Vendlindje e re për banorët e rrezikuar

2006-03-29 · Forumi historik RTVZIK · 0 përgjigje të ruajtura

Tentim për të shpëtuar të rrezikuarit nga rrëshqitja e tokës

Vendlindje e re për banorët e rrezikuar

Komuna e Tetovës ka vendosur të dislokojë lagjen e fshatit Gjermë, që rrezikohet nga erozioni

GËZIM SULEJMANI

Tetovë, 27 mars - Komuna e Tetovës ka miratuar një vendim për zgjidhjen e problemit të banorëve të lagjes së rrezikuar nga erozioni në fshatin Gjermë të Tetovës. Banorët e rreth 30 shtëpive të plasaritura, në muret e të cilave vazhdimisht paraqiten çarje të reja, do të zhvendosen nga vendlindja e tyre drejt një vendlindjeje të re. Këshilltari komunal dhe kryetari i komisionit për menaxhimin e situatave të fatkeqësive natyrore, Qefali Havzija konfirmoi se organet komunale janë duke kërkuar një hapësirë të përshtatshme për dislokimin e banorëve të kësaj lagje të rrezikuar. “Jemi në kërkim të një vendi të përshtatshëm për të zhvendosur banorët e rrezikuar”, tha Qefali Havzija.
Rrëshqitja e dheut rrezikon një lagje në një kodrinë afër Lumit të Shpejtë dhe vendbanimet e fushës së Pollogut si Porojin, lagjen Drenoc, Xhepçishtin dhe fshatin Trebosh të Komunës së Zhelinës.
Banorët e Gjermës thonë se janë ngopur nga premtimet boshe të Qeverisë së Maqedonisë. “Në kohën e fushatave parazgjedhore, qeveritarët vijnë gjoks fryrë duke premtuar se do të ndërtojnë penda mbrojtëse dhe më pas gjithçka e fusin në harresë”, thotë i revoltuar Sadri Jonuzi, nga fshati Gjermë.
Banorët e rrezikuar deri tani janë solidarizuar mes vete, duke u evakuuar në shtëpitë e njëri tjetrit.
Kryetari i këshillit të emergjencës në fshatin Gjermë, Latif Latifi ka përsëritur kërkesën për intervenim urgjent të strukturave kompetente: komunës dhe qeverisë. “Ka ardhur koha e fundit për të bërë diçka konkrete, jemi në prag të vërshimit pranveror të ujërave dhe të Lumit të Shpejtë. Nëse nuk ndërmarrin diçka e gjithë lagja do të shembet dhe do të përmbyten vendbanimet e fshatrave fushorë”, tha ai.

Arkiv për lexim. Datat janë datat e postimit në forumin origjinal. Titujt mund të jenë të shkurtuar nga sistemi i vjetër. Adresat elektronike dhe IP-të janë fshehur.