Ledina argëtoi megjithëse nuk u vlerësua

2005-06-06 · Forumi historik RTVZIK · 0 përgjigje të ruajtura

Ledina argëtoi megjithëse nuk u vlerësua

Ardi Pulaj
Tiranë





Ledina Çelo s'arriti suksesin e Anjeza Shahinit një vit më parë
Këngëtarja Ledina Çelo prezantoi Shqipërinë në edicionin e 50-të të Festivalit të Këngës në Eurovision, që u zhvillua në Kiev të Ukrahinës.
Por ndryshe nga një vit më parë, Çelo, nuk arriti dot suksesin e këngëtares Anjeza Shahini, duke e pozicionuar Shqipërinë në vendin e gjashtëmbëdhjetë.

Shtypi I Tiranës nxitoi të hidhte kritika mbi prezantimin e Shqipërisë në këtë festival.

Kompozitori Shpëtim Saraçi ishte nga të parët dhe të vetmit që doli në media si specialist i muzikës.

Ai kritikoi performancën shqiptare dhe sipas tij, koreografia e dobët i uli shumë pikë prezantimit në Kiev.

Por menjëherë u përgjigj koreografi Arjan Sukniqi, i cili u kujdes për balerinët që u munduan të sillnin atmosferën e një dasme shqiptare.

“Eurovisioni është festival kënge dhe jo baleti”, u shpreh Sukniqi.

Në fakt, kënga “Nesër shkoj” nuk e pati këmbën e mbarë në Kiev. Vetëm disa ditë përpara festivalit, në Shqipëri lindi një konflikt mes autorëve të këngës dhe Radio Televizionit Publik Shqiptar për cështjen e të drejtave të autorit.

Kjo gjë e bëri më konfuze dhe më të pasigurtë Ledina Çelon.

Ndryshe nga Eurovisioni i Stambollit, këtë vit Shqipërisë i munguan votat e bashkëatdhetarëve në Europë.

Maqedonia dha pikët maksimale, 12, Greqia, Turqia, Bosnje-Herzegovina, Serbia e Mali i Zi, gjithashtu dhanë pikë, por votat telefonike munguan nga vendet ku komunitetet shqiptare janë më të mëdha.

Gjithashtu, duhet pranuar fakti se kënga e Ledina Celos “Nesër shkoj”, nuk pati ndonjë fushatë të gjerë promovimi.

Në Shqipëri e kundërta ndodhi me këngën “My number one”, të grekes Helena Paparizou, e cila më pas e fitoi edicionin e 50-të të Eurovisionit.

Radiostacionet dhe televizionet këtu e transmetuan Helena Paparizou-n më shumë sesa këngën shqiptare, dhe “My number one” tani këtu është një hit. Kjo ishte një nga arsyet pse Shqipëria i dha gjatë votimit 12 pikët maksimale, Greqisë.

Helena Paparizou që u prit si një heroinë në Greqi pas fitores, tani do t’i ftojë vendet europiane që të marrin pjesë në edicionin e ardhshëm të Eurovisionit, vitin e ardhshëm në Athinë, ndërsa Shqipërisë do t’i duhet të kalojë provën paraeleminatore për të siguruar një vend në finale.

Arkiv për lexim. Datat janë datat e postimit në forumin origjinal. Titujt mund të jenë të shkurtuar nga sistemi i vjetër. Adresat elektronike dhe IP-të janë fshehur.