Lajthitja e madhe

2006-04-06 · Forumi historik RTVZIK · 0 përgjigje të ruajtura

Lajthitja e madhe


Ende pa filluar negociatat për statusin e Kosovës, politikanë e zyrtarë
ndërkombëtar të vendeve të ndryshme të BE-së, u bënin thirrje politikanëve
të Kosovës që ta përgatisin popullin e Kosovës për kompromis. Paralelisht,
zyrtarë të UNMIK-ut me në krye Petersenin, patën filluar të flisnin për
kompromisin që duhet të arrihet. Nuk thonin se cili do të ishte ai
kompromis, jo vetëm ngase nuk e dinin por para së gjithash sepse kjo s’ishte
e rëndësishme. E rëndësishme atëbotë ishte që njerëzit të fillonin ta
pranonin si një gjë normale kompromisin dhe të shfaqnin gatishmëri për
koncesione.

Politikanët e Kosovës për të gjitha çështjet esenciale legalisht janë të
pafuqishëm meqenëse vendimet themelore për Kosovën përherë i merr UNMIK-u.
IPVQ-të ishin dhe janë ashtu siç i kishin menduar: aspekt teknik i politikës
së huaj që zbret nga lart. IPVQ-të janë platforma që njerëzit i bën
politikanë dhe ua ndalon të merren me politikë: statusi i Kosovës është
çështje e Rezolutës 1244 ndërkaq me problemet e tjera të brendshme merren
rregulloret e UNMIK-ut. Atëherë, pse kërkohej e kërkohet nga politikanët e
Kosovës që të lëshojnë pe pa pasur pushtet të vërtetë? Pse kërkohej e
kërkohet nga ta që të heqin dorë ndonëse ata s’kanë gjë në dorë?

Në thelb të krejt kësaj ndodhet ajo gjë që mendohet dhe nuk përmendet meqë
mohohet – populli i Kosovës. UNMIK-u dhe faktorë e qarqe të ndryshme
ndërkombëtare bëjnë lajka e trysni mbi politikanët e Kosovës në mënyrë që
këta të bëjnë lajka e trysni mbi popullin e Kosovës. UNMIK-u s’do që të ketë
punë me popullin e Kosovës. UNMIK-u e sulmon popullin e Kosovës përmes
IPVQ-ve por edhe mbrohet prej popullit nëpërmjet IPVQ-ve. UNMIK-u i trajton
dhe i përdor politikanët e Kosovës në kuadër të këtij sistemi si një
zëvendësim për popullin e Kosovës të cilin pikërisht në këtë mënyrë e
përjashton më së lehti. Institucionalizimi në Kosovë nuk është gjë tjetër
veçse legalizim i defaktorizimit të Kosovës.

Kërkesa për koncesione që i bëhet Kosovës është e tmerrshme në masën që
është e pazakonshme. Nuk kërkohet që të lëshohet pe për diçka që Kosova
tashmë e posedon (ngaqë Kosova nuk zotëron veten e saj) por kërkohet
realizimi i situatës në të cilën populli i Kosovës heq dorë nga vullneti i
tij. Kjo do të thotë se kërkohen garanci paraprake që atëherë kur të
kurorëzohet mohimi i vullnetit të popullit, atëherë kur të formalizohet
varësia e Kosovës, populli të rrijë i qetë dhe të mos ketë kryengritje e
revolta! Pra, ky është kuptimi i të gjitha thirrjeve për koncesione në
kuadër të sendërtimit të kompromisit me Serbinë për Kosovën.

Kompromisi nuk mendohet që të vendoset si një marrëveshje thelbësore dhe e
vetme ndërmjet Beogradit dhe Prishtinës në fund të negociatave. Politikanët
negociator të Kosovës po negociojnë me zyrtarët e Serbisë për ta përcaktuar
një zonë jashtë kompromisit dhe jo një vijë të kompromisit. Vëmendja
ndërkombëtare do të jetë e përqendruar në çështjet për të cilat nuk do të
bien dakord palët negociuese meqë aty Këshilli i Sigurimit të OKB-së do të
detyrohet të marrë përgjegjësi të plotë me rastin e vendimmarrjes. Pra,
jashtë zonës së kompromisit, Këshilli i Sigurimit të OKB-së do të tërheqë
vijën e kompromisit. Natyrisht se synimi është që kjo zonë të jetë sa më e
vogël në mënyrë që KS i OKB-së ta ketë sa më të lehtë sjelljen e një
vendimi. Faktorët ndërkombëtar do t’i shtyejnë Beogradin dhe Prishtinën që
sa më shumë të merren vesh, dhe asisoj të jetë sa më lehtë për Këshillin e
Sigurimit. Mirëpo, nuk do të bëhet njësoj trysni mbi Beogradin dhe
Prishtinën. Shumë më tepër do të shtypet Prishtina ngaqë Beogradi ka më
shumë forcë të rezistojë. Në këtë pikë ngjan lajthitja kryesore e
politikanëve negociator të Kosovës. Ata besojnë se duke iu pëlqyer faktorëve
ndërkombëtar këta do t’i shpërblejnë me pavarësi të Kosovës! Ata janë të
mbërthyer nga iluzioni se po negociojnë me faktorët ndërkombëtar dhe se
Beogradi është disi i rëndësisë dytësore! Këtë mendësi e botëkuptim e kanë
përvetësuar edhe shumica dërrmuese e mediave të cilat flasin e shkruajnë për
Ahtisarin dhe Rohanin por jo për Beogradin, thuajse duke mos e përmendur
Serbinë ajo tretet dhe bëhet inekzistente!

Ndërkombëtarët e kanë pushtetin real në Prishtinë. Tash, po negociohet me
Serbinë, jo me ndërkombëtarët. Madje, për dallim nga negociatat në Rambuje,
e ashtuquajtura bashkësi ndërkombëtare nuk ka kurrfarë gatishmërie që ta
bombardojë Serbinë nëse ajo reziston deri në refuzim të plotë. Përkundrazi,
refuzimi i Serbisë veçsa do të shndërrohet në trysni shtesë mbi Kosovën.
Faktorët ndërkombëtar kërkojnë nga Kosova që t’i afrojë qëndrimet me
Serbinë, të merret vesh me të, në mënyrë që UNMIK-u ta lëshojë Kosovën. Në
kontekstin ku është vendosur, pra në atë të negociatave me Serbinë, Kosova
mund të bëhet e pavarur vetëm nëse Serbia e do një gjë të tillë, pra, që
Kosova të bëhet e pavarur. Deklaratat e diplomatëve e politikanëve të
ndryshëm nga bota për pavarësinë e Kosovës nuk kanë kurrfarë rëndësie
vendimtare. Fundja, Palestinën e kanë pranuar aq shumë shtete nga e tërë
bota, mirëpo kjo është shumë larg të qenit e mjaftueshme përderisa Izraeli
nuk e njeh as e pranon Palestinën si shtet.

Decentralizimi dhe zonat e veçanta në emër të trashëgimisë kulturore në
Kosovë janë temë e negociatave pikërisht duke qenë se këto dy projekte e
themelojnë dhe përforcojnë Serbinë brenda Kosovës si mjet drejt pamundësimit
përfundimtar të daljes së Kosovës nga Serbia. As Bosnja e cila është shtet
nuk po mund ta integrojë e t’ia dalë në krye me Republikën Serbe tash 10
vjet e lëre më Kosova – një provincë nën sundim të huaj të dyfishtë – me
entitetin autonom serb që po krijohet!

Çështja e sovranitetit është lënë për fund në mënyrë që shansat për
sovranitet për Kosovën të fundosen. Prandaj, mu për këtë, decentralizimi dhe
trashëgimia kulturore janë çështje edhe më të rëndësishme sesa vetë statusi.

Prishtinë, 5 prill 2006
Albin Kurti

Arkiv për lexim. Datat janë datat e postimit në forumin origjinal. Titujt mund të jenë të shkurtuar nga sistemi i vjetër. Adresat elektronike dhe IP-të janë fshehur.