Vizioni i ri për Kosovën

2006-04-11 · Forumi historik RTVZIK · 1 përgjigje të ruajtura

NË INTERVISTËN E LIDERIT TË PDK-SË HASHIM THACI DHËNË "KOSOVA SOT" SHPALOSET PLATFORMA E RE POLITIKE PËR KOSOVËN.

THAÇI: Sakrificat e së kalurës, nuk e imunizojnë askë për gabimet e sotme

“Kryeministri i ri i qeverisë së vjetër, duhet t’i shmanget agjendës së rrezikshme të përcaktuar nga kuzhina e individëve, të cilët interesat krejt personale i kanë vënë mbi ato të Kosovës, por duke u thirrur gjithmonë në “sakrificë” për beteja të reja kombëtare”
– theksoi ndër të tjera lideri i PDK-së, z.Hashim Thaçi, në një intervistë ekskluzive për “Kosova Sot” pjesën e parë të së cilës po e prezantojmë sot.

“Kosova Sot”-Raundi i bisedimeve mes Prishtinës dhe Beogradit, nën monitorimin ndërkombëtar për decentralizim u rrumbullaksua me dy dokumente të prezantuara me qëndrime thellësisht të kundërta. Çfar epilogu pritni nga tash nga ndonjë vendimmarrje e njëanëshme në OKB?

Hashim Thaçi: Dallimet në mes të Prishtinës dhe Beogradit për reformimin e pushtetit lokal janë diametralisht të kundërta. Prishtina është e interesuar të ketë një zgjidhje sipas parimit qytetar, ndërsa Beogradi është i interesuar të ketë një solucion të motivuar politikisht dhe të ndikuar vetëm në baza etnike me qëllim të ndarjeve të mbrendëshme territoriale, të krijimit të autonomive, enklavave , apo edhe të tendencës së ndarjes së Kosovës. Unë besoj se komuniteti ndërkombëtar do të vazhdojë ta luaj rolin aktiv që i takon në mënyrë që ta kemi një zgjidhje të pranueshme, zgjidhjen e cila do të legjitimohet në bazë të marrëveshjes për Kosovën. Do të kemi një reformim të pushtetit lokal që iu përgjigjet interesave dhe vullnetit të gjithë qytetarëve të Kosovës. Reformimi i pushtetit lokal nuk është interes ekskluziv i një komuniteti, ai është në funksion të të gjithë qytetarëve të Kosovës. Ne duam që pushtetit të jetë sa më afër qytetarit në mënyrë që secili në Kosovë të ndjejë vetëm bashkpëjesëmarrës në ndërtimin e Kosovës së re. Decentralizimi do të bëhet për Kosovën e re e jo për Serbinë, do të këtë bashkëpunim komunal, por jo lidhje horizontale, jo pushtet të tretë apo struktura paralele apo të veçanta, financimi nga vendet e treta do të behet vetem si donacione dhe ato të kalojnë përmes pushtetit qendror të Prishtinës dhe në menyre shumë trasparente.

Kosova Sot- ka pasur vlerësime të ndryshme të çështjeve të cilat po diskutohen. Sipas kënvështrimit tuaj cila është pika më e vështirë e këtyre negociatave?

Hashim Thaçi: Ne kete proces gjëra të rëndësishme janë të gjitha çështjet. Por, prioriteti ynë kryesir është është statusi politik. Ne duhet të jemi të gjithë fleksibil, vullnetmirë, kooperues me komunitetin ndërkombëtar që të tregojmë vullnetin tonë në kuptimin më afirmativ për respektimin dhe garantimin e minoriteteve, në kuptimin e avancimit të të drejtave të tyre.Natyrisht se për ne të gjitha çështjet janë të diskutueshme mirëpo është i padiskutueshëm statusit politik, pra shteti i pavarur dhe sovran i Kosovës. Aktualisht janë dy çështje të ndieshme që nuk do të duhej të diskutoheshin fare. E para është që çështja e Mitrovices të zgjidhet në përputhshmëri me interesat e të gjithë qytetarëve, të kemi një administratë të përbashkët civile, dhe prezencë ndërkombëtare por edhe nënjësi komunale. Mirëpo asesi të mos diskutohet çështja e krijimit të Zveçanit si komunë duke përfshirë edhe territorin deri te ura e Ibdrit, sikur që ka pretendime. Në anën tjetër edhe çështja e demarkacionit të kufirit me Maqedonin është një çështje për të cilën duhet të vendos parlamenti e sepse për çështjet territoriale vendosë parlamenti dhe vullneti i qytetarëve dhe asesi pozicioni i ndonjë lideri të caktuar politik. Për këtë arësye i ftoj të gjithë kolegët e ekipit negociator që të mos dhënë premtime në emër të një lloj “moderimi” në takimet e veçanta për ndarje territoriale të Kosovës apo për krijimin e komunave të reja në dëm të unitetit territorial dhe qytetar të Kosovës.

Kosova Sot: Pse, paska dhënë dikush premtime të tilla?

Hashim Thaçi: Shenjat për lëshime të tilla janë reflektuar tërthorazi nga anëtarë të ri në grupin negociator, por me ndikime nga ndonjë “lider” i parapolitikës, i cili në takime të mbyllura me ndërkombëtarët flet për Mitrovicën apo kufinjtë e Kosovës sikur të ishin bahçja e babës së tij e jo atdheu i tij. Unë këtë çështje me shqetësim e kam ngritur në ekipin negociator dhe besoj se kjo do të tejkalohet. Megjithatë, të gjithë ata që insistojnë do të jenë të dështuar. Dua të besoj se presidenti i ri dhe kryeparlamentari nuk do të lejojnë diçka e tillë të ndodhë. Kryeministri i ri i qeverisë së vjetër, duhet t’i shmanget agjendës së rrezikshme të përcaktuar nga kuzhina e individëve, të cilët interesat krejt personale i kanë vënë mbi ato të Kosovës, por duke u thirrur gjithmonë në “sakrificë” për beteja të reja kombëtare. Sakrificat e së kalurës, nuk e imunizojnë askë për gabimet e sotme, do të kuptoheshin sikur të bëheshin nga padija, por jo kur ato bëhen krejt qëllimshëm nga prapaskena në menyrë tinzare nga populli i Kosovës dhe institucionet legale dhe legjitime parlamenti, qeveria dhe opozita demokratike.

Kosova Sot: Të kthehemi te çështja e demarkacionit të kufirit Kosovë Maqedoni. Ka pasur një deklaratë të Cërvenkovskit i cili tha se në këtë marrëveshje duhet të përfshihen tri palë, UNMIK-u Qeveria e Kosovës dhe autoritetet serbe. Është e pranueshme një ofertë e tillë apo jo?

Hashim Thaçi: Çështja e demarkacionit të kufirit mes Kosovës dhe Maqedonisë do të duhet të definohet me zgjidhjen e statusit politik të Kosovës, Unmik nuk ka autoritet të plotë të merrret me këtë çeshtje, ndërsa me Serbinë nuk kemi nevojë të diskutojmë për raportet tona me Maqedoninë. E respektoj vullnetin e mirë të kryeministrit të Maqedonisë për zgjidhjen e këtij problemi. Por, kjo cështje nuk duhet të shrytzohet për fushata elektorale të askujt as në Prishtinë e as në Shkup.

Kosova Sot: Përsëri decentralizimi. Megjithate thuhet se në këtë proces mundë të ket kompromis sipas një vendimi të cilin mundë ta merr njëanshëm KS i OKB-së. Sipas opinioneve që kanë shprehur monitoruesit e takimeve të deritashme cili është pozicionimi i tyre karshi këtyre dy dokumenteve të ndryshme që janë ofruar?

Hashim Thaçi: Zakonisht vendimet e KS të OKB-së nuk mundë të quhen të njëanshme sepse vendimet e KS merren pas debateve të mbrendëshme dhe konsultimeve të vazhdueshme, pas krijimit të opinioneve të pranueshme dhe të qëndrueshme nga faktorët më të rëndësishëm të qendrave vendosëse ndërkombëtare. Unë besoj se nëse vjen deri te vendimi i KS ai do të jetë një vendim i pranueshëm dhe në përputhshmëri me interesat e të gjithë qytetarëve të Kosovës dhe jo i refuzueshëm nga Beogradi. Tek e fundit, është angazhim dhe përkushtim i imi dhë besoj i gjithë elitës politike në Kosovë që te ndërtojmë Kosovën e re bazuar në përvojat më të mira demokratike. Unë besoj që ky vizion i ynë do të përqohet dretj tek komuniteti ndërkombëtar. Oferta e palës kosovare bazohet mbi këto vlera qyetetëruese, andaj unë nuk shoh arsye që bashkësia ndërkombëtare të bëjë të refuzojë ofertën tonë dhe të bëjë kompromis në dëm të së mirës. Për ne është fundamentale të evitojmë krijimin e një niveli të ndërmejm të pushtetit. Kosova e re duhet të ketë jo vetëm institucione të zgjedhura në mënyrë demokratike, por edhe instiucione funksionale të cilat veprojnë në mënyrë demoratike dhe të cilat para së gjithash i japin llogari qytetarit të Kosovës.

Kosova Sot: Ka psur shumë dilema në opinion deri tash se cilat janë ato parimet më të qëndrueshme për të cilat është përcaktuar opinioni Kosovar. A po i thuhet e vërteta e plotë opinionit kosovar për decentralizimin. Ka po nuk ka rrezik nga ky proces?

Hashim Thaçi: Reformimi i pushtetit lokal është diçka pozitive, demokratike, që e afron pushtetin tek qytetari dhe qytetarin më afër pushtetit në kuptimin e realizimit të interesave të veta. Duhet kuptuar edhe atë se ne nuk jemi të parët që bëjmë decentralizim në rajon. I kemi edhe përvojat e të tjerëve që e kanë bërë decentralizimin dhe kjo çështje natyrisht që duhet të kalon nëpërmes të ligjit për pushtet lokal, në përputhshmëri me standardet evropiane dhe natyrisht të kemi edhe marrjen e ndonjë praktike më të mirë të mundëshme për realitetin territorial dhe qytetar të Kosovës. Thjeshtë t’i iket modelit të Bosnjes, të ndarjes etnike politike dhe qytetare dhe të kemi vetëm modele integruese. E thash edhe më herët se reformimi i pushetit lokal është formë e mirë për të inkorporuar të gjithë qytetarët e Kosovës në ndërtimin e së ardhmes së vendit të vet. Ne do t’i shmangim ofertat eksperimenatale të cilat jo vetëm që do të ishin të dëmshme, por edhe të dështuara. Populli të Kosovës i kujtohet se si një i paditur apo i këshilluar në fillimet e punës së këtij koalicioni e filloi decentralizimin sipas modeli serb të ndarjeve etnike dhe territoriale, dhe tash tërë skena politike po kemi problem ta evitojmë këtë keqe, të institucinalizuar. Duhet të punojmë me përgjegjsi, jo sipas modë politike por sipas parimeve demokratike dhe intersave të vendit.

Kosova Sot-Në takimin e kaluar, të dytin në Vjenë, ju patët rolin udhëheqës, si e morët këtë përgjegjësi dhe pastaj para parlamentit nuk ishit prezent për të raportuar?

Hashim Thaçi: Të qenurit kryesues ka ardhur si rezultat i besimit të ekipit negociator të Kosovës dhe e kam theksuar se në takimin e Vjenës nuk është përcaktuar as fituesi as humbësi po ka qenë një takim i sukseshëm. Në ekipin negociator ne kemi pasur marrëveshje që në parlament të informon vetëm zëvendëskryeministri dhe ministri aktual i pushtetit lokal, e jo dy veta nga i njëjti delegacion pë të njëjten çeshtje. Ju e dini se pastaj kryetari i parlamentit dhe shefi i grupit parlamentar të mazhorancës kanë sqarurar këtë keqkuptim, sepse disa deputetë nuk kanë qenë të informuar kështu që ka pasur shqetësime të kuptueshme.

Kosova Sot: Kur do të del pesshja kryesore e ekipit kosovar të unitetit përball partnerëve të të njëtit nivel nga Beogradi në takimin e parë të bisedimeve.

Hashim Thaçi: Takimet duhet të ndodhin në momentin e duhur me mbështetjen dhe lehtësimin e fuqishëm nga komuniteti ndërkombërat, nga SHBA-të dhe BE-ja, dhe Grupi i Kontaktit, si takime që do të duhej të përshpejtonin finalizimin e kjtij procesi në mënyrë që viti 2006 definitivisht të jetë viti për statusin e Kosovës, viti për shtetin e pavarur dhe sovran me të drejtë ulsese në OKB dhe me perspektive integrimi në bashkim Evropian dhe Nato.

Kosova Sot: Çka e dallon sipas jush tash pozicionin e palës kosovare në bisedimet për statusin nga pozicioni të cilin e kishte në periudhën historike të Rambujes?

Hashim Thaçi: Vendimet historike për çlirimin e Kosovës dhe prezencën ndërkombëtare në Kosovë janë nxjerrë në vitin 1999 në Rambuje, pasataj kanë ndodhur bombardimet e NATO-s, dëbimi i ushtrisë, policisë dhe administratës së Serbisë, kalimin në tranzicionin demokratik kurse tash është duke u diskutuar vetëm dizajnimi i shtetit të Kosovës. Realitetit i pavarësisë së Kosovës është krijuar në qershor të vitit 1999, nga sakrifica e UCK-së dhe e gjithë popullit të Kosovës me mbështetjen e faktorit ndërkombëtar në krye me Shtet e Bashkura të Amerikës . Kosova ka fituar betejat dhe luftën defenitivisht në qershor të vitit 1999. Tash po merremi me pasojat e lëshimeve të tranzicionit demokratik.

Kosova Sot: Megjithate në opinion duket se ky proces i ndërtimit të shtetit të Kosovës nuk ka filluar qa mirë. Ka filluar nga poshtë lartë dhe jo nga lartë poshtë që të jetë në një vërtikale më të sigurtë?

Hashim Thaçi: Mendoj se gjërat nuk duhet të ekzagjerohen apo dramatizohen. Ekipi kosovar është unik, ka platformë të qartë për të gjitha çështjet që kërkohen nga komuniteti ndërkombëtar për tu diskutuar, në këtë drejtim besoj që është duke bashkëpunuar mirë edhe mazhoranca edhe opozita. Ne tani jemi në fazën e legjitimimit të realietit aktual edhe te faktori ndërkombëtar. Unë besoj që ky përkushtim do të vazhdon edhe në të ardhmen.

Kosova Sot: Pse u desht të formohet grup i veqantë për Mitrovicen. A nuk është ky një indikacion se tash Mitrovica është de fakto e ndarë dhe vetëm sa duhet të gjendet formula i integrimit si njësi autonome në tërsin e Kosovës?

Hashim Thaçi: Ne e kemi realitetin e hidhur në Mitrovicë, por nuk jemi pajtur kurrë me këtë gjendje. Kemi marrur vendim që ta krijojmë një ekip të ekspertëve, një grup i cili do të udhëhiqet nga njeriu i cili ka bërë shumë për Mitrovicen dhe vazhdon të përkushtohet shumë për zgjidhjen e këtij problemi, ish kryeministri Rexhepi. Në këtë drejtim e tërë klasa politike kosovare ka shprehur besim se ai do të mundë të bëjë punën më të mirë të mundshme, por duke mos pritur edhe mrekullira. Pra do duhej të kemi një realitet që shqiptarët të cilët tash jetojnë në jug, që kanë qenë të dëbuar, të kalojnë në veri por edhe serbët, ata që dëshirojnë mund të kthehen dhe të jetojnë në shtëpit dhe pronat e tyre në jug. Do të kemi një projekt integrues dhe asesi ndarës siq pretendohet me formimin e komunës së Zveqanit me zgjerim territorial deri tek ura e Ibrit. Serbeve duhet tu sigurohet dhe garantohet e drejta e kthimit dhe e pronës, ata janë qytetarë të Kosovës, Kosova është edhe atdheu i tyre.

Kosova Sot: Dhe a keni ide se si mundë të arrihet kjo?

Hashim Thaçi: Ide ka. Ato janë duke u studjuar tash dhe unë besoj se z. Rexhepi do ta ofron ekipit negoaciator të Kosovës një projekt shumë shpejtë dhe të implemetueshëm. (Intervista vijon nesër)

Komentet e ruajtura

Përgjigjja 1 · 2006-04-11

Pjesa e dytë

Kosova të ketë një strukturë qeverisëse të konsensusit në nivel të ekspertëve

Duhet të jemi shembull i mirë për komunitetin ndërkombëtar se mund të qeverisim dhe do të qeverisim mirë dhe mos të kemi assesi qeveri që dërgon sinjale të kërcënimit edhe për komunitetin ndërkombëtar. Sepse, korrupsioni dhe krimi i organizuar i qeverisë aktuale është rrezik për sigurinë qytetare sot dhe nesër dhe në tërësi për jetën demokratike. - thekson kryetari i PDK-së, Hashim Thaçi në pjesën e dytë të intervistës dhënë gazetës “Kosova Sot”.

Kosova Sot: Mjaft shumë flitet për një prezencë të forcave ushtarake të NATO dhe civile edhe pas statusit. Çfarë forme do të jenë ato?

Thaçi: Edhe pas statusit në Kosovë duhet dhe do të ketë prezencë të NATO-s. Kjo është në shërbim të mbrojtjes së Kosovës dhe sigurisë së përgjithshme në rajon. Tek e fundit, qëllimi ynë është që në një të ardhme të afërt forca mbrojtëse e Kosovës të jetë pjesë e partneritetit me NATO-n. Ballkani duhet të jetë pjesë e mbrojtjes dhe përkushtimit të sigurisë globale. Në shtetin e ri të Kosovës duhet të kemi edhe një mbështetje civile ndërkombëtare, veçanërisht në vazhdimin e implementimit të kritereve demokratike, posaçërisht mbështetje në fushën e ekonomisë dhe legjislacionit, në mënyrë që jo vetëm të jemi shtet i pavarur dhe sovran por dhe me një status dhe frymë perëndimore-euroatlantike. Njëkohësisht, kjo prezencë duhet të jetë e dyanshme, ne kemi nevojë për prezencën ndërkombëtare në Kosovë, por edhe Kosova duhet të jetë më e përfaqësuar në institucionet relevante ndërkombëtare. Shtet i ri i Kosovës duhet t’u shërbejë nevojave të vendit për zhvillim qytetar, ekonomik dhe institucional.

Kosova Sot: A ka për këtë në parim marrëveshje?

Thaçi: Marrëveshje në kuptimin formal nuk ka, por pëlqim në kuptimin e vullnetit pozitiv të Prishtinës, Brukselit dhe Uashingtonit. Kjo edhe do të ndodhë, të gjithë e dinë se kjo është zgjidhja e vetme që garanton stabilitet dhe zhvillim demokratik.

Kosova Sot: Keni kritikuar qeverinë aktuale duke theksuar se ajo kontrollohet nga instrumente parapolitike. A jeni penduar për kritika kaq të ashpër adresuar qeveris në krye të së cilës është Çeku, një personalitet i cili vjen nga krahu i luftës?

Thaçi: Për mua njerëz të paqes apo luftës nuk ka. Unë nuk bëj kategorizime të tilla . Qytetarët e Kosovës të gjithë kanë kaluar gjithë fazat e luftës, të gjithë në një formë apo formën tjetër kanë kontribuar për lirinë e Kosovës, ka kontribuar edhe diaspora që ka ndarë edhe kafshatën e gojës për të financuar çlirimin e vendit, e shumë prej tyre duke sakrifikuar edhe jetën. Unë u jam mirënjohës çdo herë e vlerësojë shumë kontributin e tyre.
Ndërsa sot, ka një hendek mes qytetarit i cili është i përkushtuar në ndërtimin e rendit demokratik, shoqërisë ku funksionon ligji, dhe qeverisë aktuale e cila është bërë shkelësja më e madhe e ligjit në Kosovë.

Kosova Sot: Si qeveriset sot vendi?

Thaçi: Kosova qeveriset keq. Është fatkeqësi për të gjithë qytetarët, për perspektivën demokratike të Kosovës dhe miqtë tanë ndërkombëtar. Është ndërtuar një koalicion në emër të politikës për interesa krejt private. Ta zëmë për ndërrimet e fundit në krye të qeverisë dhe parlamentit nuk kanë vendosur organet legjitime të partive të koalicionit aktual, por parapolitika e këtyre formacioneve, të cilat janë të inkriminuara, por që me lëvizjen e fundit për ndërrime, të cilat janë vetëm kozmetike vetëm sa kanë forcuar kontrollin parapolitik edhe më mbi institucionet qeverisëse të Kosovës, ndoshta deri diku vetëm duke i ndërruar rolet, dikush duke dobësuar e dikush duke u forcuar edhe më fuqishëm. Qytetarët dhe e tërë politika kosovare ballafaqohen me inidividë të rinj, në emër kinse të formulës së re, por që buron nga trafikimi politik. Kjo ngjallë frikë, kërcënim për të ardhmen demokratike të shtetit të ri të Kosovës dhe qytetarëve të saj.

Kosova Sot: Sipas jush kush janë ato struktura parapolitike?

Thaçi: Individë dhe struktura të cilat tash e kontrollojnë punën e qeverisë dhe që pushtetarët aktual u përgjigjen atyre strukturave për interesat e tyre personale, private, materiale dhe aktivitet kriminale. Për shumë prej këtyre çështjeve apo për gjithçka UNMIK është shumë i informuar dhe tash ka filluar procesin që këta njerëz të përballen me drejtësinë. Ritheksoj edhe njëherë është i tepërt vlerësimi politik për këtë strukturë qeverisëse. Kjo strukturë duhet të përballet me drejtësinë dhe jo të uzurpojë qeverisjen e vendit.

Kosova Sot: Megjithatë nga koalicioni në pushtet i kanë vlerësuar këto kritika si lojë politike duke theksuar se asnjëherë nuk kanë ofruar dëshmi konkrete për akuzat?

Thaçi: Partia Demokratike e Kosovës i ka ngritur problemet edhe në parlament edhe opinionin publik, edhe në raport me faktorin ndërkombëtar për fat janë dëshmuar si të vërteta nga autoritetet ndërkombëtare. Kemi edhe deklarimet e fundit të autoriteteve ndërkombëtare që evidencat tona dhe qytetarëve për keqpërdorim të autoriteteve aktuale qeverisëse veç janë duke u dëshmuar dhe shumica prej atyre shqetësimeve janë dëshmuar përmes mediave qoftë ato të shkruara apo elektronike. Dhe në anën tjetër disa prej tyre keqpërdorimeve janë ngritur nga vetë pushtetarët të cilët janë në beteja të ashpra mes vete. Kanë ndodhur keqpërdorime të tmerrshme me Buxhetin e Konsoliduar të Kosovës , të cilin pushtetarët aktual e shikojnë si një buxhet për interesa të tyre private apo grupore. E shihni çfarë gjendje kemi aktualisht sot. Kemi një sistem katastrofal të energjetikës. Ministria përkatëse nuk ka arritur të krijojë politika të cilat do të bënin të mundur që qytetari i Kosovës të ketë dritë. Kjo nuk është ministri e energjetikës por ministri e territ. Rajone të caktuara të Kosovës kanë qëndruar dhe qëndrojnë deri 12 orë pa energji elektrike. Ky ishte dhe është ndëshkim politik për pa dëgjueshmërinë e qytetareve në raport me koalicionin aktual. Pastaj e shihni, pretendohet të shitet në emër të privatizimit edhe pasuria nacionale e Kosovës siç është Trepça dhe minierat tjera. Vetë procesi i privatizimi është privatizuar nga pushtetarët aktual. Për privatizimin përdoren standarde të dyfishta favorizuese dhe ndëshkuese.
Në anën tjetër, nga mungesa e efikasitetit të Ministrisë së Transporteve dhe Telekomunikacionit, së cilës më shumë i shkon për shtati emri Ministri e Izolimit, për 50 ditë Kosova ka qenë e izoluar në arterien e sajë kryesore të qarkullimit. Buxheti i Konsoliduar i Kosovës ka humbur 50 Milion euro për shkak të mungesës së efiçiencës.
Sistemi arsimor në Kosovë është i izoluar nga ekonomia e tregut dhe nuk është i integruar në tërësi. Reforma në sistemin arsimor duhet të implementohet në praktikë. Reforma duhet të mbështetet në infrastrukturë legale, materiale dhe teknike për të krijuar hapësirë të mjaftueshme për nxënës dhe student, dhe një përkujdesje të veçantë për nxënësit me aftësi të kufizuara. Në anën tjetër është shqetësues fakti që po mbyllen mbi 40 paralele parashkollore, përderisa të gjitha indikatorët thonë së Kosova ka nevojë për kopshte të reja.
Pagat e mësimdhënësve në të gjitha nivelet janë të mjerueshme dhe përbuzëse. Institucionet e Kosovës duhet ta ndjenë vetën të turpëruar që tash e shtat vite pas luftës kanë dështuar që mësimdhënësit kosovarë t’i ofrojnë një pagë e cila do t’i mundësonte atij dhe familjes së tij jetë më të mirë. Ndërsa pensionistëve në vend që tu rriten të ardhurat e tyre, atyre u zvogëlohen. Ky është fenomen unik në botë.
Pra, në vitin e zgjidhjes së statusit politik, Kosova ka qeverisjen më të dobët në historinë politike të saj dhe qeverisjen më të korruptuar në Evropë. Kjo është fyerje që i bëhet çdo qytetari të Kosovës dhe angazhimit të komunitetit ndërkombëtar. Kjo qeveri nuk është asgjë tjetër veçse një qeveri e regresit.

Kosova Sot: Cila është përgjegjësia juaj si pjesë e Kuvendit?

Thaçi: PDK ka qenë shumë aktive dhe produktive në rolin e saj të fuqishëm të opozitës demokratike. së bashku me mediat e lira, zërat e botës akademike, publicistike, personaliteteve me ndikim në opinionin publik kemi ngritur zërin rreth këtyre fenomeneve negative, rreth këtij fenomeni të institucionalizimit të logjikës së grabitjes së pasurisë së Kosovës për interesa private e që bëhet me moton “një herë vjen vera ka dera”. Për fat të keq në këto dukuri negative janë të involvuara disa personalitete nga UNMIK. Kemi rastin e ish zëdhënësit të UNMIK Sejmon Hesellok, ai dje ishte fytyra dhe zëri i UNMIK-të, sot është bërë një nga udhëheqësit e një organizatë kriminale në Kosovë, por që financohet nga Qeveria aktuale me 90 mijë euro në muaj. Pra, kemi të bëjmë me një sistem të tërë keqpërdoruesish, të cilët po e dëmtojnë rëndë të ardhmen e Kosovës, derisa invalidët e luftës, familjet e dëshmorëve , fëmijët jetim dhe shumë familje në gjendje të rëndë sociale mezi sigurojnë kafshatën e gojës.

Kosova Sot: Është paralajmëruar krijimi i shërbimit inteligjent në Kosovë, kush do ta udhëheq këtë forcat e koalicionit të cilat i kritikoni apo…?

Thaçi: Besoj në ndryshime, kufizime që do t’i bëhen fillimisht kësaj strukture keqbërësish dhe uzurpatorësh të qeverisë aktuale. Kjo qeveri nuk është as e koalicionit të këtyre dy partive por është koalicion i individëve të këtyre partive për interesa krejt personale, private dhe parapolitike por shumë të rrezikshme për të sotmen dhe të ardhmen e Kosovës. Dua të shpresoj se do të kemi një ndërgjegjësim dhe reflektim pozitiv nga njerëzit vullnetmirë edhe në këto parti, por në veçanti nga komuniteti ndërkombëtar. Është e domosdoshme, sidomos aspekti i sigurisë, mbrojtjes dhe shërbimi inteligjent, vërtet të jetë strukturë e ndërtuar nga njerëzve të përgjegjshëm, të sinqertë, të përgatitur profesionalisht dhe mbi të gjitha të njerëz me duar të pastra.

Kosova Sot: A besoni se kjo përbërje udhëheqëse do të mund të qëndrojë në këmbët e veta deri në aktin e zgjidhjes së statusit final. Apo prisni ndonjë rikompozim të shpejtë para statusit?

Thaçi: Nuk do të shtroja çështjen a do të mund të qëndroj në këmbë apo nuk do të qëndrojë, sepse njeriu nganjëherë qëndron në këmbë deri sa e lëshon shpirti. Por mund të them se keqpërdorimet vetëm sa janë duke u thelluar dhe kjo qeveri thjeshtë është duke u identifikuar me tenderomani dhe jo me qeverisjen e vendit. Prandaj e mira e së mirës do të ishte që të ndodhë ai dialogu i sinqertë i mirëkuptimit dhe respektimit politik që Kosova të ketë një strukturë qeverisëse të konsensusit në nivel të ekspertëve për të zgjidhur statusin drejt, që të jemi shembull i mirë për komunitetin ndërkombëtar se mund të qeverisim dhe do të qeverisim mirë dhe mos të kemi assesi qeveri që dërgon sinjale të kërcënimit edhe për komunitetin ndërkombëtar. Sepse, korrupsioni dhe krimi i organizuar i qeverisë aktuale është rrezik për sigurinë qytetare sot dhe nesër dhe në tërësi për jetën demokratike.

Kosova Sot: Nëse do të ndodhte kjo qeveri teknike do t’ia besonit ju rolin udhëheqës Agim Çekut apo keni pretendime ju si kryeministër?

Thaçi: Unë kam investuar gjatë që Çeku të jetë emblema e ushtrisë së ardhshme të Kosovës dhe kjo në mënyrën të vullnetshme dhe pozitive i është prezantuar edhe popullit të Kosovës. Qytetarët nuk e kanë përqafuar idenë e veshjes së petkut partiak nga komandanti i TMK-së. Sidoqoftë, unë vazhdoj të vlerësoj angazhimin e të gjithëve për luftën në Kosovë. Çeku, mua më ka qëndruar afër gjatë bombardimeve dhe fazës së transformimit të UÇK-së në TMK. Sot, ai nuk është komandant i Ushtrisë së Kosovës (Trupave Mbrojtëse të Kosovës), por anëtar i një partie politike. Unë gjithmonë kam punuar për depolitizimin e TMK-së- dhe do të vazhdoj të punoj edhe në të ardhmen.

Kosova Sot: Z. Thaçi si i keni përjetuar ndryshimet në krye të institucioneve të larta të vendit: zëvendësimin e Dacit dhe kryeministrit Kosumi?

Thaçi: As ish-kryeparlamentari z. Daci, as ish-kryeministri z. Kosumi nuk janë larguar me vendimet e partive të tyre politike, por, janë larguar nga njerëzit brenda partive të tyre politike që u takojnë strukturave të parapolitikës kosovare. Z. Daci e kanë hequr njerëzit që vet i ka afirmuar dhe ka punuar në kuptimin e plotë të fjalës t’i bëjë njerëz.. z. Daci do të duhej më tepër besuar parimeve demokratike, e jo atyre që e fituan përkohësisht apo pretendojnë të blejnë karrierën politike nga ai, dhe tash nga të tjerët, me bluza të UÇK-së.
Ndërsa, Kosumi ishte e keqja më vogël e kësaj qeverie. Meqë ai në deklarime po krenohet me shkarkimin e tij të “dinjitetshëm”, nuk kam koment.

Kosova Sot: Po të ishin në krye të vendimmarrjes si do të vepronit ju?

Thaçi: Unë jam opozitë demokratike dhe kundërshtar përballë këtyre kombinimeve për keqqeverisje të vendit. Jam dhe do të jem i pakompromis ndaj të gjitha fenomeneve negative.

Kosova Sot: Vlerësimet e mësipërme a janë politikisht të sinqerta apo korrespondojnë me një bashkëpunim më të ngushtë të Dacit me Ju, pak para dorëheqjes së tij. Ka pasur një afri më të madhe të Dacit me ju…?

Thaçi: Bashkëpunimi me z. Daci ka qenë korrekt, fer dhe i sinqertë, por edhe produktiv për tërë skenën politike dhe në interes të gjithë qytetareve të Kosovës. Prandaj, në këtë drejtim vlerësoj se duhet të vazhdohet të hulumtohen të gjitha mënyrat e bashkëpunimit për interesat e vendit dhe qytetarëve.

Kosova Sot: Kohë më parë keni dhënë kritika rreth fondit Haradinaj për mos transparencë. A ka pasur transparencë edhe me fondin Limaj?

Thaçi: Fondi Limaj ka qenë gjithnjë transparent. Për fondin tjetër është mirë të ketë korrektësi. Por, duhet të ketë transparencë për gjithçka, sidomos për njerëzit që merren apo pretendojnë të merren me politikë.

Kosova Sot: Personalisht a keni dhënë për Haradinaj?

Thaçi: Personalisht edhe si familje e gjerë, por si strukturë politike kemi dhënë. I kam ftuar të gjithë qytetarët që të kontribuojnë, por sot gjithashtu ftoj që nga mbledhësit të mos keqpërdoren këto mjete të vjelura nga xhepi i varfër i popullit të Kosovës apo buxhetit të konsoliduar të Kosovës. Është shqetësuese kur njerëzit të deklarohen se kanë mbledhur rreth 15 milionë euro për këtë për këtë çështje. Qeveria me procedurë të rregullt duhet të ndajë mjetet për mbrojtjen e Ramushit, e jo zyrtarë të qeverisë apo individë të biznesit të zi të thirren në emër të tij poshtë lartë dhe e gjithë kjo në emër të sakrificës, patriotizmit, demokracisë dhe pavarësisë.

Arkiv për lexim. Datat janë datat e postimit në forumin origjinal. Titujt mund të jenë të shkurtuar nga sistemi i vjetër. Adresat elektronike dhe IP-të janë fshehur.