Pacientët nxehen me kaloriferët e tyre/NGA LAJM

2006-03-25 · Forumi historik RTVZIK · 0 përgjigje të ruajtura

Ndodhi e pazakonshme në spitalin e Tetovës

Pacientët nxehen me kaloriferët e tyre

Fëmijët dhe pacientët e tjerë për t’u shtrirë në spitalin e Tetovës duhet që me vete të marrin një kalorifer dhe dy batanije për të shpëtuar nga të ftohtët për shkak se dy javët e fundit nuk funksionon ngrohja qendrore në bllokun internistik

GËZIM SULEJMANI

Tetovë, 24 mars - Repartet në bllokun pesëkatësh të internistikës funksionojnë në mënyrë jonormale për shkak të mungesës së ngrohjes qendrore. Fëmijët dhe të rriturit që shtrihen në spital detyrohen që të marrin nga shtëpia aparaturat e nevojshme për ngrohje për shkak se gjatë natës mbretërojnë temperatura të ulëta në këtë pjesë rrëzë Sharrit. Derisa pacientët ankohen dhe preferojnë që më mirë të shtrihen në shtëpi se sa të përballen me të ftohtët dhe të mos sëmuren më tepër, autoritetet drejtuese të reparteve të fëmijëve, të psikiatrisë dhe të sëmundjeve të brendshme konfirmojnë gjendjen e tillë që mbretëron në këtë ndërtesë.
“Lënda djegëse është harxhuar dhe dhjetë ditët e fundit në bllokun tonë nuk funksionon ngrohja qendrore, ndërkohë në katin e 4 dhe të 5 përballemi edhe me mungesën e ujit të pijshëm çka paraqesin dy probleme elementare për funksionimin normal të këtij reparti”, tha Qenan Ramadani, kryeshef i repartit të fëmijëve, duke sqaruar se ai dhe personeli tjetër mjekësor ka ndarë batanije shtesë për fëmijët për t’u mbrojtur nga temperaturat më të ulëta gjatë natës.
Këtë situatë e konfirmoi edhe kryeshefi i repartit të internistikës, Ismail Qamili, i cili tha se shumë pacientë nuk ndalen për mjekim spitalor dhe shkojnë e shtrihen në shtëpitë e tyre. “Në repartin e sëmundjeve të brendshme kërkojnë ndihmë rreth 150 pacientë në ditë, mirëpo për shkak të mosfunksionimit të ngrohjes qendrore pacientët nuk shtrihen në 82 krevatet tona, aty shtrihen vetëm ata pacientë që sjellin aparate për ngrohje nga shtëpitë e tyre”, tha kryeshefi i repartit të internistikës, Ismail Qamili. Sipas tij, kjo situatë duhet të tejkalohet sepse kjo pamundëson funksionimin normal të këtij reparti dhe në anën tjetër me kaloriferët privatë harxhohet rrymë më tepër.
Pacientët që vijnë nga lagjet e qytetit në asnjë mënyrë nuk shtrihen në bllokun e internistikës dhe preferojnë që të shtrihen në shtëpitë e tyre dhe vetëm kontrollet i bëjnë te mjeku amë. Ndërsa pacientët që vijën nga vendbanimet më të largëta ata patjetër duhet që të shtrihen në spital, por duke marrë me vete një kalorifer për ngrohje. “Nuk kam çare tjetër, bre biro, patjetër të shtrihem në spital sepse kam probleme me zemrën edhe pse këtu është ftohtë, nxehem me këtë kalorifer me rrymë që ma ka siguruar djali”, tha një plakë që vinte nga një fshat i malësisë së Tetovës, duke u mbuluar herë pas here me batanijet që gjithashtu i kishte sjell na shtëpia.
Ndërkaq, në repartin e fëmijëve një nënë qëndronte së bashku me foshnjën e saj tremujore e shtrirë për shërim në përkujdesje mjekësore tha se ajo qëndron në kushte të vështira por ma tepër shqetësohet për djalin e saj sesa për veten.
”Dritoni, që tani ka mbushur tre muaj, pa asnjë faj duhet të mërdhijë në dhomat e ftohta pa ngrohje qendrore, në shpresë për të marrë ndihmë mjekësore ne do të sëmuremi të dy”, tha një nënë që rrinte nën batanije së bashku me foshnjën e saj, ku janë edhe 42 shtretër për trajtim mjekësor për fëmijët e porsalindur deri në moshën 14 vjeçare.
Drejtori i Qendrës mjekësore Lutfi Zylbehari, nuk ishte i kapshëm për të dhënë ndonjë sqarim ose për të treguar se sa do të vazhdojë kjo gjendje.

Arkiv për lexim. Datat janë datat e postimit në forumin origjinal. Titujt mund të jenë të shkurtuar nga sistemi i vjetër. Adresat elektronike dhe IP-të janë fshehur.