PSE GJITHË KJO FURTUNË DIPLOMATIKE KUNDËR NJË QËNDRIMI DINJI

2006-03-21 · Forumi historik RTVZIK · 0 përgjigje të ruajtura

Shkruajnë:

Xhemil Zeqiri Fadil Shyti Mona Agrigoroaiei

PSE GJITHË KJO FURTUNË DIPLOMATIKE KUNDËR NJË QËNDRIMI DINJITOZ?!

"Në rast se Fuqitë te Mëdha do ta dënojnë këtë popull trim dhe liridashës të mbetet
në robëri dhe ca më keq të copëtohet midis shteteve fqinje, Gadishulli Ballkanik nuk
do të këtë kurrë qetësi, sepse shqiptarët nuk do të pushojnë asnjëherë së luftuari
për të përfituar pavarësinë kombëtare.

Përkundrazi, në rast se shqiptarëve do t'u njihen të drejtat e tyre kombëtare,
Shqipëria do të bëhet faktori i paqes dhe do të jetë si një digë kundër
ekspansionizmit carist, i cili rrezikon jo vetëm Gadishullin Ballkanik, por edhe
kontinentin evropian".

( Abdyl Frashëri )

Këto ditë Ministri i Jashtëm i Shqipërisë Besnik Mustafaj, e dha një deklaratë
modeste, politike thellësisht reale dhe dinjitoze.

Ai, krejt natyrshëm deklaroi se: "Shqipëria nuk jep garanci për kufijtë e saj me
Kosovën, në rast se vendoset ndarja e Kosovës veriore, ku jetojnë pakica serbe, nga
pjesa tjetër e vendit".

Shih, për këtë "gafë" politike pastaj, kanë shpërthyer si vreri reagime nga faktorë
të brendshëm dhe të jashtëm.

Kjo, për mendimin tonë është një cënim i vlerave demokratike shqiptare dhe
europiane, një qëndrim i njëanshëm nga ana e plitikanëve shqiptarë dhe të huaj.

Politikanët e "ndritur" duke filluar nga kryeministri Sali Berisha i cili nuk
pajtohet aspak me deklaratën e ministrit të tij, kur midis tjerash deklaroi: "ne
asnjëherë s´kemi qenë faktor destabilizues në rajon, ne nuk e duam bashkimin e
trojeve shqiptare, ne mendojmë se asnjë shqetësim nuk duhet t´i vijë Maqedonisë nga
ne, sepse ne jemi të parët që e kemi njohur Maqedoninë shtet"!...

Po, normalisht se kolaboracionistët si Sali Berisha s´janë për ribashkimin e trojeve
shqiptare.

Ata, po u shërbejnë armiqëve dhe marrin përfitime nga kjo, por duhet të dinë,
tradhtia nuk kalon e pavërejtur dhe nuk falet.

Populli shqiptar po ndërgjegjësohet gjithnjë e më shumë kundër "stabilitetit" (lexo:
pushtimin e kolonizimin e Shqipërisë) në Ballkan dhe do të përmbysë këtë sistem
djallëzor e të padrejtë kolonial, pavarësisht nëse duan apo nuk duan kuislingët
shqipfolës nga të gjitha kolltruqet e larta të shitura dhe padronët e tyre
serbo-sllavomaqedonas.

Nuk ka heshtur ndaj kësaj deklarate as shkrimtari me vlera "të mëdha"politike i cili
deklaroi dy ditë më parë se kemi të bëjmë me një deklaratë të nxituar në situatën që
u bë. Kadare, është shfaqur i habitur nga deklarata e Mustafajt, duke thënë: "Është
shumë e qartë puna e deklaratës, është kritikuar si jashtë si brenda, s'kam çfarë
shtoj. Mendoj se deklarata është e gabuar, nuk e di se për çfarë është bërë nuk e
marr vesh", ka thënë Kadare lidhur me këtë çështje për mediat.

Deklarata e tillë e I. Kadaresë, nuk na habit aspak, kur dihet fakti se ky
"politikan" kozmopolitik, paraqitet i beftë sa herë që situatat e reja marrin rrugë
për zgjidhjen e çështjes sonë gjithëkombëtare!!!

Ai, në cilësinë e "babait të kombit" po tregohet fort i matur, që ta ruaj
status-quon e tij, prej intelektuali me reputacion ndërkombëtar...

Sigurisht, më shumë se gjithçka shkrimtarin me delikatesë politike e mundon
verbëri-mania e marrjes së çmimit "Nobel" për letërsi!!!

Prandaj, mendojmë që edhe kësaj radhe gaboi Kadareja e jo Mustafaj!

Pastaj, iriton fakti i reagimeve aq të paskurpullta nga opozita shqiptare:

Fatkeqësisht, kësaj radhe opozita shqiptare u tregua tepër e papërmbajtur, duke u
vërsulur me të gjitha shigjetat kundër kësaj deklarate, ani pse nuk jemi mësuar ta
dëgjojmë Mustafajn me deklaratata tilla; ata dje e sulmonin me të drejtë përse ky
nuk deklarohej në favor të pavarësisë së plotë të Kosovës, ndërsa, kur tani doli me
qëndrime kombëtare, në mbrojtje të kufijëve të Kosovës, nuk i ndalojnë sulmet!!!

Ne mendojmë se: në Vjenë po përgaditet një ndarje e re për Kosovën, kjo po bëhet nën
maskën e decentralizimit...

Prandaj, deklarata u bë në kohën e duhur!

Kjo, qe paralajmërim për mizorinë që po na përgaditet!

Është tejet absurde dhe antikombëtare në veçanti deklarata nga Arta Dade e cila
madje kërkon që si reagim ndaj kësaj deklarate të mblidhet parlamenti shqiptar dhe
të prononcohet për këtë!!!

Do të ishte shumë e logjikshme dhe atdhetarisht e qëlluar sikur të mblidhej
parlamenti i Shqipërisë adminsitrative dhe parlamenti i Kosovës dhe kësaj deklarate
t´i jepej përkrahje pa rezerva!...

Ashtu, do t´i tregohej botës, se tani nuk mund të luhet lehtë me kufijtë e
Shqipërisë, ashtu siç është luajtur në vitet 1878, 1913, 1945 e deri sot.

Pa harruar të theksojmë këtu, se në përkrahje të kësaj deklarate deri tani ka dalë
lideri i opoziës shqiptare në Maqedoni, Arben Xhaferi i cili e ka vlerësuar
deklaratën si reale dhe në kohën e duhur.

Ne, mendojmë se është koha që sa më parë politikanët, analistët dhe kombi ynë ta
përkrahin këtë shkëndijë drite, në tunelin e politikës shqiptare!

Reagime me zëra kukuvajkash ka pasur pastaj nga shovenistët serbë:

Sipas Goran Bogdanoviç, anëtar i ekipit negociator të Beogradit shqiptarët nuk kanë
hequr dorë nga nocioni "Shqipëria e madhe". "Kjo deklaratë është provokacion që
tregon edhe për aspiratat e pashuara të shqiptarëve në Ballkan. Ata, llogarisin se
domino efekti do të bartet nga Kosova në Maqedoni, gjë që është jashtezakonisht e
rrezikshme dhe kërcënon tërë rajonin", ka deklaruar për shtypin serb negociatori
serb, Goran Bogdanoviç.

Në përkrahje të Goran Bogdanoviçit kanë shkruar dhe shumë serbë të tjerë për të
cilët këtu nuk po i citojmë...

Reagime ka edhe nga nga ministresha e punëve të jashtme të Maqedonisë, Mitreva dhe
liderë të tjerë maqedonas të cilëve "u ka hyrë lepuri në bark" nga ky paralajmërim
fort i qëlluar i Mustafajt.

Shovenistët sllavë siç e kanë zakon u bënë alergjikë dhe menjëherë kërcnuan:
"kufijtë e Maqedonisë do i ruajmë vetë"!

Kush reagon i pari ai e ka mizën pas veshit-thotë populli ynë.

Por, ata duhet të dinë se shqiptarët (përveç kolaboracionistët) nuk synojnë të
krijojnë asnjë "Shqipëri të Madhe", por të parandalojnë krijimin e Serbisë së Madhe,
Maqedonisë së Madhe, Greqisë së Madhe dhe Malit të Zi të Madh, shtete këto
koloniale, që me dhunë e forcë u majmën duke marrë në pushtim e kolonizim trojet
shqiptare!

Bogdanoviç po tregohet një shovenist i pashërueshëm, dhe në këtë kontekst, meqë
është pjesë e ekipës së negociatorëve serbë në "bisedimet" me Beogradin, po tërheqim
sinjalin e alarmit për rrezikun jashtëzakonisht të madh që po i përgatitet Kosovës,
të shfaqur jo vetëm pas analizimit të situatës, por edhe pas këtyre deklaratave të
kolonialistëve të stilit "sulmo me etiketime": ndarja e Kosovës.

Shovenistët okupatorë serbo-malazezë e maqedonë reagojnë sepse ata janë fajtorë, se
për më tepër se një shekull i mbajnë padrejtësisht të kolonizuara trojet tona
shqiptare, por këtë e kanë bërë deri tani me bekimin dhe ndihmën e Europës, prandaj
edhe tani kjo furtunë diplomatike i kaloi kufijtë e Shqipërisë dhe të Ballkanit!!!

Në vazhdën e ethshme të diplomacisë europiane sipas modelit "mbyteni mendimin e lirë
përparimtar shqiptar", si kujdestare e mjerë pro-sllave, reagoi edhe Doris Pack e
cila deklaroi:

QËNDRIMI I MUSTAFAJT, ÇMENDURI.

Presidentja e delegacionit të Parlamentit Europian për Europën Juglindore, Doris
Pack, kundërshtoi dje ekzistencën e mundësisë së ndarjes së Kosovës dhe rishikimit
të kufijve ne Ballkan. "Kjo është një çmenduri.

Nëse atje do të këtë pavarësi e kam thënë gjithnjë se do të jetë e kushtëzuar.

Dhe, kushti më i madh që duhet të firmoset në Këshillin e Sigurimit, është se nuk ka
për të pasur asnjë ndryshim kufijsh as në Maqedoni, as në Shqipëri, madje as në
luginën e Preshevës, në Serbi.

Pra, mendoj se duhet të jetë e qartë se kjo nuk ka për të ndodhur.

Përndryshe, nuk do te pranoja asnjë rezultat të pavarësisë se kjo është e pamundur",
deklaroi Pack.

Ajo, shtoi se nëse ne duam paqe në rajon, duhet të mbajmë Maqedoninë ashtu siç
është, Shqipërinë kështu siç është dhe Serbinë e Malin e Zi ashtu siç janë.

"Unë mendoj se është turp që një Ministër i Jashtëm shpreh një ide të tillë", tha
Pack duke komentuar deklaratën e ministrit të jashtëm, Besnik Mustafaj se nëse
Kosova do të ndahet, atëherë ndryshimi i kufijve do të jetë një efekt domino në
rajon. Pas deklaratës se kryediplomatit, se "Shqipëria nuk jep garanci për kufijtë e
saj me Kosovën, në rast se vendoset ndarja e Kosovës veriore, ku jetojnë pakica
serbe, nga pjesa tjeter e vendit" kane mberritur reagime nga shumë faktorë.

Dhe, nuk e sheh aspak këtë si një reagim ndaj deklaratave të Drashkoviçit të cilat
në fakt janë bërë tre muaj me parë.

Zonja, Pack është mirë t´i hapë arkivat e vjetra të Londrës, aty mesiguri do ta
gjejë një deklaratë të ish-homologut të saj, Eduard Greit i cili në vitet e errëta
1913, kur u copëtuan kufijtë e Shqipërisë ka deklaruar përafërsisht kështu: "ne e
dimë se kemi bërë padrejtësi ndaj Shqipërisë, duke i caktuar kështu kufijtë, por
këtë e bëmë për ta sjellur paqen në Ballkan"!

Kjo, deklaratë e tij e pasqyron më së miri padrejtësinë që Europa plakë e bëri ndaj
kombit shqiptar!

Pastaj, e pasqyron më së miri se çfarë paqeje i sollën këto vendime, paqes në Ballkan.

Dihet historikisht, se vendimet e padrejta mbi popujt e vegjël, nga fuqitë e mëdha
ishin janë dhe do të jenë burim fatkeqësish, burim luftërash të pandërprera deri në
përmirësimin e këtyre padrejtësive!

Zonja, Pack kur i jepë vetes të drejtë të deklarohet kaq hapur pro-vendeve sllave,
pra kundër ribashkimit të trojeve shqiptare, sigurisht nga verëbëria e ambicjeve
politike "europiane" , antidemokratike e harron të drejtën madhore të kombeve për
VETËVENDOSJE.

Ajo, sigurisht e ka harruar edhe pyetjen e ish-homologut të saj Eduadr Grei, kur ky
ia bëri Isa Boletinit:

Nga të kemi o burrë i Shqipërisë?

Kur Isa Boletini i tha se jam nga Mitrovica; Grei duke e kërkuar në hartën e
Shqipërsië, Mitrovicën i tha: ah sikur të ishte Mitrovica më afër kufirit me
Shqipërinë (londineze), për hatrin tënd do t´ia bashkoja Shqipërisë!

Atëherë, Isa Boletini ia ktheu: jo zotëri nuk kam ardhur këtu ta kërkoj vetëm
Mitrovicën, por kam ardhur këtu ta kërkoj bashkimin e të gjitha trojeve shqiptare!

Nga kjo, konstatojmë se: sa e padrejtë tregohet Pack, ndaj Mitrovicës, e cila qe
tetë vjetë po e përjeton tragjedinë e ndarjes "demokratike", europiane, alla
franceze, por edhe ndaj trojeve tjera shqiptare, kur me çdo kusht nuk lejon që këto
troje t´i ribashkohen vendit amë-Shqipërisë.

Për mendimin tonë kjo është ÇMENDURI e jo deklarata e minstrit shqiptar!

A e mendon zonja Pack se jeton në Europën e Re, ku gjatë këtyre viteve të
ndryshimeve të mëdha në Ballkan dhe Europë, shumë kufijë shtetesh kanë pësuar
ndryshime?

Mos Gjermania qenka e vogël dhe larg saj, për të mos e parë zonja Pack dhe të gjithë
ithatarët e saj "demokratë", të integrimeve europiane, që mendojnë si ajo!

Vallë, mos këta diplomatë cinikë, harrojnë se edhe Shqipëria i takon rajonit europian?!

Përse vetëm Shqipëria të mos i gëzoj të drejtën dhe frutet e ribashkimeve
(integrimeve) të reja brenda vetëvetes?!

Pse, zonja Doris Pack, asnjëherë , nuk i ka quajtur deklarata të çmendura,
deklaratat e çetnikëve serbë, të veshura me petkun e "demokracisë" si ajo e
Drazhkoviqit&Co?!

Ne, mendojmë që deklarata e Mustafajt qe me të drejtë një ragim ndaj shumë
deklaratave të liderëve shovenistë serbë si: Drazhkoviqi, Tadiqi, Koshtunica, qe
reagim edhe ndaj klerit fanatik dhe qarqeve të tjera serbomëdha të cilët si në kor
deklarojnë kudo dhe kurdoherë se: Kosova është e Serbisë, ne, s´do të lejojmë kurrë
që Kosova të bëhet e pavarur.

Për më tepër, ne mendojmë se kjo deklaratë nuk është krejtësisht e plotë dhe e
qëlluar; për faktin se Shqipëria është palë e humbur gjatë historisë, derisa
territoret e saj etnike, i ka të okupuara nga shtetet fqinje; prandaj ajo nuk duhet
as të angjazhohet as të ndiej kurrfarë obligimi ndërkombëtar për ruajtjen e këtyre
kufijëve imperialistë të vjetër e të rinj!

Shqipëria, me diplomacinë e saj, me këmbëngulje duhet t´ ua thotë hapur e pa
dorashka miqëve dhe armiqëve të saj: Shqipëria, mjaft e ka mbajtur peshën e madhe të
copëtimit të trojeve të veta, tani fuqitë e mëdha euro-atlantike, duhet t´i
rishikojnë qëndrimet e tyre ndaj Shqipërisë!!!

Siç merret vesh, edhe plaku "i urtë", Solana, paska kërkuar që Mustafaj të
deklarohet në Bruksel, për këtë "katastrofë" diplomatike!!!

Ne, ia shtrojmë pyetjen Solanës: për faktin që je një burrë shteti ndërmjetësues
midis palëve: Kosovë- Serbi, përse asnjëherë nuk iu kërkove liderëve serbë
përgjegjësi dhe të deklarohen e të pendohen në Bruksel, për deklarat e tyre
shoveniste antishqiptare?!!!

Ne, mendojmë se diplomacia shqiptare kërkohet urgjentisht të reflektoj pozitivisht,
pra t´i del në përkrahje kësaj deklarate, por jo vetëm kaq, ajo të mos mjaftohet
vetëm me deklarata por të veprojë me hapa konkretë praktikisht për t´i vënë në jetë
idealet madhore të breznive shqiptare që Shqipërinë tonë ta bëjmë ashtu siç e deshën
e duan dhe do ta duan të gjithë shqiptarët atdhetarë:

të ribashkuar, sepse vetëm ashtu do të jetë një Shqipëri e fortë dhe e përparuar.

Shqipëria, duhet të ketë një diplomaci aktive në të mirën e shfarosjes së këtyre
kufijëve kolonialë antishqiptarë që i ka në Ballkan.

Shqipëria, duhet të mos ketë në asnjë rast e rrethanë garanci ndaj shteteve fqinje
koloniale, se kufijtë aktualë të padrejtë pranohen, përkundrazi duhet me shqetësim
të shpallim se Shqipërinë e kemi gjysmake dhe të kapluar nga neokolonializmi
serbo-sllavo-maqedonas.

Kjo, Shqipëri e ribashkuar nuk do të jetë as e madhe as e vogël; do të jetë krejt
natyrale, krejt reale, kjo Shqipëri askujt nuk do t´ia zhvatë një copë tokë të huaj,
kjo Shqipëri vetëm se do ta kthejë në vend padrejtësisnë e madhe që shekujve ia bënë
fuqitë imperialiste.

Urojmë që politika shqiptare dhe ajo ndërkombëtare ta rishikoj pozicionin e vet të
deritashëm, pra ta respektoj të drejtën e kombeve për VETËVENDOSJE, vetëm kështu
ardhmëria e popujve të Ballkanit dhe të Europës, do të jetë ardhmëri e ndritur.

Urime! Mustafaj, paska filluar të kthjellohet! Urojmë që kjo zhdavaritje
mjegullnajash politike të mbisundojë edhe në kokat e politikanëve tjerë shqiptarë
dhe të huaj!

Danimarkë, Suedi, Rumani 20 Mars 2006.

Arkiv për lexim. Datat janë datat e postimit në forumin origjinal. Titujt mund të jenë të shkurtuar nga sistemi i vjetër. Adresat elektronike dhe IP-të janë fshehur.