Në Prizren vendoset çarçafi që tregon për pasojat e decentra

2006-03-06 · Forumi historik RTVZIK · 0 përgjigje të ruajtura

Në Prizren vendoset çarçafi që tregon për pasojat e decentralizimit




Dje, aktivistët e VETËVENDOSJE!-s në Prizren vendosën çarçafin në të cilën
është vizatuar harta e Kosovës, e që i tregon pasojat që shkakton procesi
i decentralizimit. Kufijtë e brendshëm që i krijon decentralizimi janë
vizatuar me ngjyrë të kuqe. Çarçafi u vendos te ura më e afërt nga
shetitorja e Shadërvanit. Për t'i informuar më detajisht për këtë projekt
të dëmshëm nëpërmjet të cilit shteti serb po synon copëtimin e vendit
tonë, qytetarëve të mbledhur iu shpërnda trakti që shpjegon detajisht
pasojat fatale që ka ky projekt për të ardhmen e vendit tonë.


Aksioni përfundoi në orën 15:00. Pjesëtarët e Shërbimit Policor të Kosovës
si dhe ata të KFOR-it pritën përfundimin e aksionit, dhe kur aktivistët
nuk po gjendeshin afër çarçafit, ata e vodhën atë tinëzisht. Policia e
mohoi ta ketë vjedhur çarçafin, kurse qytetarët e shumtë, të cilët kishin
qenë dëshmitarë okular në ato çaste, tregojnë që vjedhja ishte kryer
pikërisht nga pjesëtarët e SHPK-së dhe KFOR-it.



6 mars 2006
Qendra e Lëvizjes VETËVENDOSJE! në Prizren

Arkiv për lexim. Datat janë datat e postimit në forumin origjinal. Titujt mund të jenë të shkurtuar nga sistemi i vjetër. Adresat elektronike dhe IP-të janë fshehur.