Lezbikja shqiptare fiton gjyqin në Londër

2006-04-13 · Forumi historik RTVZIK · 0 përgjigje të ruajtura

Lezbikja shqiptare fiton gjyqin në Londër

Emine Krasniqi dhe Albana Lamaj jetojnë në marrëdhënie harmonike në Angli dhe rrisin bashkërisht fëmijën e Albanës, andaj gjykata nuk mundi të vendosë për dëbimin e Emines

Londër, 11 prill - Emine Krasniqi (54), për të cilën thuhet se është shqiptare nga Serbia, ka fituar gjyqin kundër deportimit në Gjyqin e Apeleve të Britanisë, në bazë të ligjit 8 të Konventës Evropiane të të Drejtave të Njeriut. Ajo ka deklaruar se ka partnere 24 - vjeçaren Albana Lamaj, nga Kosova, me të cilën ka marrëdhënie homoseksuale. Që të dyja jetojnë në Birmingham të Anglisë dhe janë duke rritur fëmijën e kësaj të dytës. Këtë marrëdhënie të tyre Lord Justice Sedley e ka përshkruar si “familje stabile dhe e përqendruar”.
Si transmeton ueb faqja ukalbanians.org, Krasniqi thotë se e ka humbur kontaktin me vajzën dhe djalin e saj, por tash ajo po ndihmon të rrisë fëmijën e dashnores së saj, i cili është fryt i një relacioni të mëhershëm të Lamaj me një shqiptar. Ky rast dhe ca të tjerë i shkaktuan debakël legjislacionit britanik, që kishte për qëllim të ndalonte martesat e rreme në Britani.
Që të dyja këto gra kanë deklaruar se kanë ardhur ndaras nga vendet e veta dhe se janë dhunuar nga forcat serbe. Krasniqi tash mund të qëndrojë në Britani deri sa të vendoset për statusin e imigracionit të partneres së saj.

Arkiv për lexim. Datat janë datat e postimit në forumin origjinal. Titujt mund të jenë të shkurtuar nga sistemi i vjetër. Adresat elektronike dhe IP-të janë fshehur.