MISIONARI/ NGA LAJM-MAQ.

2006-03-20 · Forumi historik RTVZIK · 0 përgjigje të ruajtura

Fatmir Limaj viziton PDSH-së dhe BDI-në

Misionari

“Jam i bindur që forcat politike shqiptare në Maqedoni do të dinë të ecin me kohën dhe t’u përgjigjen sfidave të kohës, si dhe do të dinë që ta ndihmojnë edhe çështjen e Kosovës”, ka deklaruar Limaj

ARTAN ARSLLANI
Tetovë, 19 mars - Kyçja e Bardhyl Mahmuti në radhët e Partisë Demokratike Shqiptare (PDSH) është promovuar solemnisht. Në koktejin e organizuar përveç nikoqërive, kreut më të lartë partiak, për të uruar kishin ardhur edhe bashkëpunëtorët më të afërt të Mahmutit nga Kosova respektivishtë, ish-strukturat më të larta të UÇK të Kosovës, tashmë të strukturuar në PDK-në e Kosovës. I pranishëm ka qënë i liruari nga Tribunali i Hagës, Fatmir Limaj i shoqëruar nga Jakup Krasniqi, Sami Lushtaku, Bajrush Xhemajli, Ramadan Avdiu e të tjerë.
Kryetari i PDSH-së duke lavdëruar dy bashkëpunëtorët e tij më të ngusht ka thënë se “kam rënë në hall”. “Deri më tani kam duruar tempon e Menduh Thaçit, ndërsa tash e tutje detyrohem të duroj edhe një tempo tjetër, atë të Bardhyl Mahmutit, i cili do t’i imponojë partisë 24 orë punë në ditë”.
Kreut të PDSH-së i është përgjigjur Fatmir Limaj, i cili ka thënë se “Xhaferi nuk do ta ketë lehtë me Mahmutin dhe Thaçin, por ata nuk do ta kenë vështirë nëse përcjellin mendimin politik të kryetarit të tyre”. “Jam i bindur që forcat politike shqiptare në Maqedoni do të dinë të ecin me kohën dhe t’u përgjigjen sfidave të kohës, si dhe do të dinë që ta ndihmojnë edhe çështjen e Kosovës”, ka deklaruar Limaj.
Ndërkaq protagonisti i mbrëmjes Bardhyl Mahmuti para të pranishmive ka hequr çdo dyshim për pavarsinë e Kosovës ndërsa ka shprehur shqetësimin për të drejtat e shqiptarëve në Maqedoni. “Duke parë se PDSH-ja është një bosht rreth së cilës mund të mobilizohen të gjithë intelektualët, profesionistët dhe patriotët e mirëfilltë, gjetëm gjuhë të përbashkët për të hapur dyert për potencialin demokratik dhe realizimin e të drejtave tona legjitime”, tha Mahmuti.
Fatmir Limaj ka shfrytëzuar qëndrimin e tij në Maqedoni për t’u takuar edhe me liderin e Bashkimit Demokratik për Integrim (BDI), Ali Ahmetin.

Arkiv për lexim. Datat janë datat e postimit në forumin origjinal. Titujt mund të jenë të shkurtuar nga sistemi i vjetër. Adresat elektronike dhe IP-të janë fshehur.