e mjekësore.
Në dispanserinë e grave mjekët mbi një muaj nuk janë në shërbim të pacientëve. Drejtoresha e Shtëpisë së Shëndetit Lejla Reka disa herë ka ftuar mjekët që të respektojnë vendin e punës, sa më në fund ka reaguar edhe në Ministrinë e Shëndetësisë. Gjendja nuk ka ndryshuar. Mjekët më tepër fitim kanë në ordinancat e tyre private, ku një kontrollim mjekësor kushton 500 denarë.

Arkiv për lexim. Datat janë datat e postimit në forumin origjinal. Titujt mund të jenë të shkurtuar nga sistemi i vjetër. Adresat elektronike dhe IP-të janë fshehur.