Platforma "Shperngulja e shqiptareve"e Cubrilloviq

2006-04-04 · Forumi historik RTVZIK · 0 përgjigje të ruajtura

CILAT ISHIN OBJEKTIVAT E PLATFORMËS ANTISHQIPTARE “SHPËRNGULJA E SHQIPTARËVE” E VASO ÇUBRILLOVIQIT…?!?!


Sheradin Berisha
[adresë e fshehur]

Përveç platformës “Naçertanija” të Ilija Garashaninit (1844) edhe akademiku famkeq Vaso Çubrilloviq, ka përgatitur një platormë të tillë tmerrsisht antishqiptare.
Në këtë shkrim sjell disa fragmente të platformës me titull “Shpërngulja e shqiptarëve”, që kishte përgatitur më 7 mars 1937, shovinisti famkeq Vaso Çubrilloviç, për qeverin mbretërore jugosllave të Stojadinoviçit (T´ju përkujtoi se ky akademik shoven ka përgatitur edhe një program tjetër me karakter shfarosës për shqiptarët...në nëntor 1944). Ky dokument është një plan i hollësishëm antishqiptar ku jepen udhëzime për zhdukjen e të gjithë shqiptarëve nga trojet e tyre etnike stërgjyshore. Është shumë interesant të thuhet se një pjesë e këtij programi është shfrytëzuar edhe gjatë operacionit të koduar ”Patkoi” nga forcat militare e paramilitare serbe (të komanduara nga kryekrimineli tashmë i vdekur Millosheviq), në muajt mars-qershor të vitit 1999.


***

“Problemi i shqiptarëve në jetën tonë kombëtare dhe shtetërore nuk është i tanishëm. Ky problem ka luajtur një rol të madh në mesjetë dhe mori një rëndësi vendimtare nga fundi i shekullit të 17-të, në kohën kur masat serbe u shpërngulën në drejtim të veriut nga tokat e dikurshme të vjetra të Austrisë.

***
...I kemi vrarë ata shqiptarë dhe i kemi zhdukur. Duke kuptuar dhe duke zbatuar konceptet e gjëra shtetërore të kryeministrit Jovan Vispiç, Serbia shkëputi nga ajo pykë dhe një pjesë pas marrjes së Toplicës edhe, kështu, krahinat ndërmjet Jastrecës edhe Moravës jugore u spastruan krejt nga shqiptarët, të cilët ikën.

***
...Shqiptarët shtohen shumë. Ndërsa i tërë populli i Serbisë është shtuar 58.700 vetë në 10 vjetët 1921-1931, po në atë kohë shqiptarët, që gjoja ishin një e dhjeta e serbëve, janë shtuar 68.000 vetë. Po të vazhdojë kjo shtesë kështu, duke pasur parasysh pjellorinë, rritjen e theksuar të shqiptarëve si edhe konditat gjithnjë më të vështira për kolonizim simbas metodave të vjetra, ky disproporcion gjatë kohës do të bëhet gjithnjë më i madh dhe, më në fund, do të vijë një pikëpyetje edhe për ato pak suksese kolonizimi që kemi arritur deri më sot.

***

...”Dikur Serbia e pat zgjidhur ndryshe këtë problem: Karagjorgji (mbreti i parë i Serbisë gjatë kryengritjes së parë), Millosh Obrenoviçi (që u bë mbret i Serbisë më vonë), Mihajl Obrenoviçi (një tjetër mbret), Jovan Vispiçi (kryeministër) nuk patën ministri të veçanta të reformës agrare, as inspektorate të përgjithshme agrare, as aparate të shtrenjtë, dhe, megjithëkëtë, e spastruan Serbinë nga elementi i huaj duke e banuar me popullsinë e vet. Mirëpo, në kohët tona, edhe ato disa familje që u vendosën pas Luftës së Parë Botërore, nuk zunë rrënjë në vendin që u vendosën. Në Kosovë pati sukses më shumë, sidomos në luginën e Llapit, ku topliçanët depërtuan vetë nga veriu në jug. Këtu janë kolonitë tona më të vjetra të përziera me elementë nga krahinat tona të ndryshme, ndërsa në Drenicë e në Metohi - si krahina më të qëndrueshme - nuk patën sukses këto asnjëherë. Nuk duhet të bëhet kolonizimi vetëm me malazezë.

***

...Padyshim, shkaku kryesor i mossuksesit të kolonizimit në ato vise ishte se tokat më të mira mbetën në duart e shqiptarëve. Prandaj mënyra më e mirë e kolonizimit në masë në ato vise ka qenë t’u merreshin krejt tokat shqiptarëve.

(...)

....Mbas luftës, në kohën e rebelimit dhe të aksioneve të komitëve shqiptarë në Kosovë, do të mund të dëboheshin lehtë një pjesë e shqiptarëve, duke uzurpuar dhe shpronësuar meratë (livadhe, kullota-red.) e tyre. Mirëpo kjo nuk u bë dhe qe një gabim trashanik i qeverisë sonë, sepse jo vetëm që e bëmë të ligjshme pronësinë e tyre, por edhe i mësuam shqiptarët me idetë e Evropës Perëndimore mbi posedimin e pronës private. Nga të gjitha këto del në shesh se me metodat e deritanishme të politikës sonë kolonizimi në jug nuk ka dhënë ato rezultate që duhej të jepte dhe këtu qëndron detyra e jonë e madhe shtetërore.

***

...Blloku i shqiptarëve përreth Malit të Sharrit ka një rëndësi të madhe kombëtare, shtetërore dhe strategjike për shtetin tonë. Tashmë e kemi theksuar mënyrën e rezistencës dhe të rëndësisë që ka forcimi i lidhjeve të krahinave dhe rretheve të luginës së Vardarit me tokat tona të vjetra. Fuqia më e madhe e shtrirjes serbe, që nga fillimi i krijimit të shtetit të parë serb dhe këndej, që nga shekulli i 9-të, është mbështetur gjithnjë në vazhdimin e kësaj shtrirjeje në drejtim të jugut. Porse ky vazhdim u ndërpre nga shqiptarët dhe, deri sa të vihet në vend lidhja e vjetër e ndërprerë midis Malit të Zi dhe Maqedonisë, që nga Drini deri në Moravën Jugore, ne nuk do të jemi të sigurtë në posedimin e asaj toke. Nga pikëpamja etnike maqedonasit do të na afrohen krejt, vetëm atëherë kur do të kenë mbështetjen e vërtetë etnike me tokën nënë serbe, të cilën nuk e kanë pasur deri më sot. Këtë mbështetje do ta fitojnë vetëm me shkatërrimin e bllokut shqiptar, i cili nga ana ushtarake dhe strategjike zë një pozitë me rëndësi të madhe në vendin tonë.

***


...Blloku shqiptar është i rrezikshëm, sikurse e provon zhvillimi i luftrave vendimtare për fatin e Ballkanit, sikurse lufta e madhe me Sulltan Muratin në Kosovë më 1389, dhe lufta e Huniadit me turqit më 1446. Në shekullin e 20-të do të sigurojë vetveten vetëm ai vend që do të jetë i banuar me popullin e vet autokton. Prandaj është detyrë imperative për të gjithë ne që këto pozita kaq me rëndësi strategjike të mos i lëshojmë që të na i mbajë në duar elementi i huaj armik, domethënë shqiptarët. Aq më tepër kur ky element ka mbështetjen e shtetit kombëtar të së njëjtës gjini, domethënë të shtetit shqiptar. Ai shtet sot është i pafuqishëm, por edhe si i tillë, ai është bërë bazë e imperializmit italian, nëpërmjet të cilit ai synon të depërtojë në zemrën e shtetit tonë. Kundër këtij depërtimi, mjeti më i sigurtë është elementi ynë i cili do të dojë dhe do të dijë të mbrojë pronën edhe shtetin e vet.

***

...Përveç këtij blloku prej 18 rrethesh e distriktesh, shqiptarët dhe pakicat e tjera kombëtare në krahinat jugore jetojnë të shpërndarë dhe prandaj nuk janë të rrezikshëm për jetën tonë kombëtare e shtetërore. Të nacionalizosh, pra, krahinat shqiptare përreth maleve të Sharrit, do të thotë të groposësh përgjithnjë çdo irredentizëm dhe të sigurosh përgjithnjë pushtetin për këto toka.

***

...Shqiptarët është e pamundur të zmbrapsen vetëm me anë të kolonizimit shkallë- shkallë. Ky është i vetmi popull që mbërriti, gjatë mijëvjeçarit të fundit, jo vetëm të mbahet në bërthamën e shtetit tonë, të Rashkës dhe të Zetës, por mundi të na sjellë dëme duke e shtyrë kufirin tonë etnik në drejtim të veriut dhe të lindjes. E vetmja mënyrë dhe i vetmi mjet është forca brutale e një pushteti të organizuar shtetëror. Pra, po të nisemi nga pikëpamja se ngushtimi gradual i shqiptarëve me anë të kolonizimit të ngadalshëm është pa efekt, atëherë na mbetet e vetmja rrugë: shpërngulja në masë. Në këtë rast kemi parasysh dy shetete: Shqipërinë dhe Turqinë.

***

...Shqipëria, me popullsinë të rrallë, me moçale të shumta ende të pathara, me lugina shterpe dhe të pasistemuara, do të ishte në gjendje të pranonte disa qindra mijëra shqiptarë nga vendi ynë. Turqia moderne, me sipërfaqe të mëdha në Azinë e Vogël dhe në Kurdistan, ende të pabanuara dhe të papunuara, krijon një mundësi të pakufizuar për kolonizimin e brendshëm. Për këtë shkak gjendja është më e favorshme që atje të mund të çohen pjesa më e madhe e shqiptarëve të shpërngulur.

***


...Ne duhet të theksojmë se nuk duhet të kufizohemi vetëm në përçapjet diplomatike me Ankaranë, por duhet të përdorim të gjitha mjetet për të bindur Tiranën që të pranojë një pjesë të të shpërngulurve. Besoj se kjo punë në Tiranë do të ecë me vështirësi, sepse Italia do ta pengojë këtë proces. Porse gjatë bisedimeve rreth kësaj çështjeje, duhet të vihet në dijeni qeveria shqiptare se ne nuk do të ngurrojmë në asnjë gjë, nuk do të kursejmë kurrgjë për zgjidhjen definitive të kësaj çështjeje.

***

...Turqia pranon të marrë, në fillim, rreth 200.000 shqiptarë të shpërngulur. Pastaj, mbasi ata do të kenë sukses, ne i dërgojmë edhe të tjerë. Për mënyrën e shpërnguljes, që të mbërrihet në një shpërngulje në masë, si kusht i parë është krijimi i një psikoze të përshtatshme. Duhet që masa muslimane shumë shpejt t’i nënshtrohet influencimit, sidomos me anë të fesë. Prandaj, në radhë të parë, është e nevojshme që për shpërnguljen e shqiptarëve të bëjmë për vete klerin e tyre edhe njerëzit me influencë, me të holla ose me shtrëngim.

***

...Duhet të gjenden sa më parë agjitatorët, të cilët të bëjnë propagandë për shpërnguljen, edhe mirë do të ishte sikur këta të na i jepte Turqia. Ata duhet të përshkruajnë bukuritë e viseve të Anadollit, jetesën e lehtë edhe të këndshme atje, të ndezin në masën e popullit fanatizmin fetar edhe t’u ngulin krenarinë shtetërore turke. Shtypi ynë mund të bëjë shërbime kolosale duke i përshkruar shpërnguljet e lumtura të turqve nga Dobruxha dhe vendosjen e tyre në viset e reja të Turqisë.

***

...Mjet tjetër do të ishte shtrëngimi nga ana e aparatit të shtetit. Ai duhet të shfrytëzojë ligjet deri në fund: t’u vejë gjoba shqiptarëve, t’i burgosë, të zbatojë në mënyrë të pamëshirshme të gjitha dispozitat policore, sikurse dënimin e kontrabandës, prerjen e pyjeve, përvetësimet e të tjera. Të bëhen ligje që t’i ndalojnë shqiptarët të lëshojnë qentë në oborrin e shtëpisë. Të mos njihen tapitë e vjetra në veprimet e kadastrës, t’u vihen taksa të pamëshirshme, t’u merren kullotat shtetërore dhe komunale, t’u hiqen koncensionet, t’u hiqet e drejta e të hapurit kafene dhe dyqane, t’u merret leja e monopoleve, të pushohen edhe të mos emërohen në punë shtetërore dhe private, t’u prishen varrrezat. Kështu do të shpejtohet procesi i shpërnguljes së shqiptarëve.

***

...Edhe nisiativa private mund të ndihmojë shumë. Duhet të mobilizojnë çetnikët, organizatat e rinisë, organizatat paraushtarake legalisht ose ilegalisht. Të ngarkohet edhe Shtatmadhoria e ushtrisë, sepse ajo jo vetëm që ka në zemër interesin sa më të madh të Serbisë, porse është edhe e organizuar, është ushtri dhe nuk ka kohë të merret me burokraci: ushtria do t’i kryejë këto gjëra dhe do t’i zbatojë menjëherë dhe në mënyrë të disiplinuar.”

***

...Duhet të shpenzohen me miliona dinarë sepse e vlen barra qiranë. Mbasi të nënshkruajmë marrrëveshjen me Turqinë, do të fillojmë të shpërngulim 40.000 familje shqiptare, duke i llogaritur pesë anëtarë në çdo familje, domethënë 200.000 vetë, duke shpenzuar 15.000 dinarë për çdo familje. C’janë 600 milionë dinarë për të spastruar një vend q,ë përndryshe, do të na duheshin 10 divizione ushtarë për ta mbajtur të qetë në kohën e një turbullimi?

(...)
&


Në vijim ju ftoj të shinhi një xhirim filmik nga luftimet e zhvilluara në Kosovë (1998-1999) dhe shpërnguljen e popullatës shqiptare nga trojet etnike,gjatë verës së vitit 1999.

Ky fragment filmik mund te shikohet me "RealPlayer":


http://news.bbc.co.uk/olmedia/105000/video/_107557_ben_brown_ex_nine_vi.ram

Shpërngulja e shqiptarëve Jashtë Kosovës ,bazuar në planin Cubrilloviqit:

Klikoni më poshtë per t´i parë hartat dhe numrin e të shpërngulurve shqiptarë në :Shqipëri,Maqedoni dhe në Mal të Zi.:

http://www.ess.uwe.ac.uk/Kosovo/Kosovo-Map4.htm

http://www.ess.uwe.ac.uk/Kosovo/Kosovo-Map6.html

http://www.ess.uwe.ac.uk/Kosovo/Kosovo-Map8.html

http://www.ess.uwe.ac.uk/Kosovo/Kosovo-Map9.html

http://www.ess.uwe.ac.uk/Kosovo/Kosovo-Map46.html

Arkiv për lexim. Datat janë datat e postimit në forumin origjinal. Titujt mund të jenë të shkurtuar nga sistemi i vjetër. Adresat elektronike dhe IP-të janë fshehur.