Shefat kërkojnë shërbime “plotësuese”

2006-03-29 · Forumi historik RTVZIK · 0 përgjigje të ruajtura

Shefat kërkojnë shërbime “plotësuese”

Shumica e femrave të keqtrajtuara janë të moshës 18 deri 25 vjeçare dhe të gjitha paraprakisht kanë qenë në marrëdhënie pune

SHEMSEDIN IBRAHIMI
Tetovë, 27 mars - Gjatë një viti në Tetovë, 12 femra janë keqtrajtuar seksualisht nga shefat e tyre. Këto raste janë të regjistruar në zyrën për barabarësi gjinore në Tetovë.
“Janë 12 femra, të cilat janë paraqitur në zyrën tonë për ndihmë, për shkak së kanë qenë të keqtrajtuara seksualisht nga shefat e tyre”, tha Kristina Jovanoviq, menaxhere në zyrën e Komisionit për barabarësi gjinore në Tetovë.
“Në fillim u pranova në punë si kontabiliste. Më vonë shefi më ndryshoi vendin e punës dhe më transferoi të punoj si kameriere. Në fund ai tha se duhet të jap shërbime të tjera, që të kthehem në vendin e mëparshëm të punës”, tha I.N. nga Tetova, e cila rastin e vet e ka paraqitur në Zyrën për barabarësi gjinore në Tetovë.
Rastet janë regjistruar gjatë një viti, dhe ato kryesisht kanë qenë femra të reja, të sapo punësuara dhe më pas të larguara nga puna për shkak se nuk kanë mundur ta durojnë presionin e bërë.
“Dy vajza kanë qenë të detyruara që ta lëshojnë vendin e punës, për shkak të presionit të vazhdueshëm për të pranuar oferta seksuale”, tha Jovanoviq. Për këto dy raste zyra për barabarësi gjinore në Tetovë ka ngritur procedurë gjyqësore dhe pritet që të ketë edhe epilog konkret. Shumica e femrave të keqtrajtuara janë të moshës 18 deri 25 vjeçare dhe të gjitha paraprakisht kanë qenë në marrëdhënie pune.
Katër raste të keqtrajtimit seksual kanë ndodhur në institucione shtetërore. Në një rast, një femre i është kërkuar shërbim seksual dhe pastaj i është ofruar punë.
Gjysma e femrave të keqtrajtuara janë shqiptare, pesë janë maqedonase, ndërsa një është rome.


400 raste të dhunës familjare
Tetovë - Gjatë një viti në Tetovë janë regjistruar rreth 400 raste të dhunës familjare. Prej tyre numri më i madh janë gra të keqtrajtuara nga burrat e tyre. Pjesa tjetër e rasteve janë burra të keqtrajtuar dhe fëmijë të mitur. Në bazë të të dhënave të Zyrës për barabarësi gjinore në Tetovë, numri më i madh i femrave në Tetovë kanë përjetuar keqtrajtime psikike, më pas renditen rastet e keqtrajtimeve fizike dhe në fund janë keqtrajtimet seksuale. Zyra për barabarësi gjinore në Tetovë bën regjistrimin e rasteve dhe intervenon në rastet kur kjo është e mundur sipas ligjit ekzistues. Sipas Kristina Jovanoviq, në Maqedoni nuk ekziston ligj i cili në mënyrë të qartë jep sanksione për personat të cilët bëjnë keqtrajtime seksuale.

Arkiv për lexim. Datat janë datat e postimit në forumin origjinal. Titujt mund të jenë të shkurtuar nga sistemi i vjetër. Adresat elektronike dhe IP-të janë fshehur.