BISEDIMET E VJENËS – RREZIKOJNË TË ARDHMEN E KOSOVËS

2006-03-21 · Forumi historik RTVZIK · 0 përgjigje të ruajtura

BISEDIMET E VJENËS – RREZIKOJNË TË ARDHMEN E KOSOVËS


Shkruan: Sejdi Veseli


Këto far t’i quajmë bisedime, të cilat kanë të bëjnë me të sotmen dhe të
ardhmen e Kosovës, u përgatiten, u përzgjodh vendi i zhvillimit të tyre dhe
thirren, sipas skenarëve të përpiluara nga ndërmjetësuesit ndërkombëtar, pa
u konsultuar fare pala kosovare.
Për të gjitha zhvillimet gjatë fazës përgatitore të këtyre far bisedimeve,
ndërmjetësuesit e “pa anshëm” ndërkombëtar e njoftuan palën shqiptare, vetëm
atëherë pasi i kishin harmonizuar qëndrimet e tyre në përputhje me kërkesat
e Beogradit zyrtar.
Këto sjellje të ndërmjetësuesve të matufosur ndërkombëtar nuk mund të
konsiderohen ndryshe, pos injorim deri në shkallën e nënçmimit ndaj palës
shqiptare, edhe pse dihet se ajo realisht e ka të drejtën për të negociuar
dhe vendosur, vetëm në lidhje me përgatitjen e referendumit për vetëvendosje
të popullit të kësaj krahine shqiptare, të ndarë dhunshëm nga tërësia e
natyrshme e Shqipërisë Etnike,te aneksuar nga Serbia hegjemoniste dhe të
çliruar nga lufta heroike dhe sakrificat sublime të bijve dhe bijave të tij
nën Flamurin e Famëmadhes Ushtria Çlirimtare e Kosovës, të mbështetur edhe
nga Fuqia më e madhe e kohës NATO-ja.
Zhvillimet rreth këtyre far bisedimeve po dëshmojnë, se kundërshtimi i
vendosur ndaj këtyre far bisedimesh nga përfaqësuesit e dëshmuar të popullit
shqiptarë, siç është Simboli i rezistencës Bacë Adem Demaçi dhe i disa
subjekteve politike, siç është Lëvizja Vetëvendosje ishte i drejtë.
Për të dëshmuar se kanë të drejta ata që kundërshtojnë këto far bisedimesh,
ka argumente me bollëk. Por, megjithatë e vlen të theksohet, se përfundimi i
këtyre far bisedimeve (gjoja teknike), për palën shqiptare do të jetë edhe
një kapitullim.
Parashtrohet pyetja, pse?
Përgjigja e vetme dhe përmbledhëse do të ishte: sepse, delegacionit të
shqiptarëve i është rezervuar pozita e pabarabartë, në raport me atë të
palës serbijane.
Por, pa marrë parasysh se kjo pabarazi shprehet në shumë drejtime, palës
shqiptare, me siguri të magjepsur nga kamerat televizive dhe për hir të
përgjegjshmërisë (lexo: servilizmit,mëditjet e larta...) ndaj faktorëve
ndërkombëtar, kjo pozitë e pabarabartë (edhe pse shihet se është e
inskenuar) nuk u bënë përshtypje.
Për ndryshim nga pala serbijane, palës shqiptare i mungojnë kompetencat e
domosdoshme vendimmarrëse dhe ekzekutive, për implementimin e obligimeve që
do të dilnin nga ndonjë marrëveshje eventuale, qoftë ajo e imponuar nga
ndërmjetësuesit e “pa anshëm” ndërkombëtar, si pasojë e pozitës së
padefinuar statusore të vendit që e përfaqësojnë.
Çka është edhe më keq, këto bisedime, jo vetëm se drejtohen dhe mbikëqyren
nga faktori ndërkombëtar, ato zhvillohen ndërmjet dy palëve të cilat deri
para pak kohësh ishin në luftë. Njëra palë (serbijane) ushtronte gjenocidin,
ndërsa pala tjetër (shqiptare) mbrohej nga ky gjenocid, andaj edhe secila
ulet para flamurit kombëtar të popullit(vendit) që e përfaqëson. Pala
serbijane e dinë para cilit flamur do të ulet, ndërsa pala “shqiptare” e
dresuar për t’u ulur para flamujve të huaj, nuk e ka të qartë, se prapa
cilit flamur do të ulet, përballë palës serbe.
Siç u pa, në këto bisedime pala “shqiptare” e nënçmoi vetën deri në atë
shkallë, sa që ministrat e të ashtuquajturave IPVQ të Kosovës pranojnë të
ulen si të barabartë për nga rangu edhe me këshilltarët e Tadiqit dhe
Koshtunicës!
Thënë me dashamirësi, sa nuk është bërë tepër vonë, të gjithë ata të cilët
krekosen se janë të mandatuar me votën e lirë të shqiptarëve, do të duhej ta
kuptojnë përfundimisht, se po vazhduan të marrin pjesë në këto far
bisedimesh, pasojat për interesat legjitime të popullit të Kosovës,
pashmangshëm do të jenë vështirë të riparueshme dhe me siguri nuk do të mund
t’i ikin përgjegjësisë!
Është momenti i fundit, që të mandatuarit e popullit t’i lënë anash
interesat e tyre meskine dhe të vihen në shërbim të interesave legjitime të
popullit që ua fali besimin me votën e tij, duke marr vendime të guximshme,
ashtu siç veproi më në fund, para pak ditësh Ministri i Jashtëm shqiptar, Z.
Besnik Mustafaj:
-së pari për refuzimin e parevokueshëm për pjesëmarrje në bisedime të
drejtpërdrejta me Serbinë, për të ardhmen e Kosovës. Nuk ka arsyetim më të
qëndrueshëm për një vendim të tillë, se vullneti i më se dy milionë
shqiptarëve. Vullnet ky i legjitimuar nga lufta e armatosur çlirimtare, të
cilën u detyruan ta bëjnë, jo pse kishin pretendime territoriale ndaj
trojeve etnike të popujve me të cilët kufizohen, por për t’u çliruar nga
terrori i organizuar shtetëror i përmasave të gjenocidit i cili ushtrohej
mbi ta nga pushtuesi serbo-çetnik. Kjo është një e vërtetë e
pakontestueshme, e cila nuk mund të kontestohet as nga Bashkësia
Ndërkombëtare, sepse ky terror i shtetit serbijanë u ushtrua ndaj
shqiptarëve, para syve të saj;
-së dyti për pezullimin e bisedimeve teknike me palën serbijane, derisa të
organizohej dhe kryhej referendumi gjithë popullor i Kosovës për
vetëvendosje. Natyrisht nën mbikëqyrjen ndërkombëtare. Është e ditur se këto
bisedime do të parashtrohen si domosdoshmëri, pasi që nga Bashkësia
Ndërkombëtare të pranoheshin rezultatet e referendumit gjithë popullor.
Është momenti fundit që, si Bashkësia Ndërkombëtare, ashtu dhe servilet e
saj vendor, t’ia vejnë gishtin kokës dhe të rishikojnë sjelljet e tyre në
raport me shqiptarët , para se t’i kalojnë kufijtë e durimit të tyre, sepse
po u kaluan këta kufij, pasojat do të jenë, jo vetëm të paparashikueshme,
por edhe vështirë të riparueshme!
Pra, do të ishte në shërbim të interesit të përgjithshëm, jo vetëm të
Ballkanit, që Bashkësia Ndërkombëtare t’u thotë stop veprimeve të disa
qarqeve të saj, si dhe instruktorëve të tyre, që të bëjnë kujdes, mos ta
sjellin punën për t’u bindur përfundimisht:
-se nuk ka forcë e cila do të jetë e aftë për ta shtypur rezistencën e
popullit shqiptar, në mbrojtje të interesave të tij legjitime, njerëzore dhe
kombëtare;
-se kanë përendur në pa kthim ato kohëra kur bëheshin pazarllëqe me të
drejtat kombëtare dhe trojet etnike të shqiptarëve, sikur ato të ishin
plaçka të thjeshta të tregut;
-se rezistenca e shqiptarëve nuk do ndalet, për derisa nuk krijohen kushtet
optimale për të shfrytëzuar të drejtën e tyre të pa tjetërsueshme dhe të
ligjshme, për t’u vetë përcaktuar dhe për të vetëvendosur për të ardhmen e
tyre dhe atë, vetëm në bazë të vullnetit të tyre të lirë!

Prishtinë, me 20 mars 2006

Arkiv për lexim. Datat janë datat e postimit në forumin origjinal. Titujt mund të jenë të shkurtuar nga sistemi i vjetër. Adresat elektronike dhe IP-të janë fshehur.