TRAGJEDIA HISTORIKE QË PO NA NDJEKË SI HIJE!

2006-04-03 · Forumi historik RTVZIK · 0 përgjigje të ruajtura

Shkruan:

Fadil SHYTI

TRAGJEDIA HISTORIKE QË PO NA NDJEKË SI HIJE!

- Të hiqet terminologjia e gabuar gjuhësore, brendashqiptare!


(Kur e lexova shkrimin me titull: Shqipëri-Kosovë, kufiri do patrullohet me kuaj nga
gazeta "Shekulli", të datës 31.mars, 2006; për dy arsye vendosa të reagoj me këtë
shkrim-revolte).


1. Ka kohë e kam vënë re që padrejtësisht emrat: Shqipëri, Kosovë kur është fjala
për ngjarjet që janë zhvilluar, po zhvillohen apo do të zhvillohen po fliten e po
shkruhen gabim.

Këtu, po i përmendi vetëm disa shembuj: thuhet pa të drejtë p.sh.; një delegacion
nga Ministria e Kulturës dhe e Sporteve e Shqipërisë, këto ditë po e viziton
Kosovën, me apo pa dashje me këtë rast harrohet që Kosova është pjesë e Shqipërisë;
pra, do të ishte më mirë të thuhet: një delegacion nga Tirana, këto ditë po e
viziton Kosovën.

Mendoj, kjo, është njësoj sikur të thuhet që një delegacion i Ministrisë së Kulturës
dhe Sporteve nga Shqipëria e këto ditë po e viziton Vlorën!

Apo, kur është fjala për vizita të delegacioneve lokale të rretheve shqiptare të
përmenden emrat, p.sh.: një delegacion i rrethit të Gjirokastrës këto ditë po e
viziton Prizrenin dhe anasjelltas.

Pastaj, nuk është aspak e drejtë të thuhet p.sh.: një delegacion nga Shqipëria këto
ditë po e viziton Maqedoninë, kur ky delegacion e viziton Shkupin, apo një
delegacion nga Shqipëria, po e viziton Preshevën, kur ky delegacion e viziton
Kosovën Lindore - Preshevën, apo të thuhet një delegacion nga Shqipëria po e viziton
Malin e Zi, kur ky delegacion e viziton Ulqinin, apo, një delegacion nga Shqipëria,
po e viziton Greqinë, kur ky delegacion e viziton Çamërinë.

Pra, kur flasim dhe shkruajmë për këto vizita apo veprimtari të ndërsjella.

Duke e bërë këtë, ne shqiptarët vet po e flasim dhe po e shkruajmë fatalitetin tonë
historik të ndarjes së trojeve tona nga okupatorët sllavë.

Prandaj, shtroj pyetjen deri kur do të vazhdoj kjo verbëri gjuhësore terminologjike?!

Është koha që t´i thërrasim mendjes që sa më parë në bisedat dhe në shkrimet tona ta
heqim nga përdorimi këtë terminologji thellësisht të gabuar!

Ne, nuk guxojmë t´ia lejojmë vetes identifikimin e trojeve tona shqiptare, me emrat
e shteteve okupatore fqinje.

Prishtina, nuk ishte as nuk është ish-Jugosllavi!

Shkupi, nuk ishte as nuk është Maqedoni!

Presheva, nuk ishte as nuk është Serbi!

Ulqini, nuk ishte as nuk është Mali i Zi!

Çamëria, nuk ishte as nuk është Greqi!

Por, të gjitha këto vende ishin janë dhe do të jenë Shqipëri!

Tjetër është se fati tragjiko-historik na ndau ne shqiptarëve territorialisht në
shekuj!...

Dihet historikisht pastaj, që kombi ynë kurrë s´është pajtuar me këtë fatkeqësi por
ka luftuar me pushkë e penë për realizimin e ribashkimit të trojeve të veta; prandaj
kjo na obligon që këtë mos ta harrojmë, pra duke bërë gabime të tilla, ne sikur vet
po e pranojmë këtë ndarje tragjike territoresh.


2. Ngituni o shqiponja dhe ju o bilbila mbi malet e fushat tona, me zë të lartë;
fuqishëm dhe idhshëm sokëllini:

Oooo njerëz, dëgjoni sot shqiptarët çka i ka gjetur!

Njoftimi tragjik:

Kukës- Kufiri mes Kosovës dhe Shqipërisë do të kontrollohet nga një repart
kalorësish ngaqë ka reliev të vështirë për makinat. Shërbimi Policor i Kosovës
formoi 10 ditë më parë Njësitin e Kalorësve për të patrulluar kufirin, në zonën
midis komunës së Sharrit në Kosovë dhe zonës së Gorës në rrethin e Kukësit. Të
martën, në fshatin Krushë, të komunës së Sharrit në Kosovë, në afërsi të fshatit
Shishtavec të Kukësit, në një ceremoni rasti, krijimi i njësitit, i pari i këtij
lloji në rajon, u përurua solemnisht.

Në ceremoni morën pjesë zyrtarë të lartë të policisë së UNMIK-ut, drejtues të
Shërbimit Policor të Kosovës të rajonit të Prizrenit dhe komunës së Sharrit,
pushtetarë vendorë të kësaj komune si dhe drejtues të policisë kufitare të
Komisariatit të Policisë së Kukësit. "Njësiti i Kalorësve, që do të përbëhet nga
policë të Shërbimit Policor të Kosovës, banorë nga komuna e Sharrit, do të ketë në
dispozicion kuaj të përgatitur dhe pajisjet e tjera të nevojshme. Ky njësit është
themeluar duke pasur parasysh konfiguracionin e vështirë të terrenit, me qëllim të
patrullimit të kufirit dhe ofrimit të sigurisë për qytetarët në fshatrat përgjatë
kufirit me Shqipërinë",- tha në ceremoninë e themelimit zv/drejtori i kufirit në
policinë e UNMIK-ut. Kufiri Shqipëri-Kosovë ka një gjatësi prej 123 kilometrash,
shtrihet që nga bjeshkët e Qeremit, kufi me Malin e Zi, në afërsi të Plavës deri në
Shishtavec të Kukësit në afërsi të Brodit të Sharrit, kufi me Maqedoninë.(Shekulli)

Edhe pas gjithë atyre luftërave çlirimtare kufijtë shqiptaro-shqiptarë, shqiptarët
po detyrohen nga fuqitë e mëdha imperialiste ( miqtë e hapur dhe të maskuar) të
okupatorëve tanë sllavo-mizorë, "solemnisht" t´i patrullojnë vet!!!

...Dhe sihariqi qenka "mrekulli" haj, haj:

Kufiri ynë, tani e tutje do të patrullohet jo vetëm me qen, por edhe me kuaj!

Vallë, a s´është kjo tragjedi e "re" për ne, a s ´është ky vërtetë mjerim
historiko-demokratik?!

Një komb si yni që shekujve luftoi për liri dhe ribashkim kombëtar ende po e
përcjellë si hije tragjedia e madhe e ndarjes, para kur pas gjithë atyre lumenjsh
gjaku ende s´arriti t´ i heq ata kufi-zi, nga trupi i vet, nga kujtesa e vet!

Ata kufijtë që shkëlqejnë nëpër hënë, nga gjaku i derdhur shqiptar!

Ata të mallkuar të përcaktuar me vija të kuqe, për gur varresh të reja, që si
gjarpërinj të fryrë nga helmi, padrejtësisht ende po e ndajnë kombin tonë të lashtë
e të ri.

Liderët tanë "kozmopolitikë", më parë se ta kërkonin bashkimin (integrimin) me
Evropën, do të ishte në nderin e tyre, paraprakisht ta kërkonin me vendosmëri
ribashkimin (integrimin) kombëtar.

Uroj! Ne, shqiptarët para se të bashkohemi (integrohemi) me Evropën e re, të
ribashkohemi (ri-integrohemi) midis nesh!

Ashtu siç ishim dikur në motet e bardha të Arbërisë, por që pastaj padrejtësisht,
egërsisht na pati ndarë Evropa Plakë, duke na i bërë motet e zeza deri sot!

Suedi, 2 Prill 2006

Arkiv për lexim. Datat janë datat e postimit në forumin origjinal. Titujt mund të jenë të shkurtuar nga sistemi i vjetër. Adresat elektronike dhe IP-të janë fshehur.