Jeniçerët që nuk u bënë Skënderbe

2005-06-03 · Forumi historik RTVZIK · 0 përgjigje të ruajtura

Jeniçerët që nuk u bënë Skënderbe

Edhe sot më kujtohet kur babi më çoi për dore në shkollë të mesme ku duhej të vazhdoja shkollimin në gjuhë joamtare. Unë atëherë mendoja se jeniçerizmi kishte përfunduar menjëherë pas shkatërrimit të perandorisë turke. Nga ta dija se për shqiptarët ai do të vazhdonte deri më sot. E pranoj publikisht: atëherë as që më shkonte ndër mend se do të vinte koha të varrosnim “parajsën socialiste” dhe të ndërtonim shoqëri të “hapura” shqiptare ku të gjithë së bashku, jeniçerë të dikurshëm, kurbetçinj të tanishëm, atdhetarë të vonuar dhe demokratë të posaemëruar, do të duhet ngutshëm të mësojmë gjuhën e vetme me të cilën mund të komunikojmë me ata që mbajnë rend në protektoratet tona – anglishten!



Kim MEHMETI

LOBI 202, 9 Maj 2005





Jeta është si një tërësi në të cilën lindja mban mbi vete të gjitha stinët e ardhshme. E vdekja mbetet si kulm i cili, lere që nuk bart asgjë mbi vete, por dhe të gjitha i shlyen. Mbase shumë gjenerata të mëparshme të shqiptarëve i jetuan në hutesë stinët më të vlefshme të jetës së tyre: ato të lazdranisë fëmijërore dhe të rinisë. Por, si duket, gjithmonë ia vlen të jetosh. Posaçërisht nëse e lexon mirë kalendarin që të takon dhe nëse arrin në të të shënosh sa më shumë ditë festive. Mbase edhe fëmijëria, si edhe rinia më e varfër, në mos më shumë, bartin në vete bukurinë e freskisë të kësaj moshe si dhe sinqeritetit e bindjes se i takon vetëm vetvetes dhe atyre që të duan dhe i do pa hile. Sikur të mos ishte ashtu, unë kurrë nuk do të mundja të përballja atë ditë kur assesi nuk e kuptoja se vallë më shumë dridhej dora ime, apo ajo e babait që shtrëngonte timen. Sepse atë ditë unë shtegtoja në një botë tjetër, në një gjuhë që nuk e njihja, në një kulturë dhe traditë të largët nga ajo që kisha thithur së bashku me qumështin e nënës. Sigurisht babai e ndjente se nuk isha mbështetur mbi guximin tim, por mbi dashurinë që ndjeja ndaj tij, andaj edhe para se të hapte derën e shkollës së mesme ku isha regjistruar, me një zë të mekur më tha: “Mësoje mirë gjuhën e tyre, se ajo t’i hap dyert e ardhmërisë!” Dhe atë ditë djaloshi në mua hapëroi rrugës së jeniçerizmit, si shumica e shqiptarëve të atëhershëm, të cilët ende pa e mësuar si duhet gjuhën e unifikuar letrare shqipe, duhej të vazhdonin shkollimin në gjuhët joamtare. Ata që, duke mos patur rrugë tjetër si të realizonin ëndrrat e veta dhe të prindërve që të mos mbeteshin druvarë, bëheshin pjesë e një kulture dhe tradite që nuk kishte asgjë të përbashkët me atë të qumështit të nënës.

Djaloshi i atëhershëm në mua nuk mund të vlerësonte drejt ç’rëndësi kishin çelësat gjuhësor që të hapnin dhe të mbyllnin rrugët e mbijetesës, por e ndiente deri në dhembje talljen e shokëve shkaku që nuk e njihte gjuhën e “vëllezërve” me të cilët ndërtonim shoqëri ku puna e bënte njeriun e njeriu e zhbënte vetveten. Dhe që ditët e para të shkollimit të mesëm fillova të urrej “h-në” e fortë të gjuhëve sllave, e cila më dilte gjithmonë si ajo “h-ja” e mekur e gjuhës së nënës, njësoj e heshtur si psherëtimat: “Oh, moj nënë...”, që më gufonin në kraharor saherë që duhej të shuaja të skuqurit në fytyrë. Mbase edhe kjo psherëtimë më ndihmoi që ngutshëm të përvetësoja gjuhën maqedonase dhe Ohrin kurrë më të mos e quaj “Orid”, sepse “Oh-ët” dilnin nga thellësitë e kraharorit djaloshar, i cili atëherë nuk e dinte se jeta është si ndërtesë e cila kërkon mjeshtri që ta ndërtosh, se shpeshherë ka konstrukt të cilin nuk e përcakton ti, por rrethanat jetësore. Asokohe as që mundesha ta di se edhe shoqërinë shqiptare, këtu dhe matanë kufirit, e ndërtonin muratorët që nuk e dinin më elementaren e mjeshtrisë së murimit kombëtar: se kulla e vlerave kombëtare duhet të ndërlidhet si një tërësi në të cilën çdo pjesë bart atë të ardhshmen, se vetëm themelet nuk i bart asgjë dhe e tëra qëndron mbi ta dhe se vetëm majet nuk bartin asgjë, përpos që janë të kërcënuara nga furtunat dhe rrufetë.

Jeniçeri në mua, si edhe shumë gjenerata të mëparshme të rinisë shqiptare në Jugosllavinë e Titos, duhej të vazhdonte betejat e mëtutjeshme të mbijetesës. Tani pasonte edhe një shtrëngim i duarve të babait me ato të miat, por të cilat ndërkohë ishin regjur dhe nuk dridheshin si dikur: të ndarjes për të shkuar në Beograd, ku sërish duhej të përvetësoja edhe një gjuhë që mund t’m’i hapte dyert e ardhmërisë. Jeniçeri në mua tani nuk ndodhej vetëm larg atdheut gjuhësor, por edhe larg vendlindjes. Ngutshëm e mësoi gjuhën që atëherë kishte vetëm një emër – serbokroatishten, e cila sot është bërë pronë e katër popujve dhe po aq emërtimeve. Ndërkaq, me po të njëjtën ngutje kohore bëhej e fjetur gjuha e qumështit, ajo e nënës. Dhe kisha filluar të shkruaja dhe të botoja në gjuhët e sllavëve të jugut, duke mos pasur mundësi të mësoja gramatikën e gjuhës amtare dhe duke u vetëgënjyer se gramatika u duhet vetëm atyre që nuk dinin si t’i shprehnin mendimet e veta. Pra, kishte filluar jeniçerizmi kulturor, i cili kërkonte të dëshmohesh në “oborrin mbretëror” që pastaj, nëse nuk ke harruar erëmimin e qumështit të nënës, t’i kthehesh vetvetes.

Dhe babi më çonte letra në të cilat fjalët shqip i shkruante me shkronja cirilike, që ia kishin mësuar menjëherë pas Luftës së Dytë Botërore. E unë ia ktheja përgjigjet duke përdorur alfabetin dhe fjalët shqip, po me “melodi” sllave. Letrat e babait dhe ato të miat ndërthurnin vazhdimësinë e jeniçerizmit tonë. Dhe ato që m’i dërgonte ai ishin përplot me dëshpërim pse djali nuk e dëgjoi të bëhet mjeku i parë në katund dhe me nga ndonjë shpresë të heshtur se mbase do të kthehesha si më i shkolluari i asaj ane. Ku e dinte ai i gjori se atje ku isha përpos që mësoja mirë gjuhën që “çilte dyert” e ardhmërisë socialiste, më kishte kapur edhe sëmundja t’i ndërroja fakultetet dhe dashuriçkat më shpesh sesa që ndërronin jevgjitët kuajt. Dhe bëhesha gati t’ia sillja në shtëpi flamurin e e jeniçerit të dështuar.

Vetëm nëna pati mirëkuptim kur ndërpreva shëtitjet nëpër fakultete dhe i fillova ato nëpër botë: “Nuk e sheh, flet një shqipe si të mos ishte djali im!” – i tha babit, e inatosur pse ai ende këmbëngulte të shkoja në ndonjë qendër tjetër universitare ku mbase do të duhej të përvetësoja edhe ndonjë gjuhë të sllavëve të jugut. Por, erdhi ’81, rrugët e Prishtinës u mbushën përplot me britma të cilat mbase donin t’i jepnin fund jeniçerizmit shqiptar në Jugosllavinë e Titos. Pas atij viti gjithnjë e më rrallë dëgjoja ofendimin se isha “i mençur sikur të isha i tyre e jo shqiptar”. Mbase “sulltanët” ideologjikë e kuptuan se të kota ishin investimet: se jeniçerët shqiptarë kurrë nuk do t’i shërbenin “oborrit” ideologjik, se fajtore për këtë ishin nënat tona që nuk mësuan asnjë fjalë në gjuhët në të cilat shkollohej pjella e tyre.

Ajo që pasoi më vonë – mbetet histori! Që ndoshta kurrë nuk do të kemi guxim ta shkruajmë ne, jeniçerët e dikurshëm e demokratët e sotëm. Mbase edhe shkaku se shumë prej nesh iu rikthyen vetvetes me ambicie vetëgënjyese të bëhen “skënderbetë” e demokratizimit. Andaj edhe shumica prej nesh ngutshëm dolën në krye të partive, morën në duar institucionet kulturore e shtetërore, mbyllën klanet e veta dhe përuruan një koncept të ri të mbijetimit, si emra të cilët duhet t’i mbajë mend ky popull: konceptin kufomëngrënës, që nënkupton t’ia hash kokën kundërshtarit politik dhe të pranosh vetëm meritat e të vdekurve. Të ndërtosh karrierë politike mbi varrezat e atyre që kanë flijuar çdo gjë. Ky fenomen i promovuar në vitet e nëntëdhjeta edhe sot e kësaj dite është letërnjoftim i veprimit kulturor dhe politik të shqiptarëve të Maqedonisë dhe të Kosovës. I lansuar nga disa jeniçerë të dikurshëm socialistë, ai u pëlqye edhe nga disa politikanë të rinj të dalë nga të gjitha UÇK-të e lavdishme shqiptare. Gjë të cilën më së miri e dëshmoi sjellja e disa qarqeve politike shqiptare me rastin më të fundtë, të Ramush Haradinajt, i cili brenda njëzet e katër orëve ripërtriu vlerat e zbehura shqiptare siç janë burrëria, guximi, bujaria, krenaria, flijimi për atdhe. Vlerat që më së shumti irrituan disa kundërshtarë të tij politikë, të cilët thuajse shkuarjen e tij në Hagë e dëshironin më shumë se Beogradi. Sepse Ramushi para tyre doli si pasqyrë e pastër burrërore, ku të gjithë mund të shihnim se jo çdo burrë është burrë dhe jo çdo trim ka shenjë njohëse trimërinë. Pra, se sa rëndë është të jesh Ramush Haradinaj në mjedis kulturor e politik ku çdonjëri pretendon të bëhet “skënderbe” dhe ku janë të paktë ata që e kanë kuptuar se trimat kurrë nuk ia hanë hakun më trimit.

Jeniçerizmi shqiptar i kohëve socialiste solli me vete edhe gjeneratën time, e cila fjalitë e thëna pastër shqip i ka të komponuara në “pentagramin” sintaksor sllav. Dhe tani, e mësuar me këtë melodi, dëshiron që të krijojë identitet të veçantë gjuhësor dhe kulturor. Ku ta dish, ndoshta shoqëria shqiptare jeton fazën kur duhet të paguajë çmimin e jeniçerizmit të dikurshëm, çmim të cilin do ta caktojnë ata që nuk e kanë kuptuar se nuk mundet çdo jeniçer të bëhet “skënderbe”. Pra, ata që nuk e kanë kuptuar se mjafton t’i kthehesh qumështit të nënës që të njohësh vetveten dhe të kuptosh se jeniçerizmi nuk është i turpshëm, se atë askush nuk do ta kishte zgjedhur me vetëdëshirë, por ia përcakton fati jetësor. Bile, në rrethana të caktuara, ai ka ndihmuar që të mbijetojë kjo shiqptari që kemi sot.

Edhe sot më kujtohet kur babi më çoi për dore në shkollë të mesme ku duhej të vazhdoja shkollimin në gjuhë joamtare. Unë atëherë mendoja se jeniçerizmi kishte përfunduar menjëherë pas shkatërrimit të perandorisë turke. Nga ta dija se për shqiptarët ai do të vazhdonte deri më sot. Asokohe Radio Tiranën e dëgjoja shumë rrallë dhe mahnitesha me suksesin e bashkëmoshatarëve të mi matanë kufirit, të cilët mbushnin thasët me kokrra gruri të mbledhura nëpër arat pasi kishin mbaruar korrje-shirjet. As që më shkonte ndër mend se në të vërtetë ata bënin mëkat: ua merrnin hisen zogjve, i linin pa ushqim shpendët këngëtarë, pa të cilët poetëve kurrë nuk do t’u kujtohej metafora e fluturimit. Atëherë kisha halle të tjera: si të sforcoja “h-në” e sllavëve të jugut, që të mos më tallnin mikeshat joshqiptare, të cilat kisha ambicie t’i robëroja në kthetrat e ngrohta të shtratit tim. E pranoj publikisht: atëherë as që më shkonte ndër mend se do të vinte koha të varrosnim “parajsën socialiste” dhe të ndërtonim shoqëri të “hapura” shqiptare ku të gjithë së bashku, jeniçerë të dikurshëm, kurbetçinj të tanishëm, atdhetarë të vonuar dhe demokratë të posaemëruar, do të duhet ngutshëm të mësojmë gjuhën e vetme me të cilën mund të komunikojmë me ata që mbajnë rend në protektoratet tona – anglishten!

Arkiv për lexim. Datat janë datat e postimit në forumin origjinal. Titujt mund të jenë të shkurtuar nga sistemi i vjetër. Adresat elektronike dhe IP-të janë fshehur.